Nga Ilir LEVONJA-1-A laj pjata?Po vëlla, pjata laj sa bretku më bie. Kam korrur edhe bar e pastruar gjerdhishte. Haletë kam pastruar. Dhe nuk më ka ardhur turp. Nuk kam parë as majtas e as djathtas, nëse po më shikon ti a kush tjetër që më njeh e më tall nëpër tavolina. Por kam kuptuar se sa shumë e dashka punën njeriu edhe kur lanë haletë. Hamall kam punuar. Bojaxhi krahu se nuk i blija dot takëmet menjëherë. Në vend të tyre kam përdorur thonjtë. Me turne kam punuar e punoj. Në fund të fundit inxhinjerët, arkitektët a shefat e zyrave ishin këtu para se të vija unë. Por dyert nuk m’i kanë mbyllur. Më kanë ofruar edhe shefllëkun veç me punë, me standartet sociale të karrierës, jo me skuthllëkun e mikut shqiptar. Me tarifën në dorë etj. Jam me fat që jam pjatalarës këtu, se sa kontigjent i atyre që hanë fara luledielli rrugëve të vendlindjes dhe mendojnë se kur do ikin, ku do venë, kush do i presi etj. A laj pjata? Po vëlla, por jam rob i Zotit, i lirisë time. Madje më i fortë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara.
2) Kurrë në Shqipëri nuk është diskutuar kaq gjatë, mbi zgjedhjet Amerikane se kësaj here. Ka ditë të tëra që studiot janë plot. Dhe për më tepër dërrmuese për faktin se një vend i ndarë juridikisht në pesë ngjyra, nga inatet personale të unit otoman, i degraduar ekonomikisht, i rrëzuar moralisht pasi akoma ka në krye institucionalistë të regjimit, debaton zgjedhjet amerikane. Eshtë tmerrësisht e dhimbshme kur shikon zellin si nga një komentues gjoja i majtë, ashtu dhe një gjoja po i djathtë, mbi palët me gjoja homologet në vendin me demokracinë më të konsoliduar. Të jeni të sigurtë, nuk keni asnjë lidhje. Nëse do kishit lidhje, sot studiot e Shqipërisë sfidës amerikane, pra zgjedhjeve do i kushtonin një orë punë dhe kaq. Koha tjetër do ishte mbi programet e suksesit nga ekonomitë e konsoliduara, nga demokracitë e tilla ku baza e progresit është rotacioni dhe balancimi i pushtetit. Por kjo nuk ndodh. Madje as si shoqëri nuk keni asnjë lidhje. Këto janë të tjera çoka që u bien kokës. Nëse fiton Biden apo Trump nuk ka asnjë ndryshim. Biles më mirë kur fiton kundërshtari. Rotacioni është shëndet, por kujt ia thua. Nuk ka ndryshim për Shqipërinë për faktin e thjeshtë, pasi ne duhet të kuptojmë një herë e mirë se përpara se të na ndihmojnë të tjerët, duhet të ndihmojmë ne vetveten. Pra shkurt, mos u merrni me faktin se kush ka fituar, se kanë vjedhur votat apo jo? Por sheshoni problemet tuaja siç edhe bën shoqëria amerikane. Qoftë me masa, qoftë me studio, qoftë me ligj.
3) Cilat janë problemet tuaja? A mund t’i përmbledh në pak radhë? Asesi. Gangrena fillon kur një analist i/e majtë, quan dështim adresimin në gjykata të kundërshtarit që duket se po humbet. Në vendin tonë ky i/e majtë nuk i dhemb fakti që vendi i tij nuk ka gjykata. Por e shqetëson fakti që ai që po humbet zgjedhjet do i drejtohet gjykatës. E shqetëson sepse i dhemb ajo që po i prishet imazhi i fairplay-it amerikan. E quan absurde vjedhjene votës në Amerike dhe normale në Shqipëri. Dhe ky standart shqiptar është sa i ligjshëm aq edhe i moralshëm. Shkurt një neveri, një mendësi që nuk i duhet vendit. Zoti ju ndimoftë e t’i jashtqitni menjëherë se ndryshe regresi vazhdon. Ashtu sikur një i/e djathtë i bie gërrnetës mbi vjedhjet. Mbi meritat e Trampit karshi Shqipërisë dhe Kosovës. E para Trampi na ngjiti pullë poste me vendet e lindjes së mesme, na cilësoi si vend mysliman. Na futi në atë shpurën e mendësisë që po na ha të gjallë, që akoma na mbyt në kalendat e botës si vend me përqindje të lartë myslimane. Ne bash bregu i mesdheut, një përzierje me adrelinë të theksuar si kur pimë raki, si kur debatojmë, si kur predikojmë Krishtin, Muhametin, apo dhe sektet e tyre. Aq sa harrojmë që jemi shqiptarë.
4) Amerika ka sot problemet e veta. Ato janë të shumta. Por marrin zgjidhje. Ne duhet të na shqetësojnë problemet tona, ato që kurrë nuk marrin zgjidhje. Duhet të na shqetësoj përshembull se si liderët tanë me paratë tuaja, të cilat i qarkullojnë me metoda tenderimesh, paguajnë shuma të majme për një foto me presidentin e Amerikës. Qoftë ky demokrat apo republikan. Duhet të na shqetësoj fakti pse jemi radhitur me zellin e të majtit të kulluar apo të djathtit kristal, respektivisht në Biden e Trump. Lërjani amerikanëve këtë zanat se e bëjnë shumë mirë. Sot të ngjisin në krye, nesër të zbresin poshtë. Po ne, a e bëjmë?
5) Tramp erdhi në pushtet me premtimin se do ta bënte Amerikën të madhe si koha e dikurshme. E madhe në kuptimin e jetueshmërisë jo gjeografisë. Pra punë me shumicë, para, ekonomi.
Një Amerikë që të minimizonte vrimat e zeza nëpër botë ku shkojnë shuma të konsiderueshme dollarësh, ku ndodhin konflikte ushtarake etj. Për më tepër që vendi prej kohësh mbante sytë tek krahu i punës nga Kina. Luftoi politikat sociale të paraardhësit etj. Që për konceptin kapitalist amerikan, janë si ato në vendet socialiste. A i bëri? Nuk ka asnjë rëndësi përgjigja. Ose ajo mund të jetë tek rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Por si t’ja bëjmë ne shqiptarët, kur dështimin e vet shtetari ia hedh atij tjetrit. Si përshembull Francës kur vendos veton e jo-së, Hollandës po ashtu. Dhe në zgjedhjet pasardhëse ky dështak fiton akoma.
6) Ky tjetri ka ardhur me premtime sociale që janë thuajse të natyrës së djathtë, për taksa më të forta dhe siguracione mjeksore më gjithëpërfshirëse. Vjen edhe nga tradita e Amerikës që vë dorën në plagë ku ka konflikte. Ne na duket se do zgjidhi një herë e mirë çështjen e Kosovës. Dhe ajo që të ngjall krupën këtë ide e suportojnë takëmi i nomeklaturës. Të ashtuqujturit gjoja të majtë në Shqipëri. Ku referuar viteve pas luftës së dytë botërore, qeverisjes së tyre, janë pikërisht ata që e dorëzuan pa kushte Kosovën. Sot atdhetarizmi është boria motorike e tyre. Dhe kjo ka vetëm një emër, neveri.
7) Si përfundim Shqipëria dhe shqiptarët duhet të kuptojnë një gjë, ajo çka na duhet nga Amerika është modeli dhe jo koha e djegur duke u marrë me Trump e Biden. Jo retorikat bajate dhe fyese që degradojnë deri në plane personale, deri në edukatën bajate shqiptare se kush je ti, sa di ti, kë ke lexuar, po ta them unë, ti gënjen. Apo zelli urdhërues pusho, mos më ndërpre se ta dhashë kokës etj. Mund të dish shumë, mund të kesh lexuar shumë, por asgjë nuk ka dobi nëse nuk ka vullnet të mirë dhe liri reciproke mendimi. Asgjë nuk bën dobi nëse bëhesh palë me atë që do të poshtëronte edhe ty po të ishe në vendin e atij që po poshtëroni. Kurse për një shoqëri asgjë nuk ka dobi kur nuk dominon balancimi i pushtetit, rotacioni, e mbi të gjitha ligji. Me zë ulët po ua kujtoj se Amerika këto i ka, po ne a i kemi?
Të fala me shëndet nga vëllai që lanë pjata…