(Vlerësim për romnin “Doktor Gjilpera” të Faik Konicës). Botohet me rastin e “Vitit të Faik Konicës”, shpallë nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”/
Nga Thanas L. GJIKA/
Faik Konica, ky personalitet i shumanshëm i kulturës shqiptare përveç morisë së madhe të artikujve, analizave, polemikave, eseve, skicave, përshkrimeve, portreteve, poezive dhe përkthimeve në poezi e prozë, ka shkruar e botuar në shqip dhe një roman me titull Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit (më tej Doktor Gjëlpëra…). Me aq sa e njohim krijimtarinë letrare të Konicës deri sot, ky roman përbën veprën e tij më të gjatë e më të rëndësishme artistike. Themi me aq sa e njohim krijimtarinë letrare të Konicës, sepse vepra e tij letrare nuk është zbuluar ende plotësisht. Në vitin 1995 botuam në gazetën Rilindja të Tiranës shqetësimin tonë për faktin se Faik Konica kishte rrezik të mbetej pak i njohur dhe se duheshin bërë sa më parë kërkime në fondet e kishës së Shën Gjergjit, si dhe kudo tjetër ku mund të ruheshin fondet e dorëshkrimeve të tij1. Mirëpo deri më sot nuk kemi dëgjuar ose lexuar se janë bërë kërkime të tilla as në fondet e Kishës Shën Gjergji, as në fondet e shoqërisë Vatra, as në Departamentin e Gjuhëve dhe Letërsive Sllave të Universitetit të Chikago-s, ku z-nja Sara Panariti dërgoi fondet e bashkëshortit të saj, Qerim Panaritit, i cili ruante dhe dorëshkrime të Konicës. Kështu, të dhënat që kishim mbledhur për njoftimet e veprave të pabotuara të Konicës deri në vitin 1923, kanë mbetur në vend numëro. Të tilla vepra janë katër:
2. Mustaqet3, komedi me një akt.
3. Tryeza e fshirë – një përrallë sociale dhe filozofike4., e cila kuptohet se ka qenë një vepër e gjatë në prozë, ashtu si Doktor Gjëlpëra…
4. Themelet e gjuhës shqipe5, një studim sintezë e Konicës në fushën e gjuhës shqipe. Për këtë vepër nuk kemi qenë e nuk jemi të qartë nëse autori e kishte përfunduar në 8 mars 1924, kur dha njoftimin në gazetën Dielli, apo po vijonte ta shkruante dhe do ta përfundonte kur vatranët të mblidhnin paret për ta botuar6.
* * *
Romanin Doktor Gjëlpëra… Konica e botoi si nënfletë letrare të ndarë në 21 pjesë në gazetën Dielli nga 16 gushti deri 25 dhjetor të vitit 1924. Sqarimin se kur e shkroi autori këtë vepër dhe a ishte ajo një vepër e mbaruar kur filloi të botohej, apo po hartohej gjatë botimit të pjesëve, mund ta nxjerrim prej këtij shënimi që ka botuar editori i gazetës Dielli më datën 29 korrik 1924, para se të fillonte botimin:
Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit.
Me titullin e mësipërm Faik Konica, tre muaj më parë, shkruajti një përrallë të cilën pastaj nuk e pa të nevojshme ta botojë. Disa vatranë që e panë e këshilluan përsëri e përsëri ta japë në shtyp. Zoti Konica vendosi t’u bëjë qejfin atyre vatranëve dhe do të nisë ta botojë përrallën në numër të afërm të Diellit7.
Duke ditur se editor i gazetës Dielli për numërat 1661-1818 ishte Bahri Omari, ky shënim kuptohet se është formuluar prej tij dhe se ai ishte një nga ata vatranët që e kishin lexuar krejt veprën dhe e kishin këshilluar disa herë Konicën që ta botonte atë. Editori i gazetës na njofton se Konica e kishte shkruar tre muaj më parë, pra që në fund të prillit, ose fillim të majit 1924.
Për nga lloji letrar kjo vepër i përket prozës së gjatë, konkretisht gjinisë së romanit. Për nga ngjarjet që pasqyron, në se ato janë ngjarje të jetuara apo të krijuara prej fantazisë së autorit, kjo vepër i përket veprave fiction, pra veprave me ngjarje të krijuara prej fantazisë së autorit. Konica dhe editori i gaztës Dielli duke e quajtur përrallë veprën Doktor Gjëlpëra… nënkuptonin karakterin fiction të saj.
Për nga problematika dhe karakteri i trajtimit të problemeve, ky roman i përket veprave social satirike. Për nga metoda krijuese, pra për nga mënyra se si i thurr autori e si i rrëfen ngjarjet dhe si i krijon personazhet, kjo vepër i përket metodës së realizmit kritik. Me pak fjalë themi se Doktor Gjëlpëra … është një roman realist satirik me problematikë shoqërore. Si i tillë ky roman është vepra e parë e llojit në prozën e gjatë letrare shqipe.
Mbas vitit 1992 kjo vepër u botua disa herë, por studimet dhe vlerësimet për të ende nuk kanë arritur të japin përcaktime përfundimtare përsa i përket vlerave, vendit dhe rolit që ajo luajti në krijimtarinë e aurotit dhe në procesin e zhvillimit të prozës letrare shqipe.
Në qendër të veprës Konica ka vënë një shqiptar të ri nga diaspora, djaloshin me emrin Gjëlpëra i cili pasi përfundoi studimet e larta universitare për mjekësi në qytetin Upsala të Suedisë erdhi në atdhe. Me emrin e heroi Konica paralajmëron se ai është një person që do të gërmojë e çpojë për të zbuluar rrënjët (shkaqet) e vrasjes së dy amerikanëve, ngjarje që ndodhi në Mamurras në vitin 1923. Djaloshi erdhi të shërbente si mjek për të ndihmuar në procesin e ringjalljes së atdheut në fillim të viteve 20-të të shek XX.
Ngjarjet në këtë roman shtjellohen ndryshe nga romanet ku ngjarjet shtjellohen në disa linja të cilat herë takohen e herë largohen nga njëra tjetra dhe ku heroi i veprës herë është i pranishëm herë jo. Në romanin e Konicës ngjarjet nuk shtjellohen në vija lineare. Të gjitha ngjarjet këtu shtjellohen duke e pasur të pranishëm heroin, i cili është gjithnjë në qendër të tyre si katalizator që ndihmon për shtjellimin e ngjarjeve.
Forma e thurrjes së subjektit të këtij romani i ngjan rrathëve koncentrikë që krijohen kur bie një gur në ujë, rrathë që vijnë duke u zmadhuar, por që nuk e ndërpresin njëri tjetrin. Personazhi kryesor duke u ndodhur në qendër të subjektit, pra në qendë të çdo rrethi, ka lidhje me të gjitha ngjarjet, të cilat shtjellohen njëra pas tjetrës pa u ndërthurrur midis tyre. Doktor Gjëlpëra është gjithnjë pjesëmarrës dhe vëzhgues e nxitës i ngjarjeve.
Ky lloj kompozicioni na kujton kompozicionin e romanit Shpirtra të vdekur të shkrimtarit të talentuar rus Nikolla Gogol. Në letërsinë tonë të mëvonshme thurrja e kompozicionit të veprës në formë rrathësh koncentikë u përdor prej shkrimtarit Ismail Kadare në romanin Gjeneral i ushtërisë së vdekur. Në vitin 1963-1964 kur Kadareja hartoi këtë roman, mendojmë se ai nuk e njihte romanin e Konicës dhe forma e njëjtë e ndërtimit kompozicional të dy veprave të tyre ka qenë e rastësishme, që ka buruar thjesht prej përpjekjeve të sejcilit autor në fushë të formës për të gjetur thurrjen më të përshtatshme të kompozicionit të veprës.
Me këtë vepër Konica u përpoq të demaskonte qeverinë shqiptare të paraqershorit 1924. Në pjesën që u botua si pjesë e fundit nuk ëshë dhënë asnjë sqarim në se vepra do të vijonte, apo mbaroi aty. Duke mos u shënuar në mbarim të pjesës së fundit që u botua më 25 dhjetor 1924 fjala FUND, studjuesit para nesh e kanë quajtur këtë vepër një novelë të pambaruar. Edhe studjuesi Jup Kastrati në monogrsfinë e tij e ka quajtur novelë e pambaruar, e papërfunduar, e pakryer8.
Në pjesët që janë botuar mund të themi se ideja kryesore e romanit është e shpalosur plotësisht: Shqipëria edhe pse është një shtet i pavarur e gjeografikisht në Europë,për nga mentaliteti dhe zhvilimi ekonomik është larg së qeni vend europian. Që të bëhet shtet europian asaj i duhej të kryente transformime të mëdha në mentalitetin e banorëve dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.
Autori, duke e zgjedhur heroin e veprës midis kuadrove shqiptarë të formuar në një universitet me emër të Europës, pra një shqiptar me nivel profesional të nivelit më të mirë europian, do të thotë se populli shqiptar kishte aftësi mendore të barabarta me popujt e tjerë të kontinentit mëmë. Ekzistenca e ndryshimeve të mëdha midisshqiptarëve që jetonin në atdhe dhe evropianëve të tjerë, nuk ishte për faj të tyre. Faji do të binte mbi ta e sidornos mbi drejtuesit e shtetit të tyre në rast se do vijonin të qendronin në atë batak vesesh e sëmundjesh, në atë mentalitet anadollak e atë varfëri të skajshme, të trashëguar nga zgjedha e gjatë osnane.
Mendimi, sipas të cilit, me këtë vepër Konica shprehu mosbesimin e tij të thellë ndaj popullit shqiptar, i cili paraqitet si forcë e paaftë për të marrërrugën e përparimit9, është krejt i gabuar dhe tendencioz. Ky mendim është shprehje e një qëndrimi të politizuar që e paragjykonte Konicën dhe veprën e tij pa u mbështetur në analiza shkencore. Ky vlerësim është ndrequr në botimin e ri të Fjalori Enciklopedik Shqiptar, të vitit 200810.
Përmes vizitës që bën doktor Gjëlpëra në atdhe, autori ka ngritur një varg problemesh jetike të shoqërisë shqiptare të viteve 1921-1924. Ai ka shpalosur veset morale, akraballëkun, korrupsionin, mungesën e higjenës personale, patriarkalizmin, krimin e organizuar, etj, të cilat nënkuptohet se duhen luftuar për të shpëtuar nga gjendja mbytëse.
Rrethi i parë i subjektit zhvillohet në zyrat e doganës në Durrës. Nëpunësit dhe policët e asaj dogane, të cilët janë të parët bashkatdhetarë që takon heroi nëtruallin shqiptar, i mësojnë atij se që të mbarojë punë i duhet të japë rushfet, që ata e quajnë “dhuratë”.
Rrethi i dytë i ngjarjeve zhvillohet në Tiranë. Që ditën e parë që doktor Gjëlpëra mbërriti në kryeqytet, e lidhin me shoqërinë e fshehtë “Kamora”, së cilës ai duhej t’i paguante kuotat përkatëse, sepse vetëm kështu mund të lejohej të bënte punën për të cilën kishte ardhur, pra të hapte klinikën mjekësore për t’i shërhyer popullit të tij.
Rrethi i tretë i ngjarjeve zhvillohet po në Tiranë në kafenenë me emrin Erzeni. Këtu heroi në kontakt me bashkatdhetarë të tjerë, midis të cilëve pa dhe njohu njerëz të palarë, të parruar, fytyrëverdhë, kumarxhinj fytyrëngrysur, spiunë syçakej, politikanë që bisedonin pa takt, të cilët më shumë komunikonin me gjeste sesa me fjalë. Ai njohu dhe kolegë të profesionit të vet, doktor Emrullahun dhe Protagora Dhallën, të cilët ishin përfaqësues të intelegjincës shqiptare filoloturke dhe filogreke. Këta mjekë me diploma të vjetëruara ishin admirues të profesorëve të tyre të dikurshëm. Që kur ishin diplomuar ata nuk kishin lexuar asgjë nga tërejat e shkencës mjekësore, madje dhe nga doktor Gjëlpëra nuk donin të mësonin diçka të re, por vrisnin mendjen si e si ta ruanin klientelën e tyre se mos ua merrte ky mjek i ri me formim bashkëkohor.
Njohja e botës shqiptare zgjerohet më tej në rrethin e katër të kompozicionit, ku doktor Gjëlpëra prezantohet me Ministrin e Brendshëm, me Salembozën. Ky ishte njëherazi dhe kryetari i shoqërisë së fshehtë “Kamora”. Salemboza përfaqëson shtresën më të lartë të nëpunësve shqiptarë anadollakë të para përmbysjes së qershorit 1924. Përkshkrimit të figurës së Salembozës i është kushtuar kujdes i veçantë nga ana e autorit, sepse atë ai do ta shfrytëzojë si kyç për zbërthimin e intrigës së veprës. Figura e këtij ministri injorant, por ambicioz jepet përmes ndërtimit të disa episodeve që autori i trajton përmes satirës e ironisë.
Ministri i Brendshëm hiqet si njeri me kulturë, i fisëm dhe i denjë për postin e lartë që mbante, në një kohë që autori përshkruan trupin e tij rakitik, gojën me dhëmbë të krimbur që i bien ere të rëndë. Nga ana tjetër ai shpreh dëshirën e tij për t ‘i marrë mysafirit, gjoja si kujtim, orën e xhepit dhe stilografin. Të tilla detaje tregojnë se ky nëpunës i lartë është e kundërta e asaj që pretendon se është. Demaskimi i tij thellohet më tej përmes episodeve qesharake që i krijon autori duke treguar se Salemboza kërkon të dëgjojë për jetën e princërve të Evropës me qëllim që të gjente diçka të ngjashme në veshjet dhe lëvizjet e tyre me të vetat. Sipas tij ngjashmëria e jashtme me ta do ta bënte atë të ndjehej më fisnik. Kur ai mësoni se princi i Suedisë, kur mendonte kishte zakon të kruante lehtë ballin me gishtin tregues tëdorës së majtë, e bëri të vetin këtë gjest dhe filloi të kruante në sy të doktor Gjëlpërës ballin e vet, sa herë donte të tregonte se po mendonte, madje këtë lëvizje filloi ta bënte edhe kur ishte mbi kalë.
Po kaq qesharak bëhet ky personazh edhe gjatë vizitës mjekësore që i bëri doktor Gjëlpëra. Si injorant që ishte ai ka turp të zhvishet para doktorit. AtëhereGjëlpëra i tregoi se princi i Suedisë zhvishej pa drojtje para mjekut të vet dhe Salemboza, i shtyrë nga majmurnëria e vet, nisi t’i zhvishte e t’i flakte rrobat e veta me shpejtësi sa majtas djathtas, pa kuptuar se edhe kështu dëshmonte mungesën e kulturës së tij.
Rrethi vijues i ngjarjeve zhvillohet nga kontakti i doktor Gjëlpërës me Muhedin Again dhe Zylfikar Again, përfaqësues të parisë feudale të kryeqytetit. Antibejllëku i vjetër i Konicës shpërthen këtu përmes përshkrimit të ngjarjeve dhe bisedave, me të cilat ai zbulon injorancën dhe prapambetjen e këtyre pronarëve të mëdhenj tokash. Këta agallarë vlerësohen prej autorit me po atë qëndrim ironik me të cilin ai vlerësoi figurën e Salembozës.
Muhedin e Zylfikar Agai janë krijuar si përfaqësues tipikë të bejlerëve shqiptarë të lidhur me mentalitetin osman, për nga mënyra e të menduarit, nga mënyra e të jetuarit dhe nga çdo pikëpamje. Dhjetë vjet pas shëmbjes së Perandorisë Osmane, fanatizmi, diallëzitë dhe injoranca e asaj ngrehine të kalhur vijonin të përbënin thelbin e mentalitetit e të jetës së aristokracisë së kryeqytetit shqiptar. Ata janë njerëz pa ideal, njerëz që i kishin kthyer kurrizin qyteterimit europian. Ata nuk mund ta besonin dëshirën e sinqertë të doklor Gjëlpërë për të blerë një copë tokë ku të ndërtonte klinikën e tij e t’i shërbente popullit si mjek. Sipërfaqja e tokës që dëshironte të blinte doktori u dukej shumë e madhe për të ndërtuar vetëm një klinikë me oborr e kopësht. Të nxitur nga psikologjia e tyre e djallëzuar, ata mendojnë se ai po i gënjente, se në atë tokë ai nuk do të ndërtonte një klinikë, por do të hapte puse për të nxjerrë naftë, ose një minierë për të nxjerrë flori. Duke qenë njerëz të djallëzuar e hileqarë, ata në biseda pazari gjithënjë mendonin si e si t’ia hidhnin tjetrit duke e fshehur qëllimin e vërtetë. Për këtë arësye ata nuk mund ta besonin që bashkëbiseduesi po u thoshte të vërtetën, prandaj me fantazinë e tyre sajuan idenë se nëntoka e tyre kishte naftë ose flori dhe blerësi do të pasurohej shumë shpejt prej tokës së tyre. Kështu në mendjen e tyre shpërtheu zilia dhe nuk donin ta përfundonin pazarin…
Konica i paraqit ata edhe më hileqarë e më të prapambetur në marrëdhëniet e tyre familjare. Ai i vë në lojë gjatë përshkrimit të skenës së vizitës mjekësore që i bën doktor Gjëlpëra gruas së sëmurë të Zylfikar Agait. I zoti i shëpisë, bashkëshorti i të sëmurës, nuk mund ta lejonte doktorin që ta vizitonte gruan e tij duke e pasur përpara syve. Ai duhej ta kryente vizitën mjekësore duke qëndronte prapa derës prej ku mund ta pyeste e t’i merrte përgjigjet e saj pa e pasur të sëmurën ballë për ballë.
Mbas përshkrimit të këtyre skenave vepra nuk vijoi të botohej më. Në fund të kësaj pjese nuk u shënua fjala FUND. Lexuesi mbetet i paqartë nëse vepra përfundoi aty, apo do të vijonte edhe me skena të tjera ku mund të përshkruhej dhe vrasja e dy amerikanëve në Mamuras, ngjarje që në fakt u bë nxitja kryesore për hartimin e romanit.
Dëbimi i qeverisë Noli dhe rikthimi më 24 dhjetor 1924 i Ahmet Zogut, ish Ministri i Brendshëm i qeverisë së Xhafer Ypit (1922-1923), duket sikur është shkaku që romani nuk vijoi të botohej më tej. Ahemt Zogu si prototip i ministrit të djallëzuar duket qartë se e kishte frymëzuar Konicën për të krijuar personazhin e Salembozës. Ndërkohë shpallja që bën autori se Salemboza ishte i lidhur me organizatën e fshehtë Kamora, madje se ishte drejtues i fshehtë i saj, nënkupton se autori mendonte se ky ishte nxitësi i vrasjes së dy amerikanëve në Mamuras. Këtë mendim Konica e kishte shprehur në dy artikuj në gazetën Dielli disa javë pasi ndodhi ngjarja. Pra ardhja në pushtet e Ahmet Zogut mund të ishte shkak për mosvijimin e botimit të romanit. Ky ka qenë arsyetimi i studjuesve që e kosideruan veprën si një novelë ose roman të pambaruar. Mendimin se romani Doktor Gjëlpëra… është një vepër e pambaruar e kemi pasur edhe ne më 199311.
Mirëpo titulli i veprës Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit nënënkupton se autori i kishte vënë vetes detyrë vetëm të zbulonte rrënjët e dramës së Mamurrasit dhe jo ta pasqyronte vetë dramën, pra vrasjen. E parë në këtë drejtim, nuk ka rëndësi sesa ngjarje dhe skena (rrathë koncentrikë) krijon autori për të zbuluar rrënjët e asaj vrasjeje. Ai në çdo ngjarje e skenë që ka sajuar ka sjell fakte e arsyetime që i zbulojnë rrënjët, shkaqet e asaj ngjarjeje. Mbasi janë zbuluar korrupsioni në zyrat e doganës, paaftësia e kuadrove të formuar në kohën e Perandorisë Osmane, korrupsioni i organizuar me Ministirn e Brendshëm në krye të shoqërisë Kamora dhe mentaliteti i prapambetur i aristokracisë shqiptare që nuk di të bëjë biznes. Nuk ka rëndësi zgjatja e subjektit, sepse edhe deri këtu autori ia ka arritur qëllimit, ai ka zbuluar se ku qëndronin rrënjët e asaj drame.
Në këtë kuptim romani Doktor Gjëlpëra… mund të konsiderohet një vepër e përfunduar edhe pse autori mund të ketë lënë pa botuar disa skena të tjera që mund t’i kishte të shkruara. Këto skena do të sillnin dhe disa plotësime të mëtejshme, por jo zgjidhjen e problemit, sepse zgjidhja e problemit është dhënë në mënyrë të kuptueshme edhe me skenat që janë përshkruar deri këtu.
Faik Konica edhe pse ishte larguar nga atdheu në moshë shumë të re dhe ishte kthyer e kishte jetuar në Durrës vetëm disa muaj gjatë viteve 1913-1914, mundi që me talentin e tij të fuqishëm ta rikrijonte jetën patriarkale e të prapambetur shqiptare shumë më mirë se shkrimtarët që kishin jetuar aty me dhjetra vjet. Për thellësinë e autopsisë që Konica i bëri shoqërisë shqiptare në këtë roman duhet konsideruar pararendës i Migjenit.
Romani Doktor Gjëlpëra… është shembull i qartë që tregon se shkrimtarit për të krijuar një vepër letrare me vlera artistike ku pasqyrohet jeta me vërtetësi e realizëm, i duhet në radhë të parë talenti i fuqishëm dhe fantazia krijuese dhe jo njohja faktologjike që vjen nga të jetuarit afër me ngjarjet dhe faktet. Ky roman e hedh poshtë mendimin e teoricienëve të realizmit socialist, sipas të cilëve shkrimtarët duhej të jetonin gju më gju me popullin për të krijuar vepra të realizuara artistikisht.
Nuk ka asnjë dyshim se ky roman i Konicës për nga vlerat ideo-artistike është vepra më e realizuar midis veprave romanore të shkruara e të botuara në letërsinë shqipe deri në vitin 1944. Këto vlera qëndrojnë në demaskimin e mentalitetit anadollak, luftë e cila nuk bëhet përmes lotëve e keqardhjes si në veprat sentimentaliste, as përmesentusiazmit e patosit të ngritur emocional si në veprat romantike, por përmes riprodhimit të jetës me realizëm duke vënë gishtin në plagët e shoqërisë shqiptare e cila meritonte një jetë më të mirë.
Konica romancier po tregonte, se ashtu si kishte bërë si publicist, e donte popullin dhe atdheun e vet, jo duke e hymnizuar të kaluarën dhe natyrën shqiptare, por duke treguar të vërtetën mbi gjendjen reale, duke e kritikuar këtë gjendje për ta ndrequr atë. Për nga realizimi i formës artistike ky krijues i talentuar mundi t’i jepte letërsisë sonë një vepër me thurrje të re kompozicionale. Ai e krijoi romanin e vet përmes kontrastit ku vendosi ballë për ballë dy botë krejt të kundërta: doktor Gjëlpëra që pëfaqëson shqiptarin e europianizuar, dhe moria e nëpunësve nga më të thjeshtët deri tek nivelet më të larta, e profesionistëve të paaftë, e shtresave të pasura, të cilët të gjithë së bashku përbënin shoqërinë shqiptare feudale, të kalbur kokë e këmbë e cila duhej transformuar sa më parë.
Konica si mjeshtër i analizës dhe i tipizimit me pak fjalë e me pak hollësira, përdori me sukses, si kishte përdorur edhe në skicat e veta, përshkrimin e jashtëm, dialogun, meditimin e mjete të tjera të poetikës si ligjërimin dhe figurat e shumta stilislike. Si krijues realist ai e çliroi prozën e gjatë shqipe nga skemat e paracaktuara dhe nga të papriturat, nga parandjenjat e fuqishme të heronjve, nga gjuha e zgjedhur e plot lulka, që mbizotëronin më parë e do të mbizotëronin në romanin tonë edhe në vitet 30-të.
Romani Doktor Gjëlpëra… është përpjekja e parë e suksesëshme e romanit tonë social satirik me anën e të cilit Konica ndihmoi në ngjalljen dhe mëkëmbjen e vetëdijës kritike tek lexuesit shqiptarë, gjë që ka të bëjë me krijimin e një vetëdije historike moderne të popullit tonë. Ky roman njëheresh është dhe vepra letrare më e rëndësishme që kemi prej penës së këtij autori në gjuhën shqipe. Me këtë vepër ky autor e dha modelin e letërsisë realiste për të cilën kishte aq nevojë letërsia e asaj kohe e më vonë. 10-12 vjet më vonë krijuesit letrarë shqiptarë në revistën Bota e Re të Korçës diskutuan për nevojën e madhe që kishte letërsia dhe shoqëria shqiptare për vepra realiste. Mirëpo këta krijues diskutuan për nevojën e letërsisë realiste pa e njohur romanin realist të Konicës. Ata nuk e përmendën në diskutimet e tyre as veprën as Konicën, pra e injoruan modelin e gatshëm nga mosnjohja.
Veprat realiste kanë forcë edukative dhe tingëllojnë aktuale sa herë shfaqen në shoqëri probleme të ngjashme me ato që janë trajtuar në to. Kështu dhe romani Doktor Gjëlpëra… tingëllon sot aktual, mbas gati një shekulli nga botimi i tij, sepse korrupsioni dhe krimi i organizuar gjallon sot në Shqipëri dhe Kosovë. Leximi dhe rileximi i këtij romani në ditët tona, mendojmë se do të ndikojë në gjallërimin dhe rritjen e guximit që duhet të kenë krijuesit tanë për trajtimin e problemeve që kanë të bëjnë me të sotmen dhe të ardhmen e popullit tonë. Po ashtu leximi dhe rileximi i këtij romani do të nxitë tek krijuesit dhe guximin për të eksperimentuar forma të reja artistike.
Ky roman për nga përmbajtja dhe mënyra e trajtimit të kësaj përmbajtjeje është prozë që i përgjigjet shijes së brezave të rinj shumë më tepër se proza e paraardhësve apo e bashkëkohësve të tjerë të Faik Konicës12.
(Ky variant ka përmirësime në krahasim me atë që u botua në gazetën Rilindja, Tiranë, 11 dhjetor 1993, f. 6.)
1Shih: Thanas GJIKA. Faik Konica rrezikohet të mbetet pak i njohur, Rilindja Tiranë, 3 tetor, 1995, f. 9. Këtë numër të gazetës Rilindja ia dërguam At Liolinit, kancalarit tv Kishës së Shën Gjergjit, për t’i tërhequr vëmendjen.
2Për këtë përmbledhje Konica jep sqarimin e vet në gazetën Dielli që botohej me emrin Dielli e Flamuri Boston Mass Nr. 72, 18 nëntor 1910, f. 1.
3 Kjo komedi quhet prej autorit komedi e vogël, prandaj ne e quajmë komedi me një akt. Ajo ishte e përfunduar dhe ishte vënë dhe në skenë më 8 shtator 1923 prej grupit treatral amator te qytetit Malborough Mass. Shih: Dielli Boston Mass 13 nëntor 1923, ku përmenden dhe emrat e katër aktorëve kryesorë.
4Çapje në çvillim të literaturës shqipe. Dielli, Boston Mass Nr. 2686, 8 mars 1924, f. 4-5. Nëntitulli që i ka vënë autori një përrallë sociale dhe filozofike tregon se kjo veprë ka qenë një novelë ose roman fiction, pra me ngjarje jo të jetuara por të krijuara prej fantazisë së autorit, ashtu si romani Doktor gjëlpëra….
5Kjo vepër duhet të ketë qenë një studim sintezë për gjuhën shqipe, por nga njoftimi në Dielli i datës 8 mars 1924 nuk del e qartë në se ishte e përfunduar deri atëhere, apo jo.
6Studjuesi Fotaq Andrea zbuloi dy vjet më parë dy romane të panjohur të Faik Konicës shkruar frëngjisht më 1908-1909, të cilët autori ia kishte shitur princit Aladro Kastrioti për të siguruar paret për botimin e mëtejshëm të revistës Albania dhe për të vijuar punën atdhetare. Këto dy romane Konica nuk i përmendi asnjëherë, ndoshta sepse nuk e dinte fatin e tyre pas dorëzimit të dorëshkrimit. Sqarimet për fatin e këtyre dy romaneve dhe vlerat e tyre do t’i mësojmë së shpejti prej z. Andrea, i cili do t’i botojë ato në shqip shoqëruar me një hyrje të gjatë studimore. Ky botim po sponsorizohet prej shoqërisë Vatra, fakt që na gëzon sepse tregon që kjo shoqëri e ka ngritur nivelin e saj si shoqëri kulturore krahasuar me vitet 1940-2010…
7[Editori], Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit, Dielli, Boston Mass, 29 korrik 1924, Nr. 2744, f. 8.
8Kastrati, Jup. Faik Konica (Monografi) GJONLEKAJ PUBLISHING CO. New York 1995. f. 378
9 Konica, Faik Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASHRPSSH, Tiranë, 1985, f. 521.
11Thanas Gjika. Doktor Gjëlpëra… roman i pambaruar i Faik Konicës Rilindja, Tiranë 11 dhjetor 1993 f. 6.
12Qosja, Rexhep. Faik Konica, Rikthimi i tij. Parathënie në: Jup Kastrati Faik Konica (Monografi), po aty, f. 26.