Nga Anila Struga/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e parë të grupit parlamentar pas zgjedhjeve, e konsideroi fitoren e së majtës më 21 qershor ‘të pandershme dhe të damkosur nga vjedhjet e manipulimet”.
Basha parashtroi një sërë arsyesh, që sipas tij, i bëjnë zgjedhjet vendore të jenë jashtë standardeve demokratike.
Blerja e votës në këto zgjedhje, theksoi ai, është problemi më madhor që ka sot vendi dhe se opozita ka detyrë të dorës së parë nxjerrjen në dritë të së vërtetës së këtyre zgjedhjeve, për të konceptuar një reformë zgjedhore që do garantojë procesin nga blerjet dhe pabarazia.
Kreu i PD-së theksoi se kjo është jetike për demokracinë dhe për Shqipërinë, se nuk mund të kemi një demokraci fallco, as shtet ligjor e qeverisje legjitime pa zgjedhje të lira e të ndershme.
Në fjalën e tij Lulzim Basha tha se rezultati i zgjedhjeve do të analizohet me përgjegjësi nga baza në qendër dhe se vota e qytetarëve për PD-në më 21 qershor do të jetë baza e ringritjes së demokratëve në zgjedhjet e ardhshme.
“Unë dhe gjithë drejtuesit e PD-së nga baza në qendër kemi përgjegjësinë për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve e për të parë më shumë nga vetja jonë që të pranojmë difektet e të metat tona. Vota e atyre që na besuan do të jetë baza e ringritjes sonë për të qënë në lartësinë e këtij besimi e që të forcohemi për betejën e radhës”, u shpreh Basha para deputetëve të grupit parlamentar të PD-së.