Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka raportuar paraditen e së martës në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare lidhur me ngjarjet e ndodhura së fundmi në Lazarat.
Në fjalën e tij, duke iu përgjigjur akuzave të deputetëve të opozitës se në fshatin jugor të vendit policia dhe RENEA ndërhynë pa plan veprimi, Tahiri ka thënë se, kriminaliteti i krijuar ndër vite në Lazarat nuk mund të asgjesohej për një vit, pavarësisht rezultatit të suksesshëm të arritur në operacionin e vitit të kaluar.
“Në Lazarat ishte krijuar një kriminalitet masiv. Vitin e kaluar policia i dha fund kultivimit masiv të drogës, vlera e të cilës arrinte në disa miliardë euro. Me paratë e drogës korruptohej Policia e Shtetit, drejtësia dhe vendimmarrja politike”, ka thënë Tahiri.
Ministri ka theksuar se, kur qeveria aktuale erdhi në pushtet gjeti një Shqipëri të zhytur në kultivimin e narkotikëve, gjë që sipas tij kishte pasoja të rënda në sigurinë publike, drejtësinë dhe politikën.
“Fluksi kriminal i atyre përmasave nuk mund të gjente zgjidhje pa operacionin e vitit që kaloi”, ka theksuar Tahiri, i cili sa i takon ngjarjeve të fundit, ku humbi jetën efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, ka thënë:
“Ajo që ndodhi ishte një ngjarje e rëndë, por që gjeti zgjidhjen e duhur me arrestimin e të dyshuarve. Ajo ishte diçka e organizuar dhe policia nuk kishte informacion as nga SHISH, por mori zgjidhjen më të shpejtë të mundshme”, ka shtuar Tahiri.
Ne komision ka pase debat te ashper mes pozites dhe opozites.