Opinion nga Faik KRASNIQI/
Shqiptarët e Kosovës sot me keqardhje po përjetojnë një tragjikomedi të shëmtuar të politikës, ku aktorët e saj realë janë të gjithë kriminelë, mafiozë, banditë dhe matrapazë, me ideologji dhe veprimtari të ngjashme me njëra tjetrën, por të rreshtuar në dy-tri kampe me emërtime të ndryshme, vetëm e vetëm sa për të krijuar tek të huajt imazhin, se Kosova me të vërtetë është një vend me “sistem pluralist”. Sistemi pluralist e ruan funksionin si i tillë për sa kohë politika është në duar të politikanëve vendas, dhe jo në dosjet e Evropës, të cilët mafio-politikës në Kosovë, ua ka zënë bishtin me derë, me veprat e tyre kriminale dhe mafioze. Prandaj këta pushtetarë mafiozë, edhe janë të ”detyruar” të nënshkruajnë lloj-lloj marrëveshje me Serbinë, edhe pse shumica e atyre marrëveshjeve të nënshkruara, janë në dëm të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ku me krijimin e ”Zajednicës”, po krijohet një minishtet serb brenda Republikës së Kosovës.
Qeverisja skandaloze LDK-PDK!
U mbushën më shumë se një vit që nga zgjedhjet e fundit, dhe pothuajse e gjithë shoqëria kosovare është duke përjetuar një tmerr të vërtetë, nga kjo qeverisje e dy partive, që e kanë kapur shtetin keq për fyti dhe kanë uzurpuar çdo segment shtetëror, dhe pamëshirshëm duke e vjedhur dhe plaçkitur. Kushdo është në dijeni se gjatë kësaj periudhe, nuk kemi pasur asnjë përmirësim te mirëqenies së jetesës. Përkundrazi, kemi pasur vetëm përkeqësim të kushteve dhe rritje të papunësisë, për shkak të shuarjes së mijëra bizneseve dhe ikjes së shumë bizneseve të ndershme vendase drejt vendeve të rajonit, si dhe rritjes graduale të çmimeve të produkteve, të energjisë dhe të ujit të pijshëm. Nuk kemi pasur asnjë përmirësim në drejtim të forcimit të rendit publik. Përkundrazi krimet e rënda, vrasjet dhe kërcënimet, të krijojnë imazhin e ekzistencës së një lufte civile me pasoja të paparashikueshme për të ardhmen. Kemi pasur nga njëra anë kërcënime masive kundër popullatës dhe individëve të caktuar nga jeta publike, që janë bërë halë në sy nga ky regjim autoritar, kurse nga ana tjetër mosndëshkime për krime apo vepra të rënda penale, nga keqbërësit e mafio-politikës dhe parapolitikës. Pa qenë nevoja të përmenden këtu individë të veçantë, të cilët gjithsecili nga ne i ka të ngulitura në kokë. Nuk bën pa përmendur edhe eksodin masiv të qytetarëve të Kosovës, ku brenda 3 muajve më shumë se 100 mijë qytetarë të Kosovës, kryesisht të rinj, gra, fëmijë dhe pleq, ikën drejt shteteve të perëndimit, duke ikur nga ky pushtet mafioz dhe për një jetë më të mirë. Gjatë këtyre 9 muajve të kësaj qeverie, kemi pasur mangësi të theksuara deri në skandale në çështjet e punësimit apo të marrëdhënieve në punë, për shkak të nepotizmit të çmendur, nga ky pushtet i korruptuar dhe i kriminalizuar. Nga njëra anë janë dëbuar nga puna njerëz, më konkretisht profesionistë dhe njerëz që s’kanë mbështetje politike, kurse nga ana tjetër janë punësuar pa asnjë kriter kryesisht familjarë, farefis dhe miq të pushtetarëve, dhe servilë e militantë të partive në pushtet.
Deputetët nuk duhet t’u shërbejnë interesave të mafio-politikës dhe parapolitikës!
Ndërkohë në vend që të priteshin hapa të suksesshme nga Qeveria aktuale për t’u treguar qytetarëve distancimin që duhet të kenë me keqbërësit e ndëshkuar me votë masive, të gjithë ne po e ndjejmë se ka filluar një degjenerim gradual i frikshëm i principeve të demokracisë, dhe në vend të saj po rikthehet një mentalitet i zgërlaqur diktatorësh të rinj.
Deputetët janë përfaqësues të popullit dhe si të tillë janë të detyruar të zbatojnë një me një kërkesat e tij. Kush nuk pranon t’i bindet vullnetit të sovranit, me votën e të cilëve janë zgjedhur deputetë, duke injoruar me skuthëri çdo dëshirë apo pretendim të tyre, apo më keq akoma, kur denjon të ulet këmbëkryq me keqbërësit, atëherë ai duhet të qërohet me hir a me pahir një orë e më parë si nga salla e kuvendit, ashtu dhe nga skena politike, se nuk është i devotshëm të përfaqësojë interesat e një populli të tërë. Duhet të qërohet me hir, a me pahir, sepse populli nuk i ka zgjedhur që të tallen me ta dhe me votën e tyre në kuvend, t’u shërbejnë interesave të mafio-politikës dhe parapolitikës.