Gjakmarrja, plagë e traditës, që shërohet atje ku lind, në familje dhe, me ndihmën e opinionit shoqëror, por sidomos me ligje te duhura shtetërore, që zbatohen rigorozisht/
Shkruan: Prof. Dr. Hektor Veshi/
Qysh kur u rishfaq, para mbi njëzetë vjetëve, kjo plagë gati e harruar në shkallë vendi, por sidomos ku ka vepruar e shfaqet më dëndur, edhe përpjekjet për ta kundërshtuar kanë qënë të mëdha, të shumëllojshme, madje rezultative. Përmendim edhe nismën e fundit nga shoqëria civile, me ndihmat ekonomike dërguar familjeve të ngujuara, posaçërisht fëmijëve dhe arsimimin e tyre; kulmore ka qënë përfshirja në këtë veprim e autoriteteve të larta, deri te ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani e, kohët e fundit, edhe e Ministres së Arsimit eSporteve, znj. Lindita Nikolla; publikimi me forcë i gjendjes, plagë e pashëruar, duke organizuar, së paku, dy emisione televizive, nga kanali i njohur kombëtar “Top Channel”, me drejtimin e gazetares së afirmuar, Rudina Xhunga. Aty u tërhoq e u dëgjua në to mendimi i specialistëve të policisë dhe i gazetarit rajonal, që e njeh nga afër gjendjen; në ato emisione u muar, gjithashtu, mendimi i personaliteteve kulturore e fetare nga Kosova, si dhe e një qytetari (pedagog). U permend shembull i lartë për faljen e tre gjaqeve- humbjes së tre vëllezërve të tij, thjesht e vetëm në zbatim të vendimit mbarëshoqëror atje për faljen e të gjitha gjaqeve, të bartura nga e kaluara ose të krijuara në errësirën e luftës e të pushtimit serb, në përgjigje të mesazheve dhe veprimtarive të pandalura, që nisi e realizoi me popullin, veprimtari i palodhur, i pavdekshmi prof. Anton Çeta. Në ato emisione, u pa me dhimbje gjendja ekonomike e familjeve dhe u dëgjua me mallëngjim dëshira e tyre më e madhe, që të mos ketë më gjakmarrje e ata të shëtisin të lirë…Si një nga mundësitë për zgjidhje të shpejtë e me frytshmëri të problemit, u shpreh besimi se rinia, sidomos ajo studentore, ka mundësi e synim, që të japë ndihmesë vendimtare për shuarjen e plagës ende të hapur, në gjirin e popullit. E pamë se studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës shprehën gadishmëri për të ndihmuar, krahas gjithë të tjerëve, persona e shoqata, që kanë punuar e vaxzhdojnë pa u lodhur, si komisionet e pajtimit të gjaqeve në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Lezhë, Kurbin etj.
Natyrshëm, lindë pyetje: Po në Shqipëri, përse nuk është arritur ende rezultati i njohur dhe i admirueshëm i Kosovës, që është shembull për t’u ndjekur nga ne, në Shqipëri?
Renditen shumë faktorë, të cilët nuk mund t’i analizojmë në temën kushtuar 7-Marsit 2014, Ditës Kombëtare të Mësuesit, në Tiranë. Megjithatë, gjykojmë se na takon ta ngremë fuqishmë zërin, duke goditur me të gjitha mundësitë faktorët kryesorë, që e ushqejnë këtë plagë jetëmarrëse të burrave, në lule të moshës (por edhe të grave e djelmoshave shkollarë?!) Ta bëjmë këtë në solidaritet me mësuese Lilianën, mësuesen-pishtar vullnetare të fëmijëve në vatrat e izoluara të Malësisë së Madhe e të Shkodrës, që nuk e harron dot vrasjen e nxënësit të saj, vëtëm 12-vjeçar, mu përpara derës së shkollës?! E, sa e sa ngjarjeve të tjera tragjike të hidhura ka, që nuk përshkruhen dot!
Dy faktorë, si kryesorë, po të rendisim këtu, që janë:
I pari, tradita e pathyer ose, më mire, e pashlyer nga kujtesa e secilit, e kultivuar rreth vatrës e hak-gjakmarrjes, e cila vë në sedër, fshehtas, si një e keqe e pashmangshme çdo burrë e familje, që rastësisht bie pre e kësaj tradite, vrasjes së njeriut edhe për një ngacmim ose ngjarje fare të parëndësishme. E përse, përse, përse?… -Se ashtu e gjykoj unë e nuk pyes askënd! As për pasojën ndaj vetes e familjes, për armiqësimin me familjen tjetër dhe, sidomos, plotësisht në kundërshtim me ligjin e shtetit, për të drejtat dhe mbrojtjen e jetës së personit në Shqipëri.
I dyti, mbetet e mbartet, si nëpërkë e nënëgurëve, nxitja e kësaj mendësie e tradite, sidomos nga disa të moshuar. Ata gjejnë mënyra për ta lëshuar helmin e tyre, sidomos në grupime familjare e tubime më të mëdha, si festa e takime rajonale. Jo pak ndikojnë edhe disa të rinj, të ashtuquajtur “të fortët e mëhallës”, që lehtë bëhen drogmenë, trafikantë femrash, grabitës pasurish etj.
Përballë kësaj situate nuk duhet vepruar “nga lart”, me leksione e mbledhje të mëdha. Madje, pak rezultat jep edhe ashpërsimi i ligjeve për ndëshkime. Fjala është për shuarjen e gjakmarrjes si mendësi! (Më 25 Shkurt 2014, u tha në një lajm se, në rrethin e Krujës, janë pajtuar rreth dyqind familje në gjak. Por lajmi u dha për të treguar se ishin cënuar dy familje në Nikël, ku ende këto ditë katër familje jetojnë në izolim dhe fëmijët nuk mund ta ndjekin shkollën…) Pra, gjarpëri i nëngurit, nëpërka, siç e karakterizon populli veprimin e fshehtë rrezikues të jetës, vazhdon të veprojë!
Shënojmë se, kur familjet hyjnë ose fatalisht ndodhen në qerthullin e kësaj të keqeje të madhe, edhe pse të dyja ato duan të dalin sa më shpejt e me pak pasoja mbi jetën e familjeve të veta, nuk e gjejnë dot rrugën- faljen dhe shpëtimin nga e keqja, që iu zë frymën gjithë degëzimeve të gjakut, sidomos nga krahu i babait, burrit të shtëpisë. E ka trajtuar këtë temë, qysh në rininë e vet edhe pinjolli i familjes së të mëdhenjve të familjes Frashëri, Mit’hati, në një tregim letrar. Sipas tij, gjakësi, i ikuri për shumë kohë larg vendit, familjes e fshatit, një ditë kthehet, i përvëluar nga malli, i lodhur, i trembur, por edhe i gatshëm të përdorë pushkën, në se i del përpara dikush nga hasmi. Etja për ujë e çon drejt burimit të tij- burimit të jetës, do të theksonim ne! Ndërsa, për habi të tij, i del përpara atje, pikërisht njeri nga familja “në gjak”. Mbeten ballë për ballë, për pak minuta, të dy armëngrehur. Por asnjeri nuk e tërheq këmbëzën e armes së vet!! … Pranë ujit jetëdhënës të njeriut e çdo gjallese mbi tokë, djemtë ulen e bisedojnë, duke i treguar njeri-tjetrit, se çfarë i kishte penguar ta gjenin fjalën, si atëherë, kur iu kishte lindur konflikti, por edhe më pas, për një kohë të gjatë, sa djali kurbetli e kishte quajtur të mjaftueshme kohën për ta kapërcyer të keqen, midis familjeve të tyre… Por koha kishte pritur atë çast, atë mendësi, dashuri e mall për bashkëfshatarin e vendin dhe… për pajtimin e shumëpritur ndërmjet familjeve! Po, si do të veprohej në Shqipëri, në kushtet e sotme, me popullsi të rralluar në territoret malore, ku vepron më fuqishëm kjo traditë e helmët e së kaluarës?
Gjykojmë se kryesorja e më frytdhënësja formë pune mbetet ajo për ndryshimin e mendësisë së familjeve, ku me biseda rastësore lind ose krijohet problem, si mendësi e të rriturve, fillimisht, që në mënyrë të pakujdesshme(edhe për atë gjënë e vogël ) iu transmetohen fëmijëve me fjalë, inate, hakërrime, betime e përbetime, se do veproj ashtu e kështu; se ai tjetri, edhe për një gjë të vogël, e ka hak plumbin, etj etj. Shmangia e këtyre qëndrimeve do të shërbente si profilaksi, që do të parandalonte ngjarje të kobshme më pas, atëherë kur i riu burrërohet në trup, por jo në pjekuri për gjykime të matura. Është e kuptueshme se sa mire do të ishte edukimi, madje si riedukim, i disa prindërve, pasi do të pasohej me shmangien e nxitimit, gjykimin vetëm sipas traditës së keqe, duke i hapur rrugë gjykimeve e veprimeve gjakftohta, të mirëpeshuara, në fund të fundit, shpëtuese nga sakrifikimi edhe i njerëzve të pafajshëm, gjë që në fakt i hap rrugë zgjerimit te persona të tjerë dhe zgjatjes kohore të hakmarrjes, si gjakmarrje!
Atëherë, kush mund ta ndalë ortekun fillestar të zemërimit nga dhimbja, “turpi” sipas traditës e, siç thotë populli, t’i shtrojë të lënduarit për të gjykuar e arsyetuar, me sa më shumë mature, për të gjetur se kush mund të jetë fajtori, në çfarë rrethanash ndodhi, madje edhe si mund të ngadalësohet ose ndalet veprimi i rrëmbyer (kundërveprimi) kërcënues dhe me pasoja të rënda?
E realizon këtë gjë vetëm fjala- melhem e njeriut autoritar e të mënçur të fisit, e mikut të dashur e të mençur, që menjëherë i ndodhet pranë familjes së goditur; e atij, që ndihmon të bëhen bashkë edhe përfaqësuesi i pushtetit, plaku i zakonit, madje edhe vajtojca e mençur dhe i riu ose e reja, me horizont e mirësi të shfaqur, që mund të ndodhen afër etj. Pas dallgës së parë të dhimbjes, ka vend t’i jepet ndihmë familjes edhe nga larg, duke i shkuar në shtëpi miqtë, por edhe persona me ndjenja të thella njerëzore e kulturë, që mundet t’ju flasin në telefon, t’ju shkruajnë, të venë në lëvizje specialistë të njohur për zgjidhje konfliktesh etj. Të gjithë së bashku, me synimin që e keqja të kufizohet, sa më shpejt e pa dëm tjetër.
Afërsisht, kjo ka qënë linja e trajtimit të problemit edhe nga kryesia e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, gjatë periudhës sa është shfaqur plaga e gjakmarrjes.
Po e përvijojmë fare shkurtimisht këtë çështje, pasi me dokumente tregohet në një permbledhje publicistike-letrare, që është përgatitur dhe mendohet të publikohet për të ndihmuar çdo njeri të forcojë bindjet për pasojat dhe përpjekjet për ta zhdukur, si mendësi gjakmarrjen e hakmarrjen.
Dihet se, fillimisht, iu bë thirrje popullit përmes shtypit që ta ndalte gjakmarrjen, duke e quajtur atë kuçedër, që duhej lënë të vdiste, d.m.th të mos rrëmbente më jetë njerëzish, siç pat filluar. Më tej, kur në raste të tilla zbulimi i të vërtetave vonohej edhe nga paaftësia e shtetit dhe në qendrat e banuara krijohej situatë e frikshme te kushdo dhe dyshuese për këdo, u shkrua tregimi me titull “E përbindëshme”, si kritikë e thirrje për organet shtetërore. Ai u publikua në një libër letrar dhe kaloi pa u vënë re, siç vlerësohen sot te ne librat letrare edhe kur përmbajnë vlera të veçanta.
Por një letër ngushëllimi e një qytetari nga larg, që iu dërgua një familjeje të përgjakur,me porosi që të uleshin gjakrat në gjykim për të mos i hapur rrugë gjakmarrjes, ( natyrisht mendim i pranuar edhe nga njerëz të tjerë me ndikim atje) rezultoi shumë dobiprurës, u shpëtua një njeri i afërt i asaj familjeje, mbi të cilin binin të gjitha dyshimet. Kur pikëllimi fillestar i familjes, për humbjen e njeriut të vet kishte kaluar dhe e vërteta po zbulohej, dikush e falënderoi autorin e letrës për ndihmën e çmuar. Artistikisht ose me gjuhën letrare, kjo ngjarje u shtjellua në tregimin me titull “Letra nga larg dhe pushka për gjakmarrje”, nga i cili mund të tërhiqen përfundime të vyera për çdo lexues.
Së fundi, në tregimin me titull “Mençuri gjysmake”, marrë nga jeta e shkollës, nënvizohet kriza e mendimit dhe qendrimi indiferent ndaj kësaj plage të rëndë dhe kritikohet shabllonizmi në vlerësimin a-priori të një shprehjeje objektivisht dëshpëruese, si “sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët”, si koncept i krijuar në situatë dëshpërimi ose gjykimi të cekët, pasi njeriu në çdo rrethanë mbetet krijesa vlerashumë dhe i pakrahasuar me asnjë qënie tjetër, që merr frymë mbi tokë.
Me këtë parashtrim të shkurtër, sot para jush, mësues të nderuar dhe edukatorë të çmuar të brezave të rinj në Tiranë e gjetkë, duam të theksojmë edhe një herë nevojën e ruajtjes dhe ngritjes sa më lart, deri në frymën e fundit, të rolit përçues edukativ te brezat më të rinj dhe nipërit e mbesat, të ndjenjave më të thella të dashurisë e respektit për të tjerët. Pasi edhe sikur një jetë të shpëtohet, fitorja është e madhe; kurse po të ndalohet gjakmarrja në familje, në fshat, krahinë e më gjerë në tërë vendin, mirënjohja ndaj kujdo bëhet e pakufishme.
Tiranë, mars 2014