
Driton Sinishtaj/
Mbrëmë, në ambientet e restorantit “Ciao”, në pronësi të bashkatdhetarit tonë malësor Zef Gjelaj, u zhvillua mbrëmja tradicionale fondmbledhëse e Shoqatës “Malësia e Madhe” në New York. Është një traditë pothuajse gjysmëshekullore, mbledhja e komunitetit malësor të New Yorkut çdo fundvit për të kontribuar financiarisht në mbështetje të vendlindjes sonë, Malësisë. Fondet e grumbulluara menaxhohen nga Shoqata “Malësia e Madhe” dhe përdoren për projekte zhvillimore, kulturore, arsimore e humanitare, si dhe për organizimin e aktiviteteve që nderojnë historinë, heronjtë dhe trashëgiminë tonë kombëtare.
Shoqata “Malësia e Madhe” është një nga shoqatat më të vjetra shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe një shtyllë e rëndësishme e kontributit të diasporës malësore. Ajo ka qenë element kyç e lobimit dhe e mbështetjes materiale për çështjen shqiptare, përfshirë edhe angazhimin e drejtpërdrejtë të anëtarëve të saj në Luftën Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë 33 viteve të veprimtarisë, shoqata ka kaluar vlerën e 10 milionë dollarëve kontribute, ka ndarë mbi 1000 bursa për studentë, ndërsa vetëm gjatë viteve 2024–2025 diaspora malësore ka grumbulluar mbi 2 milionë dollarë.
Ndër projektet më të rëndësishme që janë filluar nga Malësorët në ShBA gjate dy viteve të fundit janë mbi 400 mijë $ për ndërtimin e TV Boin; rreth 150 mijë $ për monumentin e viktimave malësore të vitit 1941; kontribute të konsiderueshme për rindërtimin e shkollave në Skorraq dhe Kshevë; mbi 220 mijë $ për rikonstruksionin e rrugës së Pashkallës; mbi 100 mijë $ për hapjen e qendrës zjarrfikëse në Triesh; mbi 600 mijë $ për ndërtimin e kishës katolike në Kakarriq; 180 mijë $ për përmendoren e Gjergj Kastriot Skënderbeut në qendër të Malësisë, mbi 200 mijë $ bursa për studentë dhe familje në nevojë dhe shumë e shumë projekte tjera lokale, arsimore, kulturore dhe sportive që janë përkrahur në vendlindje.
Vetëm mbrëmë, diaspora malësore e New Yorkut kontribuoi me 100 mijë dollarë, duke dëshmuar edhe një herë solidaritetin, përkushtimin dhe përgjegjësinë ndaj Malësisë dhe çështjes kombëtare shqiptare.
Takimin e përshëndetën kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe” në New York, z. Senad Lulanaj, si dhe veprimtarë të njohur të diasporës malësore: Nikollë Junçaj, Gjekë Gjonlekaj, Rasim Nikaj, Niki Bojaj, Vasel Ulaj, ndërsa kontributdhënës kishte nga të gjitha trevat shqiptare. Faleminderit të gjithë kontribuesve! Jemi dhe do të mbetemi gjithmonë pranë Malësisë dhe çështjes shqiptare.