Nga Fadil LUSHI/
Ne, në këtë vështrim të radhës që do t’ua dedikojmë ca njerëzve që jetuan në dy vakte të ndryshme, do të bëjmë çmos që e vërteta të mbizotërojë gënjeshtrën, atë që është e rreme e kulluar dhe e akumuluar. Fillimisht do të na duhet t’i përjashtojmë të gjitha tarafllëqet a animet tona. Në këtë vështrim nuk do të ngremë debate të panevojshme për disa mesele të absolvuara, mbase edhe të shtrembëruara, po as që do të mëtojmë të komplimentojmë figurat e ndritura të kombit, në veçanti të përndjekurit politikë këtej pari, jo se nuk duam ta bëjmë, por pse nuk e kemi teserën e historisë së tyre. Që ta ndërtosh këtë komplementim, para së gjithash duhet të kesh nivelin e zgjuarsisë si dhe nivelin e kombëtarizmit të tyre, nivelin e ndërgjegjes së njerëzve të cilët në rininë e hershme të tyre kishin probleme me politikën dhe politikanët…, njerëzit të cilët, lëre që diktatura asnjëherë nuk i “kuptoi por (sot) as demokracia nuk e ka ndërmend hiç fare t’i mirëkuptojë…,”, nuk e kemi ndërmend po as që do të mëtojmë t’u japim mend të tjerëve. Sikur ta bënim këtë, atëherë e gjithë kjo do të ishte jashtë çdo logjike. Nuk do t’i glorifikojmë njerëzit që vatanit i dhanë më shumë se ç’duhej…, nuk do ta komplimentojmë intelektualin a njeriun e letrave të shkruara me emrin Visar Zhiti, i cili disa ditë më parë, ashtu i mllefosur tha: “Shqipërisë sime i kam shërbyer edhe në burg, kur nuk donte Shqipëria. Në burg kam qenë edhe me priftërinjtë e Vatikanit, me priftërinjtë e burgosur. Kemi bërë dhe festa e kungime të fshehta…, më vjen keq për vendin që ka njerëz kaq të dobët që nuk kanë interes të parë vendin, por interesat e tyre vetjake…, dal (nga presidenca-nënvizim yni) duke thënë: O Zot mëshiroje Presidentin se nuk e di çfarë bën”, këto ishin fjalët e Visar Zhitit, pas takimit (se ishte një takim, bisedë miqësore a protokollare, që një dreq e di) që pati me kryeparin e Shqipërisë, z. Bujar Nishani, në lidhje me kandidaturën e tij për ambasador në Vatikan.
Se pse kishte qenë në burg Visari, këtë më së miri e dinte Enver Hoxha. Nuk do ta komplimentoj as gjyshin tim, të cilit para pesë dekadash i parashtrova atë pyetjen paksa idiotike si vijon: “Ti gjyshi ynë, ç’kërkove në burgun famëkeq në Petrova Rupa të Goli Otokut…, ç’kërkuan bashkatdhetarët dhe bashkëmoshatarët e tu në ishullin ku dikur thyhej guri i bardhë.” Ma ktheu ashtu, paksa me inat: “Vajtëm ta kërkojmë atë shprehjen unikale që llafos ndërgjegjen kombëtare…, vajtëm ta kërkojmë atë lirinë e munguar të vatanit por…, fatkeqësisht nuk e gjetëm dot…, na gjeti belaja…, lirinë e kishin rrëmbyer komunistët si dhe tradhtarët e popullit që nuk vegjetojnë më!?”.
Kjo fjala “burg” lëre që ma trazon mbamendjen time, por njëkohësisht më detyron t’i “zbërthej” dy nocionet, siç janë: “diktaturë” dhe “demokraci”, për të cilat, pos të tjerash, thuhet: 1. Pushtet i pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish; Pushteti i diktatorit. Diktaturë ushtarake (politike, fashiste, monarkiste). Diktaturë absolute. Diktaturë e egër. Diktatura e skllavopronarëve (e feudalëve, e borgjezisë) etj. Ndërkaq koncepti demokraci (që është në kundërshtim me të parin) shpjegohet: Regjim a sistem politik, ku pushteti ushtrohet nga populli drejtpërdrejt ose nëpërmjet organeve të zgjedhura, ku shtetasit gëzojnë liri e të drejta të barabarta; shtet ose vend që ka këtë regjim a këtë organizim politik.
Këto dy koncepte nuk kanë kurrgjë të përbashkët mes vete në aspektin etimologjik dhe rrjedhimisht kanë ndryshime thelbësore, por përditshmëria postdiktaturiale sikur e “konteston a e vë në dyshim” këtë shpjegim të dalë nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe. Thjeshtë të krijon përshtypjen sikur këto dy sisteme politike sot “funksionojnë si një trup (!?)”. E gjithë kjo ma rikujton atë thënien e ca njerëzve mendjefemër që vë në pah se “mashtrimi ngandonjëherë mbizotëron të vërtetën”. Kështu, kohë më parë një “mashtrim” i tillë doli nga një komunikim paksa i denigruar dhe mbase edhe jo i ndërsjellë, një komunikim në relacion kryeministri-presidencë, një komunikim që për kryefjalë kishte kandidaturën e Visar Zhitit për ambasador në Vatikan, një komunikim ku nuk u mor vesh se kush i binte patkoit e kush thumbit, një komunikim këmbë e krye hileqar!? Ishte një komunikim, të cilit që në hyrje i mungoi niveli i barabartë dhe ai pak moral, një komunikim me procedurë të mbrapshtë, një komunikim që mbase të krijon përshtypjen se i përngjan gërshërëve të berberit dhe leshit të arapit. Që të dyja institucionet e filluan këtë komunikim nga bishti i dardhës. Njërës palë fillimisht i mungoi arsyeja, tjetrës i mungoi goja, veshët dhe në fund të dy palëve “toptan” u mungoi mbamendja dëgjimore dha ajo pamore. E keqja e këtij komunikimi qëndron në faktin se as ministri i Punëve të Jashtme e as presidenti nuk kishin të drejtë të bëjnë “aksham pazare”(!?) me kandidaturën e Visarit…, ata nuk e kanë e as që mund ta kenë atë luks që të tallen me njeriun i cili në vaktin e diktaturës, vite me radhë ishte në shërbim të fjalës së shkruar, ai “në asnjë libër të tij” nuk shkroi për politikën dhe politikanin e djathtë a të majtë…, përkundrazi, ai shkroi për “Shqipërinë që i ka rënë për pjesë të kufizohet me shtete nga ashti i saj…,”, ai shkroi për “Fatet e mbrapshta të shqiptarëve!”, siç do të thotë Ilir Levonja. Ata në këtë komunikim parashtruan një “furgon kriteresh” sa i përket kandidaturës a nominimit për ambasador të Visar Zhitit (!??). Ata prej tij “kërkuan që të (mos) jetë mysliman, ortodoks, katolik, bektashinj, toskë a gegë”(!??) (kjo kërkesë e tyre rreth përkatësisë fetare të Visarit, do të prekë themelet e harmonisë fetare në Shqipëri)…, me ato “kritere”, sikur donin ta detyronin t’i nënshtrohet çdo lloj realiteti të pështirë, sikur donin ashtu “pa qëllim” t’ia ulin a t’ia heqin krenarinë e tij, sikur donin “t’i bënin karshillëk”, sikur donin për inat t’ia nënvlerësojnë kontributin e tij dhënë fjalës së shkruar, sikur, sikur… Tekefundit, “Visar Zhiti nuk ka nevojë për institucionet, qofshin ato edhe diplomatike, përkundrazi, institucionet kanë nevojë për të dhe për kontributin e tij prej intelektuali”.
Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në asnjë nen nuk shkruan se kandidatura e një shtetasi shqiptar duhet të jetë e lidhur ngushtë me përkatësinë e tij fetare dhe, kur njerëzit do ta vënë në dyshim këtë, atëherë do ta rrënojnë atë shprehjen unikale të Pashko Vasës, kur thotë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”. Kjo mesele e Visar Zhitit dhe e të tjerëve si ai nuk dallon me fatet e patriotëve të Goli Otokut, në magjen e miellit të të cilëve dikur pshurrej shkau.