



Sokol Paja/
Dizenjo Lejda Troci rrëfen për “Diellin” e “Vatrës” në New York, punën e saj në fushën e modës në promovimin e fustaneve moderne të gërshetuara me elementë tradicionalë e kombëtarë shqiptarë, punuar e qëndisur me mjeshtri nga gjyshet e nënat shqiptare.
“NEW YORK FASHION WEEK 2024” NJË SUKSES DHE KRENARI SHQIPTARE
“New York Fashion week 2024” për mua ishte një event fantastik, një kënaqësi e papërshkrueshme si emocionale dhe profesionale. Një Punë mjaft e organizuar me një angazhim prej disa muajsh që pati sukses të madh në promovimin e kulturës kombëtare, bukurive të Shqipërisë e vlerave tona identitare. Ishte shumë sfiduese për mua pasi doja të nxirrja në pah mbi të gjitha zemrën e shpirtin e kulturës së kombit tonë. Morëm masat e duhura përgjatë gjithë eventit, patëm komunikim pothuajse javor me organizatorë e drejtues për të arritur rezultate që mendoj ishin të larta duke promovuar Shqipërinë në sytë e kamerave nga e gjithë bota.
MARKA SHQIPTARE QË EKSPOZOHET, PUNIMET, STILI
“Atangerine Design” është një markë që paraqet një kombinim me punime dore të një tradite shqiptare mjaft të hershme trashëguar brez pas brezi nga stërgjyshet e nënat tona dhe stile të kohërave moderne për të arritur një bashkëpunim midis historisë dhe të ardhmes. Ky gërshëtim shihet si domosdoshmëri edhe për të ruajtur traditën edhe për të përqafuar të ardhmen. Me synim për të promovuar veshjen shqiptare dhe bukuritë e Shqipërisë, mu në zemër të botës së modës, kinematografisë e biznesit si New York, Milano apo Paris gjykoj se i bëjmë një marketing të shkëlqyer kombit, shtetit e kulturës kombëtare sidomos për të njohur të huajt vlerat tona dhe për të rritur turizmin dhe njohjen e Shqipërisë gjeografike e kulturore. Gjatë sfilatës së modës kemi servizur vizualisht në sfond pamje fantastike të bregdetit të Shqipërisë, muzeve, kalave, kështjellave, monumenteve të trashëgimisë kulturore, amfiteatrot, ujëvarat, qytetet turistike e historike, kanionet, lumenjtë e liqenet, malet e larta e alpet tona që janë peisazhe të papërsëritshme gjeografikisht e kulturalisht.
“ATANGERINE DESIGN”… PAK HISTORI
Historiku i kompanisë sime “Atangerine Design” është shumë i thjeshtë. Kjo kompani u krijua si rrjedhojë e pyetjeve dhe kërkesave të të panjohurve nëpër museumet e Manhattan se ku i kisha blerë këto veshje kaq të veçanta të vajzës sime. Të gjithëve ju ka bërë përshtypje veshja dhe stili shqiptar. Fustane moderne të gërshetuara me elementë tradicionalë e kombëtarë, punuar e qëndisur me mjeshtri nga gjyshet e nënat shqiptare. Kompania u themelua pas lindjes së vajzës dhe emrin e këngës së preferuar që i këndonim pothuajse çdo ditë. Ekspozimi i veshjeve tona është një mundësi jo vetëm për të ruajtur vlerat e punimeve të veçanta tradicionale autentike shqiptare por mbi të gjitha për të zhvilluar e promovuar këtë markë shqiptare të veshjeve kombëtare si një risi dhe traditë gërshetuar së bashku.
PJESËMARRJA NË EVENIMENTET E MODËS
Falë punës profesionale dhe përpjekjeve të vazhdueshme pjesëmarrjet në evenimentet e modës kanë qenë gjithmonë me shumë rezultat duke filluar që nga Palm Beach Fashion Week, New York Fashion Week, Milan Fashion Week dhe përgatitjet serioze për Paris Fashion Week. Kudo ku shkojmë promovojmë Shqipërinë, veshjet e saj, turizmin e saj, kulturën dhe identitetin e pastër e të pasur shqiptar.
E ARDHMJA…MËS ËNDRRAVE DHE SUKSESEVE
E ardhmja është gjithmonë e paparashikuar .. ëndrrat janë të mëdha .. Parisi është një nga qendrat e modës por Shqipëria ka nxjerrë gjithmonë figura të njohura dhe do të kisha dëshirë që sado pak kompania ime të valëvisë përsëri flamurin shqiptar në evenimentet e njohura të Parisit që në çdo kohë të kemi si synim promovimin e punimeve shqiptare, markës autentike të etnografisë sonë kombëtare. Tradita, kultura, aftësia janë të trashëguara brez pas brezi. Jam krenare për emrin dhe kombësinë time. Dua që midis punës sime të shpreh falënderimin për dhuratën më të çmuar që nëna ime më la, dëshirën dhe aftësinë për të krijuar veshje magjike. Dua që nëpërmjet punës time të ngre përsëri lart emrin shqiptar. Ishte mallëngjyese për mua të dëgjoja këngët e mërgimtarëve tanë arbëreshë “Moj e bukura more” ishte një krenari e paparë kur shihja flamurin dhe pjesëmarrësit mjaft të interesuar jo vetëm në veshjet por dhe në bukuritë e vendit tim. Do të ishte kënaqësi të kisha rreth vetes një rreth më të madh me mbështetje nga shqiptarët në diasporë por edhe kështu jam krenare. Le të bëjmë të gjithë diçka për të ngritur lart lavdinë e vendit tonë. Duke ngritur lart historinë tonë duke qenë krenare për atë që ne jemi, patjetër do të kemi sukses edhe në bizneset tona.
KUSH ËSHTË LEJDA TROCI?
Kam lindur në Durrës. Jetoj në Florida. Në 7-8 vitet e fundit jam marrë me disenjo. Më pëlqen të bëj dizenjot dhe me idenë që të krijoj një grup me shqiptarë që merren me punën artizanale. Sidomos për prindërit apo të afërmit që kanë vështirësi të gjejnë punë për shkak të mosnjohjes së gjuhës angleze apo dhe moshës. Do të doja t’ju jepja sadopak mundësinë e punësimit. Më herë kam punuar si mësuese e shkollës fillore në Florida dhe zotëroj LCAM licencë në Florida. Më herët kam punuar si assistente sociale në Bari të italisë. Për 10 vite me radhë kam punuar vullnetare e përkthyese e Caritas Bari – Durrës. Jam vlerësuar nga Kryqi i Kuq Florida me certifikatë falenderimi dhe nga “Albanian Excellence” për ndihmën dhe lidhjet me Shqipërinë gjatë pandemisë globale.