Rafaela Prifti/
Zëvendës Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës Donika Gërvalla-Schwarz u takua me bashkatdhetarë dhe përfaqësues të shoqatave të bashkësisë shqiptare në pritjen e dhënë nga Ambasadori Blerim Reka në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork të martën pasdite.
“Rrallë vijmë me lajme të mira,” tha ajo duke ju referuar kalimit të etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës një ditë më parë, i cilësuar si një hap historik. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë. Më tej kërkesa i përcillet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Javën e kaluar u shënua një tjetër arritje me vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ministrja Gërvalla tha se procesi i mëtutjeshëm do të lëviz më shpejt dhe se vënia në zbatim nuk do të jetë më vonë se data 1 janar 2024.
Duke cekur bojkotimin nga ana e serbëve të Kosovës të procesit zgjedhor të ditës së diel në katër komunat veriore, ajo vuri në dukje se nuk mund të ketë zmbrapsje. Për vijimin e dialogut, sic është konfimuar më herët, në datën 2 maj do takohen në Bruksel Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Kryeministri serb Vucic. “Ndërsa Kosova ka qenë dhe do të jetë partnere e besueshme, Serbia vazhdon lojën destruktive,” tha shefja e diplomacisë së Kosovës. Për sa i takon njoftimeve që përhapen në rrjetet mediale në lidhje me atë se cfarë mund të pranohet për të ecur procesi, Ministrja Gërvalla vërejti se Kosova nuk është penguese e dialogut por se nuk do të pranoj “asosacion me kompetenca ekzekutive”. Ajo tërhoqi vëmendjen për të qenë shumë të kujdesshëm në proces duke cilësuar se pjesëtarët e mërgatës janë “përkthyesit më të mirë” në cdo vend ju janë. Duke ju përgjigjur pyetjes për implikimet lidhur me gjykimin e nisur në Hage ndaj ish-pjesëtarëve të UCK-së , Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës u fokusua në faktin se Kosova nuk i është shmangur drejtësisë. Por ajo përmendi këtu një moment me rëndësi “që në hapjen e gjykimit në daten 3 prill është bërë diferencimi midis përgjegjësisë individuale dhe reputacionit të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.”
Në vijim Ministrja Gërvalla bisedoi me Anëtarin e Kryesisë dhe Arkëtarin e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra Besim Malota duke folur edhe për mundësitë e saj për të vizituar Vatrën. Bujar Gjoka dhe Dritan Matraku nga Shoqata Shqiptare Amerikane Bijtë e Shqipes, Filadelfia, të cilët kishin ardhur në pritjen me Zëvendës Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës shprehën vlerësimin për informimin me situatën si edhe “kënaqësinë nga takimet me personalitete dhe drejtues të shoqatave të tjera që kontribojnë për cështjen kombëtare këtu në diasporë.”
Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz do ta jap prezantimin e saj për këtë gjashtëmujor në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në 27 prill.