Nga Zef Chiaramonte/
Më 7 mars, ditën e shtunë në orë 6 p.d. , komuniteti arbëresh i Sicilisë do kujtojë papa Mateun Shambra, me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Një simpozjum do mbahet mu në Kishën konkatedrale e Arbëreshëve, “la Martorana”, në Palermo, ku i ndyeri ishte famullitar për disa dekada.
Papa Mateu, përveç se prift arbëresh i ndershëm, ishte edhe ligjirues i Gjiuhës dhe i Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos dhe bashkëpuntor i zellshëm i At Zef Valentini-t.
Ndër botimet e tij më me vlerë, kujtojmë Liber Brevium të Papa Kalistit, lidhur me epokën e Skënderbeut dhe përpunimin e Arkivit të famullisë greke-koroneze-arbëreshe të Sh. Kollit në Palermo.
Fjalën e rastit do ta mbajë Prof. Mateo Mandalà, ligjiruesi i sotëm i Shqipes në Universitetin e Palermos, i ndjekur nga famullitari i ri i Kishës Arbëreshe, papa Nikola Kuçi.
Ceremonia do marrë fund me concertin e muzikës bizantine arbëreshe drejtuar nga Profesori i shquar shqiptar Tonin Tarnaku.
Palermo, 28 shkurt 2015
Zef Chiaramonte, korrespondent nga Sicilia