TAKIMI NË WORCESTER- MINISTRI MAJKO NUK ERDHI PËR TË KRIJUAR LIDHJE TË SINQERTA BASHKËPUNIMI/
LETËR NË REDAKSINË E DIELLIT /
Z.Editor/
Isha në takimin që u organizua Worcester, por nuk do të të shkruaj gjatë për takimin me z. Pandeli Majko, ministrin e Diasporës dhe zonjën Floreta Faber, ambasadore e RSH në SHBA, por sa për informim mund të të them se z. Majko nuk erdhi për të krijuar lidhje të sinqerta bashkëpunimi me gjithë shtresat e diasporës. Nga ato që pashë e dëgjova mendoj se edhe ky socialist është i papendueshëm, nuk i kritikon dot krimet që ka bërë nëna parti (PKSH / PPSH).
Aty nga ora 6:00 PM, grupi që organizoi pritjen në godinën “Illyrian Gardens” ma solli mua në apartament z. Majko, z-njën Faber dhe nja dy shoqërues të tyre dhe një gazetar të “Telegram & Gazette” për vizitë që të shihnin si janë apartamentet e kësaj godine, ku jetojnë dhe shumë pensionistë shqiptarë me 30 % të të ardhurave. Pasi e qerasëm sipas zakonit i dhurova një kopje të librit tim të ri, duke i shkruar si dedikim: “Z. Pandeli Majko me respekt një dhuratë për të njohur më mirë disa vlera të diasporës sonë”.
Me gojë i thashë: Këtu ka shkrime për Ismail Kadarenë, Visar zhitin, Pëllumb Kullën, për Dritëro Agollin e të tjerë”. Urdhëroni dhe këtë letër ku keni disa pyetje e kërkesa që mendoj t’u përgjigjeni sonte në darkë. E mori letrën dhe e futi në xhep, kurse librin ia kaloi dikujt për ta ruajtur.
Ai tha: “E more vesh që vdiq Dritëroi.”
“Po i thashë, por bëri gabim që nuk falet, vdiq i papenduar. Nuk shkoi në Librazhd të vinte një tufë me lule tek monumenti, që u krijua për dy poetët e pushkatuar nga diktatura kur ai ishte kryetar i Lidhjes”.
Për ta justifikuar Dritëroin, shtoi: “Po, ishte i sëmurë.”
“Memoriali ishte krijuar 7 vjet para se të sëmurej Dritëroi, shtova unë. Po të mos evoluojmë ne që u formuam gjatë diktaturës është mëkat, se rinia ecën në rrugë pa krye.”
Deshi të ngrihej, por ime shoqe i nxori librin e poetes Luljeta Lleshanaku “Negative space” botuar tani shpejt në Londër dhe i tha: “vajza jonë e ka përkthyer këtë libër në anglisht dhe është vlerësuar me “English PEN Award”.
“E kam dëgjuar Luljeta Lleshanakun, tha ai, pastaj na uroi për vajzën dhe u ngrit e iku”.
Në darkën qi iu dha tek kisha “Fjetja e Shën Marisë” m’u afrua z-nja Irisa Arizi, Drejtore e kabinetit të tij (ajo që mori librin tim për ta ruajtur e për t’ia dhënë më vonë Majkos). I thashë kësaj zonje: “Ministria juaj duhet të jetë e depolitizuar, nuk duhet të ketë aty asnjë socialist e ish komunist. Duhet të merrni në punë edhe djem e vajza nga diaspora që mund të punojnë shumë mirë për t’ju ndihmuar seriozisht.” Ajo nuk u përgjigj.
Pastaj i fola për gazetarin e talentuar Astrit Lulushi, që shkruan shkurt dhe me përmbajtje filozofike. Ajo tha se nuk e kishte dëgjuar emrin e tij. I thashë të lexonte te “Dielli” shkrimin tim për Lulushin. Më tha se z. Majko ka në plan të shkojë në Washington DC dhe te jape nje interviste dhe ne VOA…
Gjate darkes, z. Majko tregoi si u prit andej këtej, iu bënë pyetje dhe ai u përgjigj, por pyetjeve të mia nuk iu përgjigj asnjërës. Kur dikush i tha se fëmijët tanë kanë frikë të vijnë në Shqipëri mbasi dëgjojnë në lajmet për shumë vrasje, vjedhje e krime të ndryshme. Z. Majko tha: Mos ua vini veshin lajmeve, edhe këtu në Amerikë ndodhin vrasje e krime, po Amerika vizitohet pa asnjë pasojë të keqe. Kështu dhe në Shqipëri askush nuk do të pësojë gjë, ejani se do të kënaqeni!
Po z. Majko harron se në Amerikë ndodhin vrasje e krime, por në raport me popullsinë e Shqipërisë, ato janë shumëfish më të pakta se vrasjet e krimet që ndodhin në Shqipëri.
Darka kaloi mirë dhe të ftuarit u larguan të kënaqur, por mendoj se z. Majko u zbulua se është soc-komunist i parinovueshëm. Nuk bëri autokritikë për ato fjalët “Kolaboracionistë e syretër” si e ka quajtur diasporën dikur, përmendur prej Frank Shkrelit dhe prej meje në shtypin shqiptar të këtushëm të këtyre ditëve. Më duket se Ambasada jonë i kushton shumë pak vëmendje materialeve që botohen në gazetat “Dielli dhe “Illyria” dhe nuk vë në dijeni qeverinë shqiptare për mendimet e rëndësishme që publikohen në këto dy gazeta.
Në rast se do ta ftoni në shoqërinë Vatra, mendoj që ta pyesni:
“Pasi bëtë vizitat në Greqi, Itali e SHBA a jeni penduar që i keni quajtur bijtë e diasporës “kolaboracionistë dhe suretër”?
“A është ministria juaj e depolitizuar, pa anëtarë të Partisë Socialiste?”
“A keni në plan të kërkoni elementë të aftë për të punësuar në ministrinë tuaj nga bijtë e bijat e diasporës?”
Gjithë të mirat,
Thanas L. Gjika
***
Ja si e paraqiti faqa zyrtare e Ministrit të Diasporës vizitënb në Worcester
***
Vizita në Worcester, z. Majko nderohet me Çelësin e qytetit/
Në shenjë mirënjohje për kontributin e komunitetit shqiptar në qytetin e Worcester në Massachusetts , kryebashkiaku i këtij qyteti z. Joseph Petty e nderoi Ministrin e Shtetit për Diasporën me Çelësin e Qytetit. Z. Pandeli Majko vizitoi të martën qytetin ku jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, i shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë ne SHBA, znj. Floreta Faber.
‘Është kënaqësia ime t’ju dorëzoj juve Çelësin e Qytetit të Worcester, në shenjë mirënjohjeje për vizitën tuaj në këtë qytet. Shpresoj të jetë e qartë se banorët shqiptarë të Worcester janë një pjesë jetësore dhe me shumë vlerë e qytetit tonë dhe ne ju falenderojmë që na nderuat me praninë tuaj këtu”, thuhej në deklaratën e dorëzimit të Çelësit simbolik të kryebashkiakut të Worcester.
Aty theksohej se shkëmbimet kulturore janë tepër të rëndësishme për të ruajtur paqen dhe prosperitetin.
Ministri i Shtetit për Diasporën shprehu mirënjohjen për vlerësimin dhe falenderoi autoritet lokale të qytetit për përpjekjet e tyre në mbështetje të komunitetit shqiptar. Gjatë qëndrimit në Worcester, z. Pandeli Majko vizitoi qendrën ‘Ilirian Garden’, e konceptuar si një shtëpi për brezin e tretë pikërisht nga emigrantë shqiptarë. Ministri u takua me drejtuesin e qendrës, z. Gregory Stefan, i cili vlerësoi kontributin e dhënë nga komuniteti shqiptar në ndërtimin e shtëpisë për të moshuarit.
Më pas, delegacioni shqiptar zhvilloi një vizitë në Kishën Ortodokse të shqiptarëve St. Mary’s Assumption.