Ndonjëherë disa lloj episodesh të vogla janë si një shqyerje në rrjetën që zbulon se në çfarë gjëndjeje ndodhet sot Evropa dhe, brënda saj, Italia. Kush ndalet të vështrojë nëpërmjet asaj të çare do të shihte një fushë të gjërë dhe një skuadër – e jona – që ngulmon të luajë voliboll, ndërsa tashmë të tjerat, të pjesës tjetër të botës, po na përballojnë në një ndeshje madhështore regbije. Rrethanat janë të tilla që mediat ndërkombëtare i regjistrojnë në mënyrë të shpejtë, të palidhura ndërmjet tyre. Në Washington sapo u pushua nga puna një burrë që kishte qënë përcaktues në qëndresën financiare t’Evropës, edhe se shumë njerëz nuk i a kanë dëgjuar kurrë emrin. Në të njëjtat ditë spanjoli Josef Borrel, nënkryetar i Komisionit, u shtrëngua të kërkojë ndjesë pse kishte thënë një të vërtetë të pahijshme mbi ndryshimin e klimës. Burri i pushuar në Washington quhet David Lipton, ka një doktoratë ekonomie të Harvardit, ka punuar në administratat e Bil Clinton-it dhe Barak Obamës e, prej nëntë vitesh, ishte numuri dy i Fondit monetar ndërkombëtar. Në fakt për periudha të gjata ka mbarështuar gjithë organizatën.
Lipton-i është vetë mishërimi i uashingtonasit ndërkombëtarist, i bindur që roli i saj në botë e detyron Amerikën të mbështesë miq dhe aleatë mbi bazën e vlerave, rregullave dhe institucioneve të përbashkëta. Në përfytyresën e tij Amerika është “qyteti që ndriçon përmbi kodër” – në citimin ungjillor të përsëritur nga John Fitzerald Kennedy, Ronald Reagan e Obama – frymëzim për pjesën tjetër të botës. Javën që shkoi Liptoni u përzu nga drejtoresha e përgjithëshme e Fondit, bullgarja Kristalina Georgieva. Arsyeja e pashpjeguar kurrë është se Shtëpia e Bardhë e Donald Trump-it ka ushtruar shumë trysni: “Është e vështirë të besohet se çfarëdo lloj organizimi i dobishëm për FMN, do të kërkonte daljen e David Lipton-it – ka komentuar ish kryetari ekonomist i Fondit, Olivier Blanchard – . Ikja e tij është një goditje e rëndë për institucionin”.
Nga ana tjetër ky ishte objektivi: ai funksionar ishte caktuar nga një Vend, presidenti i të cilit nuk ka më asnjë interes për “qytetin që ndriçon përmbi kodër”. E ndërpreton leverdinë e vet në mënyrë tjetër. Për Trump-in Amerika nuk është më as një model dhe as një garant për Evropën, dhe Evropa është një bashkësi fuqish të vogla që kanë si synim të nxjerrin përfitime në mënyrë të pandershme nga Amerika. Kjo e fundit është viktima – jo drejtuesja – e rendit ndërkombëtar që ajo vetë kishte krijuar dhjetëvjeçarë më parë. Heqja nga puna e Lipton-it është vetëm një tullë më shumë që Trump-i thërmon në sistemin e shumanshëm. Natyrisht, jo i pari: ka katandisur në paralizë Organizatën botërore të tregtisë, ka shpërthyer luftëra ekonomike të dyanëshme, ka nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshjet e Parisit mbi klimën. Tani synon të tkurrë edhe rolin e FMN në rast të krizave të reja.
Edhe shemëria trumpiane kundrejt Kinës së Xi Jinping-ut e përjashton në fakt Evropën, sepse nuk bazohet mbi vlerat apo ideologjitë – bota e lirë kundër mbifuqisë autoritare – por është një përballim i thjeshtë pushtetesh mes dy udhëheqësve njëlloj kombëtaristë. Nga ana tjetër ky rend gjërash nuk do të ndryshojë rrënjësisht edhe nëse Trump-i në nëndor nuk do të rizgjidhet: deri edhe kandidati demokrat më i lidhur me botën e djeshme, ish nënpresidenti Joe Biden, bën me dije se nuk do t’i rikthejë taksat e njëanshme kundër Pekinit në ata nivele të ulta të kohës kur në Shtëpinë e Bardhë ishin Obama dhe ai vetë.
Kjo nuk është më “bota e sheshtë” e librit të Thomas Friedman të 2005. Ndërpreja relative e tanishme e taksave nga ana e Shtëpisë së Bardhë po i jep pak frymëmarrje Evropës, asgjë më shumë: kjo mbetet një botë mbas liberale, plot pengesa të reja shkëmbimeve dhe logjikash të lashta fuqish. Nuk është më as koha e klintonianes “it’s the economy, stupid”, sepse për politikën nuk vlen më vetëm rritja, përkundrazi. Ndërmjet votuesve të Brexit shpallja e vetvetsisë vjen më parë se leverdia materiale, e deri dhe Amerika ushtron kundër aleatëve fuqinë e vet tregtare – hyrjen tek dollari, ose tek tregu – si leva për t’i përthyer politikisht. Kush bën tregëti me Iranin është jashtë Wall Street-it. Kush blen rrjeta telekomunikacionesh nga kinezët rrezikon taksa kundër makinave.
Në pamje të parë kjo botë nuk është m’e mirë se ajo e djeshmja, por sot është ajo në të cilën banojmë e në të Evropa duket si një e mbijetuar. Arkitektura e saj ishte vizatuar në mënyrë të tillë për t’a bërë të kishte mirëqënien në një sistem të globalizuar të mbajtur nga organet e shumanëshme, ku normat e ekonomisë vlenin për të gjithë e mbeteshin të ndara nga lufta mes fuqive në sajë të miratimit të elitave ndërkombëtare. Mund të kemi mall për atë botë, ose jo, por ajo nuk është më. E megjithatë Evropa ishte ndërtuar për të jetuar brënda saj.
Nuk ka sintomë më mizore se sa e ashtuquajtura “gafë” e Borrellit. Pak ditë më parë përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtëme të Brukselit, duke kujtuar caqet e ungjillizimit mjedisor t’Evropës në botë, tha : “ Do të më pëlqente të dinja nëse të rinjtë, që manifestojnë nëpër rrugët e Berlinit, duke kërkuar masa kundër ndryshimit klimaterik, a janë të vetëdijshëm për kostot. Nëse kuptojnë se duhet të pakësojnë nivelin e tyre të jetesës për të shpërblyer minatorët polakë të qymyrit që mbeten pa punë.”Borrell ka lënë të kuptohet se Evropa ka për të përballuar zgjedhje të vështira, nëse don të marrë rolin drejtues në botën që kërkon sot. Ka thënë se politika dhe fuqia nuk arrihen kurrë falas. Hapu o qiell: Komisioni evropian zyrtarisht u shkëput dhe spanjoli u detyrua të kërkojë ndjesë se kishte folur për atë që quhet “sindroma Greta”; kishte guxuar të thotë një të vërtetë të papëlqyer në një Evropë të mësuar të jetojë e mbrojtur. Por një sistem që nuk duron të vërtetën është një sistem politik i dobët. Evropa sot nuk mund t’i a lejojë vetes.
*“Corriere della Sera”, 16 shkurt 2020 E përktheu Eugjen Merlika