Kosta Nake/
Duke perifrazuar dhe shqiptarizuar fjalët e kantautorit anglez Stivën Morisei ato do të metamorfizoheshin kështu: “Blloku ishte në radhë të parë një biznes dhe publiku shqiptar duhej të financonte jetën luksoze të tij.” Atëherë nuk ishte ndonjë luks i madh krahasuar me vilat e pushtetarëve, oligarkëve dhe pasunarëve të sotëm të fryrë me para krimi e korrupsioni, por krahasimisht me kushtet e jetesës të pjesës tjetër të popullsisë. Një shkallë përposh Bllokut ishte një kastë tjetër e madhe të privilegjuarish që shërbente si amortizator i pushtetit dhe si filtër për të shkuar nga arat, fabrikat, kantjeret te maja e piramidës. Pikërisht kjo kastë, e përfaqësuar nga familja Bendo, është sjellë nga autori duke filluar nga mesi i viteve ’80 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona. Tre vëllezër: Bejto, Sadiku me bashkëshorten Lefteri, Beniami me bashkëshorten Nausika dhe familjarët e tyre që reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj shtetit të diktaturës së proletariatit, mbijetojnë ose e pësojnë. Vepra ndjek hullinë e romanit klasik me një vijë lineare të subjektit, me dy-tri thyerje digresive, duke kaluar nga një familje te tjetra, me një hapësirë disi më të gjerë për poetin Beniamin Bendo.
Për këtë personazh mund të të shkojë mendja te një shkrimtar real, ish-partizan trim, i cili, gjatë një vizite jashtë shtetit, u tremb nga një fëmijë që i drejtoi një pistoletë plastike të mbushur me ujë. Nuk ka rëndësi përputhja apo devijimi nga incidenti real, frika që zhbëri figurën e trumbetuar të trimit, e fut veprën në një shteg ku gjithçka që do vijë më pas do të spërkatet me pompën e satirës dhe humorit. Ja një nga spicat e fillimit që i futen poetit Beniamin: “Me një gjest krejt spontan, ngriti me dorë një tufë leshrash derdhur pa kujdes mbi ballë… për t’u kujtuar kolegëve se ishte po ajo lëvizje që bënte me leshrat e veta edhe poeti i famshëm sovjetik, Majakovski.”
Fushën e letërsisë e të arteve do ta plotësojnë edhe dy figura të tjera – kritiku Shazivar Fundo dhe skulptori Martin Shpiragu, të cilët, edhe pse të vendosur në skalionin e dytë të karaktereve, do t’i kujtojnë lexuesit njerëz realë. Kritiku Shazivar Fundo – llafazan trim e vetullzi, i njohur për shtatin e shkurtër, i ka provuar xipat e hostenit edhe në veprat e Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë, sigurisht i pagëzuar me emra të tjerë, Mitro Karapataqi te “Arka e djallit” dhe Zija Shkurti te “Dimri i vetmisë së madhe”, por që janë trinjakë nga thonjtë e këmbëve e deri te fijet e flokëve.
Skulptori Martin Shpiragu është një nga ata që realizuan shtatoren vigane të Udhëheqësit dhe ideatori i maskës së fytyrës gjatë ditëve të kufomës mbi tokë dhe pastaj i kokës së shtatores.
Përveç Kadaresë, edhe autorë të tjerë janë përpjekur të hedhin dritë mbi atë që ndodhte të kupolën e Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike. Në harkun e një viti kam lexuar trilogjinë “Psherëtima e një qyteti” të Thoma Angjellarit dhe romanin autobiografik “Vila me tri porta” të Vera Bekteshit. Ylljet Aliçkaj ka ardhur me qasjen e vet duke kapur si detaj letrat që i drejtoheshin Udhëheqësit nga bashkëpunëtorët që dilnin tradhëtarë e dënoheshin me pushkatim. Kështu ndodhi edhe me Bejto Bendon, besnik i palëkundur i Partisë dhe Enverit, letër që përfundoi çuditërisht me porosinë “Para se të pushkatohet, tradhëtarit t’i shkulet mishi me darë dhe t’i hidhet ca kripë në plagë.” Kërkesa e fundit e Bejtos ishte që ta lejonin të mbante në gji portretin e Udhëheqësit. Letër i shkruan edhe Sadiku për t’u distancuar nga i vëllai, madje i ofron edhe shërbimin si spiun. Për këtë letër reagimi i Udhëheqësit është: “Po pse, mo qen, bir qeni, pse nuk u kujtove më parë të bëheshe spiun familjar?” E njohur është edhe letra që la ish-kryeministri para vrasjes ose vetvrasjes, kurse ish-ministri i Ekonomisë para togës së pushkatimit kishte thirrur: “O shoku Enver, marrsh nga ditët e mia!” Kjo marrëdhënie me viktimat nxjerr në skenë edhe një nga ekzekutorët, prokurorin Janaq Kristo, një kriminel i shëndetshëm, shpirtkazmë në shkallën sipërane.
Shpotitës është autori edhe me Enver Hoxhën që “me vetëm një votë të tijën, nuk kishte forcë t’i kundërvihej shumicës… dhe u detyrua të pranonte vendimin unanim të shokëve që Udhëheqësit t’i kufizoheshin oraret e qëndrimit në punë.”
Telashi i dytë i madh i ndodh poetit Beniamin Bendo me vdekjen e Udhëheqësit. Duke dashur që poezia e tij të bëhet pjesë e Antologjisë kombëtare kushtuar Udhëheqësit të pavdekshëm, poeti guxon ta kritikojë: “Vdiqe i heshtur e askujt s’i the/ Po pse? Po pse? Po pse?” Kaq mjafton që të dënohet duke u dërguar një vit për riedukim në fshat. Gara me vrap nga treni për të prerë bileta për autobuzin e linjës, përvojë që e kemi provuar masivisht me linjat e autobuzëve ndërqytetas, zbulon dhimbshëm se çdo të thoshte riedukim në fshat, pasuar edhe nga skena të tjera si ndarja e karameleve të jashtme dhe injoranca për të dhënat e armës luftarake. Grotesku kulmon kur Pashku, kryetar i këshillit të fshatit, i kërkon Beniaminit të shkruajë vjershë për arrestimin e Nevzatit, sabotatorit të pasurisë socialiste, këlyshit të një familje diversanti. E vetmja rreze drite nga jeta e fshatit mbetet flirti i Beniaminit me kuzhinieren, pas vështrimeve epshore dhe takimeve të rastësishme baritore te burimi.
Gjenerata e re përfaqësohet nga fëmijët e vëllezërve Bendo, një portretizim më i plotë është ai i Vladimirit, djalit të madh të Sadikut, i cili fliste shkurt, thoshte gjërat më të nevojshme “natyrisht në përputhje me vijën e Partisë.” Ka një lëvizje paralele mes atit e birit: Sadiku distancohet nga vëllai i pushkatuar, Vladimiri ndahet nga Aida, bija e gjeneralit të shpallur armik dhe i kërkon asaj të abortojë beben dymuajshe. Martohet brenda një jave me Gjenovefën, bijën e një oficeri të lartë policie, për të plotësuar kushtin e diplomatëve që shkonin jashtë shtetit dhe duhej të ishin të martuar.
Autori është përpjekur të pasqyrojë atë mëdyshjen e madhe të brezit të tretë kur gjërat filluan të ndryshojnë. Më të lehtë e ka Beniamini që provon me hajkun, shumë të vështirë e ka komunisti Sadik, veterani i luftës. Janë tri pyetje që duan përgjigje: A mund të jetojë ai pa idealin e luftës së klasave? A do ta kuptonin dot udhëheqësit e rinj se në atë regjim të gjithë ishin bashkëvuajtës e bashkëfajtorë? A do të hapeshin kufijtë për të hyrë në Shqipëri me kuç me maç? Ka një përgjigje nga pasardhësi i Udhëheqësit: Të pranohet pluralizmi politik, të lejohet sharja e sistemit komunist, por kursesi nuk duhet dorëzuar pushteti.
Pjesa e dytë e romanit ka në fokus ndryshimet e mëdha pas ndryshimit të sistemit politik. Lirohet nga burgu Rudiani, djali i Bejtos me deklaratat e forta: “armiku më i madh i persekutorëve është kujtesa”, “çdo krim i pandëshkuar është krim që vazhdon,” “nuk kemi qenë të gjithë bashkëvuajtës,” “çdokush i mat gjërat me kutin e interesave të tij, protagonizmit, përfitimit, sipas moralit që i përshtatet më mirë.” Nga ana tjetër, si detaj i ri i viteve të burgut vjen kërkesa e të burgosurve që nuk realizonin dot normë e nxjerrjes së kromit, për të thyer kockat e krahut.
Vladimiri mbetet fillimisht pa punë. Familja e krijuar me nxitim për motive jashtë dashurisë, merr tatëpjetën. Ai themelon fondacionin “Ringjallja e vlerave kulturore kombëtare” dhe në statut fut edhe shitjen e titujve të fisnikërisë jashtë vendit: bej, aga, efendi, bajraktar, nga ku autori gjen rastin për të ironizuar disa shqiptarë që kishin blerë titujt Personalitet i Shquar i Shekullit apo Globit me ato botimet që reklamoheshin me bujë. Gjenofeva nga ana e saj lidhet me një shoqatë italiane dhe flirton me drejtuesin e saj, i cili “për arsye pune” e merr të vizitojë zyrat në Brindizi, “pikërisht në kohën kur prirja e Vladimirit kundër tradhëtisë bashkëshortore po shpalosej më hapur se kurrë.”
Ndryshimi i madh ndodh kur Vladimiri bëhet filantrop, shkon në krahinën që ishte vendlindja e të atit dhe dhuron kostume sportive për skuadrën e futbollit dhe rrëmben titullin Qytetar Nderi. Shitja e titujve të rremë të fisnikërisë shqiptare kthehet sa në biznes fitimprurës, aq edhe në akt turpërues. Gjenovefa e detyron t’i japë titull dashnorit të saj, kurse një titull tjetër shitet dy herë duke e çuar përballjen në gjykatë.
Ndodh si me Arsen Mjaltin te romani “Stinë pandemie” i Fatos Kongolit – Vladimiri bën fushatë për deputet dhe fiton duke u dalluar për goditjen e kundërshtarit papandehur dhe aftësinë për blerjen e votave, “u përshtat me sjelljet dhe veshjet e një politikani të ri me pespektivë: burrë i pashëm, me gjykim të shëndoshë, lehtësisht i dhjamosur…” Dikush zbuloi se kishte qenë i angazhuar me Sigurimin e Shtetit dhe pozita e tij u lëkund, por partia e mbajti në gjirin e vet. Janë ndodhi që na vendosin në bashkëkohësi dhe na kujtojnë sakaq figura ministrash e kryetarë bashkish që i janë dhënë drejtësisë apo që politika e ka penguar drejtësinë të veprojë mbi ta.
Edhe sikur familja Bendo të ishte e madhe sa ajo e Forsajtëve të Gollsuortihit, nën çatinë e saj nuk do të mund të strehohej gjithë jeta tiranase, prandaj autori sjell dhe një numër detajesh të tjera për ta zgjeruar skenën e veprimit: Shoqatat e pajtimit të gjaqeve dhe shoqata e ish-të burgosurve japin dëshmi të rreme me pagesë për t’u krijuar mundësi të interesuarve të kërkojnë azil jashtë Shqipërisë. Përmendet lëvizja studentore shoqëruar me dyshimet se mos ishin të manipuluar nga armiqtë e jashtëm. Rigrupohen veteranët për të ndikuar te bashkitë që emrat e rrugëve të mbushen nga lista e tyre fisnore.
Udhëtimi i poetit të varrezave Beniamin me Faslliun, përgjegjës i një zyre funerale drejt Vlorës për të marrë një xhenaze, përdoret si artificë për të treguar ngritjen e skemave piramidale që sollën rënien e shtetit. Udhëtimi që bëhet përmes pikave të shumta të kontrollit të bandave, zbulon atmosferën konfliktuale me tifozllëkun Nano-Berisha. Në një farsë kthehet edhe rivarrimi i të pushkatuarve nga diktatura, kur sheh që pjesë e kortezheve bëhen ata që dikur duartrokisnin e brohorisnin për ekzekutimin e viktimave.
Dyshimi i kryetarit Pashk se edhe te karamelet e sjella nga jashtë mund të kishte veprime keqdashëse të sigurimeve të huaja, tregon shkallën e lartë të indokrinimit të njerëzve të paditur.
Vladimiri e Lina kujtojnë shokët e tyre të gjimnazit, Andrean dhe Petron, për të treguar dramën e madhe të librit artistik. Andrea: “Eh. Librat, tani i kemi sa të plasim, i shkelim me këmbë e s’i lexojmë… Qoftexhiu i lagjes sime i mbështjell qoftet me fijet e holla të Biblës, kurse me faqet e Uliksit të Xhojsit bëjnë kaush për të shitur caracë e hide.” Ky deklarim përfton një antitezë me atë qasje të etshme ndaj “librave të ndalur” të kohës së socializmit si “Harku i Triumfit” i Remarkut, “Neveria” i Satrit, apo Bibla.
Romani mbyllet me epilog. Sarkastik është përshkrimi i fatit të Ema Bendos, bijës së Sadikut: Militante në radhët e shoqërisë civile, rebele e frymëzuar nga Simone de Beauvoir, Virginia Woolf, Oriana Fallaci, e aftë të dallonte politikanin vizionar nga ai i korruptuar, asgjësuese e kundërshtarëve me të qeshurën e saj të zhurmshme dhe përdorimin e fjalëve të ndyra, ndërruese partish, “e prirur për t’u dalë në krah vetëm humbësve,” e vlerësuar nga ndërkombëtarët si qenie me prirje vizionare. Si tangente domethënëse mbi fatin e karaktereve ngrihet tymi dhe gjëmimi katastrofik i demontimit të municionit luftarak në periferi të kryeqytetit.
(Romani “Metamorfoza e një kryeqyteti” i Ylljet Aliçkajt, Onufri 2019).