Grupi parlamentar i PD-së dhe trupa e krerëve të degëve në rrethe ka vendosur mbrëmë mbajtjen të enjten të një proteste të jashtëzakonshme, për largimin e kreut të parlamentit dhe për hapjen rrugë të një procesi të gjerë për dekriminalizimin e jetës publike/
Partia Demokratike ka vendosur të nisë protestat, të enjten e javës së ardhshme. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi mbrëmjen e djeshme, një mbledhje të jashtëzakonshme, ku vendosi lidhur me qëndrimin që do të mbajë selia blu mbi situatën e krijuar, pas deklaratave të deputetit të përjashtuar nga PS, Tom Doshi. Strukturat në PD, degët në rrethe dhe grupi parlamentar kërkuan mbajtjen të enjtjen me 12 mars, një protestë masive në Tiranë, për të nxitur dekriminalizimin, deri në largimin e Ilir Metës nga detyra pas akuzave që bëhen ndaj tij për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Protesta do të bëhet edhe në kuadër të pasigurisë së madhe në vend, kundër kriminalitetit, tritolit e atentateve që kanë cenuar sigurinë e jetës. Protesta do të jetë dhe zëri i qytetarëve kundër varfërisë, papunësisë e padrejtësive të përditshme të qeverisë, sidomos me faturimin abuziv të energjisë që po krijon drama sociale. Partia Demokratike akuzon ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për fshehje të krimit dhe për negociata private me personin, që sipas Doshit pretendon se i ka rrëfyer se i është kërkuar të vrasë kundrejt pagesës dy deputetët të Kuvendit të Shqipërisë.