“Mirënjohja për të gjithë ata që kanë dhënë ndihmën e tyre vetëmohuese, nuk mund të shprehet me fjalë”, ka thënë Aleni, duke falënderuar në emrin e familjes/
Naroni është emri i një foshnjeje shqiptare nga Kosova, që pak muaj më parë pati pushtuar mediet gjermane dhe shqiptare. Vogëlushi i cili në fund të gushtit mbush një vjet, ndodhej në rrezik të madh për jetën. Një sëmundje e rëndë e mëlçisë për të cilën nuk kishte shërim në Kosovë, kishte alarmuar familjen e tij. Për të shpëtuar Naronin e vogël nga vdekja ajo kishte ndërmarrë gjithçka që ishte në mundësitë e saj.
Nëna e vogëlushit, Fjolla Gjonbalaj shfrytëzon rrethanën që kushëriri i saj, Alen Gjonbalaj jeton në Nürnberg të Gjermanisë. Ky i fundit vendos kontakte me klinikën për fëmijë dhe të rinj të Fürth-it, gjegjësisht me kryemjekun e saj, profesorin Jens Klinge. Përmes miqve të klinikës së përmendur u iniciua pastaj një aksion i madh humanitar për ndihmë Naronit.
Së fundi, falë ndihmës së pakursyer që u grumbullua nga njerëzit vullnetmirë të Gjermanisë, vogëlushi simpatik iu nënshtrua operacionit të transplantimit të veshkës dhe e kaloi atë me sukses, shkruan nordbayern.de.
“Është mrekulli se sa mirë na kanë pritur dhe janë kujdesur për Naronin që të gjithë. Mirënjohja për të gjithë ata që kanë dhënë ndihmën e tyre vetëmohuese, nuk mund të shprehet me fjalë”, ka thënë Aleni, duke falënderuar në emrin e familjes.