Nga Astrit Lulushi/
Nuk është e pazakontë që njeriu injorant e i korruptuar të ngarkojë të tjerët me faj për gabimet e veta, duke mos bërë atë që ata mendojnë se do të kishin bërë në rrethana të njgjashme. Dhe prej këndej nis sulmi. Por ka edhe forma të tjera persekutimi. Një prej tyre është lënia në heshtje, e cila përdoret kur përndjekësi vepron i fshehur në kushte të pafavorëshme për të dalë hapur, veçanërish në një shoqëri me demokraci të re ose gjoja të tillë, ku ‘ishët’ sa për të thënë, sepse në fakt ‘janë’, zënë vend a fshihen në sistemin e drejtësisë – gjyqsor, juridik – duke kaluar edhe të ashtuquajturin “vetting”. Kjo tregon se ata janë mbuluar. Njeriu fshihet dhe hesht kur ka frikë, por mbulohet dhe pret që një ditë të dalë hapur, zbuluar, zbulues?! Por në fund të fundit, kjo nuk është fitorja e tyre, sepse fituesi nuk fiton nëse i mposhturi nuk e konsideron veten humbës. Njeriu është në pritje, është i papunë dhe mendja e papunë nuk e di se çfarë dëshiron. Mençuria e vet nuk mund ta ndihmojë, sepse ai nuk është në gjendje të marrë më të mirën nga të qenit i mençur.
Qeveria është thjesht një turmë e organizuar prandaj duket si një trup i vetëm. Carl Gustav Jung, psiko-analisti, thoshte se rezistenca ndaj një turme të organizuar mund të bëhet vetëm nga një njeri, i cili gjithashtu është i organizuar në individualitetin e tij si vetë turma. Por kjo rrallë ndodh, sepse ‘askush nuk ul kokën për të parë atë që është para këmbëve të tij; ne të gjithë shohim yjet’, shprehet poeti anglez Samuel Taylor Coleridge në “The Rime of the Ancient Mariner”, botuar në Londër më 1798.