Qysh mbas vitit të parë të ktijimit të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, megjithë numërin e vogël të anëtarëve të saj, këshilli drejtues i shoqatës mendonte për të hapur shkollën shqipe, për të ruajtur gjuhën tonë tek fëmijët e ardhur nga atdheu ynë, por edhe atyre të lindur në emigracion, si një nga detyrat e mëdha që kjo shoqatë i kishte vënë vetes.
7 Marsi 2004 bëri realitet fillimin e realizimit të qëllimit të shoqatës, u hap me një ceremoni të bukur, shkolla e parë shqipe, që mori emrin “Gjuha Jonë”. Kjo shkollë, këtë vit, bëri 13 vjet, që në bangat e saj ulen dhe mësojnë gjuhën shqipe, por marrin njohuri edhe në historinë dhe gjeografine e Shqipërisë, fëmijët e Komunitetit Shqiptar në Filadelfia. Gjatë këtyre 13 viteve është bërë një punë e madhe, e përmirësuar nga viti në vit, që fëmijët tanë të mësojnë e të ruajnë gjuhën e prindërve të tyre.
Këshilli drejtues i shoqatës, që ka hapur e administron, gjatë këtyre viteve këtë shkollë, kujdeset pa ndërprerje, qysh nga dita e parë e fillimit të vitit shkollor dhe deri në ditën e fundit kur mbyllet viti. Por suksesi i kësaj shkolle e ka burimin tek të gjithë, tek fëmijët që me shumë dëshirë përpiqen të mësojnë sa më shumë, tek puna me pasion dhe cilësi e mësueseve, tek mundi i prindërve për të sjellë fëmijët në shkollë për çdo të dielë, si dhe te propaganda që bëjnë anëtarët e shoqatës, ndër familjet e komunitetit tonë, për të sjellë fëmijët në këtë shkollë.
Më poshtë po japim disa shifra paksa nga jeta dhe puna që bëhet në këtë shkollë.
– 7 Mars 2004, hapet e para shkollë shqipe në Filadelfia.
– 13 vjet ka kjo shkollë që zhvillon me sukses jetën e saj mësimore.
– 2 nivele filluan mësimin në këtë shkollë kur ajo sapo u hap.
– 5 nivele në pesë vite është sot cikli i plotë i kësaj shkolle shqipe.
– 654 fëmijë kanë kaluar nga bangat e kësaj shkolle, një pjesë e të cilëve, sot janë rritur, shkolluar në nivele të larta dhe punojnë në kompani me emër, duke nderuar veten e tyre, familjen dhe komunitetin tonë.
– 52 është numëri i fëmijëve të regjistruar në vitin e fundit shkollor, atë 2016-2017.
– 50 është numëri mesatar i fëmijëve të regjistruar çdo vit në këtë shkollë.
– 16 është numëri i mësueseve që kanë dhënë mësim gjatë 13 vjetëve të jetës së shkollës. Të gjitha mësueset janë vlerësuar me çmimin “Pishtar i gjuhës shqipe”, nga këshilli drejtues i shoqatës.
– 6 është numëri i mësueseve që dhanë mësim gjatë vitit shkollor 2016-2017.
Një nga veprimtaritë e shumta që organizon kjo shkollë, gjatë gjithë vitit, pa përmendur të tjerat, është edhe programi artistik që japin fëmijët para prindërve dhe të rriturve të tjerë që marrin pjesë në mbylljen e vitit shkollor, ku tregojnë se çfarë dhe sa kanë mësuar.
Kështu ndodhi edhe më 18 Qershor 2017, kur në Qendrën Kulturore të shoqatës këshilli drejtues, organizoi ceremonine e mbylljes së vitit shkollor 2016-2017.
Ora 9:00 AM e gjeti hapur Qendrën Kulturore, më shpejt se të dielat e tjera kur zhvillohet mësimi shqip i shkollës. Në fillim, sekretari i shoqatës, z. Vlashi Fili, e më pas, kryetari. Z. Tajar Domi, pritën fëmijët si të dielat e zakonshme.
I pari erdhi nxënësi i klasës së katërtë, Edvin Qinami, i shoqëruar nga e ëma e tij. Pastaj Drini Hamza me të atin, Fitimin, Samir Sagiri, si gjithmonë me gjyshin e vet, e pastaj me radhë të tjerët. Dalëngadalë salla u mbush plot. Prindërit u larguan për tu kthyer përsëri, jo si gjithmonë në ora 12:30 PM, kur përfundonte mësimi, por në ora 11:00 AM kur do të fillojë ceremonia e mbylljes së vitit shkollor.
Nxënësit të drejtuar nga mësueset, me shikimin nga Flamuri ynë Kombëtar dhe me pëllëmbën e dorës së djathtë në zemër, kënduan Himnin tonë Kombëtar, një veprim që bëhet regullisht, çdo ditë, para fillimit të mësimit në këtë shkollë. Mbas himnit, të gjithë u shpërndanë nëpër klasat e veta.
Veprimtaria e kësaj dite ishte programuar në tre pjesë.
Në pjesën e parë, brenda një ore, në të pesë klasat u bë testimi përfundimtar i nxënësve. Tre klasat e para u testuan në lëndën e diktimit, kurse e katërta dhe e pesta në hartim. Gjatë kësaj kohe mjeshtri Hamdi Gjana, lëvizte nëpër sallë për të përgatitur qendrën e zërit. Mbas testimit, mësueset bënë vlerësimin e sejcilit dhe dokumentat e këtij testimi u dorëzuan në sekretarinë e shoqatës për t’u ruajtur në arkivin e saj, në seksionin e shkollës shqipe.
Në pjesën e dytë të veprimtarisë, e mori fjalën Z. Tajar Domi, që mbasi përshëndeti dhe falenderoj pjesëmarrësit, i uroi fëmijët për përfundimin me sukses të vitit shkollor. Pastaj nxënësit dhanë para prindërve dhe pjesëmarrësve të tjerë në sallë, një program artistik.
Nxënësja e vitit të pestë, Selma Sinani, që drejtoi këtë program, e hapi me fjalën përshëndetëse ku falenderoi mësueset për përkushtimin gjithëvjetor në realizimin e programit mësimir vjetor, prindërit për sjelljen e fëmijëve në shkollë si dhe Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që ka bërë të mundur hapjen e kësaj shkolle.
Së pari u dëgjua zëri i ëmbël i këngëtare Lorena Hasa, që e shoqëruar nga grupi artistik i shkollës, i përgatitur nga z. Hamdi Gjana, në këngën “Gjuha jonë” që është edhe kënga himn e shkollës. Ajo u duartrokit fort nga të pranishmit që ishin të shumtë sa që nuk i nxinte salla.
Pastaj, paraqitën veten e tyre të gjithë nxënësit, me radhë sipas klasave. Duke filluar nga klasa e parë dhe deri tek ajo e pesta, të drejtuara nga mësueset respektive, Irini Zenelaj e Shpresa Rama, Adelina Ramizi dhe Elvana Pone, Kozara Doko dhe Raimonda Bardhi, fëmijët, me këngë e recitime, treguan seriozitetin që i ka karakterizuar në mësimin e gjuhës shqipe, gjatë gjithë vitit
Në përfundim të programit të sejcilës klasë, këngëtarët, të shoqëruar nga grupi, pasuronin programin me këngë. Kështu Ema Rama, këndoi këngën “Mësuesja jonë”, motrat Hasa, kënduan “Buja”, dueti Alba Sinani dhe Loreta Hasa, këngën “Nënë, moj nënë”, trioja Silvana Çela, Drini Hamza dhe Lorena Has, këngën “Mëmëdheu” dhe Alba Sinani këngën “Dua krahë të fluturoj”. Shumica e këtyre këngëve është kompozuar nga z. Hamdi Gjana që përgatit dhe drejton këtë grup.
Mbas çdo interpretimi, duartrokitjet tregonin se të pranishmit në sallë ishin shumë të kënaqur me çka shikonin e dëgjonin, mandje shpesh dëgjoheshin edhe urimet: “Bravo” apo edhe “Ju lumtë”, që u drejtoheshin fëmijëve.
Pjesa e tretë ishte ajo e dorëzimit të dëftesave, që dhuroi emocione.
Sekretari i shoqatës z. Vlashi Fili, sqaroi para fillimit të dorëzimit të dëftesave, që secili nxënës ka në zarf dëftesën me notat vlerësuese, të firmosura nga mësuesja e klasës, drejtorja e shkollës znj. Raimonda Bardhi, kryetari dhe sekretari i shoqatës si dhe me vulën përkatëse. Nxënësit me të gjitha notat “Shumë mirë”, kanë në zarf edhe një fletë vlerësuese, kurse nxënësit më të mirë të çdo klase, që ishin respektivisht, nga klasa e parë deri në të pestën: Sophia Sali, Klavel Pajollari, Elian Tafa, Edvin Qinamid dhe Silvana Çela, kishin si dhuratë nga shoqata edhe një çek $ 20. Nxënësit e vitit të pestë kanë në zarf edhe një dëshmi për përfundimin e ciklit 5vjeçar, në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”
Tashmë është bërë traditë në fundvitin shkollor, që para se të marrin dëftesat, nxënësit drejtohen tek Flamuri ynë Kombëtar, ulen në gjunjë, puthin flamurin dhe e vënë atë në ball. Mbas kësaj, marrin zarfin me dëftesën brenda dhe ulen për të lënë radhën nxënësit tjetër.
E veçanta e ceremonisë së këtij fundviti shkollor ishte se, nxënësve i a dhanë zarfat, mësueset sipas klasave, kur në vitet e tjera ato ua kanë dhënë anëtarët e këshillit drejtues të shoqatës. E dyta e veçantë ishte se, fëmijët që shoqëroheshin nga gjyshërit, e morën zarfin nga këta shoqërues, pra gjyshi ose gjyshja. Kështu ndodhi me Sophia Sali dhe gjyshen e saj, Samet Sagiri me gjyshin e tij, që e ka shoqëruar gjatë gjithë vitit shkollor, etj. Kjo u dha kënaqësi emocionuse gjyshëve.
Në përfundim të shpërndarjes së dëftesave, u dhanë edhe dy çmime të veçanta, me vlerë $ 50. Z. Sadik Elshani i dhuroi nxënësit, që në testimin që sapo përfundoi, kishte bërë hartimin më të mirë. Nga vlerësimet e hartimeve këtë dhuratë e meritoi nxënësja Selma Sinani. Ndërsa z. Petrit Zanaj e kaloi këtë dhuratë nxënëses së klasës së parë, Enisa Sulçaj që kishte vijimin më të mirë gjatë gjithë vitit shkollor.
Në përfundim z. Tajar Domi mbylli ceremoninë, uroi, edhe një herë, fëmijët për përfundimin me sukses të vitit shkollor, si dhe ftoi ata së bashku me të rriturit për “Pica party”, që kish përgatitur shoqata për mbylljen e kësaj veprimtarie.
Edhe ne i urojmë fëmijëve të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”: Pushime të mbara, e mirupafshim përsëri në shtator”
Filadelfia, Qershor 2014