Shkruan: Sokol Paja /
Rënia e Teatrit Kombëtar është në vetvete rënia e shtetit në totalitarizëm, është rënia e demokracisë në gropë, është rënia e qytetarëve, është rënia e opozitës, është rënia e çdo shqiptari të ndershëm. Shëmbja e Teatrit ishte një paligjshmëri e ndyrë, varrosi lirinë e protestës, lirinë e së drejtës, lirinë e shprehjes, lirinë e veprimit. Shteti njollosi veten me turp. Kjo ditë e zezë do kujtohet gjatë në ditënetët e faqezinjve neokomunistë që pushtuan kryeqytetin më keq se komunistët në vitin 45’. Fitorja e një kauze është një hap drejtë lirisë dhe humbja e kauzës është një shkallë drejtë robërisë. Shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë do të jetë edhe për shumë kohë kryefjala e përplasjes mes pozitës, opozitës, shoqërisë civile dhe artistëve të dyzuar, të ndarë pro dhe kundër për rrafshimin e ndërtesës së ndërtuar nga italianët në 1941. Shëmbja e Teatrit Kombëtar nuk përfaqësoi vetëm një godinë, një ndërtesë, ajo përfaqësoi shumë më tepër, një kauzë qytetare që u mbrojt për më shumë se dy vjet e gjysmë nga artistët, natë e ditë në sheshin që mban të njëjtin emër. Teatri u kthye në një pikë vendimtare ku matën forcat të gjithë aktorët. Brutaliteti i shtetit, paligjshmëria dhe dhuna e uzurpatorëve fitoi. Mbrojtja nga vjedhja qeveritare e Teatrit Kombëtar ishte kauza më jetëgjatë në dekadën e fundit, kur për më shumë se dy vjet, artistë, intelektual, shoqëri civile, qytetarë të thjeshtë, patriotë të ndershëm, e shumë të tjerë, e mbrojtën fizikisht nga reprezalja komuniste. Ashtu si në vitin 46’ në të gdhirë, në terr siç janë dhe veprat e zeza të komunistëve, rilindasit e betonit e shqyen Teatrin. Teatri ishte kështjella e fundit e lirë sepse: kauza e liqenit artificial ra, kauza e Astirit ra, kauza e taksës së kombit ra, zgjedhjet e lira ranë, parlamenti ra, drejtësia ra, opozita ra, vettingu ra, e vetmja kauzë e lirive që kishte mbetur ishte kauza e teatrit. Nëse vdes teatri, vdes liria. Qeveria është bërë gjithnjë e më arrogante duke shtypur çdo protestë, duke gjobitur masivisht shqiptarët, duke bllokuar lëvizjen e lirë, duke bllokuar mjete private, duke zaptuar prona, duke shfaqur një egërsi të paparë në komunikim dhe ndërveprim me qytetarët.
Qeveria Rama ka përzënë më shumë se 500 mijë shqiptarë nga atdheu i tyre duke e bërë Shqipërinë një vend të pajtueshëm për njerëzit normal, duke e shndërruar një parajsë tropikale për oligarkët dhe njerëzit e lidhur me pushtetin politik. Shteti u zhvendos realisht në diktaturë, ashti si në vitin 1946, shteti nuk pyeti për Gjykatën Kushtetuese ku po shqyrtohet çështja e Teatrit, nuk pyeti për SPAK ku po hetohet votimi i prishjes së Teatrit, por arbitrarisht i futi fadromat. Shteti vulosi diktaturën: ndryshimet në kodin penal, zgjatja pa arsye e gjendjes së emergjencës, ndërsimi dhe arroganca e ministrave, sulmi ndaj mediave, agresiviteti i shtuar i policisë, si dhe dhuna ndaj qytetarëve e kanë shndërruar pushtetin në një fytyrë diktatoriale, ku dhe vetë shteti kthehet në makinë shtypëse për gjithçka që bie ndesh me direktivat e partisë-shtet.
Vendi ynë aktualisht gjendet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, në proces Vettingu të kontrolluar politikisht, me ish funksionarë të regjimit në Parlament, në KLGJ, në KLP… etj, ku trashëgimia komuniste shpaloset në të gjitha pushtetet. Qasja e të bërit shtet dhe administrimit të pushtetit është tipike si ajo e regjimit komunist.
Baba i vetëshpallur Rama njësoj si Sekretari i Parë i Partisë së Punës, i cili ka vënë nën thundrat e tij gjithçka e çdo gjë në Shqipëri. Ai shfaqet në çdo medie apo mbledhje qeverie si shpëtimtar i komitetit të shpëtimit, ai të gjobit dhe po i njëjti që të fal gjobën, ai që të arreston, përsëri edhe të liron. Kryeministri Rama kontrollon gjithçka nëpërmjet edhe disa kukullave pa dinjitet dhe integritet moral e politik në qeveri. Fryma kundër arrogancës së pushtetit, qëndresa qytetare është oksigjeni që mban gjallë shoqëritë nga dekompozimi. Një vend quhet ende i lirë për aq kohë sa ka kauza që luftohet për to. Shembja e teatrit ishte shembja e pikës së fundit të lirisë, teatri duhet të qëndronte në këmbë si kauzë qytetare, si trashëgimi kulturore, si përpjekje e grupit të interesave të pastra të artistëve që pushteti nuk i bleu dot. Teatri duhet të qëndronte në këmbë si revoltë ndaj pushtetit, si dinjitet i munguar i artistëve, si një monument që duhej të shpëtonte dhe të qëndronte si teatër real për ti dhënë fund teatrit të absurdit që luhet ende në kurriz të qytetarëve shqiptar në 30 vjet të sistemit post-komunist.