• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, Strategji Kombëtare për Zhvillim

August 28, 2020 by dgreca

-AMBASADORI AMERIKAN NË PRISHTINË, PHILIP KOSNETT: TË PËRKUSHTUAR PËR TA NDIHMUAR KOSOVËN-

-Qeveria e Kosovës do të hartojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim për 10 vjetët e ardhshme. U mbajt takimi i Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike, pjesëmarrës ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett/

    PRISHTINË, 28 Gusht 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, mori pjesë në takimin virtual të Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike, në të cilin pjesëmarrës ishin edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, si dhe përfaqësuesit e vendeve donatore prezente në Kosovë, të agjencive zhvillimore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.Takimi kishte për qëllim diskutimin për qasjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe donatorëve për të financuar rimëkëmbjen ekonomike të vendit, të nevojshme pas pandemisë së Covid-19.

Gjatë takimit, kryeministri Hoti shpalosi vizionin afatgjatë të Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike dhe për përfshirjen e donatorëve në financimin e prioriteteve të vendit.

Ndihma e menjëhershme e mobilizuar nga donatorët nëpërmjet projekteve, përkrahjes së buxhetit të vendit dhe huave për investime, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike gjatë vitit 2020 dhe e planifikuar për vitin e ardhshëm, arrin mbi 400 milionë euro.

Qeveria e Kosovës do të hartojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim për 10 vjetët e ardhshme, e cila do të jetë orientuese për reformat dhe objektivat afatgjate të vendit për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me aspiratat për integrim evropian të vendit.

Për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike, do të hartohet një plan më i detajuar i investimeve më të rëndësishme për 5 vjetët e ardhshëm, i cili do të financohet nga buxheti i vendit, donatorët dhe në bashkëpunim me sektorin privat.Qeveria e Kosovës dhe donatorët do të vazhdojnë koordinimin e tyre të rregullt nëpërmjet diskutimeve sektoriale për objektivat e përbashkëta që do të financohen bashkërisht, duke synuar të rritet sinergjia, efiçenca dhe efikasiteti gjatë zbatimit dhe të eliminohen pengesat e shfaqura për zbatimin e fondeve të donatorëve.

AMBASADORI AMERIKAN NË PRISHTINË, PHILIP KOSNETT: TË PËRKUSHTUAR PËR TA NDIHMUAR KOSOVËN-
-Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë Forumit për bashkërenditjen e donatorëve për rimëkëmbje ekonomike, 28 gusht 2020/Kryeministër Hoti, zëvendës-kryeministra, ministra, kolegu im z. Serri, kolegë të tjerë nga komuniteti diplomatik dhe i donatorëve, mirëdita.Forumi i nivelit të lartë për bashkërenditjen e donatorëve, që mbahet nën udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, na mbledh çdo vit për të bashkërenditur ndihmën nga donatorët dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Kosovës. Këtë vit po mblidhemi në mënyrë virtuale, në rrethana të jashtëzakonshme. Asnjë vend nuk i ka të gjitha përgjigjet për sfidat tona të përbashkëta dhe është jetike që të vazhdojmë të vëmë dijeninë në dispozicion dhe të shkëmbejmë idetë përderisa vazhdojmë tutje.Çdo vend po përballet me sfidën si të sigurojë më shumë resurse për të adresuar nevojat urgjente mjekësore, si dhe si të rimëkëmbë dhe forcojë ekonominë. Kjo nuk është „lojë e shumës zero”, ku njëri fiton e tjetri humb. Menaxhimi i pandemisë shkon krah për krah me përgatitjet për rimëkëmbjen ekonomike. Vënia nën kontroll e kërcënimit që vjen nga virusi dhe sigurimi i shëndetit të komunitetit është parakusht i rimëkëmbjes ekonomike. E rimëkëmbja e plotë ekonomike nuk do të jetë e mundshme nëse dështon menaxhimi i pandemisë.Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare mbesin të përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën. Përderisa SHBA-ja po i mobilizon forcat e saj shkencore dhe industriale, gjithnjë e më shumë kemi mundësi që t’i japim Kosovës pajisje dhe furnizime, duke plotësuar kështu kontributet e vazhdueshme financiare dhe ndihmën teknike.Këto Forume për bashkërenditjen e donatorëve të jashtëm mund të jenë mënyrë efikase e renditjes së prioriteteve ashtu që resurset e pakta – ato të Kosovës, por edhe ato të siguruara nga partnerët ndërkombëtarë – të shfrytëzohen në mënyrë efikase. Duhet të përmirësojmë komunikimin, t’ju japim përparësi nevojave dhe të sigurojmë fundin e „pazarit për donatorë”.
Edhe pse ne, ndërkombëtarët mund të ofrojmë pajisje dhe të shkëmbejmë ekspertizën tonë, as ne nuk kemi shkop magjik në mesin e veglave tona. Prandaj, aftësia e qeverisë për ta menaxhuar kërcënimin nga COVID-i më shumë varet nga mobilizimi dhe bashkërenditja e resurseve vendore dhe fuqisë së popullit se sa nga
ndihma nga jashtë. Qeveria duhet të jetë në gjendje të shfaqë vendosmëri për plane të hollësishme që ato të funksionojnë dhe këtu përfshihet mobilizimi i resurseve vendore dhe bashkërenditje më të mirë ndër-ministrore.
E partitë politike duhet të vënë nevojat e popullit mbi ato të politikës së përditshme, duke u përqendruar në miratimin e shpejtë të ligjeve ekonomike dhe duke i lënë anash shkarjet e zakonshme në sherre provinciale.
Do ta përmbylli këtë duke theksuar sërish se edhe pse qeveria duhet t’i prijë betejës, luftimi i COVID-it është detyrë e çdo qytetari. Kur Kosova u godit nga pandemia, qytetarët, bizneset dhe organizatat ishin ndër të parat që reaguan. Plani i qeverisë për rimëkëmbje ekonomike mund të shërbejë si shtytës për angazhim domethënës me qytetarët, organizatat dhe sektorin privat për të shfrytëzuar resurset që ekzistojnë tashmë në Kosovë.
Populli i Kosovës është i famshëm për energjinë dhe zgjuarsinë. Këto janë armët tuaja të fshehta.
Ju faleminderit për kohën tuaj dhe le t’i shfrytëzojmë sa më mirë mundësitë që na i ofron kjo konferencë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kryeministri Hoti, Strategji Kombetare, zhvillim

Kosova, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik

May 15, 2017 by dgreca

Kosova, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ulje të ndjeshme të papunësisë/

-Konferenca e pestë ndërkombëtare “Aktivizimi i resurseve të zhvillimit ekonomik”, organizuar nga Instituti Riinvest, e cila njëherësh shënon përvjetorin e 22-të të themelimit të këtij Instituti/

1 Mustafa Konf Nderkomb

-Kryeministri Mustafa: Është arritur zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe ulje e ndjeshme e papunësisë/PRISHTINË, 15 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori sot pjesë në Konferencën e pestë ndërkombëtare “Aktivizimi i resurseve të zhvillimit ekonomik”, të organizuar nga Instituti Riinvest, e cila njëherësh shënon përvjetorin e 22-të të themelimit të këtij Instituti.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë punën e Riinvestit që në kohë të vështira nisi zhvillimin e hulumtimeve dhe shkencës në Kosovë.

“Është insistim, kurajo, por mbi të gjitha vizion i njerëzve që para kaq viteve kishin vendosur për themelimin e këtij Instituti dhe që gjithë këtyre viteve punuan në mënyrë shumë të angazhuar dhe me përkushtim shumë të madh që hulumtimet e tyre të shërbejnë për zhvillimin ekonomik, për orientimet afatgjata zhvillimore dhe për reformat substanciale, të cilat janë bërë në vendin tonë. Instituti Riinvest është një historik i pasur i vendit, janë studime dhe analiza shumë të vlefshme, është ndër burimet më kredibile të analizave dhe të dhënave shkencore të Kosovës”, tha Mustafa.

Duke kujtuar periudhën që ka kaluar në këtë Institut, kryeministri Mustafa përmendi edhe punën e madhe që ka bërë Riinvesti dhe që përmes bashkëpunimit ndërkombëtar me institute dhe universitete të ndryshme, ka mundësuar studime kualitative dhe marrjen e titujve doktor shkence dhe magjistër i ekonomisë për shumë të rinj në Kosovë.

“Shumëkush do ta konsideronte si veprim të pakohë faktin se ky institut ndërmerrte hulumtime për politika ekonomike para kaq viteve, por janë pikërisht hulumtimet e këtij Instituti që kanë kontribuar thelbësisht në arsyetimin e qëndrueshmërisë ekonomike të Kosovës dhe në faza shumë të rëndësishme të bisedimeve në Rambuje dhe negociatat në Vjenë. Ka qenë një bazament tepër i rëndësishëm i të dhënave që janë shfrytëzuar në fazën e shtetndërtimit të Kosovës”, tha kryeministri.

Nisur nga vetë titulli i konferencës, kryeministri Mustafa, tha se dëshmohet se ky Institut ka ende çfarë t’i jap Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bazimit të politikave efikase ekonomike sidomos në fushat e zhvillimit makroekonomik.

Duke iu referuar ekspertëve që kanë reflektuar dijen e tyre në këtë fushë, kryeministri theksoi se Instituti ka bërë punë të madhe me rekomandimet e dhëna, edhe kur ato nuk janë pranuar në momente të caktuara.
“Në qoftë se i kthehemi situatës në vend, gjatë qeverisjes mbi dyvjeçare, ne kemi pasur një bashkëpunim mjaft të mirë dhe kemi qenë të interesuar që të marrim të gjitha sugjerimet shkencore për të adresuar një rrugë, e cila ka bazament të zhvillimit. Mbi këtë bazë, ne kemi arritur që të rrisim rritjen vjetore ekonomike, rreth 4 për qind, nga ajo që kemi trashëguar në 1.2 për qind. Ajo që na gëzon është se, edhe duke respektuar të gjeturat e këtij Instituti, ne kemi arrit që këtë zhvillim ekonomik ta bazojmë në sektorin privat, që është një zhvillim shumë i qëndrueshëm, dhe është një zhvillim që mund të them se siguron zhvillim, i cili mund të rritet në proporcione gjeometrike, dhe për të cilën ne mund të shpresojmë se edhe këtë vit edhe vitin e ardhshëm, edhe vitet në vijim, do të kemi gjithmonë rritje ekonomike mbi rritjen e tanishme ekonomike, që do të siguroj zvogëlim të papunësisë, do të siguroj punësim produktiv, do të siguroj konkurrueshmëri në raport me ekonomitë tjera regjionale, dhe në ekonominë e tregut të Bashkimit Evropian si treg unik, në të cilin ne tani kemi qasje në bazë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, tha kryeministri Mustafa.

Gjatë kësaj kohe, kryeministri Mustafa tha po ashtu se papunësia është ulur nga 35 për qind në 27 për qind.

Ndonëse ky numër mund të jetë më i ulët, kryeministri tha se ky është problem i madh, sidomos i të rinjve dhe grave, duke e vlerësuar të rëndësishëm debatin shkencor të kësaj Konference, në mënyrë që të gjinden mënyrat më të mira të angazhimit produktiv të të rinjve dhe grave, duke nisur nga harmonizimi i sistemit arsimor në të gjitha nivelet, me kërkesat e tregut të punës.
Edhe resurset natyrore, sipas kryeministrit, duhet të vihen në shërbim të zhvillimit ekonomik, dhe në shërbim të përparësive ekonomike të cilat i ka Kosova, në krahasim me vendet tjera në regjion dhe në krahasim me vendet tjera të tregut të Bashkimit Evropian.

“Ne kemi resurse minerare, ne kemi toka të pëlleshme, ne kemi dije profesionale dhe dije shkencore, të cilat mund t’i vëmë në shërbim të zhvillimit ekonomik, me një qasje shkencore dhe me një qasje profesionale. Unë shpresoj se institucionet e tilla dhe Institutet e tilla, siç është Riinvesti, do të na ofrojnë zgjidhje të cilat do t’i shërbejnë qytetarëve të Republikës së Kosovës, jo fushatave dhe zgjedhjeve, por zhvillimit ekonomik, sepse çdo gjë tjetër është e kalueshme, ndërkaq zhvillimi ekonomik, perspektiva ekonomike e këtij vendi, është çështje e përhershme”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkrahjen e institucioneve të Kosovës.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se tash e sa vjet ky Institut ka vendosur standarde gjithnjë e më të larta për fushën e hulumtimeve.

“Sot, vlerësimet që i jep Instituti Riinvest merren për bazë në vendimmarrje, sigurisht në Qeverinë e Kosovës, por edhe në institucione tjera ndërkombëtare që punojnë bashkë me ne në Kosovë. Nga ky këndvështrim, unë jam shumë i nderuar që kemi arritur të formalizojmë si Ministri e Financave, një bashkëpunim me Institutin Riinvest, për të publikuar në baza të rregullta pasqyrën makroekonomike, kuartale”, tha ministri Hoti.

Ministri Hoti, tha se nga këndvështrimi i Ministrisë së Financave, parimet bazë për zhvillimin e politikave ishin transparenca dhe gjithpërfshirja.

“Këtë e kemi dëshmuar së fundi edhe me atë që ne në Ministri e quajmë Portal i Transparencës, ku mund të shihen në baza mujore të dhënat 11 vjeçare për të hyrat, shpenzimet dhe gjithë indikatorët tjerë ekonomik dhe financiar në vend. Unë besoj shumë që ky publikim do ta qartësoj situatën ekonomike dhe sociale në Kosovë, dhe në masë të madhe do t’i orientojë pritjet e hulumtuesve dhe bizneseve në veçanti për periudhën e ardhshme”, tha ministri Hoti.

Alban Hashani, drejtor i kërkimeve në Institutin Riinvest, prezantoi pasqyrën makroekonomike të tremujorit të parë 2017, duke theksuar ndër të tjera se pavarësisht problemeve me të cilat përballet ekonomia e Kosovës, megjithatë Kosova ka mbajtur një normë pozitive të rritjes, e cila ka shënuar përmirësim në vitet e fundit.

Më pas u bë prezantimi i Raportit “Ambienti Biznesor në Kosovë 2016”, si dhe i zhvilloi punimet paneli diskutues, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve, organizatave ndërkombëtare financiare si dhe ekspertë të ekonomisë.Në sesionin e pasdites, do të bëhet prezantimi i punimeve shkencore të ekspertëve të ekonomisë vendorë dhe ndërkombëtarë./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, kosova, të papunësisë, të qëndrueshëm ekonomik dhe ulje të ndjeshme, zhvillim

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT