-Media: Në prag të votimit në UNESCO, shtohen masat për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë/
PRISHTINË, 21 Tetor 2015/ “Jam në selinë e UNESCO në Paris për të dhënë shtytjen e fundit para votimit për anëtarësimin e Kosovës”, bën të ditur kryediplomati kosovar, Hashim Thaçi.
“Jam falënderues miqve të Kosovës dhe qytetarëve për ndihmën në lobim”, shton ai.
Kosova sot votohet për kandidaturën e pranimit në UNESCO nga Bordi Ekzekutiv i kësaj organizate të OKB-së, në Paris, prej nga kryediplomati kosovar Hashim Thaçi jep mesazhin: “Të jemi aty ku meritojmë – të barabartë”.
Ndërkohë, sipas medias kosovare, procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, në tërë këto javë, ka qenë përballë një propagande dhe lobimi për mos-pranim nga ana e politikanëve dhe institucioneve të Serbisë.
Për këtë çështje është dyshuar se mund të ketë inskenim të ndonjë incidenti, në ndonjë objekt të trashëgimisë kulturore ose fetare të Kosovës, që do të ishte në dëm të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, raporton Koha.net.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Koha.net se këto ditë kanë intensifikuar aktivitetet në mbrojtje të këtyre objekteve, me qëllim të parandalimit të ndonjë incidenti eventual.
“Disa nga këto objekte të (Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare) ruhen 24 orë/7 ditë, ndërsa për të gjitha objektet tjera PK-ja kujdeset gjatë punëve të rregullta. Normalisht që edhe këto ditë ne i kemi intensifikuar aktivitetet në mbrojtjen e këtyre objekteve me qëllim të parandalimit të ndonjë incidenti eventual i cili kishte me pas ndikim edhe në këtë proces”, është përgjigjur Policia e Kosovës.
Më tej policia ka thënë se objektet e trashëgimisë kulturore e fetare sigurohen vazhdimisht nga policia, dhe se në bazë të vlerësimeve merr edhe veprime të nevojshme./b.j/