Lazer Stani/
Të vërtetat letrare janë ndryshe nga të vërtetat historike, shkencore, filozofike. Sabato thotë se aty ku shkenca dhe filozofia ngrenë duart, aty fillon letërsia. Të vërtetat letrare janë metafizike, të painterpretueshme me metodologjinë e njohjes shkencore. Por letërsia ekziston, është e pranishme dhe mbijeton se vetë njeriu është qenie metafizike, është i njohshëm, i prekshëm, i perceptueshëm, por ndërkaq është shumë më tepër i paarritshëm, i paperceptueshëm, mistik në vetvete. Kur për lexuesin një krijim letrar duket më i vërtetë se vetë e vërteta, është shenjë se kemi të bëjmë me letërsi, që i kapërcen kufijtë e të zakonshmes. Asnjë ngjarje në vetvete nuk është krijim letrar, por elemente të ndryshme të ngjarjeve jetësore mund të bëhen shkas, mund të stimulojnë një krijim letrar. Kur dominohesh nga e vërteta konkrete apo fakti historik dështon të bësh letërsi, ndaj gjithmonë i kam parë më dyshim të ashtuquajturit romane historike. Kur dua të lexoj histori lexoj histori, jo fantazi historike. Tregime të tillë si “Daiza Zaharia”, “Me sy të fiksuar pas një ylli”, apo “Idioti udhëton për Amerikë” kanë një shkas të vërtetë: Anton Arapi është ekzekutuar dhe një grua nuk braktisi të shoqin në fatkeqësi, po mbajti hapur derën e shtëpisë, dy poetë janë pushkatuar dhe miku im është arratisur në 1990 me “Idiotin” e Dostojevskit në çantën e shpinës. Por gjithçka tjetër është fiksion dhe kjo i bën ato krijime të mirëfillta letrare.
Nga një intrervistë e botuar në gazetën “Panorama”