NAAC mbyll zyrat në Washington/
Drejtori Ekzekutiv, Avni Mustafaj tha se ndonse burimet financiare të NAAC-ut kanë mbaruar, shoqata do të vazhdojë të mbajë kontaktet me strukturat e zhvilluara gjatë këtyre 18 vjetëve/
Nga Laura Konda/
28.10.2014 – Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë jo-qeveritare, prej vitesh e ka zhvilluar aktivitetin në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur çështjet shqiptare në Kongres dhe pranë qeverisë amerikane. Që nga krijimi në vitin 1996, ky grup është përpjekur për të nxitur paqen dhe proceset demokratike në Ballkan, përmes mbështetjes së politikave demokratike, respektit për të drejtat e njeriut, si dhe përmes programeve të zhvillimit dhe edukimit. Por Këshilli, apo NAKU, siç quhet ai shpesh, mbylli kohët e fundit zyrën e vetme që kishte në Washington.
Në emisionin televiziv “Ditari”, ishte i ftuar për një intervistë Drejtori Ekzekutiv i Grupit, Avni Mustafaj, i cili mbi këtë zhvillim dhe mbi rolin e organizatës në vite.
Zoti Mustafaj, tha se edhe pse fizikisht zyra e NAAC-ut është mbyllur, do të vazhdojë puna me rrjetin e krijuar në Washington, që janë 25 anëtarët e Këshillit “The Albanian Issues Caucus”, me Departamentin e Shtetit, si dhe me disa ish-ambasadorë dhe njerëz që përfaqësojnë shoqata dhe institute studimore.
Ai tha se pavarësisht që burimet financiare të NAAC-ut kanë mbaruar, shoqata do të vazhdojë të mbajë kontaktet me strukturat e zhvilluara gjatë këtyre 18 vjetëve dhe do të gjenden mënyra për ta vazhduar punën e saj në të ardhmen, edhe pa qenë e pranishme në Washington.
Zoti Mustafa foli edhe për kontributin që ka dhënë Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan për çështjet shqiptare, si pjësëmarrja në Konferencën e Rambujesë, roli i saj në Marrëveshjen e Ohrit, përpjekjet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ndihma për lehtësimin e dialogut me Kosovës dhe Serbisë.
Ai pranoi se NAAC ka punuar më shumë me Kosovën, se sa me Shqipërinë, si një shtet i ri, që ka patur nevojë për më shumë mbështetje dhe që fillimisht nuk kishte ambasadë në Washington. (Ndiqeni Vidion tek Zëri i Amerikës)
Zëri i Amerikës mbylli transmetimin në gjuhën greke
Pas 72 vjet në ajër – transmetim, Zëri i Amerikës seksioni i Shërbimit në gjuhën greke – një prej shërbimeve të tij gjuhësore më të jetë -gjatë – shkoi për të nënshkruar dje për herë të fundit, “ndaljen” e progaramit të saj/
UASHINGTON, D.C.- Pas 72 vjet në ajër – transmetim, Zëri i Amerikës seksioni i Shërbimit në gjuhën greke – një prej shërbimeve të tij gjuhësore më të jetë -gjatë – shkoi për të nënshkruar dje për herë të fundit, “ndaljen” e progaramit të saj mbas një lamtumire për dëgjuesit besnikë në Greqi, Qipro, dhe më gjerë, njoftoi sot Zëri i Amerikës në faqen kryesore të saj.
Simbas “ZA” Drejtori i saj David Ensor e ka quajtur seksionin e Shërbimit grek “një grup të vogël por të fuqishme e të talentuar, me gazetarë të përkushtuar, të cilët për më shumë se shtatë dekada shërbyn si një medje të paanshme, burim objektiv lajmeve.”
Shërbimi grek është themeluar më 1 nëntor 1942, dhe vazhdoi për të mbuluar pikat historike prej Greqisë moderne, nga lufta civile në fund të viteve 1940 deri në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe më së fundi përpjekjet e vendit që të mbetet një pjesë përbërëse e BE-së
Shërbimi grek ishte ndër shërbimet e para dhe të vetëm në Zërin e Amerikës që kalojë në degë të bazuara në transmetimin e saj në fillim të viteve 1990. Një nga shërbimet më të vogla i Zërit të Amerikës në gjuhët e huaja, stafi i i saj ishte i dhënë në përmbajtje të rregullt dhe ad-hoc nëpërmjet stacioneve të saj Filialin në Greqi. Ajo emtoi me perspektiva unike në politikën amerikane, mbulimin e çështjeve që kanë të bëjnë me komunitetin greko-amerikan, dhe emtoi lajme gjatë ngjarjeve të mëdha botërore.
Ioannis Spanolios, menaxher i përgjithshëm i një prej filialeve të parë- i Zërit të Amerikës, SKAI Radio dhe TV-të në Greqi, thanë se: “Ne jemi të pikëlluar sepse bashkëpunimi ynë që zgjati afër një çerek shekulli ka ardhur në një “ndalje” të trasmetimeve… pikëllimi jonë vjen sepse ne jemi duke humbur një burim lajmesh të vlefshme dhe të besueshme nga ana tjetër e Atlantikut. ”
Shefia e Shërbimit të Zërit të Amerikës seksioni në gjuhën greke Anna K. Morris tha e kohës së trasmetimit të fundit të saj se me Shërbimin greke, “ndiheshim absolutisht të privilegjuar që na është dhënë mundësia për të paraqitur perspektivat amerikane të shikuesve grekë për më shumë se 22 vjet.”/ përgatiti Beqir SINA/
PROGRAMI SHQIP I “ZËRIT TË AMERIKËS” NUK MUND TË MBYLLET
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Dje duke përcjellë faqen e Zërit të Amerikës online u përballa me një lajm të cilin nuk do të kisha dashur kurrë ta lexoja, se programi shqip i Voice of America, krahas atij në gjuhën maqedone dhe serbe, për shkak të buxhetit, parashikohet që në vitin 2015 të ndërpresë transmetimin në radio dhe televizion.
Lajmi m’u duk gjëja më e pamenduar e mundëshme. Sepse ndërsa Voice of America shkurton buxhetin ngaqë s’ka para për të mbajtur në këmbë mediumin më të rëndësishëm për informimin e Shqiptarëve në Ballkan; në Shqipëri, në një nga vendet më të varfra të Europës, ku pensionistët e mbajnë frymën gjallë me 100 $ në muaj, parja derdhet lumë në dhjetra televizione, radio e gazeta, të cilat manipulojnë dhe dezinformojnë opinionin publik pasi kanë humbur pavarësinë si pushtet i katërt dhe janë kthyer në instrumenta të politikës, duke dalë totalisht jashtë rolit që kanë mediat në një shoqëri të lirë dhe demokratike.
Kur e kanë lexuar lajmin e mësipërm për mbylljen e programit shqip të VOA, baronët e madiave të Tiranës kanë fërkuar duart dhe i kanë shkelur syrin njëri-tjetrit, duke thënë me zë të ulët „e hoqëm qafe edhe Zërin e Amerikës“.
Kur lindi, Zëri i Amerikës, ishte pjesë e Zyrës për Informim të Luftës, pastaj kaloi nën Departamentin e Shtetit. Sot është nën varësinë e Qeverisë Federale të SHBA dhe mbështetet nga International Broadcasting Bureau (IBB), drejtori i të cilit zgjidhet direkt nga presidenti i SHBA me konfirmim të Senatit. Shikoni se çfarë rëndësi ka.
Një vit më parë Programi shqip i Zërit të Amerikës mbushi 70 vjet. Kjo radio filloi transmetimin për herë të parë më 1 shkurt 1942, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, kur William Harlan Hale do të shqiptonte: „Këtu ju flet Zëri i Amerikës. Lajmet mund të jenë të mira. Lajmet mund të jenë të këqija. Ne do t’ju themi të vërtetën”. Dhe me këtë kredo Zëri i Amerikës hyri në histori dhe bëri histori. Duke u kthyer në burim shprese për miliona dëgjues e shikues.
Zëri i Amerikës u përball me shumë sfida. Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Ftohtë, përmbysja e sistemit komunist.
Ishte një kohë, që zgjati gjysmë shekulli, kur ne shqiptarët ishim të rrethuar nga vargojtë e diktaturës dhe terri informatik. Por, me rrëzimin e Murit të Berlinit, në shtëpitë tona filloi të hynte një rreze dielli përmes Zërit të Amerikës. Programi i radios jepej me valë të shkurtëra, dhe fjalët dëgjoheshin me vështirësi, e copa-copa, por shqiptarët e kishin marrë mesazhin që u dërgonte SHBA, se do ta mbështeste popullin shqiptar në rrugën për liri.
Zëri i Amerikës drejtohej asaj kohe nga Elez Biberaj, që vinte nga një familje antikomuniste, të cilin organi i propagandës komuniste shqiptare Zëri i Popullit e kishte shpallur armik. Elez Biberaj bashkë me ekipin e tij, të gjithë shqiptarë që kishin përjetuar në një farë mënyre kalvarin komunist, fliste në emrin e Zëri të Amerikës duke ngritur hov dhe trimëruar zemrat e miliona shqiptarëve. Emisioni i lajmeve zgjaste vetëm 30 minuta, në orën 18:00 dhe 20:00, por ishte një kohë e maftueshme që kombi të niste ringjalljen.
Kur të gjithë djemtë e mirë të Nënës që kishin shkuar në Amerikë për t’i dalë asaj në krah, nuk jetonin më,kur kishte vdekur Faik Konica, Fan Noli e dukej sikur komunizimi nuk do të shkulej më, në skenë u rishfaq fuqishëm me një dimension të ri Zëri i Amerikës, që nuk kishte ndalur asnjëherë, prej vititi 1943, së foluri shqip.
Do të ishte Elez Biberaj që do të fitonte një popullaritet të menjëhershëm, si një profesionist i shquar, i guximshëm dhe figurë me integritet. Elez Biberaj është figura më e spikatur e diasporës shqiptaro-Amerikane këtë çerek shekulli. Ai do të vinte në krye të programit shqip, të cilin e kishte drejtuar më parë Frank Shkreli një tjetër shqiptaro-amerikan i madh me një shërbim shembullor për më tepër se 30 vjet tek Zëri i Amerikës, i cili e vazhdon kontributin e tij me përgjegjësi të madhe sot përmes gazetarisë së shkruar.
Elez Biberaj bëri që Zëri i Amerikës të hynte në çdo familje shqiptare. Dëgjohej nga të gjithë. Shteti komunist dridhej nga themelet, populli shqiptar ngrihej hov. Sepse përçonte të vërtetën.
Zëri i Amerikës ishte një nga faktorët që çoi në përmbysjen e diktaturës, sepse përçoi mrekullisht në gjuhën shqipe mesazhin e qartë që vinte nga qeveria e SHBA, ndërkohë që në qeverinë Amerikane përcolli zërin e shqiptarëve që kërkonin mbështetje për të përmbysur një regjim kriminal dhe mizor i cili përmes makinerisë të propagandës për 50 vjet e kishte paraqitur Amerikën si armiken e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Programit shqip i Zërit të Amerikës e kaloi me sukses edhe Luftën në Kosovë, po ashtu edhe konfliktin në Maqedoni që solli Marrëveshjn e Ohrit. Gjithnjë duke ruajtur kredon dhe misionin e tij.
Programi shqip i Zëri të Amerikës ka shoqëruar edhe tranzicionin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj, i cili është shumë i gjatë dhe i vështirë për shkak se klasa politike, duke patur si palë mediat, i ka tradhtuar interesat e Sovranit dhe vendin e diktaturës, pushtuesit apo shtypjes prej segregacionit e ka zënë diktatura e korrupsionit, që e ka kapur shtetin. Në këto kushte shumë delikate dhe të vështira, Sovrani kërkon që të ketë një aleat të besueshëm, që t’u thotë të vërtetën dhe t’i trimërojë. Dhe këtë mision mund ta kryejë Programi Shqip i Zërit të Amerikës.
Lufta kundër korrupsionit është po aq e vështirë sa edhe Lufta e Ftohtë apo lufta kundër rrëzimit të sistemit komunist. Zëri i Amerikës e ka treguar me punë dhe përkushtim se i përballon me sukses sfidat. Programi shqip i Zërit të Amerikës, duhet t’i kthehet kohës të tij më të mirë. Të vërtetat duhen shqiptuar troç nga njerëz të cilët me formatin dhe angazhimin e tyre, si profesionistë dhe personalitete gëzojnë besimin e audiences dhe teleshikuesve. Programi shqip i Zërit të Amerikës e njeh rrugën e këtij suksesi.
Unë, personalisht si gazetare, që e kam nisur karrierën si raportuese e Zëri të Amerikës, iu qëndroj besnike idealeve të këtij medium të lirisë, dhe bëj thirrje që Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe të fuqizohet që të ketë ndikim sa më të madh në realitetin shqiptar.
Prandaj, natyrisht jam kundër mbylljes së këtij programi dhe i ftoj shqiptarët e diasporës shqiptaro-amerikane të bashkojnë zërin e tyre, të lobojnë e të ndikojnë pranë miqve amerikanë dhe pranë institucioneve përkatëse të vendit mik dhe aleat me qëllim që të mbahet hapur programin shqip i Zërit të Amerikës.
Do të vijë ndofta edhe ajo kohë kur programi do ta ketë kryer misionin e tij fisnik, por kjo kohë tani nuk ka ardhur ende. Kauza e lirisë, ndërtimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit, integrimet dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik janë sfida që kërkojnë mbështetjen e programit shqip të Zëri të Amerikës.
Presidentin Bujar Nishani: JAM MBI PALET POLITIKE, NUK INVESTIGOJ KESHILLTARET
Këto ditë ndodhet në Shtetet e Bashkuara Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani. Dje Presidenti Nishani mori pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, një aktivitet që bashkon njerëz me besime të ndryshme. Gjatë vizitës në Washington, Presidenti Nishani ka patur takime me drejtues të Kongresit amerikan dhe me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit. Presidenti Nishani u takua sot edhe me drejtorin e Zërit të Amerikës, David Ensor, dhe zyrtarë të tjerë, si dhe me stafin e redaksisë së gjuhës shqipe. Kolegia Rudina Dervishi intervistoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë në emisionin televiziv Ditari.
Zëri i Amerikës: Së pari, të flasim për Mëngjesin e Lutjeve, një aktivitet mjaft tradicional këtu në Washington, ku çdo vit, që nga viti 1953, merr pjesë edhe presidenti amerikan. Ju është hera e parë që merni pjesë në të. A mund të ndani me ne përshtypjet tuaja nga kjo ngjarje?
President Bujar Nishani: Përshtypje të jashtëzakonshme, shumë të veçanta. Natyrisht, të një evenimenti që ka përmasat e të tërë botës për nga pjesëmarrja, përmes mijëra të ftuarve dhe pjesëmarrësve në këtë ceremoni, ku mesazhet që e përshkojnë këtë ceremoni, veçanërisht ato të fjalimit të Presidentit Obama, por edhe të gjithë senatorëve, kongresmenëve dhe të ftuarve të tjerë, kofusoheshin tek kontakti midis njerëzve, tek respekti për njëri tjetrin, tek respekti për atë çka përfaqëson çdo njeri, pavarësisht besimit, pavarësisht përkatësive politike, pavarësisht racës që përfaqëson; pra është një moment, i cili reflekton virtytin njerëzor, parimet mbi të cilat njeriu duhet të ndërtojë më pas të gjithë karrierën e tij, qoftë kjo politike, qoftë sociale, publike, kudo që ai të jetë. Pra, ishte një moment i jashtëzakonshëm.
Zëri i Amerikës: Pikërisht kjo frymë mirëkuptimi, që karakterizon aktivitete të tilla, duket se mungon në vendin tuaj, të paktën mes klasës politike. Sot ka tensione në rritje mes shumicës dhe opozitës. A mendoni se ju mund të luani një rol më aktiv, si një president mbi palët?
President Bujar Nishani: Kushdo ka diçka për të thënë në këtë kontekst dhe këtë ambjent që ju përmendët. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin, që të gjithë ne duhet të besojmë në diçka thelbësore. Pa një ambjent mirëbesimi, pa një ambjent bashkëpunimi, pa një ambjent i cili duhet të respektojë të drejtat e gjithsecilit prej nesh, është shumë e vështirë të gjenenerohet çështje të tilla, të cilat lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, edhe me jetën e vendit dhe të institucioneve në tërësi. Jam dhe kam qenë gjithmonë i gatshëm, përmes së pari kontributit personal, atje ku jam, në atë pozicion ku jam, të reflektoj atë që në fakt presin qytetarët shqiptarë. Edhe konteksti i mëngjesit të lutjeve, ky ishte, që pavarësisht të bindjeve politike që ne kemi, pavarësisht parimeve tek të cilat ne investojmë, duhet të vlerësojmë dhe të respektojmë njëri-tjetrin për atë çka jemi, pra mbi gjithshka, mbi objektivat dhe pasionet politike, mbi interesat e jetës sonë të përditshme, duhet të prevalojë koncepti i të qënit së bashku në një shoqëri, edhe përgjegjësia e përbashkët në një vend.
Zëri i Amerikës: Pikërisht kjo duket se mungon. Shumica, ju shikon ende të lidhur ngushtë me të djathtën. Si shembull përmendin dy këshilltarët tuaj, që janë pjesë e grupeve të punës për riorganizimin e PD-së. Si mund të ndërtohet besimi reciprok mes të dy palëve?
President Bujar Nishani: Natyrisht që koha e investigimit të jetës private tek individë të ndryshëm ka mbetur pas në Shqipëri. Ne kemi patur eksperienca shumë të hidhura kur monitorohej, investigohej, apo i kërkohej llogari tjetrit për jetën e tij private, pavarësisht se çdo sjellje ishte në respekt të ligjit; unë në kontekstin e bashkëpunëtorëve të mi kam përzgjedhur aftësitë e tyre dhe natyrisht që gjatë kohës që ata ushtrojnë detyrën e këshilltarit të presidentit të republikës, do të respektojnë dhe duhet të respektojnë gjithshka që ligji u kërkon. Por unë kurrë nuk kam ndërmend për t’u bërë pjesë e investigimit, apo ndërhyrjes në jetën dhe aktivitetin privat, jashtë atij institucional, të kujtdo qoftë ajo. Unë kurrë nuk kam ndërmend të shikoj se në cilën seli partie shkon njëri këshilltar, apo tjetri punonjës pas orarit të punës.
Zëri i Amerikës: Megjithatë ju, a keni këshilltar që i përket Partisë Socialiste,mbase këtu duhet nisur.
Presidenti Bujar Nishani:Edhe një herë, në asnjë rast nuk kam investiguar se në cilën parti shkon njëri këshilltar, apo në cilën parti shkon këshilltari tjetër, apo çfarë afilacioni politik ka njëri, apo tjetri këshilltar.Për mua është shumë e rëndësishme që ata të përmbushin detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore, gjatë kohës që e ushtrojnë këtë detyrë dhe këtë funksion. Është shumë e rendësishme që presidenti i republikës të qëndrojë jashtë, jo vetëm aktivitetit, por edhe ndikimit në ushtrimin e detyrës së tij, pa pasionet politike, të njërës, apo tjetrës palë. Është shumë e rëndësishme, që institucioni i presidentit të funksionojë vetëm në përputhje me kushtetutën e vendit dhe në përputhje me parimet, sipas të cilave ligjet supozojnë që institucioni i presidentit të republikës duhet të ushtrojë këtë detyrë.
Zëri i Amerikës: Nevoja për refomimin e sistemit politik duket se ka përkrahjen e të gjithë spektrit politik në Shqipëri. Ju keni qënë ministër i drejtësisë dhe tani jeni kryetar i këshillit të lartë të drejtësisë, pra e njihni mjaft mirë sistemin e drejtësisë. Sipas jush, ku duhet të përqëndrohet një reformë e tillë?
President Bujar Nishani: Së pari është shumë e rëndësishme të ritheksojmë faktin se reforma në sistemin e drejtësisë ëdhtë një nevojë e përhershme, një proces i pandalshëm, një proces i cili duhet të vijojë, për sa kohë shfaqen sfida të ndryshme përballë këtij sistemi. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë që sistemi i drejtësisë është një pushtet më vete, që ka të bëjë me pushtetin gjyqësor, i cili i jep drejtësi dhe bën drejtësi për qytetarët shqiptarë në aspektin e jetës dhe të pronës. Unë kam qenë gjithmonë i bindur që kjo reformë duhet të shkojë përmes udhëheqjes nga vetë komuniteti i gjyqtarëve, sepse ata janë njerëzit që e njohin mirë prolematikën dhe janë njerëz të cilët kërkojnë që të angazhohen në zgjidhjen e kësaj problematike. Është i njohur fakti, që në sistemin e drejtësisë, në gjyqësor, apo prokurori, ka gjyqtarë dhe prokurorë të paaftë, ka gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të cilët duhte të jenë objekt i pandalshëm i investigimit dhe i penalizimit; por ne duhet të mbështetemi tek pjesa dërrmuese, e cila është me profesionistë të mirë, me njerëz me integritet, të lidhur ngushtë me profesionin e tyre dhe që duan të bëhet drejtësia në Shqipëri. Promovimi i tyre është shumë i rëndësishëm dhe pjesë thelbësore e kësaj reforme. Nga ana tjetër, me duhte t’i ikim kapjes nga ana e politikës të sistemit të drejtësisë. Në se flasim për korrupsion dhe duhet luftuar ky korrupsion, kapja nga politika është pikërisht shkalla më e lartë e korrupsionit, në se do të ndodhë. Pra, të gjithë së bashku të bëhemi barrierë e kësaj ndërhyrjeje, dhe nga ana tjetër të nxisim implementim e reformave.
Zëri i Amerikës: Ju jeni shprehur që kontrolli politik i gjyqësorit është forma më e lartë e korrupsionit, ndërkohë që shumica e majtë ju akuzon ju për ndikim politik, siç ndodhi në rastin e dy kandidaturave për në gjykatën e lartë, të cilat u rrëzuan nga Parlemanti. Ju e quajtët këtë një trust procedurial. A mund të shmangen përplasje të tilla në të ardhmen?
Presidenti Bujar Nishani: Në gjykimin tim, nuk kemi të bëjmë me një përplasje, nuk kemi të bëjmë me një ndeshje, por kemi të bëjmë pa dyshim, me një tentativë për të ndërhyrë në mënyrë të njëanshme, nga ana e shumicës qeverisëse në atributet dhe tagrin kushtetues të presidentit të republikës. Nuk ka asnjë fakt, apo arsye për të besuar përfshirjen politike, apo bekgraundin politik të të dy kandidatëve të dërguar nga Presidenti i Republikës. Jo vetëm që u respektua në mënyrë rigoroze dhe strikt ligji që paralementi vetë ka aprovuar dhe jo presidenti; procedurat krejt të paanëshme për zgjedhjen e këtyre kandidatëve, unë po ju bie juve në vemendje edhe të vetë opinionit që e ndjek këtë zë të rëndësishëm të infromacionit, që shkuan në paralement kryetari i gjykatës së apelit të krimeve të rënda të republikës, pas një karriere të gjatë në gjyqësor dhe pa asnjë akuzë politike gjatë gjithë karrierës së tij dhe kryetari i gjykatës së apelit të Durrësit, një prje gjykatave të apelit më të mëdha të apelit në vend, edhe ai pa asnjë akuzë politike dhe pa asnjë akuzë në drejtim të integritetit të tij moral. Pra, për sa kohë zgjidhen në mënyrë proceduriale korrekte dhe në respekt të plotë të ligjit dhe njerëz me integritet, unë besoj se raporti nuk është një përplasje e dyanshme, por është një tentativë e njëanshme për të ndërhyrë në atë që kushtetuta i jep presidentit të republikës.
Zëri i Amerikës: A mendoni se reforma duhet të prekë edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kam parasysh këtu kritikat që ka bërë Komisioni Evropian kur thekson pak a shumë se hapësirat interpretuese për marrjen e vendimeve për emërimet e gjykatësve duhen kufizuar pasi janë shumë të gjera?
President Bujar Nishani: Pa disktutim, që duhet të ecet në atë çka sugjeron raport progresi dhe qëndrimet e komisionit evropian dhe të Këshillit të Evropës dhe natyrisht, duhet të kemi paraqysh që deklaratat i referohen një eksperience të shkuar të veprimatrisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe duke nënvizuar në vijim, që hapa të rëndësishme drejt korrigjimit të tyre janë bërë vitin e fundit. Më lejoni t’ju bie në vëmendje gjithasthu një fakt të rëndësishëm, sepse në fund të fundit, faktet janë ato mbi të cilat krijohen bindjet reale. Në se gjatë 4, apo 5 vitet e fundit, kur ligji kërkonte bërjen e vlerësimeve për gjyqtarët, ishte bërë vlerësimi vetëm për 16 gjyqtarë. Ndërsa brenda një viti, ky këshill i lartë i drejtsisë ka arritur të përfundojë për gati treqind e ca gjyqtarë vlerësimin. Pra, shikohet një kontrast i madh i angazhimeve në të shkuarën dhe në të tashmen. Le të ecim me këtë mentalitet të punës, punës konkrete dhe të më pak fjalëve; por përsa i përket rekomandimeve, jam plotësisht në mbështetje të tyre, që të shkohet në drejtim të reformave të këtij lloji.
Zëri i Amerikës: Vendi juaj shpreson të marri statusin e vendit kandidat për në BE në qershor. Me këtë situatë politike, a mendoni se vendit është gati të marrë këtë status?
President Bujar Nishani: Vendi meriton të marrë statusin, Shqipëria e meriton të ketë statusin. Politika dhe lidershipi dhe instititucionet, duhet pa dyshim të japin kontributin e tyre, duke transmetuar pikërisht atë mentalitet shoqëror, politik, që presin dhe kërkojnë standartet e një vendi kadnidat për në BE.
Kryeministri Thaçi: E kemi shmangur rrezikun e ndarjes së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Zërit të Amerikës se në bisedimet me Serbinë Kosova është shpëtuar nga krijimi i ndonjë autonomie, apo “Republike Serbe”. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se bisedimet me Serbinë është shmangur çdo mundësi e ndarjes së Kosovë dhe krijimit të ndonjë Republike serbe. Ai tha se me zgjedhjet në veriun e banuar me shumicë serbe është hapur rruga e integrimit politik por edhe fizik të asaj zone. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi. kryeministri Thaçi, flet edhe për zhvillimet e brendshme politike pas zgjedhjeve komunale.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, aktualisht Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme të bisedimeve me Serbinë. Ju sapo përfunduar një raund bisedimesh dhe të premten pritet të takoheni sërish për të diskutuar çështjet e drejtësisë. Çfarë prisni nga ky takim? Hashim Thaçi: Jemi në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme të implementimit të marrëveshjeve që dalin prej marrëveshjes së përgjithshme të prillit të arritur në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Në takimin e fundit jemi dakorduar për integrimin e policisë në mënyrë individuale në institucionet e Republikës së Kosovës. Tani qytetarët atje do të aplikojnë në baza krejt individuale, do t’i plotësojnë kushtet dhe standardet sikur të gjithë policët tjerë të Kosovës. Ndërsa takimi i radhës do të jetë për sistemin e drejtësisë, një sistem unik, një sistem sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kështu që po shkon implementimi ashtu siç është planifikuar. Mund të jetë edhe më konkret dhe i shpejt, por ajo që është shumë me rëndësi është se ka gatishmëri prej shtetit të Kosovës, ka gatishmëri edhe mbështetje edhe nga ana e Serbisë të përmbyllet ky proces sa më shpejt dhe ka një gatishmëri shumë të fuqishme prej baroneshës (Catherine) Ashton, BE-së dhe SHBA-së të vazhdojë të përmbyllet me sukses të plotë ky proces në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit përfundimtar të shtetit të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Po i kthehemi çështjes së policisë. Ka pasur shumë shqetësime në Kosovës se brenda këtyre strukturave mund të përfshihen edhe elemente që kanë një të kaluar kriminale. A ka një proces të verifikimit të këtyre njerëzve?
Hashim Thaçi: Testimi dhe verifikimi do të ndodhë sikur që ka ndodhur me çdo polic të Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk do të jetë asnjë individ që do të integrohet në policinë e Kosovës, që ka të kaluar të dëshmuar kriminale.
Zëri i Amerikës: Kush e verifikon këtë?
Hashim Thaçi: E verifikon policia e Kosovës, EULEX-i dhe mekanizmat tjerë të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Po sa i përket çështjeve të drejtësisë? Beogradi ka ngulur këmbë që të ketë gjykata të veçanta në veri që do të pasqyronin përbërjen etnike. Si në fakt prisni të duket sistemi i drejtësisë atje?
Hashim Thaçi: Sistemi i drejtësisë do të duket si në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, një sistem unik i drejtësisë, i cili do të funksionojë sipas standardeve, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore te Republikës së Kosovës. Pra, nuk do të jetë kriter etnia, por profesionalizmi dhe respektimi i plotë i kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës?
Zëri i Amerikës: Dhe ligjet…?
Hashim Thaçi: Natyrisht, ligjet e Kosovës do të jenë gjithmonë të vetmet të respektuara.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, por sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, a keni arritur ndonjë pajtim se si do të funksionojë ai?
Hashim Thaçi: Organizimi i zgjedhjeve sipas standardit më të lartë ndërkombëtarë në Kosovë, vlerësimi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për zgjedhjet lokale që sapo përmbyllëm, ishte një fitore e madhe për Kosovën, një fitore e madhe për institucionet, për partitë politike, por mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës. Pastaj edhe pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje ka rritur kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve, kredibilitetin edhe të brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar legjitimimin e plotë të marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por na kanë dhënë të drejtë në angazhimet dhe vendimet tona që kemi marrë, sepse ne definitivisht e kemi larguar rrezikun e ndarjes së Kosovës, ndërsa tash kemi një integrim politik, një integrim kushtetues dhe një integrim edhe fizik, në kuptimin territorial por edhe politik të qytetarëve serbë që jetojnë në veri. Pra, tani do të vazhdojmë të punojmë me kryetar të ri që sapo janë zgjedhur. Pres shume shpejt që t’i takoj dhe të vazhdojmë bashkëpunimin në nivel të qeverisë qendrore dhe në nivel lokal. Edhe sa i përket betimit të kryetarëve të ri që janë zgjedhur, kudo që janë, qoftë në veri, qoftë në jug, do të jetë plotësisht në përputhshmëri sikur betimet e të gjithë kryetarëve të komunave, si në Han të Elezit si në Leposaviq, si në Prizren po ashtu edhe në Zveçan.
Zëri i Amerikës: Thatë se më këtë është shmangur ndarja e Kosovës, por, a po ndodhë një ndarje e brendshme siç ka shumë shqetësime në Kosovë, krijimi i një entiteti që tashmë edhe ndërkombëtarisht do të ketë njëfarë legjitimiteti?
Hashim Thaçi: Në asnjë rrethanë diçka e tillë nuk do të ndodhë. Hapat e parë integrues konkret, shihen. Ky integrim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Integrimi politik, integrimi pastaj edhe në nivel institucional edhe me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Ndërsa do të vazhdohet të punohet ngushtë me kryetarët e komunave që janë zgjedhur të rinj. Për herë të parë kemi kryetarët e komunave legjitim edhe në katër komunat e veriut. Ndërsa ne kemi projektet infrastrukturore për investime kapitale të ndryshme edhe në veri. Prandaj mendoj se ky vit ka qenë një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe i suksesit historik për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, por edhe integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën institucionale dhe shoqërore.
Zëri i Amerikës: Marrëveshjet që keni bërë me kryeministrin serb i kanë mundësuar Serbisë të marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa përshpejtimi i këtyre bisedimeve a është tash një ndihmesë që po i jepni Serbisë që të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim? Hashim Thaçi: Marrëveshjet që kemi arritur si shtet i Kosovës me Serbinë janë të parat në nivel të barabartë si dy shtete. Marrëveshjet janë në interesin e Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këto takime kemi hyrë si fitues, si vend i pavarur dhe sovran. Për herë të parë ballafaqohemi me Serbinë në këto nivele. Ndërsa ajo që ne kemi realizuar është se kemi shpëtuar Kosovën nga ndarja, e kemi shpëtuar Kosovën nga krijimi i ndonjë autonomie apo “Republika Srpska” për serbët dhe tash kemi një Kosovë unike, të integruar, një Kosovë sipas standardeve evropiane që po e ndërtojmë. Ndërsa sa i përket të ardhmes evropiane të Serbisë, natyrisht se e ardhmja evropiane e çdo shteti në rajon, kalon përmes implementimit të kritereve që janë jashtëzakonisht të rëndësishme, atë të fqinjësisë së mirë. Për aq sa Serbia tregohet në fqinjësinë e mirë me Kosovën, po sa më farë do të jetë me BE-në. Por, kjo vlen edhe e kundërta. Nëse ne e mbyllim me sukses normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, atëherë të dy shtetet tona si vende sovrane do të jenë afër BE-së e në të ardhmen edhe pjesë e NATO-s dhe BE-së. Por, kjo vlen edhe për të gjitha vendet tjera të rajonit. Fqinjësia e mirë është kriter kyç për të ardhmen evropiane.
Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, zgjedhjet që sapo përfunduan dhanë edhe një shenjë tjetër për Kosovën që ka të bëjë me ndryshimin e gjeografisë së brendshme politike të Kosovës. Cili mund të jetë ndikimi i tyre në zhvillimet e ardhshme politike në vend, përfshirë edhe zgjedhjet e përgjithshme?
Hashim Thaçi: Ajo që fillimisht do të doja të theksoja është se ndihem tepër mirë dhe krenar me organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, të drejta dhe demokratike sipas standardeve më të larta ndërkombëtare në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndihem tepër mirë dhe krenar me organizimin e zgjedhjeve për herë të parë pas 14 vitesh. Por, në të njëjtën kohë ndjehem mirë me përkushtimin dhe përgjegjësinë që kanë treguar spektri politik për të marrë përgjegjësi të përbashkëta në këtë proces të rëndësishëm demokratik, por edhe mesazh edhe për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës. Pra, ndjehem tepër mirë që Kosova ka kaluar një test jashtëzakonisht të rëndësishëm evropian për të ardhmen euro- atlantike. Ndërsa sa i përket rezultatit zgjedhor, gjithashtu si kryetar i PDK-së, në të njëjtën kohë, ndjehem shumë mirë që PDK, përsëri është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional. Natyrisht, jemi dëshmitar të disa befasive sa i përket rezultatit, por për mua si kryeministër i Kosovës më me rëndësi ka qenë standardi zgjedhor sesa rezultati. Por, mund të them se edhe disa befasi që kanë ndodhur, diku kanë qenë, mund të them lirisht, skandale elektorale zgjedhore, si në rastin e Mitrovicës. Por, mund të them se në disa komuna kanë ndodhur disa ndryshime, lirisht mund të them, që i japin kuptim më të shëndetshëm skenës politike kosovare.
Zëri i Amerikës: Pse ishte skandal? A nuk ishte ky dështim i PDK-së në Mitrovicë?
Hashim Thaçi: Unë mund të them se edhe sa i përket përgjegjësive të PDK-së, ne kemi diskutuar dhe natyrisht që do të duhej evituar disa dobësi dhe lëshime që kanë ndodhur në komuna të ndryshme të Kosovës. Por, sot selitë e të gjitha të partive politike në të njëjtën kohë edhe janë të kënaqura, por në të njëjtën kohë edhe janë të dëshpëruara me rezultatin zgjedhor. Por, si kryetar i PDK-së, ju thashë edhe njëherë që PDK edhe pas pesë palë zgjedhjesh, është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional, si partia fituese edhe zgjedhjeve lokale 2013 dhe me hap të sigurt për t’u rikonfirmuar përsëri partia fituese edhe e zgjedhjeve nacionale 2014.
Zëri i Amerikës: Të cilat mund t’i presim në cilën periudhë të vitit 2014?
Hashim Thaçi: Ne kemi diskutuar dhe lidershipin kosovar edhe sot sa i përket reformës zgjedhore. Fillimisht do të përmbyllim reformën zgjedhore që kërkon një konsensus të të gjithë liderëve politik. Ndërsa, periudhën kohore do ta përcaktojmë bashkërisht, por është shumë me rëndësi që të mos ndodhin zgjedhjet në periudha të ftohta kohore, apo kur janë ditët e shkurtra, kështu që do të jemi fleksibil sa i përket periudhës kohore.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër. Sot është dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit e cila Kosovën e gjen të radhitur poshtë në mesin e vendeve me shkallë të lartë të korrupsionit?
Hashim Thaçi: Drejtësia kosovare tash e 15 vite udhëhiqet nga ndërkombëtarët. Kosova ka bërë hapa konkret në tre-katër vitet e fundit në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Hapa konkret që janë përshëndetur edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Tani është momenti që sistemi i drejtësisë të bartet tek autoritetet vendore, që edhe mekanizmat e EULEX-it që e kanë mandat ekzekutiv të bartin autoritetin tek institucionet e Republikës së Kosovës, sepse Kosova ka dëshmuar pjekuri të lartë politike dhe shtetërore edhe në procesin e negociatave me Serbinë edhe me procesin e organizimit të zgjedhjeve të lira, që nuk mund të krahasohen me asnjë vend tjetër të rajonit. Prandaj, sa më tepër që merr Kosova përgjegjësi në këtë drejtim, aq më e efektshme do të jetë lufta edhe kundër korrupsionit edhe kundër krimit të organizuar.
Zëri i Amerikës: Ka fuqi të brendshme Kosova që ta bëjë një gjë të tillë?
Hashim Thaçi: Definitivisht Kosova është storie e suksesit të plotë, është një vend, nje shtet që është në përmbyllje të konsolidimit dhe sa më tepër merr përgjegjësi aq më të fuqishme do të jenë edhe vendimet edhe përkushtimet tona.
Zëri i Amerikës: Ju keni bërë një strategji për përmbylljen e misionit të EULEX-it. A nuk është pak herët?
Hashim Thaçi: Mendoj se është pak vonë. Kjo ka ndodhur pas konsultimeve edhe me lidershipin tjetër politik kosovar. Janë 15 vjet të tranzicionit demokratik, janë gjashtë vite të Kosovës së pavarur dhe sovrane. Nuk ka ndodhur askund që diçka e tillë të ndodhë kaq gjatë. Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe natyrisht që edhe misioni evropian i rendit dhe ligjit, duhet të përmbyllë punën me sukses. Kështu që ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe hap pas hapi, vitin e ardhshëm, ky mision të bartë autoritetin ekzekutiv tek institucionet legjitime dhe sovrane të Kosovës.