Nga Agim Kola/Sapo u kthyem nga një vizitë e bukur në Universitetin e Bostonit, një ndër universitetet më prestigjiozë të Amerikës. Ndër ata që kanë mbaruar shkollën këtu është Martin Luther King Jr., Bill O’ Reilly, Geena Davis, Howard Stern, Jason Alexander, Julianne Moore, Marisa Tomei, William Cohen, Rosie O’Donnell, Samuel Adler, si edhe Noli ynë që mbaroi studimet doktoriale në degën e historisë, me dizertacionin mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbeun në vitin 1945.
Punonjësve e bibliotekës u bëri përshtypje kur ju tregova pak mbi jetën e Nolit, për gjuhët e shumta që zotëronte, për përkthimet që janë edhe sot më të arrirat nga Ibsen, Molier, Stendal, Shakespeare, Servantes, Omar Khajam, e Hugo, për dizertacjonin mbi heroin tonë kombëtar. Me shumë dashamirësi më drejtuan në katin e tretë, ku ndodhej vendi i caktuar me libra rreth Shqipërisë. Këtu ishin vëllimet e Durham-it, The Albanian National Awakening nga Stavro Skendi, La Nazione Albanese nga Eugenio Vaina, Press Information Report on Albania, dhe të tjera.
Por sigurisht prekja me dorë e veprës së Nolit ishte sikur të bisedoje me mjeshtrin e penës vetë. Ndërkohë që shfletoja punën e tij, më erdhi nëpër mend se ky është i vetmi studim mbi Gjergj Kastriotin që është i aprovuar nga historjanët profesorë të universitetit. Vatra e botoi këtë punë të rëndësishme në gusht të vitit 1947, por që nga ajo kohë, kanë humbur pothuaj të gjitha kopjet.
Vendosa ta pyes mjeshtrin e penës me imagjinatën time.
Pyetje: Çfarë mendoni për shqiptarët në përgjithësi Imzot Noli?
Dhe Noli u përgjigj:
Anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.
Pyetje: Cili është mendimi juaj rreth flamurit tonë:
Përgjigjet Noli:
Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
Pyetje: Cili është mendimi juaj për Bajram Currin?
Përgjigjet Noli:
0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë. (Shpell e Dragobisë)
Pyetje: Po për Luigj Gurakuqin?
Përgjigjet Noli:
Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor. (Elegji per Luigj Gurakuqin)
Pyetje: Cili është vizioni juaj për Shqipërinë dhe shqiptarët:
Përgjigjet Noli:
Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë. (Jepni për nënën)
Kur po kthehesha në New York, po mendoja se pse ne jemi të këqinjtë e vetvehtes, dhe pse nuk ka një fondacion për botimin e veprave me kërkime dhe hulumtime historike, dhe ndihmë financjare për studentët më të talentuar. Vatra jep një mundësi të vogël në këtë drejtim, por duhet bërë më shumë. Armiqtë tanë i kanë fondet jo vetëm për të studjuar historinë e tyre, por edhe për të bërë çmos që historia jonë si shqiptarë të mos egzistojë. Rasti i historjanit kroat Milan Šufflay që u vra nga serbët në mënyrë barbare ngaqë po nxirrte në dritë fakte historike në favor të Shqipërisë se Mesjetës na tregon qartë qëllimin e armiqve tanë.
Lobi grek ka filluar aktivitetin në US qysh me 1768. Qëllimi: promovimi i interesave nacjonale të Greqisë në Kongresin Amerikan, dhe të bashkojë komunitetin grek kudo që janë në Amerikë me organizatat e tyre të fuqishme si American Hellenic Educational Progressive Association (AHEPA), The Hellenic Society “Paideia,” Greek-American Foundation, National Hellenic Society, Onasis Foundation, Hellenic Times Scholarship Fund. Kanë përfaqësues në Federal level, State level, e Local level, si psh. Sherley Berkley, Gus Bilirakis, Michael Bilirakis, John Brademas, Michael Dukakis, Nick Galifianakis, George Gekas, John Negroponte, John Podesta, Jen Psaki, George Tenet, etj.
Lobi serb përfaqësohet me Melissa Bean, Rod Blagojevich, Mark Brnovich, Helen Delich Bentley, George Voinovich, Rose Ann Vuich, Michael Stepovich etj. Kur e panë që s’mundën ta marrin Kosovën me forcë, futën kalin e Trojës, vehabizmin ekstremist, duke e paraqitur Kosovën ndryshe nga ç’ishte në 1990.
Lobi turk në vitin 2009 ka shpenzuar 1.7 miljon dollarë për çështjet turke dhe për çështjet e Lindjes së Mesme, së bashku me Arabët. Ish anëtari i Kongresit Dick Gephardt dhe Bob Livingston punojnë në favor të Turqisë. Turkish Coalition of America (TCA) është një ndër organizatat që punon për këtë qëllim.
Po ne shqiptarët ku jemi? Sa i fortë ështe lobi shqiptar në Kongresin Amerikan? Vetëm me mbështetjen e ish anëtarit të Kongresit Joseph DioGuardi dhe Senatorit Elliott Engel? Sa të suksesshëm janë politikanët shqiptarë të zgjedhur në zyrë në mbledhjen e fondeve, jo vetëm për t’u rizgjedhur, por në shërbim të çështjes kombëtare? Sa ka investuar qeveria shqiptare në këtë drejtim për forcimin e interesave shqiptare në diasporë? Cfarë plani afatgjatë ka qeveria jonë në lidhje me këtë problem jetik? Sa i lidhur dhe i organizuar është komuniteti shqiptar në Amerikë? Sa lufton ai për rrënjosjen serioze të vlerave dhe ruajtjen e simboleve kombëtare?
Më bën përshtypje se si mburremi ne shqiptarët me njëri-tjetrin, se si i nxjerrim të gjithë me origjinë shqiptare, duke filluar me udhëheqësit e botës, dhe duke mbaruar me artistët e sportistët, a thua se nga kjo do të shpëtojmë. Mendoj që kjo vjen nga një mungesë e të besuarit në vetvete (self esteem). Tregohemi patriotë të flaktë me njëri-tjetrin, por nuk shkojmë më tutje. Historia nuk bëhet me broçkulla e thashetheme, por me fakte të bazuara, të vërtetuara dhe të servirura në gjuhët ku mund të debatosh me studiuesit botërorë të kësaj teme. Gjithashtu, nuk është mjaft që të dish historinë, por duhet edhe ta bësh brezin e ri të interesuar për mësimin e historisë, gjuhës, muzikës e traditave tona, që i kemi sa të lashta, aq edhe të rralla. Shumë pak bëhet në këtë drejtim. Nuk ka aspak organizim dhe dëshirë për këtë punë. Një shtëpi kulture do të ishte e nevojshme për komunitetin tonë, ku do të mësohej gjuha, historia, muzika, vallet, dhe do të zhvilloheshin aktivitete të ndryshme letraro-artistike.
Ju që i kini mundësitë financjare, ju bëj thirrje të jepni për edukimin e brezave të rinj, që në të ardhmen edhe ne të kemi shqiptarë përfaqësues në politikën amerikane. Krijoni institucjone të vërteta, që të jenë në shërbim të shqiptarizmit dhe të shërbejnë në ruajtjen e konsolidimin e vlerave nacjonale. Sot, kur figurat tona kombëtare po merren nëpër këmbë, a nuk do të ishte me vend botimi i veprës së Nolit mbi Gjergj Kastriotin përsëri? Noli po të ishte gjallë ndoshta do të thoshte:
“Jepni për kisha e xhami
Por jepni edhe për dituri
Se pa gjuhë e dituri
Nuk mund të ketë Shqipëri”!