-Kundërshtari i tij është afrikano -amerikani 44-vjeçar, Jamaal Bowman, një drejtor shkolle të mesme, i cili ka siguruar mbështetjen e krahut të majtë ekstrem të Partisë Demokrate, përfshirë Senatorin Bernie Sanders, Senatores Elizabeth Warren, kongresmenes Alexandra Ocasio-Cortez dhe të tjerë, madje ai ka siguruar edhe mbështetjen e gazetës së madhe të Nju Jorkut, “The New York Times”./
Mik u mirë njihet në ditë të vështirë/
Shkruan: Frank Shkreli/*
Thonë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë. Në ditët më të vështira, Kongresmeni demokrat nga Nju Jorku, Z. Eliot Engel, ka qenë dhe vazhdon të jetë mik shumë i mirë i shqiptarëve për një kohë të gjatë. Për aq gjatë, në të vërtetë, sa shpeshëherë e pyes veten, se si nuk u lodh ky ligjvënës amerikan me ne dhe me gomarllëqet tona shqiptare, me konflikte politike midis partive dhe udhëheqësve të këtyre partive shqiptare, me korrupsionin, me shkeljet e lirive bazë të njeriut, përfshirë lirinë e medias, dështimit të ndërtimit të një shteti ligjor, dhe të tjera halle që, kryesisht, shqiptarët po ia shkaktojnë vetvetes këta 30-vjetët e kaluara. Lista është shumë e gjatë e problemeve që po pengojnë seriozisht shtet-formimin, duke detyruar shqiptarët të largohen masivisht nga trojet e veta, si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria. Kurdoherë që politikanët shqiptarë vizitojnë Washingtonin, nuk largohen kurrë pa u ndaluar tek miku i shqiptarëve, Kongresmeni Eliot Engel, për t’u konsultuar me të dhe për të marrë edhe fotografi, pasi ata janë të vetëdijshëm për popullaritetin e Z. Eliot Engel në radhët e shqiptarëve, anë e mbanë trojeve tona, si njëri prej mbështetësve më të vendosur dhe parimorë, që kemi pasur ndonjëherë në Washington. Po, po, kemi pasur edhe mbështetës të tjerë të njohur të politikës amerikane, nga presidentë e senatorë e deri tek kongresmenë gjatë viteve, kontributin e të cilëve për të drejtat e shqiptarëve, kur shqiptarët ishin në orën më të zezë të historisë së tyre, unë dhe të tjerë, jemi përpjekur t’a vemë në dukje, nga koha në kohë. Shumë prej tyre janë larguar nga politika për arsye moshe, disa kanë ndërruar jetë, e disa të tjerë kanë humbur interesin e tyre të dikurshëm për çështjet shqiptare, qoftë për mungesë të aktivizimit të komunitetit shqiptaro-amerikan, qoftë se pse ndoshta konsiderojnë se Shqipëria, është e lirë nga komunizmi dhe Kosova është çliruar nga okupimi serb dhe sot gëzon pavarësinë dhe si përfundim, nuk kanë më nevojë për një angazhim si dikur. Por, mund të them me bindje të thellë, se si asnjë tjetër politikan amerikan, megjithë qëllimet e mira të tyre dhe punës së tyre të mirë në favor të shqiptarëve gjatë viteve, nuk ishte si Kongresmeni Eliot Engel, i cili e ka trajtuar çështjen shqiptare me seriozitetin më të madh, si një kauzë morale, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare të tijën , si një çështje e dinjitetit njerëzor. Për më tepër, Eliot Engel, njëri prej demokratëve më të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, mbetet sot pothuaj i vetmi ligjvënës amerikan, si njohës i mirë i problemeve shqiptare në Ballkan dhe mbështetës i vendosur i interesave kombëtare shqiptare, në pozitën e tij të lartë si Kryetar i Komisionit të fuqishëm të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme. Në këtë kapacitet, ai vazhdon të jetë i angazhuar me punët shqiptare dhe nuk demoralizohet nga politikat dhe të bëmat dhe të pa bërat e kësaj klase politike shqiptare të dështuar, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, por mbetet gjithnjë optimist, për një të ardhme më të ndritur për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.Në këto kohë të turbullta kombëtare dhe ndërkombëtare, Eliot Engel ka thënë se “Shtetet e Bashkuara janë më të forta në skenën globale, kur ne zhvillojmë një politikë të jashtme të rrënjosur në vlerat thelbësore amerikane – në mbështetjen për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.” Një kampion i vërtetë i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, Eliot Engel ka qëndruar dhe vazhdon të jetë pranë shqiptarëve kudo dhe gjithmonë, bazuar në këto parime të politikës së jashtme amerikane. Por, sot, Kongresmeni Eliot Engel, ka nevojë më shumë se kurrë, për mbështejen e miqëve të tij shqiptarë-amerikanë, sidomos të atyre shqiptarëve që jetojnë e punojnë dhe që kanë të drejtë vote si anëtarë të Partisë Demokrate në zgjedhjet paraprake në distriktin e tij elektoral, më 23 qershor 2020. Z. Engel ka nevojë urgjente për votën e secilit shqiptar e shqiptare me të drejtë vote në distriktin electoral, për anëtar Kongresi. Kurrë mos mendoni se vota jote është vetëm një votë dhe si e tillë nuk ka rëndësi. Sot miku ynë i madh, Eliot Engel, gjendet përballë një dite të vështirë në jetën e tij politike dhe ka nevojë për ne, si individë dhe si komunitet shqiptar -amerikan, sepse ia kemi borxh, për të gjitha ato që ka bërë për ne, gjatë 30-viteve të tij në Kongresin e Shteteve të Bashkua dhe jashtë tij!
Ka ardhur koha që shqiptarët t’i gjenden pranë dhe të ndihmojnë mikun e tyre Eliot Engel-in, në ditën e tij të vështirë. Me 23 qershor, mbahen votimet paraprake për të zgjedhur kanditatin e Partisë Demokrate për Kongres, i cili do të përballet me kandidatin republican, në nëntor. Kandidati demokrat që do zgjidhet këtë të martë, qoftë Z. Engel, qoftë kundërshtari i tij demokrat do jetë i sigurt, se do fitojë zgjedhjet e nëntorit, kundër kandidatit republikan, pasi ky distrikt zgjedhor banohet me një përqindje dërmuese demokratësh. Kështuqë, votimet ditën e martë janë kritike për Z. Engel. Analistët thonë, se për herë të parë në 30-vjet, (Kongresmeni Engel është zgjedhur në Kongres për herë të pare, në vitin 1989), Z. Engel gjendet përballë sfiduesit më serioz të karierës së tij politike nga radhët e Partisë Demokrate. Kundërshtari i tij është afrikano -amerikani 44-vjeçar, Jamaal Bowman, një drejtor shkolle të mesme, i cili ka siguruar mbështetjen e krahut të majtë ekstrem të Partisë Demokrate, përfshirë Senatorin Bernie Sanders, Senatores Elizabeth Warren, kongresmenes Alexandra Ocasio-Cortez dhe të tjerë, madje ai ka siguruar edhe mbështetjen e gazetës së madhe të Nju Jorkut, “The New York Times”. Mbështetjen për Kongresmenin Eliot Engel, lajmeve të fundit, e kanë shpallur tanimë, ish-senatorja dhe ish-kandidatja për president, Hillary Clinton, Senatori aktual demokrat i Neë Yorkut, Chuck Schumer dhe të tjerë. Sipas një sondazhi të ditëve të fundit, kundërshtari i Z.Engel, udhëheq tani për tani, me 10 për qind (41-31) ndërsa, 27 për qind e votuesve, mbeten ende të pavendosur se për cilin kandidat do të votojnë të martën më 23 qershor.Shqiptaro-amerikanët me të drejtë vote, që jetojnë e punojnë në këtë distrikt elektroal, mund të bëjnë ndryshimin e këtyre numrave, me qëllim që të sjellin Kongresistin Eliot Engel, edhe për një mandat tjetër në Kongresin e Shteteteve të Bashkuara. Shqiptarët, kudo qofshin kanë ende nevojë për angazhimin e tij të mëtejshëm me çeshtjet dhe kauzat tona, të cilat ai i ka promovuar dhe i ka mbështetur si asnjë tjetër ligjvënës në Ëashington. Duhet të jemi të vetëdijshëm se nëqoftëse humb Kongresisti Engel në këto zgjedhje, shqiptarët do të humbasin shumë si komunitet këtu në Amerikë, por do ta pësojnë keq, edhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithësi, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe me Kosovën në veçanti. Nuk do të ketë më një zë në Kongresin amerikan që t’i thotë kësaj administrate, ose një tjetre nesër, ndal! kur punët nuk shkojnë në interes të shqiptarëve! Jam i sigurt, se Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, nuk ua “ndinë” kjo situatë, për të përdorur një shprehje popullore, sepse janë të “nxanë” me punë shumë më me rëndësi: për karrige e pushtet për vete dhe për partitë e tyre. Më kujtohet kur isha Drejtor i NACC-ut në vitin 2005, grupi i çështjeve shqiptare në Kongres, themeluar nga Eliot Engel, me kolegë të tij, kishte më shumë se dy dyzina anëtarë, gjysma republikanë, gjysma demokratë dhe shumë mbështetës të tjerë. Sot, edhe nëqoftëse ekziston ky grup, ekziston si emër, vetëm sa për sy e faqe. Me humbjen e mundëshme të Z. Engel, “larg o Zot!” – thoni lamtumirë grupit të çështjeve shqiptare, sado i vogël dhe i pa influencë që të jetë aktualisht. Lutemi që Z. Engel të fitojë edhe në këto zgjedhje, se përndryshe, shqiptarëve u humb zëri i fundit me rëndësi në Ëashington. Duke votuar Kongresmenin Eliot Engel, ju, jo vetëm votoni për të dërguar në Ëashington edhe për një mandat tjetër një mbështetës të sprovuar të çështjeve shqiptare dhe një mbështetës i fortë i komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe për të ndaluar shkuarjen në Kongres, të një ultra majtisti socialist, i tipit të Senatorit Sanders, sepse kush fiton të martën në atë distrikt zgjedhor, fiton edhe zgjedhjet e përgjithshme në nëntor, pasi ajo zonë është me shumicë dërmuese demokrate.
Fotot më poshtë janë nga udhëtimi i një delegacioni të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan KKSHA) në trojet shqiptare, nga data 2 deri 10 Korrik, 2005, (kur autori ishte Drejtor i (KKSHA) – me Kongresistin Eliot Engel, dhe me disa anëtarë të bordit të KKSHA-s, përfshirë aktivistët e njohur të komunitetit dhe të çështjeve kombëtare, Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj, si dhe disa përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan nga Nju Jorku dhe Detroiti. Unë jam dëshmitar i shumë veprave madhore të Z. Engel në favor të shqiptarëve, por kjo vizitë në trojet shqiptare, është vetëm një shembull i angazhimit të pa kursyer të Z. Eliot Engel, për çështjet shqiptare, në përgjithësi, atëherë dhe sot. Ky pra është momenti për të treguar se komuniteti shqiptaro-amerikan, është mirënjohës dhe i denjë i kësaj mbështetjeje prej tri dekadash, për çështjet shqiptare, duke dalë masivisht në votime, për të hedhur votën në favor të kandidaturës së Z. Eliot Engel, në zgjedhjet e ditës së martë, edhe për një mandat tjetër. Gjëja më e vogël që mund të bëjnë shqiptarët në distriktin e tij elektoral, për t’i thënë, “Thank You, Congressman Engel”, për të gjithë ndihmën dhe kujdesin që kini treguar për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët në përgjithësi, gjatë tre dekadave të kaluara, është që të dilni e të votoni për Kongresistin Eliot Engel, ditën e martë më 23 qershor – njërin prej 10 demokratëve më efektivë në Kongresin amerikan, sipas universitetit Virxhinia dhe universitetit Vanderbilt.
Mos ta presim në besë mikun tonë të madh, në këtë ditë të vështirë për të, kur ka nevojë për ne.
*Ish Drejtor i VOAs për Euro Azinë