Nga Mimoza Dajçi/New York, 15 Dhjetor 2016. Mot i ftohtë, temperaturat shënonin minus nën zero gradë. Në një nga ambjentet e Federatës Pan Shqiptare “Vatra” në Bronx, Kryetari i saj Dr. Gjon Buçaj, priti në një takim pune Organizatën e Gruas The Women’s Oragnization “Hope & Peace”, (me kërkesën e tyre) të përfaqësuara nga zonjat Katerina Cima, Violeta Miraka, Drane Gjergji dhe Mimoza Dajçi. Kryetari “Vatrës” pasi i bëri një ekspoze të shkurtër veprimtarisë së “Vatrës” dhe mundësinë për anëtarësime të reja, foli për degët e reja të saj që janë ngritur edhe në shtete të ndryshme të Amerikës, si dhe përpjekjet që bën “Vatra” për të mbajtur gjallë frymën e atdhedashurisë, gjuhës dhe traditave të mira të popullit tonë. Z.Buçaj përmendi vitin e Faik Konicës dhe veprimtaritë që u mbajtën për nder të figurës së tij gjatë të gjithë vitit 2016, si dhe veprimtaria finale në Selin e “Vatrës”, me simpoziumin, Konkursin dhe Ekspoziten kushtuar Faik Konices. Ai u ndal tek Festa e Pavarësisë së Shqipërisë, që si traditë organizohet çdo vit nga “Vatra”, si një festë mbarë kombëtare e që ka vlera absolute për tu festuar së bashku si komunitet nën ombrellën historike të “Vatrës”. Organizata e Gruas “Hope & Peace” me një aktivitet tashmë të njohur në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve New York e më gjerë, vlerësoi pritjen e rezervuar nga ana e Kryetarit të “Vatrës” Dr. Buçaj, si dhe mirëpriti e dëgjoi me vëmendje bisedën e zhvilluar prej tij. Ato ishin të një mendimi se Festa e Pavarësisë duhet të jetë një festë e përbashkët pasi historikisht është festuar nga “Vatra” dhe paraardhësit e saj themeltar Noli dhe Konica. Më pas gratë përfaqësuese të organizatës së gruas parashtruan mundësinë e një Sesioni Përkujtimor të përbashkët me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Martires shqiptare Musine Kokalari. Dr. Buçaj e miratoi në parim si ide dhe premtoi se këtë aktivitet do ta mbështesi “Vatra”, do të zhvillohet në Selinë e saj dhe u caktua data 11 Shkurt 2016 për tu zhvilluar. Znj. Dajçi i kërkoi gjithashtu Kryetarit të “Vatrës” që brënda mundësive dhe njohjve që kanë me njerëz të njohur të biznesit shqiptaro – amerikan në SHBA, ti vinë në ndihmë për punësim grave dhe vajzave të komunitetit që ndodhen në vështirësi ekonomike.
Kryetarja Dajci, në emër të Organizatës së Gruas “Hope & Peace”, i dorëzoi Kryetarit të Vatrës tri “Mirënjohje” ; për Kryetarin Bucaj, zonjën e Tij Nikoleta dhe një për vatranin Zef Përndocaj.
Bronx, 15 Dhjetor 2016