In memoriam për shkrimtarin e mirënjohur Jorgo Telon i cili u nda nga jeta këto ditë/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Marrë nga parathënia e librit më të ri “Stanari dhe Zogu i djallit” të autorit Jorgo Telo /
Në çdo kreshtë Zagorite,/
Në çdo pllajë edhe shpat mali
Histori përcollën vitet…/
Jeta ecjen nuk e ndali./
Nga libri: “Stanari dhe Zogu i djallit”/
Jo gjithmonë mund të kesh muzë për të shkruar një poezi apo për të bërë kritikë rreth një libri. Kjo ka shumë arsye, por ajo që më shtyn vazhdimisht drejt kësaj bote pafund është arti që ndodhet brenda librit, ose historia e shkruar me art.
Këtë lloj ndjesie pata me librin “Satanari dhe zogu i djallit” me autor shkrimtarin zagorit Jorgo Telon. Titulli i librit është një titull intrigues, që duket sikur më shtyn të marr një bedenë nga kalaja e Ali Pashë Tepelelenës dhe ta sjell në muzeun e famshëm botëror, Metropolitan në New York, aty ku ndodhet portret i fildishtë i Ali Pashës pikturuar nga Jacob Ritter von Hartman, (1795–1873), piktori gjerman me origjinë hebre.
Kjo lloj ndjesie më krijohet ngase bedenat e kalasë dhe historia e Ali Pashe Tepelenës, ngjizen aq fort sa krijojnë binjakëzimim e një epopeje sa historike aq dhe legjendare. Koka e tij e prerë që çohet para Sulltanit, tiranit që shtypi për 500 vjet barbarisht Shqipërinë, përbën një fakt të pamohueshëm të luftës së Pashait me Sulltanin duke më rrëmbyer të tërën dhe më duket sikur më ndodh si me poezinë e Jean Cocteau që shkruan se: “Tek Bodler, “mjaftonte një varg-shkreptimë që ta merrte tërë poezinë për ta ngritur në qiell”.
Poeti Telo edhe pse invalid në karrige, mua më përshfaqet befasues si kalorsiak me trimat e Ali Pashë Tepelenës, por Telo është ndryshe nga Pashai ngase ai lufton vetëm me shpatën poetike…
Vargu i tij poetik ka gazavajin në një vibrim poetik, me një ëndërrim të zgjuar zagorit, prej ku autori ka dhe origjinën.
Vargjet në këtë poemë janë një dëshmi e plotë e qëndresës heroike dhe tragjizmit që ka brenda pikturimi artistik. Edhe pse Heroi i tij Ali Pashë Tepelena i përket dy shekujve të mëparshëm në ndjejmë pranë praninë e të padukshmes, dhe kridhemi brenda një ekspresioni estetik midis figurës historike kombëtare të Ali Pashë Tepelenës dhe poetit botëror anglez Bajronit i cili e përshkruan udhëtimin e tij në sarajet e Tepelenës gati-gati si një ringjallje të përfshirë nga pasioni dehës i poetit.
Kjo poemë është një shërbim i qartë që i bëhet historisë dhe zërave ulëritëse të saj që duan ta varrosin me çdo kusht historinë.
Në çdo strofë në kuptojmë gjendjen shpirtërore të poetit, përsiatjet reflektive dhe filozofike. Ai sjell artistikisht kujtesën historike popullore dhe bujarinë zagorite për Ali Pashë Tepelenën. Populli i kulturuar zagorit dhe po aq mikpritës vazhdojnë ta kenë në gojëdhënat e tyre lidhjen që kishin me Ali Pashain dhe mbështetjen e fuqishme që i dhanë për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga Turqia.
Stanari fisnik Ded’Gjoni dhe Hil Dede i hapën dyertë e zemrës dhe e pritën ashtu siç di të presë me gjithë madhështinë e saj krahina e Zagorisë.
Ja si i këndon autori:
Tek Hil Dede* gjeti derën e mikpritjes/ te stanar Ded’ Gjoni**, një zemër fisnike. Rioshit trimosh, Ali Tepelena/ Gjithë majëmalet i ngjanin bedena.
Gjithë poema është nje kumt, ku me dendësi mjetesh artistike si metafora, simbolet, animizimi, aliteracioni thurin aq bukur trupin e poezisë.
Autori bëhet kalërues ëndrrash me imazhe poetike të fuqishme që herë zbuten brenda dhimbjesh dhe herë bëhen barrikada për ata që infektojnë historinë.
Vargu i tij binjakëzohet me historinë, për rrjedhojë ka ditur të bëjë radiografinë brenda sallës antiplumb që ka ndërtuar. Dihet që Ali Pashë Tepelena iu ka shprehur mirënjohjen shumë mbështetësve të kauzës së tij, e cila ishte vetëm shkëputja e Shqipërisë prej thonjëve të perandorisë anadollake turke, ndaj të gjithë çlirimtarëve dhe mbështetësve të tij iu ka ndërtuar shtëpi të gurta, ujësjellës, ura për gjithë krahinën dhe qytetin etj,…
Për bamirësinë e Pashait poeti shkruan: Edhe sot e kësaj dite/ kur kan’ rrjedhur ujrat lumë/ Çdo kujtesë zagorite/ mban të freskët atë burrë…
Metafora në këtë libër ka ndërtuar folenë me fijet e zemrës së poetit që kanë brenda dhe gjëmime ujërash lumë…
Ato janë një vullkan në shpirtin e tij që s’fle kurrë, ndaj dhe epitetet për popullin zagorit si trimat vetëtitës, kapedanë Lirie janë medoemos dhe pjesë e shpirtit të poetit zagorit, jane pjesë e atij populli që na dhuroi Çajupin e pavdekshëm, gjuhëtarin e shquar Ilia Dilo Sheperin, etj…Ja si shprehet poeti Telo rreth mirënjohjes zagorite:
Mirënjohja për zagoritët sikur fliste vetë me gojë/ Me gojë urash dhe shtëpish edhe nga mullinj për blojë/ Si luani i vërtetë/ i vu shpatën osmanllisë…/ Veten lart e ngriti vetë/ i dha frymë Shqipërisë.
Libri Stanari dhe Zogui i djallit është një poemë liriko-epike me një pafundësi interpretimesh dhe dendësi shprehjesh kuptimore që sjell të gjallë figurën e Ali Pashë Tepelenës dhe lidhjet e tij me popullin gjeneroz të Zagorisë, që nxori burra dhe pena të shquara.
Si lexuese përjetoj harmonizimin e ligjërimit liriko-epik tepër befasues me ndërtimin e vargjeve sentenciale për Pashain që tronditi Perandorinë dhe Europën.
Një merak e kish Pashai/ të shkëputej krejt nga Porta/ Popujve u dha kurajë…/ U habit prej tij Evropa/ Shekuj rrodhën s’u harruan/ U shndërrua në legjenda/ E shohim të skulpturuar/ Me të merren, kënga, pena…
Kjo poemë iu kujton historianëve dhe zërave ulëritës të rivlerësojnë historinë, ndërsa miopëve të heqin syzet e errëta, ngase dielli po çanë retë e çmendura që grinden pamëshirshëm me njera-tjetren, sepse: Besëlidhja që krijoi/ tok me miq e sundimtarë/ Portës s’Lart’ i dha ngjyrë ftoi/ ndërsa vetes mjaft rivalë…
Trimëria dhe guximi i tij do të tregohen brez pas brezi, kurthet që iu ngriten i bëri shkrumb, ndaj dhe pena e poetit rrjedh si ujëvarë bjeshkësh:
Si pronar i madh Veziri/ u vetëshpall autonom/ Duhm’ e vrull punëve u hyri/
Si të qe Sulltan në fron/ Edhe sot e kësaj dite/ mirënjohës na “flet” Aliu/
Mjekëroshi na avitet/ Veç… me dy varre fatziu…
Këto vargje më sjellin ndërmend poezinë e poetit të madh grek Janis Ricos i cili midis te tjerash shkruan: Me një zambak të egër
ndriçova netët tona më të egra. … duke adhuruar edhe Atë që i ngjitet kodrës mes perëndimit të praruar. Shikoni: Në mëngën e majtë ka një arnë të purpurt katrore. Ajo
këndej nuk shquhet qartë. Por unë sidomos atë desha t’ju tregoja. Dhe ndoshta sidomos për atë do ta meritoja të më kujtonit.
Si përfundim kjo poemë epiko lirike me tharmin e artit na con në burimin e kujtesës dhe ngre në zenit nderimin për figurat e mëdha kombëtare.
*Hilë Dede – ish banor i fshatit Doshnicë (Zagori e Shqipërisë)
**Dede Gjoni – ish banor i fshatit Nderan (Zagori e Shqipërisë)
Staten Island, New York