Aktori Mirush Kabashi mbrëmjen e kaluar ishte mysafir në teatrin e Gjakovës, ku interpretoi monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, një pjesë e shkruar nga Emanuel Shmitt.
Salla e mbushur me rreth 600 spektatorë ndoqi me emocion interpretimin e aktorit 66-vjeçar, i njohur më parë në këtë qytet edhe për interpretimin e monodramës “Apologjia e vërtetë e Sokratit”.
“Mjeshtri i madh i punës”, Mirush Kabashi, ka qëndruar gjatë në skenë mes duartokitjeve dhe entuziazmit të shikuesve pas afro 75 minuta intepretimi të novelës së autorit francez së përshtatur dhe vënë në skenë prej vetë atij.
Kabashi ka marrë edhe përgëzimet e zv. Kryeministrit të Kosovës, Behxhet Pacolli dhe kryetares së bashkisë së Gjakovës, Mimoza Lila Kusari, të cilët ndoqën shfaqjen së bashku me ambasadoren e Francës në Prishtinë, Delphine Borine.
Nesër në mbrëmje monodrama “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” do të shfaqet në Prishtinë. Premiera e kësaj shfaqjeje është dhënë në Durrës në nëntor të vitit 2008. Udhëheqës artistik i saj është Alfred Bualoti dhe skenograf Hysni Loka, ndërsa teknikë të shfaqjes janë Tristan Sherifi dhe Julian Shyti.(Sipas ATSH-se)