• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË KRAHASOSH ZVICRËN ME SHQIPËRINË

November 19, 2018 by dgreca

1 elida3

Nga Elida Buçpapaj/

Të krahasosh Shqipërinë me Zvicrën! Je çmendur, do të thotë dikush! Ngjan krahasim absurd! Por le të urojmë që një ditë të bëhet realitet!

Duke nisur nga relievi alpin dhe natyra magjike gjen shumë ngjashmëri mes dy vendeve, shqiptarët dhe zviceranët janë popull alpin.

Shqipëria do të ishte Zvicra e Ballkanit sipas vizionit të Rilindasve!

Sami Frashëri thosh: “Ta bëjmë Shqipërinë një Zvicër të dytë!”

Elena Gjika ose Dora D’Istra ka jetuar në Zvicër. Andon Zako Çajupi erdhi në Zvicër, ku kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit për drejtësi. Gjatë luftës së Parë Botërore, Mid’hat Frashëri jetoi për një kohë në Zvicër, Faik Konica po ashtu!

Shqipëria do të ishte Zvicra e Ballkanit sipas Rilindasve, por vizioni i Rilindasve ishte 180 gradë ndryshe me atë të diktaturës mizore gjysmë shekullore të Enver Hoxhës, që shtypi me dhunë çdo të drejtë njeriu, duke instaluar një sistem barbar izolues që do të shfaroste elitën, do të shtetëzonte pronën private, do të eleminonte tregun e lirë dhe inisitivën e individit.

Edhe tranzicioni 27 vjeçar është inerci e diktaturës larg ëndërrës Rilindase. Shteti nuk garanton sistemin, duke ia mohuar qytetarit shtetin e së drejtës dhe të mirat që rrjedhin prej tij, duke nisur prej pronës private deri tek energjia elektrike, uji, siguria, sistemi mjekësor dhe shteti social;

Edhe qytetari sipas proverbit “sipas kokës kapelën” përgjigjet në mënyrën e tij, duke mos paguar faturat edhe kur ka mundësi të paguajë, duke korruptuar policinë rrugore, kur shkel rregullat e qarkullimit apo punonjësin e administratës, për të fituar një vend pune, duke shitur votën për një copë bukë, duke mos ndihmuar atë që është në nevojë, duke mbajtur një qendrim armiqësor për vëllain, mikun apo komshiun që voton jo për partinë e tij dhe më thelbësorja duke qendruar indiferent ndaj mungesës të shtetit ligjor dhe diktaturës të varfërisë që e ka zhdukur nocionin e “një jete me dinjitet”.  Krejt ndryshe nga Zvicra referendare, që vendos përmes referendumeve, një instrument efikas i demokracisë direkte.

Në Shqipëri ka vjedhje në çdo sektor të jetës, nga shteti tek qytetari, por viktima mbetet qytetari. Shqipëria edhe sot e kësaj dite e ka problem furnizimin me energji elektrike, ujë të pijshëm, por problemin më të madh e ka me informalitetin. Vjedhjen që i bëhet shtetit në bashkëpunim me shtetin. Thënë ndryshe shteti vjedh veten! Sipas statistikave, informaliteti në Shqipëri shkon nga 60-70 % dhe dihet risku që krijon ekonomia informale, gri apo e zezë, e cila gëlon kur nuk ekziston kultura e ndëshkimit. Sepse shteti nuk e ndëshkon deputetin apo ministrin e korruptuar që jep tendera duke mbushur xhepin e tij dhe duke e zbrazur arkën e shtetit. Në rastin konkret shteti është në krah të informalitetit. Atëherë ekonomia e vendit kthehet në ekonomi mafioze. Në këtë prag gjendet Shqipëria. Shumë ekspertë të fushës thonë se Shqipëria është shtet kuazi mafioz pa sistem drejtësie. Drejtësia vetë është nën Vetting por pa asnjë rezultat. Për të qenë optimistë, rezultat mund të quhet largimi i gati pjesës më të madhe të atyre që e kaluan këtë proces pasi kishin pasuri të pajustifikuar, dmth të krijuar nga vjedhja duke zhdrejtësuar.  I larguan por nuk i ndëshkuan për vjedhjen as viktimave të tyre nuk u dhanë drejtësinë ! Të mos harrojmë pastaj se drejtësia është produkt i elitës politike të këtyre 27 viteve tranzicion.

Në Ballkan janë arrestuar presidentë, kryeministra e ministra, ndërsa në Shqipëri politika funksionon si piramidë, politikanët mbajnë njëri-tjetrin paçka se shahen e urrehen! Po të hiqet një tullë, piramida shembet e gjitha!

Ndryshe në Zvicër, ku qytetari dhe shteti janë një binom i pandashëm, për të forcuar e ndihmuar njëri tjetrin, shteti garanton me detyrimet e veta dhe qytetari e mbron shtetin duke respektuar ligjin.

Konfederata Helvetike nuk është pjesë e BE, por, megjithatë, nga thelbi simbolizon Perëndimin, sepse i garanton të gjitha liritë e individit dhe krijon kushte optimale për liri tregu dhe një jetë me dinjitet.

Kush vjen në Zvicër për herë të parë dhe kërkon këshilla, një mik i mirë do t’i thotë, “kujdes me taksat dhe faturat”. Që do të thotë asnjë faturë apo taksë të mos mbetet pa paguar. Kur je në kërkim të një vendi pune, qofsh zviceran apo me leje qendrimi, përveç kompetencave, aftësive, CV dhe edukimit, punëmarrësi të kërkon që të jesh patjetër me “Leumund”- reputacion të pastër. Për këtë duhet të paraqitësh nga Departamenti Federal i Drejtësisë në Bernë një dokument – Excerpt from the swiss criminal record – Auszug der Strafregisterauszug – ku vërtetohet se je njeri i pastër, pa precedentë penalë. Që përkthehet, veç të tjerave, që t’i kesh kryer të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Nëse kërkon banesë, qiradhënësi, veç të dhënave të të ardhurave, të kërkon po ashtu një dokument, lëshuar jo më larg se tre muaj, nga Betreibungsregisterauszug – the Debt Enforcement Office – Zyra e Përmbarimit ku vërtetohet se nuk ke borxhe ndaj shtetit apo enteve private.

Në Zvicër çdo qytetar është shumë i kujdesshëm të respektojë ligjin. Respektimi i ligjit është kulturë, është instikt i edukuar, është tipar i identitetit. Që fillon tek oraret punktuale të trenave, trameve dhe busëve që nuk i njohin vonesat tek klaksonët. Në Zvicër nuk dëgjon klaksonë veturash.  Në apartamente nuk dëgjon ahengje, muzikë me volum të lartë, sepse shqetëson fqinjët. Kush ka jetuar në Shqipëri, e di se aty ka qenë kulturë që plehrat të hidheshin nga dritaret. Nëse dikush e bën këtë shkelje në Zvicër paguan gjobë, por nëse nuk paguan taksat, ke kryer krim për të cilin dënohesh sipas shkallës. Edhe nëse nuk paguan faturat, ke kryer krim dhe problemet janë të pafundme. Pra në Zvicër nuk ka qytetarë apo biznese që nuk paguajnë energjinë, ujin, ngrohjen apo detyrimet. Kush nuk paguan, penalizohet. Sipas ligjeve të Zvicrës, faturat duhet të likuidohen përgjithësisht brenda afatit mujor. Nëse nuk paguhen, të vijnë tre Mahnung-e – kujtesa, e para pa gjobë plus, e dyta dhe e treta me gjoba në rritje dhe nëse nuk i likuidon edhe pas këtyre tre paralajmërimeve, atëherë të çojnë direkt në Betreibungsamt, autoriteti kantonal i zbatimit të ligjit për ndjekjen penale të borxhliut. Për borxhliun atëherë nisin hallet. Nëse je në kërkim të shtetësisë dhe ke borxhe të palikuiduara, harroje atë punë, nuk e merr shtetësinë, sepse nuk je qytetar i denjë.

Siç e thashë që në krye, shteti ligjor kërkon respektimin e ligjeve, por, së pari, ia garanton qytetarit liritë dhe kushtet për të jetuar. Në këtë kontekst, Zvicra është një nga vendet model në rrang botëror për t’u marrë si shembull, ku shteti i së drejtës funksionon si sahati Omega, ku ka liri tregu, shtyp të lirë, ku korrupsioni është një fenomen që luftohet dhe, sipas Transparency International (TI), Zvicra është gjithmonë në top vendet e para, ndryshe nga ndërsa Shqipëria e Kosova që ndajnë vendet nga fundi.Po ashtu sistemi i shëndetësisë është njëri nga më të mirët në botë. Me pagesë natyrisht, por shtetasi ka mundësi të paguajë me rrogën që merr. Kur s’ka, ia plotëson shteti social.

Edhe në periudhat e krizave për Europën dhe botën, papunësia në Zvicër nuk i kaloi 3% dhe shteti është gjithmonë në kërkim të mënyrave për ta ulur edhe më tepër këtë nivel, duke hapur tregje pune, duke krijuar siguri për investime dhe mundësi kualifikimi sidomos për rininë. Në Zvicër biznesit i krijohen kushte optimale për të investuar, ndërkohë shteti, përmes ligjit, i shpall luftë informalitetit.

Në Zvicër po ashtu funksionon shteti social, për të papunët dhe sidomos për shtresat vulnerabile. Zvicra nuk ka varfëri apo drama sociale si ato të Shqipërisë, ku mjerimi migjenian bashkë me mungesën e shtetit ligjor mbetet diktatura më e egër e shoqërisë. Pra Zvicra i krijon të gjitha mundësitë që qytetari të mos bëhet shkelës ligji, por kush e shkel ligjin, ndëshkohet pa dallim.

Në Shqipëri është një hendek i madh mes shtetit dhe qytetarit, sepse shteti nuk ia garanton liritë elementare, sikur janë siguria, tregu i lirë, mundësia për punësim, ndërsa qytetari ose reagon duke u konformuar përmes anëtarësimit nëpër parti, ose ul kokën kur është i varfër, ose ikën kur e sheh se nuk i bihet murit me kokë dhe nuk ka nga t’ja mbajë sepse askush nuk i jep zgjidhje.

Rrugëzgjidhja do të qe kur qytetari të luftojë për të drejtat e tij deri sa t’i fitojë, për të vendosur një raport loyal dashurie mes shtetit të së drejtës dhe qytetarit.

Në fund po ju sjell një sentence të Graham Green-it që ka jetuar dhe prehet këtu në Zvicër. Sepse mund të mësojmë prej saj nëse duam. E kam përdorur edhe në një intervistën time, por ia vlen të përsëritet.

Graham Green thoshte se “Zviceranët kanë dashuri vëllazërore me njëri-tjetrin, ata kanë 500 vite demokraci dhe paqe dhe e dini se çfarë prodhojnë? Orën me ku-ku!!”.

Humor tipik anglez. Sepse ajo që kanë krijuar zviceranët është 500 vite demokraci dhe paqe. Por unë ju ftoj le ta aplikojmë këtë deduksion të Green-it në raport me veten tonë, le të fillojmë duke thënë se ne shqiptarët kemi dashuri vëllazërore për njëri-tjetrin… Humor tipik anglez edhe ky!

Deri tani nuk jemi dëshmuar se duhemi, përkundrazi, pasi diktatura u ngrit mbi themelet e urrejtjes. Prandaj duhet rrëzuar diktatura me themele e mbetje. E të nisi era e dashurisë ndërshqiptarë! Që të duhemi tash e mbas me dashuri vëllazërore për njëri-tjetrin për 500 apo 5000 vjet sikur zviceranët!

E atëherë Shqipëria do të jetë bërë “Zvicra e Ballkanit”!

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Elida Buçpapaj, Krahasim, shqiperia, Zvicra

Zvicra, mbështetje Kosovës në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe financiar

January 13, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 13 Janar /-Ambasadorja e Zvicrës në Prishtinë, Krystyna Marty Lang, shprehu gatishmërinë e shtetit të saj për të mbështetur Kosovën në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe financiar, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, priti sot në takim ambasadoren Marty Lang, të cilën e falënderoi për punën, kontributin si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, në veçanti me Ministrinë e Financave. Sipas tij, ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Gjatë takimit ministri Hoti e njohu ambasadoren për gjendjen financiare të vendit, përkushtimin e qeverisë për krijimin e kushteve më të mira për thithjen e investimeve të huaja në Kosovë, si dhe për përkushtimin e Ministrisë së Financave në luftimin e ekonomisë joformale./

Filed Under: Kronike Tagged With: dhe financiar, ekonomik, mbështetje Kosovës, në rrugën e zhvillimit, Zvicra

SHQIPTARET E ZVICRES MPOSHTIN KOMBETAREN KUQ E ZI

October 11, 2013 by dgreca

Humbja e trete radhazi u regjistrua sonte ne Tirane per Kombetaren kuq e zi.Ndeshja ka nisë me këto formacione:

SHQIPERIA: Berisha – Cana, Mavraj, Lila, Agolli – Gashi, Bulku, Rama, Kace, Abrashi – Salihi. Trajner: De Biazi

ZVICRA: Benaglio – Lang, Schär, Von Bergen, Rodriguez – Inler, Behrami; Shaqiri, Xhaka, Stocker – Seferovic. Trajner: Otmar Hitzfeld

Gjyqtarë: Pedro Proenca, Bertino Miranda, Hoze Trigo (Portugali)

Ka përfunduar me rezultatin 1-2 përballja Shqipëri-Zvicër në Qemal Stafa, Tiranë. Shuhet kështu ëndrra kuq e zi, që po i bën një mbyllje shumë të keqe eleminatoreve të Brazil 2014. Me fitoren e arritur në Tiranë Zvicra është e kualifikuar përfundimisht në Botëror, ndërsa kuqezinjtë, me dhjete pikë mbeten në vendin e parafundit, aty ku kanë vegjetuar tash sa mot.

Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë ndër më të dobtat e Kombëtares shqiptare, ku nuk ka ansjë aksion që të mbetet në kujtesë. Pjesa e dytë vërtetë ka nisë me një aksion të rrezikshëm të kuqezinjëve, ku Valdet Rama triblon dy kundërshtarë dhe godet rrezikshëm drejt portës mike, por Benaglio është në gatishmëri të plotë, grushton dhe e dërgon topin në goditje këndore. Reagon shpejt dhe rrezikshëm Zvicra, që me anë të rrezikshimit kosovar Shaqirit, mposht Berishën. Shaqiri ishte i pa markuar nga mbrojtja me Lorik Canën në krye, që në tre ndeshjet e fundit mbetet repart i shpartalluar i Kombëtares.Tifozëria shqiptare  me papjekuri nis dhe shanë në kor shqiptarin e Kosovës, në vend që t’u vërshëllente kuqezinëjve që dukeshin si  të kotur në fushë. Shaqiri sërish ua dha një përgjigje të mencuar, reagoi duke kërkuar ndërrim dhe doli nga fusha.  Tifozëria sërish tregon papjekuri dhe ia nisë e shanë shqiptarët e tjerë të Kosovës që janë rreshtuar në Kombëtaren Zvicerane. Në qënder të thirrjeve , vërshëllimave, sharjeve, pas Shaqirit vihet Valon Behrami. Po cfar faj kishte ai, pse luante mirë?

Në minutën e 78 zviceranët shënojnë dhe golin e dytë me Lang, ndërsa penalltia e realizuar nga Salihi, mbetet thjeshtë një statistikë. I vetmi lojtar i kombëtares shqiptare që bëri dicka në fushë ishte Roshi, të tjerët dukeshin të përgjumur.

Kombëtarja Kuq e zi e Shqipërrisë dhe Kombëtarja Helvete kanë një gjë të përbashkët, palca e skuadrave përbëhet nga Kosovarët, që zvicra i ka më të mirë se ata të kuqezinjëve! Në një farë mënyre Kombëtarja me shumicë Kosovare e Shqipërisë u mund nga kosovarët e mirë të Zvicrës! Tifozëria shqiptare kishte rast që të luante me dy porta dhe të duartrokiste cdo aksion, pavarësisht se në cilën portë mbyllej aksioni. Në fund të fundit duartrokisnin shqiptarët, pavarësisht fanelave që mbanin veshur. Traineri Italian de Biasi me gjasa nuk ka për të qëndruar më gjatë në bankinën kuq e zi. Tri humbejt e fundit ia errësojnë spektalet e ndeshjeve miqësore dhe të tri fitoreve minimale në grup.

Filed Under: Sport Tagged With: kosovaret, shqiperi, Zvicra

ZVICRA, PIONIERE E DEMOKRACISE DIREKTE NE BOTE

June 20, 2013 by dgreca

ZVICRA PIONIERE E DEMOKRACISË DIREKTE NË BOTË – KANCELERIA FEDERALE SHTATMADHORIA E KËSHILLIT FEDERAL NË SHËRBIM TË SË DREJTËS POLITIKE/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ/

KANCELERIA FEDERALE, SHTATMADHORIA E KËSHILLIT FEDERAL – NË SHËRBIM TË SË DREJTËS POLITIKE – E-VOTING

Në ditën e tij të pestë, qershori i ka marrë plotësisht frenat jo vetëm për të pritur stinën aq dëshpërimisht të vonuar të pranverës, por edhe për ta bërë ndërrimin e saj me stinën e verës. Dhe ditët e bukura janë një nga privilegjet që fati ua rezervon shpesh udhëtimeve të gazetarëve të APES. Trenat nga dy drejtimet kryesore, ai nga Bazeli dhe ai nga Gjeneva, kanë mbërritur gati njëkohësisht, kështu që ne takohemi dhe së bashku, në grupe që improvizohen përgjatë rrugës që nga stacioni qendror, ne mbërrijmë tek Qendra e Mediave. Atje na pret, tejet ngrohtësisht, tashmë miku ynë Claude Gerbex, përgjegjës i informacionit në gjuhën frënge pranë Kancelerisë Federale të Zvicrës.

USHTRIMI I MIRË I SË DREJTËS POLITIKE – NJË MISION I KANCELERISË FEDERALE

Veprimtarinë e sotme e organizon Kanceleria Federale e Zvicrës. Ndonëse një vit më vonë nga ajo e vjetshme, ditët ngjajnë aq shumë me njëratjetrën, pothuaj njëlloj mikpritëse, sa mund ta quash ndoshta një nga rastet e pakta e gati të pamundura kur, sado nga larg, ditët e kopjojnë vetveten. Natyrisht, itinerari nuk është i njëjtë dhe tema është krejt tjetër.

Jemi katër ditë para referendumit të së dielës, 9 qershor 2013, ku njëra nga dy çështjet për të cilat, nëpërmjet një iniciative popullore, qytetarët do të japin verdiktin e tyre nëse tash e tutje Këshilli Federal do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli apo do të vazhdojë të zgjidhet nga Parlamenti i dalë prej votës së popullit. Kështu demokracia zvicerane, në rrugën e saj të përkryerjes së pandërprerë, po përgatitet drejt një faze më të lartë të saj si demokraci sa më direkte.

Pasi pijmë kafen e mëngjesit, gjatë së cilës kemi praninë dhe biseda nga afër me Kancelieren Federale zonjën Corine Casanova, fillon Konferenca për Shtyp. Duke drejtuar vështrimin tek dekori i sallës së konferencave, zonja Casanova, na thotë “Ju gazetarët jeni veshët e hapur të shoqërisë, për të kapur gjithçka që përbën realitetin.” Në Shqipëri, mjerisht gazetarët janë veshët e politikanëve dhe pronarëve. Fillon referimi i zonjave Casanova dhe Barbara Perriard, drejtuese e Seksionit të të Drejtës Politike, të cilat pastaj iu përgjigjen pyetjeve që nuk kanë të mbaruar. Me zonjën Perriard, lindur dhe rritur në Bazel Land, në kantonin tonë, patëm edhe një bisedë të veçantë para fillimit të konferencës. Ajo i ka mbaruar studimet për drejtësi në Universitetin e Bazelit dhe vjen në detyrën e saj, ku punon prej tri vitesh, pas një përvoje në marrëdhëniet publike në sektorë privatë, politikë dhe shtetërorë.

Kanceleria Federale, ia kujtojmë lexuesit, është një agjenci e nivelit të departamentit, pra të ministrisë, në administratën federale të Zvicrës. Ajo është organizuese e stafit të qeverisë federale, Këshillit Federal. Prej vitit 2008 drejtohet nga Kancelarja Federale Corina Casanova e Partisë Kristiane Popullore Demokratike të Zvicrës. Zonja Casanova takohet çdo javë me Qeverinë Federale. Qytetarët po ashtu, kanë të drejtë të jenë të informuar sa më shpejt dhe saktë. Kanceleria Federale siguron bashkërendimin e komunikimit të Konfederatës dhe respektimin e pluralizmit gjuhësor nga ana e Administratës Federale ndaj opinionit publik. Zëdhënësi Këshillit Federal dhe nënkancelar André Simonazzi i informon mediat dhe qytetarët në mbarim të mbledhjes javore të Qeverisë Federale. Kanceleria Federale është përgjegjëse për publikimin e Përmbledhjes Federale, e Fletores Federale dhe e Përmbledhjes sistematike të të Drejtës Federale. Botime si “Konfederata me pak fjalë” ia ilustrojnë popullit zviceran Shtetin zviceran dhe funksionimin e tij. Kanceleria Federale ka prani të madhe në internet, ajo administron faqet elektronike të Konfederatës: www.admin.ch, www.bundesrat.admin.ch,www.bk.admin.ch, www.news.admin.ch e portalin zviceran www.ch.ch. Ajo promovon ndër të tjera Qeverinë elektronike (E-Government) dhe i bashkërendon veprimtaritë e webmasterve të departementeve (ministrive).

 

ZVICRA VENDI I REFERENDUMEVE

 

Ushtrimi i mirë i së drejtës politike është një nga misionet kryesore të Kancelerisë Federale. Në Zvicër, në shkallë vendi, çdo vit zhvillohen 3-4 votime popullore. Të drejtat politike ushtrohen nëpërmjet iniciativave popullore. Mjaftojnë 100 000 nënshkrime të mbledhura, në një periudhë 18 mujore, për të mbajtur votime për një temë të caktuar, e cila rezulton me ndryshime kushtetuese. Për një referendum popullor mjaftojnë 50 000 nënshkrime, të mbledhura brenda gjashtë muajsh, për të shkuar në votime popullore. Referendumet popullore janë fakultative dhe kanë të bëjnë me ndryshime ligjesh, ose janë detyruese dhe kanë të bëjnë me ndryshimin e neneve të Kushtetutës.

Ushtrimi i demokracisë direkte në Zvicër është më i vjetri në botën moderne. Daton më 1891, ku u mbajt iniciativa e parë popullore, nga të cilat deri tash janë zhvilluar 183. Numri i referendumeve të zhvilluara në botë nga vendet sovrane që nga Revolucioni Francez deri më 25.11. 2012, është 1622, nga këto 577 janë zhvilluar në Zvicër, pjesa tjetër – në Amerikë 172, në Afrikë 156, në Azi 106, në Australi e Oqeani 113, në Lindjen e Mesme 101, në Evropë 397. Pra, në Zvicër janë zhvilluar më shumë se një e treta e referendumeve në shkallë botërore, çka e bën Zvicrën pionere të demokracisë direkte në botë.

 

E-VOTING– VOTA ELEKTRONIKE

 

E veçanta e referendumit të 9 qershorit 2013 është edhe shtrirja më e madhe e votës elektronike. Krahas votimeve elektronike në përqindje të caktuara në kantonet e ndryshme, votën e tyre do ta japin në mënyrë elektronike, pra nëpërmjet Internetit, 70 000 zviceranë që ndodhen jashtë vendit, si dhe 90 000 zviceranë të kantoneve Gjenevë e Nojshatel. Vota elektronike ka disa përparësi, krahasuar me hedhjen e fletës së votimit në kutinë përkatëse dhe me votën e dërguar me korespondencë. Kjo mënyrë e lehtëson votimin e qytetarëve jashtë vendit, po ashtu të qytetarëve invalidë. E bën të pamundur ndikimin e votuesit në dhënien e verdiktit të tij. E krijon mundësinë për një numërim të shpejtë të votave dhe për një nxjerrje sa më të shpejtë të rezultateve përfundimtare të votimeve. Zvicra është vendi që i nxjerr më shpejt rezultatet përfundimtare të votimeve, prenda pak orëve.

E-voting, votimi elektronik, ka edhe mangësitë e tij. Dhe këto përbënin edhe objektin e pyetjeve të shumta nga ana e kolegëve pjesëmarrës në Konferencën e Shtypit. Bëjnë, madje edhe nga dy-tre pyetje secili: Robert (Bob) Evans, Jean-Paul Hoearau, Freddy Mulongo, Rui Martins, Yury, Emilia, Julia e tjerë. Krahas vështirësive teknolgjike, vështirësive për t’u shkëputur nga mënyrat tradicionale, ekzistojnë edhe probleme të natyrës së fshehtësisë së votës, çka konsiderohet e cënueshme për shkak se dihet adresa e votuesit. Prandaj kjo mënyrë është shtrirë nëpërmjet projekteve fillestare në terrene më të gatshme e më të përshtatshme për t’u përqafuar me dëshirën e vetë qytetarëve nga njëra periudhë kohore në tjetrën. Përveç Zvicrës (prej 2004), deri tash në Evropë, janë vetëm Estonia (2005), Norvegjia (20011) dhe Franca (2011) që e praktikojnë votën elektronike.

Pikërisht për shkak të mangësive, sado të kufizueshme, votimi nëpërmjet postës elektronike ka shtrirje graduale, ndonëse gjithnjë e më të sigurt. Në përgjigjet e pyetjeve, zyrtarët e Kancelerisë Federale e krahasojnë procesin e shtrirjes së votës online me procesin e formimit të vetë Zvicrës. Më 2000, kantonet e Gjenevës, Nojshatelit dhe Zyrihut, themeluan votimin elektronik, ashtu si kantonet Uri, Shvic dhe Untervalden më 1291 themeluan bërthamën e Zvicrës së sotme. Prej vitit 2011 tashmë 11 kantone janë përfshirë në këtë mënyrë të pjesëmarrjes politike.

Projekti i është besuar pikërisht Kancelerisë Federale, si ndërlidhës e bashkërendues i përpiktë i bashkëpunimit mes kantoneve. Ndryshe nga vendet e tjera, të cilat i organizojnë votimet elektronike në qendrat e votimit, Zvicra, ku 90% e votave dërgohen me postë, ka parë Internetin si rrugën më natyrale të zgjerimit të mundësive të votuesve për të marrë pjesë në votime. Zvicra ka organizuar një mënyrë të hyrjes në sistemin E-voting në atë formë që sekreti i votës gjatë numërimit të jetë i respektuar.

Organizata e Zviceranëve që jetojnë jashtë vendit është më e kënaqura për mënyrën elektronike të votimit: “Është vërtetë e rëndësishme që të gjithë zviceranët që jetojnë jashtë saj, pavarësisht se ku ndodhen, mund të marrin pjesë në proceset politike dhe demokratike falë E-votimit.” E-votimi është i mundur në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në shtetet të cilat kanë firmosur Wassenaar Arrengement, si dhe disa shtete të tjera më të vogla të Evropës. Rreth 90% e zviceranëve jashtë atdheut që marrin pjesë në këto votime jetojnë pikërisht në këto vende.

 

INTERNETI E AFRON SHTETIN PRANË POPULLIT, KU ÇDO VOTË PËRKTHEHET NË DEMOKRACI
Interneti e afron shtetin më pranë popullit. Dhe çdo votë përkthehet në demokraci. Për këtë Konfederata dhe kantonet janë duke bërë gjithçka që vota elektronike të ketë siguri sa më të lartë që të jetë e mundur. Përparësi kryesore ka pikërisht zhvillimi i sigurisë sa më të lartë të sekretit të votës. Kjo është arsyeja pse vota elektronike po shtrihet gradualisht, nën moton: ngadalë, por sigurt. Mbahet lidhje konstante me Universitetet politikenike të vendit, me qëllim përsosjen.

Kështu, që nga viti 2000, kur fillloi eksperimentimi, vota elektronike ka pasur këtë shtrirje: 2004 – Gjeneva, projekti i parë pilot i votës federale; 2005, Nojshateli; 2008, Gjeneva, Nojshateli dhe Zyrihu projekte paralele pilot. Po atë vit Nojshateli ekeperimentoi për herë të parë votën elektronike të votuesve jashtë vendit. 2011, marrëveshja e Gjenevës, Bazelit Qytet, Lucernës dhe Bernës për zviceranët jashtë vendit. 2009 krijimi i konsorciumit të votës elektronike që përfshin kantonet Argau, Friburg, Graubynden, Shafhauzen, Sent Galen, Soloturn e Turgau. 2011 projekti i parë pilot për zgjedhjen e Këshillit Nacional në kantonet Bazel Qytet, Argau, Graubynden dhe Sent Galen, ku u përfshinë edhe zviceranët jashtë vendit. Më 2015 synohet që të gjithë zviceranët jashtë vendit të përdorin E-votimin për zgjedhjet e Këshillit Nacional.

 

NË LARTËSINË E MYSAFIRËVE TË MAISON WATTEVILE

 

Nëpër Sheshin Federal, pranë shatërvanëve lozonjarë, përskaj ahave dekorativë lotues, pastaj nëpër sheshin e Mynsterit dhe hollësive të tjera, të fiksuara për të kushedisatën herë në shkrepjet tona fotografike dhe filmimet tona, zhvendosemi në këmbë në Maison Wattevile, kështjellën e famshme ku priten mysafirët më të lartë të Bernës zyrtare, një mjedis që të ofron gjithnjë risi kureshtare të pazbuluara më herët, ku çdo objekt, çdo hollësi përveç funksionit utilitar (dobiprurës) ngërthen në vete arte të zbukurimit dekorues si dhe shpalos në kënde të ndryshme dhe në kthina e salla të ndryshme nëpër mure gjithandej piktura të paktën që nga Rilindja Evropiane e këndej. Ne kishim qënë edhe herë të tjera në Maison Wattevile në konferenca për shtyp, duke shoqëruar të ftuarit e lartë të qeverisë zvicerane. Ndërsa kësaj here ishim ne vetë gazetarët miqtë e saj ekskluzivë. Një nder i madh ky që na bënte Madame Corine Casanova, si shefe e Kancelarisë të shtetit.

E ndodhur në Junkergasse Nr. 59, në Qytetin e Vjetër të Bernës, pak hapa larg ndërtesës tjetër të famshme karakeristike benreze Erlacherhof, Maison Watteville është nga ato kështjella, të cilat prej zanafillës, nëpër të gjitha metamorfozat e saj iu ka ofruar mysafirëve befasi nga më romantiket. Në kohën kur u ndërtua ajo iu paraprinte disa ndërtimeve të tilla mesjetare rreth e rrotull.

Pas një fjale të shkurtër paraqitëse nga zonja Casanova, fillon një aperitiv, gjatë të cilit zotëri Urs Staub, shef i seksionit të Muzeve, Zyra Federale e Kulturës, na jep në mënyrë të shkëlqyer përshkrime historike dhe zbërthime artistike të përbërësve të kështjellës.

E njohur si Shtëpia e Beatrice von Wattenwyl, ajo ishte strehë e shumë familjeve të cilat u rritën së bashku nëpër rrjedhën e më shumë se pesë shekujve. Arkitektura e kështjellës, pavarësisht ndërhyrjeve të mëhershme apo të mëvonshme, mban vulën e arkitektit të famshëm Joseph Abeille, i cili midis viteve 1695-1710 e ristrukturoi thellësisht arkitekturën e brendshme të saj dhe ia shtoi fasadën elegante të silit të Luigjit XIV. Ai harmonizoi mes tyre arkitektura dhe shije të të gjitha arkitekturave të jashtme dhe të brendshme nga kishte kaluar edhe vetë qyteti i Bernës. Prej vitit 1934, pra prej 99 vitesh, Qeveria Federale e Zvicrës i ka pritur miqtë e saj këtu. Kështjella është e hapur për publikun 4 herë në vit, çdo të shtunë të parë të janarit, prillit, korrikut dhe tetorit. Termat e trashëgimisë, të vitit 1929, sigurojnë jo vetëm që ndërtesa të jetë në përdorim për qëllimet aktuale, por edhe që do të ruajë karakterin e saj të një mjedisi shtëpiak bernez.

Historia e kësaj shtëpie fillon në vitin 1529, si pronë e familjes Frisching. Dhe thirrej shtëpia e Frischingëve. Nga viti 1838, kur Sophie Frisching martohet me Friedrich von Wattenwyl, shtëpia kalon në pronësinë e Watenwylëve dhe thirret përfundimisht shtëpia e Wattenwylëve.

Aventura e rreth katërmbëdhjetë breznive të kësaj kështjelle zë fill nga Hans Frisching. Mercenar i kapur rob më 1513, ai dëbohet nga Berna dhe i konfiskohet e gjithë pasuria. Në vitin 1528 ai lejohet të kthehet në qytetin e lindjes. Zgjidhet më 1535 anëtar i Këshillit të Madh (Këshillit të Qytetit) dhe më 1542 në Këshillin e Vogël (Këshillin Ekzekutiv). Brez pas brezi, bijtë më të shquar të kësaj shtëpie ishin të lidhur ngusht sa me pushtetin ekzekutiv e legjislativ aq edhe me karrierën ushtarake dhe me qarqet protestante. Personaliteti më i shquar i familjes ishte Franz Rudolf Frisching (1733 – 1807) një patricien, oficer i lartë, politikan dhe industrialist. Ai themeloi Manifaturën e Prodhimit të Fajancave në Bernë. Periudha e ngritjes së tij është edhe periudha e zgjerimit të pronave të familjes.

Më 1838 kështjella, nëpërmjet martesës, kaloi, pra, tek familja Wattenwyl. I fundit i sagës ishte Jacob Emanuel von Wattenwyl. Pronarët e fundit privatë, patricët Béatrice and Jakob Emanuel von Wattenwyl, nuk patën fëmijë. Në cilësinë e trashëgimtarit me të drejta të plota nga e shoqja Beatrice, e larguar nga jeta më 1923, Jacob Emanuel von Wattenwyl ia lë trashëgim Qeverisë Federale shtëpinë kështjellë më 1929, pesë vjet para se edhe ai të largohej nga jeta.

Kontrata e trashëgimisë ia ndalon Qeverisë Federale të bëjë ndryshime të mëdha në shtëpi. Brenda kushteve të përcaktuara në kontratë, Zyra Federale e Ndërtimeve dhe Logjistikave e ka restauruar shtëpinë gradualisht: më 1949 rruga përballë, më 1957-1958 hyrja në holl, oborri i pasmë, shkallët spirale, krahu jugor dhe taracat, në këtë fazë u restauruan edhe dritaret e anës jugore dhe taraca kryesore u kthye në formën e dikurshme, më 1983-1986 ishte faze përfundimtare e restaurimit tërësor.

Kështjella është ende e pajisur me objekte kryesisht të Shekullit XVIII dhe XIX, si dhe me shumë portrete të pjesëtarëve të familjeve Frisching dhe von Wattenwyl. Kështjella ka kopshtin-taracë më të madh të ndërtuar në mënyrë private në Qytetin e Vjetër të Bernës.

Sikurse ndërtesa, ashtu edhe objektet, pajisjet, mobiljet, takëmet, portretet e varura nëpër mure, gjithçka këtu kanë historinë e vet të vënies në përdorim për herë të parë, të funksionimit në mjedisin e caktuar, të përkatësisë ndaj anëtarit të caktuar të familjes. Një familje e madhe e përfshirë gjithnjë në sferat e larta të pushtetit, të politikës, të ushtrisë, të religjionit ka lidhje dhe krushqi të shumta, ka miqësi të shumta, mikpritje, marrje e dhënie dhuratash. Të gjitha këto pasqyrojnë risitë, modernitetet e të gjitha etapave që ka përshkuar mënyra e jetesës në Bernë dhe të zhvillimit të saj në të gjithë këta shekuj. Kanë historinë e tyre që nga qilimat e koridoreve, të shkallëve, të antidhomave, të bibiliotekës, të dhomave te ndenjes apo të gjumit, tek tavanët, tek dollapët, komotë, varëset e garderobave, tek kangjelat anësore të shkallëve, tek ornamentet zbukuruese në dru, në gur, metal apo materiale të tjera, tek tavolinat dhe karriget, tek divanët, tek bufetë, tek enët, tek qelqet, terrakotat, majolikat, tek fildishet, qelibaret, tek shandanët, pasqyrat, tek orët, aplikimet e mureve etj. etj.. Histori të veçantë kanë portretet, të cilat përgjithësisht kanë emra të përveçëm të familjes dhe data përgjatë brezave, emrat e piktorëve të cilët i kanë bërë ato portrete. Gjithçka këtu ngjall kureshtje të jashtëzakonshme, por do të ishte e pamundshme t’i ndiqje hollësitë e pafundme nëse, me humorin e tij aq të natyrshëm, duke krijuar situata gazmore të historive intime apo të thashethemnajave të dikurshme rreth personazheve më të famshëm të familjes, zotëri Staub nuk do të bënte që të mos ndihet aspak koha që kalon.

 

NJË PËRMBYLLJE GAZMORE DHE INTIME

 

I vjen radha pastaj një bufeje tejet të pasur dhe delikatesë e gjitha, me pjata të ftohta të shoqëruara me salca të ftohta, barishtesh e frutash egzotike, ku nuk mungon kurrë dimensioni i djathrave, plotësuar pastaj nga prania e personelit të kameriereve dhe kamarierëvet të shumtë, të cilët na ofronin disa lloje „hot dishes“ nëpër ca taska porcelani shumë elegante, e pastaj vijonin me verëra, shampanjë e deri tek dezertet, që ngjanin si piktura moderniste nga dekoracionet plotngjyra. Ne jemi në tavolinë me Bobin, mikun e vjetër të APES, gazetarin veteran të Reuters. Bisedojmë për familjet tona, për nipat e mbesat e Bob, për djemtë tanë, për krijimtarinë, për botimet, për librat, pastaj bisedojmë për Uellsin e tij, për Shqipërinë tonë, për keltët e tij dhe për pellazgët tanë, vendasit e parë të kontinentit të Evropës, për enigmën etruske dhe për enigma të tjera të historisë evropiane, për ilirët dhe të tjerët, të ardhurit më të hershëm të Evropës, për perënditë greke me emra shqip, për probleme të aktualitetit të sotëm botëror parë nga këndi i profesionit tonë të përbashkët. I gjithë ai ambjent i bukur plus shampanja na kishin frymëzuar të gjithëve, pa përjashtim.

Zonja Casanova vjen nëpër tavolinat e gazetarëve, me respekt, ngre dolli, shkëmben biseda të rastit me grupe të ndryshme. Pastaj zbresim të gjithë bashkë tek kopshti në oborrin e pasmë, aq panoramik në çdo stinë e në çdo lloj moti, po tejet marramendës sidomos në atë ditë magjike qershori. Kopshti është si një ballkon i madh i ngritur mbi anën e pjerrët të lumit Aare, i cili kësaj dite më shumë se kurrë, duket më i gjelbër se i kaltër, është tejet i bukur dhe sfidues, i vrullshëm e i harbuar si det me dallgë, madje pa asnjë mbresë pendese apo ndjesi mëkatfaljeje për ditët të tëra që ka dalë nga shtrati dhe i ka trembur banorët e qyteteve dhe fshatrave nga ka kaluar, i ka kërcënuar urat, i ka sfiduar pritat dhe ledhet. Tani Aare prehet këndellës duke na shplodhur sytë tanë që nuk i shqiten.

Këtu shërbehet kafeja, bëhen shkrepje të shumta fotografish – më vete, në grupe, në çifte, bëhen filmime. Në qendër është gjithnjë zonja Casanova, duke dhënë intervista apo deklarata për të interesuarit. Jemi duke kundruar Aaren teksa zonja Casanova na afrohet dhe ne vrik i japim përshtypjet dhe mbresat e kësaj dite, prej së cilës kishim marrë informacione pa fund për funksionimin e shtetit ligjor dhe demokracisë, por edhe ishim mahnitur për konstitucionin shpirtëror të vlerave dhe kulturën materiale të Konfederatës Helvetike. Kosova, Shqipëria, shqiptarët e shumtë të Zvicrës, gjithnjë e më shumë janë një dimension i këtij vendi veçanërisht mikpritës. Ne përfitojmë nga rasti dhe i dhurojmë disa nga librat tona, ndërkohë e falenderojmë për mënyrën kaq interesante, profesionale, por edhe fantastike se si e paraqet Zvicrën. Dhe fillojmë ta pyesim me shaka për takimin që do të vijë një vit më pas!

Në program, është paraparë edhe një vizitë tek Bären Graben, Gropa e famshme e Arinjve, një atraksion i përhershëm për turistët, e rinovuar tashmë. Jo më kot Berna, kryeqyteti administrativ i Konfederatës Helvetike ka si simbol Ariun prej nga e ka edhe prejardhjen e emrit, simbol që i shfaqet në stemën dhe flamurin e qytetit dhe që lidhet me një legjendë që daton shekullin XII, dhe prej shumë kohësh besohet se ariu është fatsjellës për bernezët. Po janë me fat edhe bernezët edhe zviceranët, porse që fatin e kanë ndërtuar me duart e tyre. Zvicra është një nga vend, ku shteti i së drejtës funksionin ashtu si duhet! Dhe ne shqiptarët e shquajmë shumë lehtë këtë fakt, sepse pas shpine kemi lënë një diktaturë të egër dhe një tranzicion torturues për popullin.

Ne preferojmë si gjithmonë që rrugën e kthimit për në stacionin e trenit, Bahnhof ta bëjmë në këmbë për të shijuar fillimmbrëmjen e kësaj dite qershori ku pranvera dhe fillimvera janë takuar së bashku. Dhe aty ndahemi, pjesa më e madhe e kolegëve për në Gjenevë, ne me Arletën, kolegen tonë braziliano-zvicerane, në pritje të trenit për në Bazel, patëm kohë për të pirë së bashku nga një gotë të ftohtë birre, duke lënë prapa kujtimin e një ditë të paharrueshme me përshëndetjen tonë tashmë klishe: Tschüss bis bald ! A bientôt ! Till the next time!

 

 

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Elida & Skender Bucpapaj, pioniere e Demokracise, Zvicra

Zvicra, 15 vjet me programin për kulturë në Ballkan

April 11, 2013 by dgreca

Përfundon programi 15-vjeçar zviceran për kulturë në Evropën Juglindore./

Në kryeqytetin e Bosnjës, në Sarajevë, do të mblidhen pjesëmarrës nga rajoni dhe Evropa, njerëz të kulturës, aktivistë, artistë e profesorë universitarë që marrin pjesë ose përkrahin projekte të kulturës dhe artit. /

Programi ka në fokus të enjten dhe të premten ekspozitën e fotografive të titulluar „Fytyrat e ndryshimeve” (Potraying the Change), e cila dokumenton projektet dhe rezultatet nga prania 15-vjeçare e programit zviceran për kulturë në rajon.
Programi artistik i zgjedhur për manifestimin përmbyllës përfshin pjesë nga projektet më të suksesshme në fushën e fotografive, artit vizual, teatrit dhe vallëzimit bashkëkohor. Disa nga projektet artistike do të jenë premierë në Sarajevë.
Të premten, më 12 prill, duke filluar në ora 19:30, në Galerinë “Java” në Sarajevë do të paraqitet me punimet e tij autori i njohur nga Kosova, Alban Muja.
Muja është përfaqësuesi më i suksesshëm i valës së re të artit bashkëkohor nga Kosova.
Ekspozita është titulluar “Naming”.
Po ashtu, më 12 prill, pjesëmarrësit në këtë organizim do të bisedojnë për prioritetet dhe sfidat e skenës së pavarur kulturore në rajon, si dhe për mundësitë e financimit të projekteve kulturore në të ardhmen.
Katër organizatave nga rajoni do t’u ndahen mirënjohje për zhvillimin e praktikave të mira dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në kulturë dhe art. Dy prej tyre nga Shkupi, Qendra për  Art Bashkëkohor dhe „Lokomotiva“
Për 15 vjet Zvicra ka investuar 22 milionë franga në skenën kulturore dhe përkrahjen e iniciativave në nëntë vende të rajonit.

Në mbi 3000 iniciativa kulturore dhe projekte në vendet e Ballkanit janë përfshirë në qindra organizime disa mijëra artistë. Këtë aktivitet përmbyllës të programit zviceran për kulturë e organizon Ambasada e Zvicrës në Bosnjë e Hercegovinë dhe Agjencia e Zvicrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Sarajevë.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: 15 vjet me Europen Juglindore, perfundon programin, Zvicra

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT