Nga Frank Shkreli/Dje me 30 gusht u shënua Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Bota e shënon këtë ditë çdo vit, ndërkohë që entet dhe organizatat ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe me aktivizim në këtë fushë përfshijnë Zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejat të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, Organizatën Amnesty International si dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ndër të tjera, ndërsa njëkohësisht shënohet dhe kujtohet edhe në shumë vende të botës.
Në bazë të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme më 18 Dhjetor, 1992 si një rezolutë parimesh për të gjitha shtetet, Zhdukjet e detyrueshme të njerëzve ndodhin kur, “Personat arrestohen, kur kapen dhe mbahen kundër vullnetit të tyre, ose për ndryshe atyre u mohohet liria nga zyrtarë të ndryshëm të degëve ose niveleve të ndryshme të qeverisë, ose nga grupe të organizuara ose individë privatë të cilët veprojnë në emër ose me mbështetjen e drejtë për drejtë, tërthorazi ose me aprovimin e qeverisë, gjë që përfundon në refuzimin nga ana e saj, për të pranuar fatin e njerëzve dhe mohimin e lirisë së tyre, mohimin e lirisë madje edhe vet faktin e zhdukjes ose vend ndodhjen, gjë që i vendos këta njerëz të zhdukur jashtë mbrojtjes së tyre nga ligji.”
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, viktimat në fjalë janë shpeshëherë subjekt torturash dhe jetojnë të frikësuar për humbjen e jetës së tyre. Ata janë të vetdijshëm se familjet e tyre nuk e dinë fatin e tyre dhe se mundësitë janë të vogla ose hiç se dikush mund tu vijë atyre në ndihmë. Si të tillë, thuhet në shpjegimin e domethënjes së kësaj dite nga OKB-eja, të zhdukurit janë hequr nga ombrella e mbrojtjes nga ligji dhe janë zhdukur nga shoqëria, ndërkohë që të drejtat e tyre nuk u njihen më dhe janë krejtsisht në mëshirën e atyre elementëve që kontrollojnë fatin e tyre.
Edhe familjet dhe miqtë e viktimave vuajnë nga shqetësimet dhe ankthi I amdh sepse nuk dinë nëse pjesëtarët e familjes janë gjallë ose jo, ku janë dhe si janë dhe nën çfarë kushtet mbahen dhe cila është gjëndja e tyre shëndetsore. Ata presin me muaj e vite për ndonjë lajm, për ndonjë informacion mbi fatin e të afërmëve të tyre që ndoshta nuk vjen kurrë. Shqetësimet familjare, nga zhdukja e të afërmëve të tyre, shtohen edhe më shumë nga pasojat materiale që sjellë kjo situatë. Pasi të humburit, mund të kenë qenë i vetmi krah pune në familje. Në një kronikë e VOA-s, në përkujtim të kësja dite kjo u pasqyrua më së miri në një raport nga Krusha e Madhe, një prej fshatrave më të prekura gjatë luftës në Kosovë, ku forcaz terroriste serbe zhduken me qindra burra të fshatit, fati i të cilëve nuk dihet as sot e kësaj dite. Llogaritet se gjithsejt në Kosovë mbi 1600 personave – shumica shqiptarë — nuk u dihet fati as rrethanat e zhdukjes. Gratë e mbetura pa burra, janë detyruar të kujdesen për familjet e tyre duke u organizuar në një kooperativë bujqësore për të ndihmuar njëra tjetrën, e kështu edhe familjet e veta, për të mbijetuar.
Ndërkohë, në Shqipëri gjithashtu sipas VOA-s, Dita e Ndërkombëtare e të zhdukurve u kujtua në Tepelenë, pikërisht në një nga ish kampet më famëkeqe të interrnimit në Shqipëri, ku humbën jetën gjatë regjimit komunist qindra të pafajshëm, mes të cilëve shumica fëmijë. Të mbijetuar nga ky kamp dhe të persekutuar nga regjimi komunist, raportoi VOA, morën pjesë të enjten në një aktivitet përkujtimor. Në mënyrë simbolike, para kazermave të dikurshme, nisi mbjellja e 300 fidanëve, për përkujtimin e fëmijëve që humbën jetën nga kushtet e vështira në Kampin e Tepelenës, njoftoi VOA shqip.
Sipas Kombeve të Bashkuara, zhdukjet me forcë, kudo qofshin dhe kurdo që të kenë ndodhur, shkelin një mori të drejtash të njeriut, përfshirë të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore, qoftë për vet viktimat e zhdukura, si dhe për familjet e tyre. Këtyre krimeve, fatbardhësisht nuk u kalon kurrë afati. Sipas Statutit Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Romës të viti 2001 dhe në bazë të Konventës për Mbrojtjen e të gjithë Personave të Zhdukur, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në Dhjetor të vitit 2006, kur krime të tilla si zhdukja me forcë e personave organizohet dhe vihet në veprim si pjesë e një sulmi të gjithanshëm kundër një popullsie civile – zhdukja me forcë e njerëzve konsiderohet si krim kundër njerëzimit dhe si i tillë, ndëshkimit kundër atyre personave, organizatave ose qeverive që kanë gisht në zhdukjen e tyre, nuk i skadon kurrë afati. Në bazë të këtyre konventave, familjet e të zhdukurve kanë të drejtë të kërkojnë riparime dhe për më tepër të këmbëngulin për zbardhjen e së vërtetës mbi fatin e të afërmëve dhe të dashurve të tyre.
Është interesant fakti se në raste të tilla, siç është përkujtimi i Ditës Ndërkombëtare së të Zhdukruve ose i ndonjë dite tjetër ndërkombëtare që ka të bëjë me viktimat e komunizmit, udhëheqsit shqiptarë, duket se janë të “nxënë” me punë tjera më të rëndësishme dhe nuk u del kohë që të kujtojnë gjarje të tilla që kanë ndodhur aq shumë kohë më parë. Sipas lajmeve që kam parë deri tani, nuk vura re ndonjë përkujtim zyrtar të kësaj dite nga autoritetet qeveritare e shtetërore në Prishtinë, por as në Tepelenë nuk kam parë ndonjë zyrtar të lartë të institucioneve të Tiranës të ketë marrë pjesë dje në përkujtimin për të zhdukurit në atë kamp famëkeq internimi të Enver Hoxhës. Fatbardhsisht, në kampin e shfarosjes, kishte përfaqsues ndërkombëtarë nga OKB-eja dhe nga OSBE-ja që morën pjesë në ceremoninë e të mbijetuarve, ku përfqsuesi i OKB-ës në Tiranë njoftoi se organizata që ai përfaqëson është e interesuar për Shqipërinë dhe për ato që kanë ndodhur në kampet e internimit, si famëkeqi i Tepelenës. Po si dhe kur Tirana zyrtare do tu bashkohet dnërkombëtarëve dhe të fillojnë të interesohen vet udhëheqsit shqiptarë për këto krime që kanë ndodhur në territorin e tyre, në emër të popullit dhe të shtetit shqiptar, ndonëse me një regjim tjetër? Udhëheqsit me karakter janë ata që në emër të së drejtës bëjnë atë që duhet për popullin e vet. Udhëheqësja që vepron për të ndryshuar gjërat për më mire, është një udhëheqje që është gati të bëjë të duhuren…Një udhëheqje e tillë merr edhe vendime që mund të konsiderohen si të vështira – por që merren nga një qëndrim moral, etik dhe i drejtë. Kushdo mund të jetë një timonier, por nevojitet një burrë i madh për të përcaktuar rrugën drejtë të cilës duhet të shkohet për një të ardhme më të mirë për të gjithë, pa përjashtim, përfshirë edhe të mbijetuarit e kampeve të përqendërimit dhe familjet e të zhdukurve të luftës në Kosovë dhe të atyre që janë zhdukur në kampet e përqendërimit si ai i Tepelenës e fati i të cilëve nuk dihet as sot pas aq shumë dekadash.