-Si u raportua për vizitën historike të Sekretarit Amerikan të Shtetit nga gazeta e vetme shqipe në atë kohë në Kosovë, derisa kufiri me Shqipërinë ishte i hekurt, ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në titullin e reportazhit që e botova në Prishtinë e edhe në Tiranë në 19 mars 1996/
– Dy dekada të pranisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 20 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta/
Gazeta DIELLI, nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 22 Qershor 2016/ Para 25 viteve, në 22 qershorin e vitit 1991 për të përcjellë vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker në Tiranë nga gazeta e vetme shqipe në Kosovë në atë kohë “Bujku” dërguam ekipin në qytetin pranë kufirit të hekurt të Kosovës me Shqipërinë, në Gjakovë, atje ku mund të shihej Televizioni Shqiptar, i cili nuk mund të shihej në Prishtinë e në shumicën rajoneve kosovare. Fotot i patëm bërë nga transmetimet e Televizionit Shqiptar, nuk kishte asnjë mundësi teknike në atë kohë t’i marrim nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, me të cilën kishim nisur bashkëpunimet e para të mediave Kosovë-Shqipëri. Ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në titullin e reportazhit që e botova në Prishtinë e edhe në Tiranë në 19 mars 1996, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.
“Bujku” ishte gazetë e përditëshme e rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës, që nisi të dalë nga 18 janari 1991, isha themeluesi -kryeredaktori i saj në atë kohë. Ishte gazeta e vetme e përditshme shqipe ne Kosovë dhe edhe sfidonte ndalimin e dhunshëm të gazetës tradiconale kosovare Rilindja nga regjimi okupator serb.
SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 20 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Tash, 20 vite më pas në 17 shkurt 2016 Kosova festoi 8 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë me 111 njohje nga shtetet anëtare të OKB-së. Shteti i Kosovës është njohur që në orët e para nga SHBA e Shqipëria, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 6 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, më 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.
Në 21 gusht 2015, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te atëherë presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.