Sokol Paja/
Yonkers, New York, 8 Qershor 2024 – Në një mbrëmje festive mes miqsh, familjarësh, kolegësh, patriotësh, diplomatësh, gazetarësh, atdhetarësh e veprimtarësh të çështjes kombëtare u shfaq dokumentari “The Bajraktari Journey: the American Dream”, një prodhim i shtëpisë kinematografike “Dyrrachium Production”, me skenar dhe regji të Dhimitër Ismailaj-Valona, producentit ekzekutiv Harry Bajraktari, drejtorit të fotografisë Ben Wolf, kompozimit muzikor nga Klodian Qafoku, rrëfyer nga Jul Nënshati e Samantha Light, fragmente nga librat e Muhamer Mjekut mbi familjen Bajraktari e fotoreporterit Dritan Haxhia.
Dokumentari paraqiti për publikun e ftuar udhëtimin historik, sakrificat dhe vendosmërinë e Bajraktarëve gjatë 1 shekulli. Sfidat dhe mundimet, e ardhjes në Shtetet e Bashkuara, të Met, Ziza Bajraktari dhe familjes tyre patriotike. Një udhëtim pas në kohë, nga fillimet drejtë majave të suksesit, krenarisë e lavdisë së Bajraktarëve. Një dokumentar i shkëlqyer historik që ngjalli respekt, nostalgji e vlerësim të lartë për rrugëtim e suksesshëm mbresëlënës e shumë dinjitoz të Harry Bajraktarit e familjes së tij të nderuar.
Dokumentari filloi me historinë e trimit, të parit të fisit Bajraktari Mehmet Deda, udhëtimin nga Geghysen në Vranoc, bukuritë e jashtëzakonshme të turizmit e agrokulturës së Vranocit, elementë të kulturës, traditës e historisë kombëtare në Kullën shqiptare. Rolin e jashtëzakonshëm të Kullës së Bajraktarëve në çështjen kombëtare si luftën kundër pushtuesve osmanë, betejat me okupatorin barbar serb, pjesëmarrjen në Lidhjen e Prizrenit 1878, mbrojtjen e patriotëve si Bajram Curri, Haxhi Zeka e shumë të tjerë. Dokumentari specifikon trimëritë, përplasjet e familjes Bajraktari, burgosjet, vrasjet pa gjyq dhe eliminimi i figurave shqiptare të rezistencës patriotike. Dokumentari identifikon shënjestrimin që regjimi komunist serb i bënte gjyshit, babait e familjarëve të Harry Bajraktarit, qëndresën e tyre të pa mposhtur e episode të familjes së tyre. Ikjen nga Vranoci për në Atina Romë, vuajtjet shpirtërore të ikjes nga vendlindja, vizita e dajës Halil Arif Gecaj që u dha kurajë në rrugëtimin e ri, ndihma nga Dom Prek Ndrevashaj, mikpritja e Balidemaj e ftesa e Mulosmanaj për Amerikë.
Është shumë emocionues në dokumentar ardhja në New York Bronx në Kreston Avenue në familjen e Musli Mulosmanaj, ndërtimi i jetës e biznesit në Amerikë, takimet me patriotë të mërgatës shqiptare në Amerikë e deri te Mbreti Zog. Takimet patriotike formësuan karakterin e Harryt si biznesmen, fisnik dhe patriot. Në dokumentar paraqiten detaje të familjes dhe rrugëtimin e suksesshëm në biznesin e real estate, ku dëshmia e dajës Rrustem Gecaj njohu publikun me fakte e detaje të qenësishme historike.
Dokumentari shpalos takimet e frytshme të Harry Bajraktarit me Eliot Angel, Bobe Dole, Bill Clinton, Joe Dioguardi, Jim Xhema, apo personalitetet e kombit shqiptar si Nënë Tereza, Mark Krasniqi, Dr.Rugova, Prof.Fehmi Agani, Bujar Bukoshi etj.
Dokumentari paraqet kontributin historik të Harry Bajraktarit për çështjen kombëtare duke u fokusuar te takimet me politikanë Amerikanë në Uashington, protestat e ndryshme sidomos para Kombëve të Bashkuara etj. Dokumentari nxjerr dhe shpirtin bujar e fisnik të Harry Bajraktarit në mbështetje të shkollave, njerëzve në nevojë, kishave, xhamiave e bizneseve shqiptare. Në dokumentar flasin dhe ish kryeministri Ramush Haradinaj, ish kryeministri Sali Berisha e ish presidenti Fatmir Sejdiu duke vlerësuar figurën e kontributin e Harry Bajraktarit, një shqiptar i madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shembull e frymëzim për gjenerat shqiptare.
Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.
Harry Bajraktari, faleminderit e mirënjohje për gjithçka që i keni dhënë kombit, shtetit e komunitetit.