• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË MËSOSH SHQIP NË EMIGRACION

June 21, 2017 by dgreca

40575106371426
Shkolla shqipe në Filadelfia mbylli vitin shkollor/
 
            Në jetën e Komunitetit Shqiptar në Filadelfia, të emigruar mbas vitit 1990, që është jo vetëm emigracioni më i ri, por edhe më i madhi në historinë e këtij emigracioni, me kalimin e viteve, po shtohen datat e shënuara të tij. Të tilla, sot për sot, nuk janë pak, po të kemi parasysh jetëgjatësinë e këtij komuniteti. Ato fillojnë nga data e ardhjes së emigrantit të parë shqiptar, kryesisht me fitimin e llotos amerikane, e të vendosur në qytetin e Pavarësisë së Amerikës, krijimi i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes”, hapja e të parës shkollë shqipe, ngritja e të parit Flamur Shqiptar në qendër të Filadelfias, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, organizimi i ceremonisë së Pavarësisë së Shqipërisë në kryeqendrën e shtetit të Pensilvanisë, në Harrisburg, etj., etj. Në mesin e këtyre dative është edhe ajo e 7 Marsit 2004.  
            Qysh mbas vitit të parë të ktijimit të  Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, megjithë numërin e vogël të anëtarëve të saj, këshilli drejtues i shoqatës mendonte për të hapur shkollën shqipe, për të ruajtur gjuhën tonë tek fëmijët e ardhur nga atdheu ynë, por edhe atyre të lindur në emigracion, si një nga detyrat e mëdha që kjo shoqatë i kishte vënë vetes.          
            7 Marsi 2004 bëri realitet fillimin e realizimit të qëllimit të shoqatës, u hap me një ceremoni të bukur, shkolla e parë shqipe, që mori emrin “Gjuha Jonë”. Kjo shkollë, këtë vit, bëri 13 vjet, që në bangat e saj ulen dhe mësojnë gjuhën shqipe, por marrin njohuri edhe në historinë dhe gjeografine e Shqipërisë, fëmijët e Komunitetit Shqiptar në Filadelfia. Gjatë këtyre 13 viteve është bërë një punë e madhe, e përmirësuar nga viti në vit, që fëmijët tanë të mësojnë e të ruajnë gjuhën e prindërve të tyre.     
            Këshilli drejtues i shoqatës, që ka hapur e administron, gjatë këtyre viteve këtë shkollë, kujdeset pa ndërprerje, qysh nga dita e parë e fillimit të vitit shkollor dhe deri në ditën e fundit kur mbyllet viti. Por suksesi i kësaj shkolle e ka burimin tek të gjithë, tek fëmijët që me shumë dëshirë përpiqen të mësojnë sa më shumë, tek puna me pasion dhe cilësi e mësueseve, tek mundi i prindërve për të sjellë fëmijët në shkollë për çdo të dielë, si dhe te propaganda që bëjnë anëtarët e shoqatës, ndër familjet e komunitetit tonë, për të sjellë fëmijët në këtë shkollë. 
            Më poshtë po japim disa shifra paksa nga jeta dhe puna që bëhet në këtë shkollë. 
            – 7 Mars 2004, hapet e para shkollë shqipe në Filadelfia.        
            – 13 vjet ka kjo shkollë që zhvillon me sukses jetën e saj mësimore.            
            – 2 nivele filluan mësimin në këtë shkollë kur ajo sapo u hap.                       
            – 5 nivele në pesë vite është sot cikli i plotë i kësaj shkolle shqipe.  
            – 654 fëmijë kanë kaluar nga bangat e kësaj shkolle, një pjesë e të cilëve, sot janë rritur, shkolluar në nivele të larta dhe punojnë në kompani me emër, duke nderuar veten e tyre, familjen dhe komunitetin tonë.  
            – 52 është numëri i fëmijëve të regjistruar në vitin e fundit shkollor, atë 2016-2017.        
            – 50 është numëri mesatar i fëmijëve të regjistruar çdo vit në këtë shkollë. 
            – 16 është numëri i mësueseve që kanë dhënë mësim gjatë 13 vjetëve të jetës së shkollës. Të gjitha mësueset janë vlerësuar me çmimin “Pishtar i gjuhës shqipe”, nga këshilli drejtues i shoqatës.  
            – 6 është numëri i mësueseve që dhanë mësim gjatë vitit shkollor 2016-2017.
 
            Një nga veprimtaritë e shumta që organizon kjo shkollë, gjatë gjithë vitit, pa përmendur të tjerat, është edhe programi artistik që japin fëmijët para prindërve dhe të rriturve të tjerë që marrin pjesë në mbylljen e vitit shkollor, ku tregojnë se çfarë dhe sa kanë mësuar.   
            Kështu ndodhi edhe më 18 Qershor 2017, kur në Qendrën Kulturore të shoqatës këshilli drejtues, organizoi ceremonine e mbylljes së vitit shkollor 2016-2017.           
            Ora 9:00 AM e gjeti hapur Qendrën Kulturore, më shpejt se të dielat e tjera kur zhvillohet mësimi shqip i shkollës. Në fillim, sekretari i shoqatës, z. Vlashi Fili, e më pas, kryetari. Z. Tajar Domi, pritën fëmijët si të dielat e zakonshme.  
            I pari erdhi nxënësi i klasës së katërtë, Edvin Qinami, i shoqëruar nga e ëma e tij. Pastaj Drini Hamza me të atin, Fitimin, Samir Sagiri, si gjithmonë me gjyshin e vet, e pastaj me radhë të tjerët. Dalëngadalë salla u mbush plot. Prindërit u larguan për tu kthyer përsëri, jo si gjithmonë në ora 12:30 PM, kur përfundonte mësimi, por në ora 11:00 AM kur do të fillojë ceremonia e mbylljes së vitit shkollor. 
            Nxënësit të drejtuar nga mësueset, me shikimin nga Flamuri ynë Kombëtar dhe me pëllëmbën e dorës së djathtë në zemër, kënduan Himnin tonë Kombëtar, një veprim që bëhet regullisht, çdo ditë, para fillimit të mësimit në këtë shkollë. Mbas himnit, të gjithë u shpërndanë nëpër klasat e veta.        
            Veprimtaria e kësaj dite ishte programuar në tre pjesë.
            Në pjesën e parë, brenda një ore, në të pesë klasat u bë testimi përfundimtar i nxënësve. Tre klasat e para u testuan në lëndën e diktimit, kurse e katërta dhe e pesta në hartim. Gjatë kësaj kohe mjeshtri Hamdi Gjana, lëvizte nëpër sallë për të përgatitur qendrën e zërit. Mbas testimit, mësueset bënë vlerësimin e sejcilit dhe dokumentat e këtij testimi u dorëzuan në sekretarinë e shoqatës për t’u ruajtur në arkivin e saj, në seksionin e shkollës shqipe.     
            Në pjesën e dytë të veprimtarisë, e mori fjalën Z. Tajar Domi, që mbasi përshëndeti dhe falenderoj pjesëmarrësit, i uroi fëmijët për përfundimin me sukses të vitit shkollor. Pastaj nxënësit dhanë para prindërve dhe pjesëmarrësve të tjerë në sallë, një program artistik.  
            Nxënësja e vitit të pestë, Selma Sinani, që drejtoi këtë program, e hapi me fjalën përshëndetëse ku falenderoi mësueset për përkushtimin gjithëvjetor në  realizimin e programit mësimir vjetor, prindërit për sjelljen e fëmijëve në shkollë si dhe Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që ka bërë të mundur hapjen e kësaj shkolle.         
            Së pari u dëgjua zëri i ëmbël i këngëtare Lorena Hasa, që e shoqëruar nga grupi artistik i shkollës, i përgatitur nga z. Hamdi Gjana, në këngën “Gjuha jonë” që është edhe kënga himn e shkollës. Ajo u duartrokit fort nga të pranishmit që ishin të shumtë sa që nuk i nxinte salla.           
            Pastaj, paraqitën veten e tyre të gjithë nxënësit, me radhë sipas klasave. Duke filluar nga klasa e parë dhe deri tek ajo e pesta, të drejtuara nga mësueset respektive, Irini Zenelaj e Shpresa Rama, Adelina Ramizi dhe Elvana Pone, Kozara Doko dhe Raimonda Bardhi, fëmijët, me këngë e recitime, treguan seriozitetin që i ka karakterizuar në mësimin e gjuhës shqipe, gjatë gjithë vitit      
            Në përfundim të programit të sejcilës klasë, këngëtarët, të shoqëruar nga grupi, pasuronin programin me këngë. Kështu Ema Rama, këndoi këngën “Mësuesja jonë”, motrat Hasa, kënduan “Buja”, dueti Alba Sinani dhe Loreta Hasa, këngën “Nënë, moj nënë”, trioja Silvana Çela, Drini Hamza dhe Lorena Has, këngën “Mëmëdheu” dhe Alba Sinani këngën “Dua krahë të fluturoj”. Shumica e këtyre këngëve është kompozuar nga z. Hamdi Gjana që përgatit dhe drejton këtë grup.  
            Mbas çdo interpretimi, duartrokitjet tregonin se të pranishmit në sallë ishin shumë të kënaqur me çka shikonin e dëgjonin, mandje shpesh dëgjoheshin edhe urimet: “Bravo” apo edhe “Ju lumtë”, që u drejtoheshin fëmijëve.       
            Pjesa e tretë ishte ajo e dorëzimit të dëftesave, që dhuroi emocione.
            Sekretari i shoqatës z. Vlashi Fili, sqaroi para fillimit të dorëzimit të dëftesave, që secili nxënës ka në zarf dëftesën me notat vlerësuese, të firmosura nga mësuesja e klasës, drejtorja e shkollës znj. Raimonda Bardhi, kryetari dhe sekretari i shoqatës si dhe me vulën përkatëse. Nxënësit me të gjitha notat “Shumë mirë”, kanë në zarf edhe një fletë vlerësuese, kurse nxënësit më të mirë të çdo klase, që ishin respektivisht, nga klasa e parë deri në të pestën: Sophia Sali, Klavel Pajollari, Elian Tafa, Edvin Qinamid dhe Silvana Çela, kishin si dhuratë nga shoqata edhe një çek $ 20. Nxënësit e vitit të pestë kanë në zarf edhe një dëshmi për përfundimin e ciklit 5vjeçar, në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”        
            Tashmë është bërë traditë në fundvitin shkollor, që para se të marrin dëftesat, nxënësit drejtohen tek Flamuri ynë Kombëtar, ulen në gjunjë, puthin flamurin dhe e vënë atë në ball. Mbas kësaj, marrin zarfin me dëftesën brenda dhe ulen për të lënë radhën nxënësit tjetër.         
            E veçanta e ceremonisë së këtij fundviti shkollor ishte se, nxënësve i a dhanë zarfat, mësueset sipas klasave, kur në vitet e tjera ato ua kanë dhënë anëtarët e këshillit drejtues të shoqatës. E dyta e veçantë ishte se, fëmijët që shoqëroheshin nga gjyshërit, e morën zarfin nga këta shoqërues, pra gjyshi ose gjyshja. Kështu ndodhi me Sophia Sali dhe gjyshen e saj, Samet Sagiri me gjyshin e tij, që e ka shoqëruar gjatë gjithë vitit shkollor, etj. Kjo u dha kënaqësi emocionuse gjyshëve.          
            Në përfundim të shpërndarjes së dëftesave, u dhanë edhe dy çmime të veçanta, me vlerë $ 50. Z. Sadik Elshani i dhuroi nxënësit, që në testimin që sapo përfundoi, kishte bërë hartimin më të mirë. Nga vlerësimet e hartimeve këtë dhuratë e meritoi nxënësja Selma Sinani. Ndërsa z. Petrit Zanaj e kaloi këtë dhuratë nxënëses së klasës së parë, Enisa Sulçaj që kishte vijimin më të mirë gjatë gjithë vitit shkollor.           
            Në përfundim z. Tajar Domi mbylli ceremoninë, uroi, edhe një herë, fëmijët për përfundimin me sukses të vitit shkollor, si dhe ftoi ata së bashku me të rriturit për “Pica party”, që kish përgatitur shoqata për mbylljen e kësaj veprimtarie. 
            Edhe ne i urojmë fëmijëve të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”: Pushime të mbara, e mirupafshim përsëri në shtator”  

                                                Vasil Filipi   
            Filadelfia, Qershor 2014

Filed Under: Featured Tagged With: filadelfia, TË MËSOSH SHQIP NË EMIGRACION. Shkolla Shqipe, Vlash Fili

E SHTUNA E BETIMIT

July 17, 2015 by dgreca

Shënime dhe mbresa nga nderimi i kujtimit të poetit, prozatori, përkthyesit dhe shkencëtarit të talentuar Betim Muço në Filadelfia/
Shkruan: LAVER NIKU/
Më 11 Korrik 2015, Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia organizoi një veprimtari përkujtimore në 6-mujorin e largimit nga ne të të paharruarit Betim Muço. Nën përkujdesjen e përkorë të Iliriana Sulkuqit dhe të palodhurit Llazar Vero, për një çast mendova se qiejt ku banon tani Betimi ynë, u përthyen, u ulën dhe e sollen mes nesh, ashtu të qeshur, siç na e la dhe amanet. Ishin të shumtë ata që kishin ardhur ta takonin, jo vetëm të familjes, por dhe shumë e shumë të tjerë që kishin me vete fjalët e mirësinë qe ai na la. Të gjithë e njihnin dhe e kishin në kujtesë buzagaz, duke mbajtur atë amanet që u kishte lënë: “Me mbani mend duke qeshur”. Dhe donin të flisnin të gjithë, ashtu spontanisht. Por sa shpejt “hapa” sytë: Kish ardhur apo jo Betimi? Se po të ishte vërtetë aty s’do të lejonte njëri të fliste për të. Se ai punoi, shkroi e skaliti fjalën vetëm për të tjerë, me heshtje e modesti të pashoqe. Erdhi duke qeshur Betimi, por s’di pse u kujtova tek mora rrugen e kthimit ne New York per “mosmirenjohjen” shpërblyese te tij: më la mua dhe shume të tjerë me një boshllëk malli dhe dhimbje.”
Kështu shkruante të djelën në facebook, më 12 Korrik 2015, shoku i tij i më se 40 viteve, poeti dhe kritiku i letërsisë Vaid Hyzoti. Në këto pak rreshta duket sikur përmblidhet gjithçka ndodhi dhe u ndje të shtunën në sallën e veprimtarive të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Për atë takim të së shtunës, kishim kohë që përgatiteshim. Shkëndijën e parë e dha mikja e Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, poetja e mirënjohur, gazetarja dhe veprimtarja e palodhur Iliriana Sulkuqi. “Të organizojmë një mbasdite me shokë dhe miq të Betimit, me dashamirës të poezisë dhe punës së tij krijuese….-tha ajo- Në korrik ai bën gjashtë muaj që është ndarë nga ne.” Mendimi i saj gjeti përkrahjen e plotë të kryesisë së shoqatës. U përgatitën stilolapsat me emrin e Betim Muços. Iliriana la “si padashje” edhe paret për koston e tyre. Me ndihmëm e bashkëshortes së Betimit u përgatitën broshurat për biografinë dhe veprimtarinë letrare dhe shkencore të Betimit. Pastaj një fotografi e madhe në kanavacë, që tani ka zënë vend midis fotove të njërëzve më të shquar të fjalës shqipe, në sallën e veprimtarive të shoqatës. Betimi është një figurë e tillë me kuptimin më të plotë të fjalës.
Salla e këtij takimi u mbush shpejt. Ndër të parët, si zonja që priste miqt dhe shokët e Betimit dhe bashkatdhetarët e tij, ishte bashkëshortja e Betim Muços, Prof. Dr. Martha Muço, e shoqëruar nga i biri, Zinart Muço me të fejuarën. Nga Washingtoni, Merilendi, Nju Jorku, Nju Jersi, erdhën shokë dhe miq të Betimit dhe Martës, krijues dhe gazetarë të “Zërit të Amerikës”, etj. Rrallë ka parë ajo godinë kaq shumë bashkatdhetarë të ardhur nga shtete të tjera të Amerikës. Pastaj erdhën “vëndalinjtë”, që sipas zakonit shqiptar sillnin edhe diçka të gatuar apo pirë. Dikush një kuti me birrë, dikush një byrekë apo gatim tjetër të traditës sonë, etj.
Ndërkohë në ekranin e madh filloi te shfaqej një montazh nga intervistat e Betim Muços në kanalet televizive shqiptare dhe këngë të kënduara nga Vaçe Zela dhe Bashkim Alibali me tekste të Betimit, përgatitur nga i pasionuari i kameras Flori Bezhani: ” Desha të dilte me në pah jeta e tij, Betimi si njeri, në të gjithë gjërësinë e tij.”- tregonte Flori më vonë, kur merrte përgëzimet pë punën e bërë.
Fjalën pastaj e mori zoti Tajar Domi, kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, që pasi u uroj mirëseardhjen të pranishmëve ndër të tjera tha se: “Duke respektuar në këtë mënyrë, thjesht, por me shpirt dhe zemër Prof. Dr. Betim Muço, ne respektojmë veten, respektojmë vlerat tona intelektuale kombëtare, dhe mburremi denjësisht para botës, për këto kapacitete, që në çdo vend të jenë, konkurojnë me kokën lart dhe fitojnë. Por ne nuk duhet t’i lëmë që fjalët e tyre të dëgjohen me vonesë, pasi ata ndahen nga ne. Detyra jonë si qytetarë është t’i përçojmë këto vlera tek të gjithë bashkatdhetarët e sidomos tek të rinjtë, tek ky brez që po arrin të shkollohet edhe këtu në shkollat dhe universitetet më me emër në Amerikë. Emra të tillë si i Prof. Dr. Betim Muço, duhet ta bëjnë këtë brez të ndjehet krenar…
Kombit tonë i duhen vlera, që ai të njihet dhe të zhvillohet përkrah kombeve të tjerë. Betimi ishte një vlerë e tillë e madhe dhe i tillë do të mbetet përherë. Ai la pas një trashëgimi të pasur të jetës së tij, mbi 25 vepra në poezi dhe në prozë, me nivel të lakmueshëm artistik, libra dhe studime shkencore në fushë të sizmiologjisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përkthime nobelistësh botëror, e mbi të gjitha atdhedashurinë e tij që e përçoi kudo që ai punoi dhe jetoi, edhe këtu në Amerikë, gjatë 13 viteve të fundit.”
Kështu nisi të ravijëzohet dhe dalëngadalë të trupëzohet, dhe të vij i gjallë midis nesh Betimi ynë i dashur. Ngrihet poetesha zëmërmadhe Iliriana Sulkuqi që pasi foli për Betimin dhe poezinë e tij tha se e falenderonte atë sepse na mësoi si të heshtim më shumë se të flasim. Falenderoj bashkëshorten e Betimit zonjën Marta Muço për gjithçka ka bërë dhe bën për Betimin. Më tej ajo lexoi poezinë e tij “Më mbani mend duke qeshur”, ku ndër të tjera shkroi:
“Nuk bëra kurrë ç’desha të bëj, /Nuk qeshë kurrë siç desha të jem,/:Ëndërrova titanët dhe me mizat jam ndeshur/ Miqtë e mij, ju lë amanet : /Më mbani mend duke qeshur.”
Llazar Vero, që ishte ngarkuar me mbarëvajtjen e këtij takimi, lexoi një mesazh të dërguar nga Nju Jorku, prej mikut të Betim Muços, poeti dhe prozatori i mirënjohur Roland Gjoza, i cili pasi kërkonte ndjesë se për arësye shëndetsore nuk mund të merrte pjesë në këtë takim ndërmjet të tjerash shkruante : “Ju lutem transmetojani familjes Muço nderimin gjer në shënjtëri të kësaj dite, aq të rëndesishme, jo vetëm për ta, po dhe për miqtë, letrat, shkencën. Betimi është ringjallur, që ditën kur u kujtua dhe s’harrohet më… Jo, nuk e lodhi shkenca, ajo përpikëri e rëndë prej ekzaktësisë, jo, nuk e lodhën udhëtimet e pafundme kozmopolitin fisnik, që donte t’i shijonte të 1000 bukuritë divine kësaj bote përpara se të shkonte andej nga 100 vjetët, jo nuk e lodhën fizike dhe e çon në tejjetë..Pikërisht, në tejjetë e kishte kërthizën… Na e mori Dante. As Ajnshtajni, as Kolombi, as Marta, s’patën fuqi ta mbanin. Kështu e kanë poetët. Po nuk ikin ç’lidhej me njerëzit, po me të fshehtën e frymëzimit spontan që e rrëmben njeriun prej sferës vërtet, vetëm sa bëjnë nje sfidë, këta anarshistë të statukuosë dhe vijnë kur i zemë me gojë. Si sot, në këtë takim miqsh e familjarësh, që kanë atë fuqi sa ta lënë Danten vetëm. Po, po, e ka këtë fuqi, “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, e kanë këtë fuqi Marta, miqtë. U shfaq. Syri është më i varfër se ndjenja, ndonëse shquhet. Të mos harrojmë se sot kemi ngapak Zot midis nesh. Dhe ndodh mrekullia, jo përmes fjalëve të Ungjillit, po përmes fjalëve të shpirtit. Kemi humbur format, s’kemi veshje e tipare që të na dallojnë, po jemi bërë lëndë efemere, vetëm e vetëm që Betim Muço të ngallet! Dhe ja ku e ngjallëm…”. Kështu shkroi poeti për poetin.
Në këto çaste më kujtohet një thënie e Betimit për poetët dhe poezinë : ” Poezia është një përpjekje për të rithënë vetveten. Ajo lind nga shpirtëra që shohin atje ku jo të gjithë shohin dot.”
Ndërkaq u krijua një atmosferë e mbushur me emocione të fuqishme, që shoqëroheshin me përlotje dhe buzëqeshje, të përzier me dhimbje, dashuri dhe kujtime pa fund.
Ngrihet shoku i afërt i Betimit, Vaid Hyzoti, që megjithëse me probleme jo të vogla shëndetësore, ishte atje atë ditë janari me mot të hidhur, për tu ndarë “për pak” nga Betimi, dhe për ta pasur pranë në kujtimet e tij gjithë jetën. Solli midis të pranishmëve në sallë mjaft të gjalla takimet e të shtunave me Betimin dhe shokë të tjerë, që kur ishte nxënës në gjimnaz e pastaj student dhe gazetar. Ishte poezia dhe mirësia e veçantë e Betimit që e mbante lidhur të shtunave. Por kur mungonte Betimi në takime, bisedat kërcisnin, pësonin çarje. Mungonte njeriu që mbushte ëmbël dhe mënçurisht këto takime, me mirësinë dhe kulturën e tij të gjërë. ” Më mirë ishte të të dilte ndonjë punë shtëpie se sa të shkoje në këto të shtuna pa Betimin.” – tha Vaidi.- Ja edhe sot që kemi Betimin midis nesh është e shtunë.
Në xhep mbante nje vjershë që e kishte shkruar pikërisht për këto të shtuna të bukura. Ndërsa fliste e futi dorën disa herë në xhep, por nuk mund ta lexonte. Nuk mund ta lexonte megjithëse i kishte premtuar dhe Marta Muços. Ajo ishte gjithë sy e vesh për të mos humbur asnjë çast nga ky takim por pa iu shpëtuar lotëve që dukej se dilnin nga thellësia e shpirtit, një oqean i tërë dashurie dhe jete bashkëshortore nga më të bukurat.
Mes emocioneve ajo ngrihet dhe falenderon të gjithë të pranishmit dhe Shoqatën “Bijtë e Shqipes” për organizimin e kësaj dite të shënuar. Foli për Betimin si shok, si bashkëshort, si prind, për punën e tij si shkrimtar, për studimet e tij shkencore, për punën e madhe, deri në stërmundim me përkthimet. Donte që lexuesi shqiptar të ishte më afër me autorët më të mirë të botës. Dhe e bëri. Kështu edhe me studimet e tij shkencore. I dha emër Shqipërisë në të gjithë botën, ku shkoi si shkencëtar, një emër i respektuar. Fjalën e tij me peshë të një studiuesi shqiptar, e çoi në të katër anët e botës, në të gjithë kontinentet. Shqipëria nuk mund të kishte ambasador më të mirë, më dinjitoz, më të kulturuar se Prof. Dr. Betim Muço. Ai njihte gjashtë gjuhë të huaja, nga të cilat edhe përkthente. Ka 25 botime të krijimtarisë së tij letrare që nga poezia, tregimi, romani deri tek letërsia për fëmijë që ua kushtoi fëmijëve të tij. Shtoju këtyre edhe 12 botime me përkthime nga gjuhë të ndryshme, të autorëve më në zë si Graham Green, James Joyce, Alice Munro, etj. Pa përmendur këtu botimet shkencore që zënë një volum të konsiderueshëm faqesh.
Krijimtaria e Betimit është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Ka marrë disa çmime për krijimtarinë e tij poetike duke përfshirë këtu edhe çmimin ndërkombëtar të konkursit të poezisë “Les Muses d’Or”, më 1995.
Ndërsa veprimtaria shkencore e Betimit, është pothuaj krejt e panjohur për ne, edhe për shokët dhe miqtë e tij më të afërt. Ai nuk fliste kurrë për veten. Jo vetem kaq por nuk linte as të tjerët të flisnin për të. Ai ishte nje shkencëtar i nderuar dhe i respektuar kudo. Ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të IUGG për Shqipërinë, Përfaqësues i Shqipërisë në Shoqatën Ndërkombëtare të Sizmologjisë dhe Fizikës së Brëndësisë së Tokës (IASPEI), anëtar i Kryesisë së Shoqatës Shqiptare të Gjeologjisë Inxhinierike dhe Gjeomjedisit, Tiranë, Shqipëri, Përfaqësues Kombëtar në Komisionin Sizmologjik Evropian, Anëtar i jashtëm për Shqipërinë në Bordin e Drejtorëve të Instituteve Kerkimore të Bashkuara për Sizmologjinë (IRIS), SHBA, etj.
Për të gjitha këto merita në prill të vitit 2004 Betimi fiton qëndrimin e përhershëm në SHBA në dy kategori: Për interesa kombëtare të SHBA dhe si individ me aftësi të shquara.
Nuk mund të përmbledhësh në faqet e një artikulli gjithë jetën, krijimtarinë dhe punën shkencore të Betimit. As të gjithë bashkë në një mbrëmje përkujtimore, nuk mund ta realizojmë këtë. Është një figurë e veçantë se tek ai, si rrallë tek të tjerët, janë së bashku shkrimtari, shkencëtari, dhe njeriu i mrekullueshëm. Janë mijëra faqe të shkruara përgjatë 52 viteve krijimtari dhe punë shkencore.
-Kur e njoha Betimin- thotë Marta- ishte poet. Më vonë e njoha atë në të gjitha dimensionet e tij. Kudo që ndodhej do të bënte diçka, do të shkruante diçka qoftë letrare
qoftë shkencore. Nuk ka ndodhur ndonjeherë ta shikoje Betimin pa një libër në duar, pa lexuar dhe shkruar. Gjithmonë punën e bënte me pasion dhe kjo ësht karakteristika kryesore e punës dhe jetës së tij.. Vepra e tij letrare dhe shkencore është me të vërtetë e madhe për letërsinë dhe shkencën shqiptare. Ai do të mbetet shëmbull për përkushtimin e tij në punë.
Betimi ishte i dashur me shokët dhe mundohej të ndihmonte të gjithë, pa dallim. Kjo buronte nga shpirti i tij, nga brendia e qënies së tij, nga familja e tij e mrekullueshme dhe me kulturë. Betimi kishte prindër të veçantë për nga mirësia dhe kultura, prindër për të cilët unë kam një respekt të thellë..
Ishte një bashkëbisedim i sinqertë i njeriut më të afërt të Betimit, bashkëshortes së tij, Marta Muços, me shokët dhe miqtë e tij, me bashatdhetarë që donin të dinin shumë dhe më shumë për poetin, prozatorin, shkencëtarin dhe njeriun e madh, Betim Muço. Ndërkohë në dorë mbante një stilolaps kuq e zi me emrin e Betimit.
– Ky stilolaps i përgatitur nga Shoqata “Bijtë e Shqipes” për Betimin, është diçka e veçantë dhe e shtrenjtë për mua. – tha Marta e mbushur gjithë emocione dhe mirënjohje për të gjithë të pranishmit dhe Shoqatën Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia.- Ndërsa dhurata ime dhe e Betimit për Shoqatën dhe shkollën e saj, janë librat që solla nga botimet e viteve të fundit të tij. Ju keni bibliotekën tuaj të bukur, ju keni librarinë për shitjen e librave të autorëve shqiptarë. Të gjitha të ardhurat që do të sigurohen nga to le t’i shërbejnë shkollës shqipe.
Llazar Vero, në emër të shoqatës falenderoi Martën për dhuratën që i bëri shkollës shqipe dhe komunitetit shqiptar në Filadelfia.
Pranë foltores afrohet Iliriana që do të lexonte një mesazh nga poetja e mirënjohur Natasha Lako:
“I rendë si gurët e dheut mbeti Betim Muço, por ndoshta edhe njeriu më delikat dhe i ndjeshëm i kësaj bote dhe i asaj Lidhjeje Shkrimtaresh, aq të perfolur prej të gjithëve në korr. Betimi i lë shqiptarëve talentin dhe ndershmërinë, përmbajtjen fisnike, busullën e anijes letrare që nuk pranon kurrëfarë patetike dhe profka të mëdha, si dhe modestisë në të jetuar thellë. Ja përse edhe një godinë do të bëhet e shënjtë kur të ruajë edhe emrin e tij të rrallë, pavarësisht se ai shkeli gjithë anët e botës. -shkruan ajo midis të tjerash-Jam krenare që kam shkruar për veprën tënde letrare, mik qe ke dashur të afrosh popullin tim me të gjithë shkrimtarët dhe poetët, si me një jetë hoshënari, larg zhurmave të mëdha. E dija qe të pëlqenin udhetimet, por nuk e dija që me ngut do të nisje udhëtimin tënd të fundit.
E di që fjala e Betim Muços do të bekojë popullin tim në jetë të jetëve me një zë prej burri të vërtetë.”
Vazhdon kështu bashkëbisedimi për Betimin dhe me Betimin i atyre që janë në sallë dhe atyre që janë larg, në Shqipëri, në Kanada, Amerikë etj. Është një bashkëbisedim që është shumë e vështirë t’i shpëtosh forcës goditëse të emocioneve.
Poeti Sami Gjoka e ka të vështirë të flasë pa emocione për shokun e tij të çmuar. : E kam lexuar Betimin para se ta njihja dhe e kam vlerësuar. Sot ndjehem i privelegjuar që e kam njohur Betimin nga afër. E kam çmuar përherë shoqërinë e tij, por më mirë se me fjalë Sami Gjoka i ka shprehur me shkrim:
“Betim i shtrenjtë e i dashur, për mua ka qënë gjithmonë, për nga mirësia që kishte, si një imazh Perëndie. E si të ishte ndryshe një njëri me zemër të madhe e të ndjeshme si Betimi, njëriu i mënçur, i urtë si ai, që kurrë nuk dinte të nxirrte veç fjalë dashurie nga shpirti i tij i madh e i thellë, për mua një këshillues dashamirës, që të bënte nder ta kishe mik e shok, një njëri që të ngjan si një vëlla i madh të cilit ke dëshirë t’i përngjash, e që kur ikin të lënë me një gropë të madhe e të thellë që s’paska gjë ta mbush më…”.
Vlashi Fili , sekretar i Shoqatës ” Bijtë e Shqipes” sjell për të nderuar jetën dhe veprën e Betim Muços një përshendetje që vjen nga Kanadaja. Është poeti dhe prozatori Faruk Myrtaj, mik dhe shok i familjes dhe Betimit, që shkruan plot mall dhe dhimbje për atë ditë që ai u nda nga ne.
” Kisha vetëm emailin dhe numrin e telefonit e tij, të Betim Muços, por ngurova cilin të përdorja. Si për të provuar atë që sapo kisha dëgjuar, mu duk më e lehtë t’i shkroja pikërisht atij, Betimit. Përgjigja erdhi shpejt. Adresa e dërguesit ishte po ajo, e Betim Muços. Edhe pse në fund të rreshtave ishte emri i Marta Muços: ” E di që me shpirt ke qënë këtu me mua, ndërsa përcillja Betimin e shtrënjtë në banesën e fundit. E mbarova detyrën e parë. Tani kam Tiranën, që është më e vështira për mua, por që unë do ta bëj edhe atë për Betimin tim të dashur…”
Zogjtë, duke imituar poetët, kthehen hera herës tek foleja e tyre, që ne njërëzit e quajmë Atdhe… Shkrimtarët nuk ikin kurrë prej atdheut, as kur detyrohen, janë atje edhe kur fizikisht shfaqen tjetërkund.
Këto solla ndërmënd teksa po besoja se Betimi më ishte përgjigjur prej andej,nëpërmjet të po asaj Marte, që dukej sikur sapo kishte marrë përsipër të përgjigjej për dy persona njëherësh…
Padyshim ishte e vetmja mënyrë: t’i ikje dhimbjes duke bërë jetën e të dyve.”
Dalëngadalë mozaiku i dashurisë për shokun, bashkëshortin, poetin, shkencëtarin po plotësohej me të gjitha ngjyrat. Nga fundi i sallës ngrihet Sadik Elshani që për pesë vite mbajti gjallë së bashku me shokët e shoqatës,veprimtarinë ” Fjala e gjuhës së zjarrtë” dhe thotë: “Betimi nuk vjen për herë të parë në Filadelfia, në këtë sallë. Ai ka qënë këtu kur folëm për jetën dhe veprimtarinë e tij letrare me rastin e 60 vjetorit të ditëlindjes së tij më 2007. Betimi shkëlqeu jo vetëm si shkencëtar por edhe si poet, prozator dhe përkthyes. Ndaj e meriton të përulemi me respekt para veprës së tij.” Më tej zoti Sadik Elshani lexoi poezinë e Betimit “NEWBORN” kushtuar shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kishte edhe të tjerë që donin të flisnin. Atë që nuk e thanë me fjalë e thanë me shpirt. Ndaj edhe kishin ardhur në këtë ditë përjetimi me Betimin. Ai do të mbetet përherë pjesë e bisedave tona dhe respektit tonë për të.
Ja, akoma dikush ka diçka për të thënë. Është Eqerem Murataj që propozon që edhe shteti shqiptar duhet ta nderoj më shumë këtë intelektual të madh që dha kaq shumë për kulturën shqiptare, që i dha emër të mirë Shqipërisë në të gjithë Botën.
Pas pak ngrihet Llazar Vero dhe u paraqet pjesëmarrësve në sallë mendimin e kryesisë së Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia që t’i propozoj Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z. Bujar Nishani, që poetit, prozatorit, përkthyesit dhe shkencëtarit të talentuar, me përmasa ndërkombëtare, Betim Muço, t’i jepet dekorata e lartë “Nderi i Kombit”. Pjesëmarrësit e miratuan me një duartrokitje që më vonë u pasua më nënshkrimin e këtij propozimi.
Në të njëjtën kohë Shoqata “Bijtë e Shqipes”, i kërkon familjes së Betim Muços nderin që romanin e fundit në dorëshkrim të këtij autori ta botoj kjo shoqatë…
Duket, sikur nuk duan të ndahen shokët dhe shoqet e Betimit nga kjo e shtunë e takimit me të. Iliriana Sulkuqi ngrihet dhe merr një bredh të vogël që ishte vendosur pranë fotos së madhe të Betimit dhe ja dhuron bashkëshortes së tij për ta mbjell, atje, pranë Betimit tonë të shtrenjtë, si shënjë dashurie dhe respekti të përhershëm për të. Përsëri emocione dhe falenderim. Përsëri ndjehemi borxlinjë ndaj Betimit tonë. I thamë aq pak se sa e deshëm, sa e respektonim. Kjo, edhe pse ai nuk të lejonte. Bile edhe sot nuk do të na lejonte të flisnim kaq shumë për të. Biseda vazhdoi edhe gjatë drekës që shtroi shoqata me këtë rast, me gatime të zonjave shqiptare të shoqatës.

NË VEND TË NJË MBYLLJE
Në minutat e fundit vjen edhe një mesazh tjetër nga miku i Betim Muços, poeti, njeriu i kulturës së gjërë dhe kërkuesi i palodhur, Moikom Zeqo: ” Betimi- shkruan ai- qe një nga mëndjet e ndritura shqiptare dhe një personalitet i spikatur i kulturës, shkencës dhe artit, shkrimtar dhe përkthyes i shkëlqyer si pakkush. Një njëri i mrekullueshëm që e jetoi jetën me dinjitet-njëkohësisht miku im i vçantë. Midis jetës dhe vdekjes së tij ai jeton si një monument i kujtesës dhe intimitetit njërëyor. Ai ishte njeriu metafor dhe një krijues modern. Midis jetës dhe vdekjes ai krijoi veten si një realitet i terte. I paharruar mbetet kujtimi i tij që shumëfishohet në nderimin e merituar plotësisht.”
Duket ky mesazh i ardhur pak me vonesë si këmbëngulje për vazhdimësinë e të shtunave me Betimin. Kemi akoma nevojë të takohemi dhe të bisedojmë me të dhe të bëhemi më të mirë. Ndaj ngula këmbë dhe iu luta Vaid Hyzotit të më dërgontë poeznë që nuk e lexoi në takim:

DO TAKOHEMI NESER
-kujtimit te mikut tim Betim Muco-

Eshtë e shtunë neser. Do të takohemi patjetër.
S’do të shkojmë në Krujë,
As tek Pirro, tek Behari, në Dajt a në Mullet.
Ti lëviz gjithnjë dhe ne të ndjekim.
Nesër në Filadelfia na pret.

Do të pijmë një gotë bashkë nesër, se është e shtunë,
E di që do habitesh për rrengjet që të kemi ngritur.
S’do flasim për letërsi, për shkencë e politikë,
Por për tërmetin që ne na ka shkundur…
E ruaje të fshehtë, na e solle papritur.

Do takohemi nesër se është e shtunë, ndonëse u bënë muaj,
Që të shtuna në javë tani kam më shpesh…
Veçse vendtakimet tërësisht janë ndryshuar,
S’shihemi në Krujë, Tiranë as në Merrilend…
S’po mësoj kalendarët që përdoren në qiell…
Është e shtunë nesër. Do të takohemi patjetër…
LAVER NIKU
Filadelfia, Korrik 2015

Filed Under: Reportazh Tagged With: E SHTUNA E BETIMIT, Vlash Fili

Artikujt e fundit

  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson
  • Thirrje !!! Ka kohe qe makina e jetes po “jep shpirt” !
  • “Fijet”, kur shteti gjunjëzohet përballë krimit
  • Qëndrimi i Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës: Gjashtë kushte për Asociacionin…
  • Mirënjohje përjetë Senatorit Bob Dole
  • How Prosecutors Say a Top F.B.I. Agent Sold His Services Overseas
  • HISTORIA E HIDHUR E “KROIT TË LOTIT”
  • Ç’PO NDODH ME ALEATËT PERËNDIMORË – KOSOVA
  • BUKËPJEKËSI ME ZEMËR TË MADHE
  • Një shënim mbi librin “Esencat e mendimit letrar”, të Dr. Besim Muhadri
  • Shoqata Shqiptaro Amerikane e Punonjësve të Policisë për gjithë Amerikën organizoi aktivitetin e saj vjetor
  • Libër me vlera të veçanta në ndriçimin e figurës atdhetare, politike dhe shkencore të profesor Rexhep Krasniqit
  • Kalendar – Kosova drejt Pavarësisë: Para 16 viteve Propozimi i Ahtisaarit, SHBA e falënderonin 

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT