Ahkruan: Prof. Sami REPISHTI/
Ridgefield,CT.-Zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në Shqipëri me 25 prill 2021 kanë marrë nji randësi të veçantë për qytetarët shqiptarë si dhe për vezhguesët e mbrendshëm dhe të jashtëm. Kjo ashtë koha, ky ashtë momenti që detyron udhëheqjen politike të vendit me paraqitë nji program konsistent socio-ekonomik dhe politik. E meta kryesore duket se ashtë mungesa e nji orientimi politik të studjuem mirë nga klasët udhëheqse, dhe nji ngritje e dukëshme e pakënaqsisë popullore me qeverisjen tetëvjeçare të Partisë socialiste njipartiake të vendit.
Dy muej ma parë, SHBA kaloi nji krizë të randë dhe artificiale të demokracisë 245 vjeçare amerikane, si rrjedhim i veprimtarive kundërligjore të ish presidentit D.J.Trump që kulminoi me sulmin fizik kundër ndertesës së Kapitolit (selia e Kongresit amerikan). Ky akt banditesk u përballue me gjakftohtësi por kushtoi pesë jetë njerëzore të pafajshme dhe disa miljona dollarë dame materiale. Në fund të ballafaqimit në mes të rebelëve pa nji kauzë dhe organeve shtetnore u krye rivendosja e shpejtë e rendit në zonën e damtueme dhe rifillimi i sesioneve të rregullta të dy dhomave. Demokracia tregoi forcën e vet; ajo triumfoi!
Ajo që mbeti ashtë nji frymë ndasie në opinionin publik dhe nji atmosferë e acarueme thellë mbas perfundimit të votimeve dhe numërimit të tyne. Kandidati i zgjedhun lirisht, Joseph R.Biden, Jr. u konfirmue si president i SHBA-së dhe filloi punën në periudhën e tranzicionit. Kjo ndasi ka qenë, dhe mbetet akoma, dami ma i madh i ballafaqimit të 6 janarit. Populli amerikan kishte nji nevojë të madhe me normalizue rendin e qetësinë. Në këte moment historik, Presidenti Biden mbajti nji qendrim mirëkuptimi tue ju drejtue të gjithëve me këto fjalë:
“ Të gjithë amerikanët, veçanërisht udhëheqsit e vendit, janë të detyruem dhe përgjegjës të mbrojnë të vertetën dhe të mposhtin gënjeshtrat. Duke vepruar në këte mënyrë përfundojmë këte luftë të paqytetnueme dhe sherojmë shpirtin e kombit tonë. Kjo ashtë detyra që kemi përpara. Dhe ashtë kjo detyrë që duhet të ndermarrim së bashku”.
Kështu e shoh unë sot gjendjen në Shqipëri në esencë megjithëse jo në hollësina. Populli shqiptar ashte i ndamë keqas dhe i anmiqsuem. Kjo dilemë ekzistenciale rrezikon të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë të përbashkët. Duhet të ngrihemi në naltësinë e momentit, të dialogojmë e jo të përleshemi, t’i japim dorën njeni tjetrit në nji punë ndertimtare të atdheut tonë të përbashkët shqiptar. Indiferenca e shumicës kercënon këte vend që quejmë “atdheu Nenë!” Duhet t’a mundim! Në Shqipërinë e sotme njeriu ka përshtypjen sikur e gjithë pervoja e jonë, e së tashmes dhe e së kaluemes, ashtë përqendrue në nji kand-veshtrim me karakter thellësisht partiak. Ngushtimi i horizontit tonë politik ashtë nji e metë ndoshta fatale! E ashtu-quejtuna “politika” në Shqipwri vazhdon të zhvillohet në nji atmosferë vranësie që nuk premton ndriçimin e diellit në qiellin e atdheut. Nji tragjedi shqiptare në zhvillim e sipwr….!
Të gjithë jemi përgjegjës për këte situatë, por klika sunduese ma shumë se të tjerët. Mbas tetë vjet qeverisje ajo ka humbë besimin e popullsisë së vendit që trajtohet si punëtorët e çiflikut privat. Akoma ma shqetësues ashtë fakti se për afër dy vjetësh socialistët qeverisin vendin me sistem nji-partiak, mbas largimit të pa justifikuem nga Parlamenti e skena politike zyrtare të Partisë Demokratike. Ajo që çuditë vezhguesët ashtë paturpësia publike e qeverisë njipartiake me pranue qeverisjen njipartiake në nji vend si Shqipëria që po kalon nga diktatura ma e egër nepërmjet nji tranzicioni pa premtim e trashëgimtarëve të ish PKSH/PPSH me bilanc negativ në historinë e vendit tonë. Etja për pushtet absolut spjegon gjithçka.
Na duhet nji gjuhë e përbashkët me parashtrue nji program socio-ekonomik e politik me qellim që të vihet vendi në rrugën e përmirësimit të përgjithëshëm, të sherohet nga të metat që e mundojnë dhe të avancoj drejt ndertimit të nji shteti ligjor, modern dhe përparimtar! Rezultati i të metave tona ashtë nji Shqipëri e nji shoqëni shqiptare që nuk gjejnë gjuhën e përbashkët as edhe nji vullnet politik të duhun që imponon momenti! Shqipëria nuk jeton dhe nuk zhvillohet në vakuum. Shqipëria ashtë nji vend europian, dhe duhet t’i adaptohet kulturës europiane si domosdoshmëni historike. Devijimet rrezikojnë dështimin e saj.
Këto kohët e fundit, tri ngjarje me randësi kanë hjedhë dritë mbi situatën tonë:
1)Votimet e 14 shkurtit në Kosovë: regjistrimi i plotë i votuesve, zgjedhja pa presion e kandidatëve të preferuem, numërimi i ndershëm i votave, deklarimi i rezultateve të votimit dhe emnat e kandidatëve fitues – dhe ajo që kunorëzon këte sukses atmosfera e qetë dhe qytetnuese e të gjithë procesit. Dallohet sidomos pjesëmarrja e gjanë dhe fitorja e thellë e grave në votim. Në nji shtet të ri me nji shoqëni thellësisht patriarkale nji sukses i këtill merr përmasa historike: shembull për shumë vende të botës, dhe sigurisht edhe për Shqipërinë. “Suksesi Kosovar”: prova ma elokuente se zgjedhjet e lira e të ndershme janë të mundshme edhe në Ballkanin perendimor!
2) Me 5 mars, shtypi francez botoi deklaratën e Presidentit francez, Z. Emmanuel Macron, i cili ka marrë përsipër me rifillue marrëdhanjet Francë-Algjeri mbi nji platformë të ndershme “…pajtimi me ndihmën e së vertetës”. Ai deklaroi se vdekja e udhëheqsit revolucionar algjerian, avokatit nacionalist Ali Boumendjel i arrestuem me 5 shkurt 1957, mbas 43 ditëve nen torturë të vazhdueshme dhe të pamëshirëshme u cilësue zyrtarisht si “vetëvrasje”.
“ Jo!” tha Presidenti Macron.” E verteta ashtë se mbas torturës ai u hodh nga dritarja e katit të gjashtë prej ushtarëve francez, e vdiq nga plagët e marruna. Boumendjeli “tha Presidenti Macron ’’…ashte vra nga ushtarët francez….Unë flas në emën të Francës. Boumendjel nuk vrau veten; u torturue dhe ma në fund u vra!”
Qendrimi guximtar e dinjitoz i Presidentit Macron u kritikue nga shumë nacionalistë dhe kolonistë, tue përfshi edhe Kryeministrin e Francës, Z. Jean Castex . Por Presidenti Macron e thelloi akoma ma shumë këte dikotomi të publikut francez. “Nuk ka krim, as atrocitet që u krye në Luftën Algjeriane (1954-62) që ka mundësi “me u falë ose me u fshehë….Këto akte kriminale duhen shikue me guxim dhe qartësi mendore dhe me nji respekt absolut për të gjithë ata, jeta dhe dinjiteti i të cilëve u shkatërrue… Breznia e re duhet të tregohet e aftë me ndertue fatin e vet me duert e veta, larg nga dy kanalet e fëlliqta siç janë amnezia dhe smira….Ashtë misioni i tyne, rini franceze dhe algjeriane, me ec në rrugën e së vertetës, rruga e vetme që shpie në pajtimin e kujtesave….”
Nji akt i këtill i Presidentit francez ashtë nji shembull i shkelqyeshëm për të gjithë ne, e sidomos për rininë, në gjykimin e së kaluemes dhe të së tashmes sonë. A do të ketë udhëheqës politik shqiptar që flet të vertetën për krimet komuniste në emën të nji Shqipërie dinjitoze? Na urojmë!
3) Të marten, 9 mars, The New York Times botoi nji essay ku thuhet:” Dy javë ma parë Qeveria e SHBA-a deportoi nji resident, për pjesëmarrje në krimet naziste gjatë L2B, i cili u kthye në Gjermani ku autoritetet vendosën me ba akuza të reja. Ai kishte jetue në SHBA që nga viti 1959.
Krimi për të cilin u deportue u ba gjatë dimnit të viteve 1944-45, në muejt e fundit të Luftës kur Z. Berger ishte nji djalosh 18 vjeçar. Simbas Departmentit të Drejtësisë ai ishte nji roje e armatosun në nji kamp përqendrimi dhe si mbikëqyrës i të burgosunëve që hapnin llogore në kondita shumë të veshtira. Vuejtja e të burgosunëve u kushtoi jetën 70 viktimave.
Në moshën 95 vjeçare, Z. Berger ka pasë mjaft kohë me meditue dhe me u pendue për aktet e tia, me gjykue në ndërgjegjen e vet dhe me jetue nji jetë shembullore. Asgja nuk pakëson peshën e fajit të kryem nga ish nazisti, por me burgosë nji ish fajtor në moshën 95 vjeçare për ate që ai ka ba në moshen 18 vjeçare më duket se ashtë gabim. A mori fajtori dënimin korrekt të drejtësisë reale, apo shumë pak shumë vonë? Sinqerisht, nuk e dij!” përfundon treguesi.
Faktori kohë luen nji rol të randësishëm dhe nuk mund te neglizhohet….! Koha sheron! Koha, kjo vazhdimsi momentesh me tanësinë e rrethanave objektive që sjellin ndryshime në ngjarjet dhe fenomenet që e ndjekin, përban nji vlerë kardinale për kuptimin dhe interpretimin e momentit historik të njerëzimit.
Shembujt e masipërm tingëllojnë si probleme të pazgjidhuna tek ne! Shqipëria vuen nga nji krizë e randë morale sepse refuzon me marrë në konsideratë nji analizë të ndershme të së kaluemes komuniste, dhe me nxjerrë mësimet e paevitueshme, ashtu si shumë vende tjera, kryesisht Gjermania e post-nazismit, të zhvillojë votime të lira e të drejta, të ndigjojë udhëheqsit politikë që flasin të vertetën, dhe të gjykojnë me frymën e faljes së fajit krimet e terrorit komunist!
Kolegu i im Frank G. Shkreli, ish anëtar i Komisionit të parë amerikan për vrejtjen e votimeve të 21 marsit 1991, konstaton se që në fillim deri sot“… zgjedhjet nuk ishin as të lira as të drejta. Unë ”shkruen Z. Shkreli, “ kam thanë shpesh herë se tranzicioni i tejzgjatur post-komunist në Shqipëri ka rranjët e veta gjithënji në ato të zgjedhjeve të para….”.Për këte shperthyen demonstratat e opozitës. Dymbëdhjetë dite ma vonë, me 2 prill 1991 un masakruen mizorisht katër demonstratorë demokratë: Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, deshmorët e parë të demokracisë së re në Shqipëri, dhe u plagosën dhjetra të tjerë nga forcat e Sigurimit të Shtetit simbas instruksioneve të Ministrisë P. Mbrendshme. Akoma sot “nuk janë gjetë” përgjegjsit e krimit, dhe emnat e tyne i ka mbulue harresa…! “Ish-udhëheqsit komunistë” nuk kërkuen falje për krimet e panumërta të kryem gjatë rregjimit gjakatar komunist 45 vjeçar, me gjithë qendrimin tepër tolerant të klasës së re politike që mori përsipër ndertimin e demokracisë.
Gjaku i shqiptarëve të vramë pafaj, burra, gra -e fëmij jetimë të uritun- ka njollosë dhe vazhdimisht njollosë edhe sot shqiptarët komunistë të pa korrigjueshëm për sa kohë që ata refuzojnë pranimin e fajit, dhe fillojnë me kerkue faljen nga viktimët, nji proces që lejon afrimin dhe fillimin e nji epoke të re, të qytetnueme. Skena të egërsisë edhe sot mbeten të gjalla në kujtesën e nji popullsie të tanë dhe nji porosi e përherëshme për çdo ish komunist, se pavarësia e Shqipërisë ashtë ma shumë se nji akt politik. Ajo ka edhe karakter personal për çdo qytetar: vuejtjet e pa kufi për 45 vjet me rradhë e viktimës dhe e familjes së tij do të mbeten nji njollë e zezë që nuk mund të harrohet…as të falet me lehtësi e pa dhimbje shpirtënore. Prandej, fjalimet e kuadrove të nalta socialiste janë skandaloze… plot vrer, hakmarrës…dhe të pafalëshëm as sot, as mot…!
Ashte krijue nji situatë demoralizimi me përpjestime historike në atdheun tonë të përbashkët. Në qoftë se fajtori nuk ndeshkohet, mesazhi për shqiptarët ashtë se krimi paguen dhe ashtë i lejueshëm…. nji konkluzion rezultati i të cilit pengon bashkëjetesën tonë normale në vend. “Fajtori nuk ashtë vetëm ai/ajo. E gjithë kjo katrahurë ashtë nji mënyrë jetese në nji botë ku mbretnon sekreti, dominimi i të fortit, mashtrimi dhe hajdutnia. Ndeshkimi i fajit ashtë simbolik për publikun e gjanë, dhe me shumë randësi: me i dhanë publikut sensin e llogari-dhanjes” shkruente rishtas Prof. Ruth Ben-Ghiel.
George Washington, babaj i SHBA-së gjykonte se:” Administrimi i plotë i drejtësisë ashtë shtylla ma e fortë e nji qeverisje të mirë”! Nuk ashtë e rastësishme kërkesa e vazhdueshme e miqve tonë amerikanë për vendosjen e drejtësisë dhe llogari-dhanjes qeveritare. Udhëheqsit politikë të partive tona politike duket sikur kanë vështirësi ndigjimi, edhe kur u thuhet se …nuk ka gja ma të keqe në politikë se nji politikan i deshtuem që refuzon me dhanë dorëheqjen!
Ashtë e dhimbëshme me lexue në shtypin e vendit se Akademia Studimore Politike, simbas veshgimit, ka deklarue se në shkelje të Kodit Zgjedhor jane miratuar 5 ligje nga Parlamenti nji partiak socialist, 2 vendime të qeverisë socialiste, dhe 1 vendim i Këshillit Bashkiak….që sjellin përfitime apo masa lehtësuese për periudhën katër mujore para zgjedhjeve të 25 prillit si falje detyrimesh, taksash , tatimesh, rritje rrogash, punësime të reja në Administratë, dhe sjellin favorizim elektoral për partitë politike në pushtet. Tue folë për zgjedhjet e kalueme Gjenerali Pirro Ahmetaj theksonte, në nji intervistë me Zërin e Amerikës :” …se të gjithë jemi fajtorë, pasi të drejtën sovrane të votës e kemi shitur për nji thes miell, ose lejuar të na e vjedhin dhe ia kemi nxirë faqen Shqipërisë…Shqipëria është në udhë-kryq, të gjithë janë të hutuar, pasi besimi te vota e lirë dhe shteti i së drejtës kane rënë. Shpresët e demokracis funksionale dhe harmonia e pushteteve jane vrarë. Shqiptarët duhet të marrin pjesë në votimet (e 25 prillit) në Shqipëri dhe të marrin fuqinë e kontrollit të pushtetit në duart e tyre… “(15.III.’21)
Tue folë për përgatitjet e listave elektorale nga udhëheqsit e partive politike, analisti Lutfi Dervishi deklaronte “…në nji farë mënyre, krytarët e partive politike janë sulltanët e këtij mjedisi, të cilët vendosin se cili do të jetë në Kuvend dhe cili jo!” (VoA-7.III.’2I) Kjo masë disiplinore për përfaqsuesët në Parlament shërben interesët e partive politike, por mohon elementin esencial të qellimit të zgjedhjeve: zërin e qytetarit votues e sovran i vertetë i jetës politike të vendit. Ky sistem “listash” nuk ashtë “demokratik”, por ka marrë pushtetin e “ligjit”.
Qortimet e këshillat e Ambasadores amerikane, Zonja Yuri Kim, bien në vesh të shurdhët: “Korrupsioni mbetet nji shqetësim kryesor i Shteteve të Bashkuara si në gjyqsor ashtu edhe në politikë…..” (Panorama 12.III.2021) Diplomati i naltë amerikan, Z.Matthew Palmer deklaroi pak ditë ma parë:” SHBA do të vazhdojnë të investojnë mjaft energji dhe kapital politik në Shqipëri”. Ai tha gjithashtu se “Shtetet e Bashkueme dëshirojnë të shohin që zgjedhjet e (25) prillit në Shqipëri të kryhen në bazë të standarteve më të larta ndërkombëtare”.Ky reagim i padëshirueshëm ishte përgjigjja e amerikanëve ndaj zgjedhjeve post-komuniste në Shqipëri, të kontestueme fort, dhe damtue nga parregullsi gjatë fushatës si dhe gjatë ditës së votimit tue përfshi edhe pretendime të blerjes së votës dhe manipulime me numërimin e votave, raportonte Zëri i Amerikës pak ditë ma parë….!
Problemi i emigrimit masiv po ashpërsohet çdo ditë. “Shqipëria vuen njëkohësisht shpopullimin masiv, lindëshmeninë e ulët (madje me shtesë natyrore negative) si dhe mplakjen e shpejtë demografike, simbas nji studimi nga Znja Majlinda Zajmi.
Banka Botënore në raportin e saj “Perspektiva Ekonomike Globale”(Janar 2021) raporton se ekonomia e Shqipërisë është tkurrë me 6.7 % vitin e kaluar, çka ka ndikuar drejtë për së drejti
edhe humbjen e vendeve të punës dhe rritjen e nivelit të varfërisë” raporton VoA, 13.III 2021.
Përveç faktorëve objektivë Dhoma e Tregëtisë konfirmonte se “…korrupsioni endemik ashtë nji nga pengesat kryesore të business-it në Shqipëri”.
Pa dyshim orientimi i sotëm drejt zgjedhjeve me lista elektorale të përgatituna nga kryesitë e partive politike që synojnë forcimin e pozitës politike të nji grupi udhëheqës ashtë i gabuem, veçanërisht në nji vend tarafesh e interesash të shumëllojta siç ashtë vendi i jonë. Qytetari shqiptar i Iirë e votues, duhet të dij se kush ashtë përfaqsuesi i tij dhe, në se ai që ka marrë votën e tij nuk eliminohet për arsye të rreshtimit në listen elektorale. Ndryshimi i këtij sistemi zgjedhor ashtë me randësi kapitale dhe duhet të kryhet sa ma shpejt, aq ma mirë.
Pushtetarët duhet t’i rezistojnë kerkesave që vijnë nga individë ose grupe të vogla për zgjidhje problemesh gjithëpërfshirëse me shpejtësi. Ajo që nevojitet ashtë nji studim i thuktë e serioz i përgjigjes që mendojmë me dhanë, tue u mbështetë në evidencën ekzistuese. Faktet janë kokëfortë dhe nuk lëvizin dot për dëshirën ose urdhnin e personave tekanjoz e arbitrarë. Gjithashtu , aksionet tona të ndërmarruna mbas nji katastofe, shpesh herë janë të motivueme ma shumë nga emocionet që përjetojmë se nga logjika e llogaritjet racionale. Dhe në se merren, ata kthehen mbrapa me shumë vështirësi! Ashtë nji problem që duhet marrë parasyshë!
Rreziku i madh vjen nga grupe të vogla, ose individë aventurierë që janë tërheq nga apeli i dhunës dhe aventurës, të armatosun dhe të motivuem me veprue nën influencën e bindjeve të tyne ideologjike, nji vendosmëni me mbrojtë nji identitet që bashkëndahet me të tjerët, ose nga frika se do të anashkalohen. Nji hap me randësi në vendosjen e legjitimitetit historik do të bahet vetëm atëherë kur bashkësia e shoqënisë së cilës ata i takojnë marrin inisiativën me i nxjerrë jashtë radhëve të saj!
Unë pres që zgjedhjet e 25 prillit të shenojnë fillimin e nji epoke të re politike dhe sociale në atdheun tonë të trazuem nga aventurat politike, tue fillue me nji respekt për dinjitetin e barazisë së çdo qytetari, qoftë në marrëdhanjet ndernjerëzore, qoftë në marrëdhanjet me pushtetin. Nji qendrim i këtill nuk imponohet; ai ashtë i ndiem thellë nga cilido nga ne. Ky qendrim përbuzë përpjekjet civile ose zyrtare me dehumanizue çdonjenin, në çdo kohë e çdo vend. Përbuzëja e nji sektori të shoqënisë ashtë thjesht racizëm, dhe racizmi ashtë ma shumë se nji problem: ai ashtë nji mëkat!
Reparimi i së keqes kërkon nga ne me thanë “të vertetën mbi mëkatin”. Lufta e çdonjenit kundër “mëkatit” ashtë nji përpjekje personale e vazhdueshme. Martin L. King, Jr. spjegonte:” Ai/ajo që ashtë pa frymë falje, ashte pa fuqi me dashtë. Na nuk mund të kufizohemi me ‘faljen e mëkateve’; duhet shkue nji hap përtej: me përqafue pajtimin dhe afrimin njeni me tjetrin”.
Ashtë vendi i jonë i përgatitun për nji rigjenerim mendor dhe shpirtënor, mbas kaq vuejtjesh?
Unë shpresoj !