Nga R.Gurakuqi, nipi i Karl Gurakuqit/
Sot, nga Kryeministri i Republikes se Shqiperise u perkujtue 95 vjetori i themelimit te Bibliotekes Kombetare. Publiku priste qe me kete rast te njoftohej nje projekt mbi ndertimin e nje Biblioteke te vertete Kombetare. Sot në 95 vjetorin e themelimit, nga ana tjeter askush nuk u kujtua per themeluesin e Bibliotekes Kombetare, Profesor Karl Gurakuqin, njeriun aq të dashur të familjes sime, që e çoi një jetë të tërë në shërbim të arsimit kombëtar, gjuhësisë shqiptare, nxënësve shqiptar, në veri dhe në jug të Shqipërisë, dhe mes arbëreshëve të Siçilisë dhe Kalabrisë. Pavarësisht se Kryeministri dhe shpura e tij e antikulturës nuk u kujtua për axhen tonë, për t’i bërë një nderim, unë jam i bindur që shqiptarët e nderojnë vepren e Karl Gurakuqit per Shqiperinë dhe shqiptarët. Shkodranët, Tironsit, Vlonjatët, Arbëreshët e Siçilisë dhe Kalabrisë, bota shkencore do ta nderojë përjetë vepren e tij. Lavdi Vepres se Punetoreve te Ndershem te Kombit, Arsimit, Kultures dhe Shkences”. Ata s‘kane nevoje per nderimin e politikaneve te sodit. Ato i nderon populli thelle ne zemren e vet. Pac Drite gjithmone axha Karlo! Themelimi i Bibliotekes Kombetare dhe Muzeut Histori Kombetar. Nga Karl Gurakuqi Shkëputur nga ditari i tij. Qi mos të harrohen. Ditár.Themeloj Bibljotheken Kombtare-28 nanduer 1922 Mbasi asht kthye në Tiranë nga Salzburgu ku kishte qene per vizite, Karl Gurakuqi, „ Me 10 nânduer 1920, u vûna me shtrue relacjonin mbí misjonin t’em n’Austrí të pjekjes me prof. Patsch-in ashtu edhe rregulloren e bibljothekës (30 faqe të daktilografueme), e cila në vjetin 1922 (shif mâ tutje) vlefti si bazë për krijimin e Bibljothekës Kombtare. Sikurse u tha në f. 413 të këtij ditari, unë shkova n’Austrí në vjetin 1920 (korrik) për të studjue organizimin e bibljothakavet mbassi i kishim vû themelet bibljothekës së ministrís me librat e ish-komisis letrare të Shkodrës, qi unë i solla prej Shkodre në Tiranë. Rexhep Mitrovica, ministri i arsimit ishte njerí i kuptueshëm, puntuer i palodhëshëm; e kishte shum për zemër përparimin e vendit me anë veprash kulturore, me hapje shkollash, me botim librash dhe rivístash. Nën dikasterin e tij i u dha rrugë botimit t’organit të ministrís s’arsimit me titullin “Revista Pedagogjike”, numri i parë i së cilës doli me 1 shtatuer 1922, nën drejtimin e Salih Çekës, e mbas këtij, për nji kohë të shkurtë, nën atë të Nebil Çikës. Në vjetin 1925 e mora unë drejtimin, të cilin e mbajta për tre vjetë deri në fundin e vjetit 1927. Rexhep Mitrovica e shpërnguli ministrín e arsimit nga shtëpija e Selim Stërmasit, e pa-dêjë për nji ministrí, në shtëpin e Abdi Toptanit, në Rrugën “Pjetër Bogdani”, të cilën mâ vonë e bleu italjani Viansone, qi e shendrroi në hotel-restaurant “Hotel Continental”, e qi mâ vonë në vjetin 1943, u vendos komanda e ushtrís gjermane, ku e kishte zyrën komandanti i ushtrivet SS, gjeneral Fitztum. Shtëpija ishte e gjânë, me shum oda poshtë e nalt, me nji kopësht të madh përpara. Në pjesën përdhese ishte nji salon i madh nga ana e rrugës. Këtu patëm vendosë librat e bibljothekës s’arsimit, nji bibljothekë e vogël, por mjaft e pasun, për atëherë, me botime shqipe, sidomos me ato të botueme në Shkodër nga të trí shtypshkrojat e qytetit: “E Papërlyemja”, “Françeskanja” e”Nikja”; këto botime i kishem pasë mbledhë unë në Shkodër. Ndër këto bâjshim pjesë kolekcjonet e plota të revistavet “Elçija e Zemrës së Krishtit” dhe Zâni i Shna Ndout”. Me ministrin e poqëm mendimin qi kjo bibljothekë të bahej botore e të pagzohej “Bibljothaka kombtare”. Mbassi u pasunue edhe me vepra tjera, të cilat shkojshem tue i lypë andej e këndej nepër privatë(Unë vetë i dhurova dyqind libra nga bibljotheka e eme private.)e nepër zyra, me 28 nânduer 1922 u bá inaugurimi zyrtár, ku muerën pjesë të gjitha auktoritetet, tue nisë prej ministravet, e nji shumicë populli. Fjalimin e rasës e bâni Rexhep Mitrovica e, fill, mbas tij, fola unë, tue theksue rândsin qi kanë bibljothekat për kulturën e njij populli. Drejtimin e bibjothekës e mbajta unë përkohësisht derisá u êmnue Visko Babatasi. Prof. Karl Patsch në Tiranë- Themelimi i muzeut kombtar. Nji veprimtarí e gjallë vijon në ministrín e arsimit. Ministrija e arsimit, nën drejtimin e Rexhep Mitrovicës, shkroi fletë të paharrueshme në historínë kulturore të Shqipnís, Sikurse u tha në fqq. 4115-417 të këtij ditari, në vjetin 1920 ishem takue në Vjenë me prof. Karl Patsch-in, i cilí proponimit qi i bâna për krijimin e njij muzeu kombtár në Tiranë, i pat përgjegjë “se nuk i kishte ardhë ende koha”; me gjith këtê, do ta studjonte çâshtjen e do të rrînte në marrëdhânje me ministrín e arsimit të Tiranës. Në fundin e vjetit 1922 ministrija thirri në Tiranë prof. Patsch-in për të bisedue gojarisht çâshtjen e krijimit të muzeut. Në Ministrí vetëm unë flitshem gjermanisht, kështu qi krejt barra e ndërmjetsimit dhe e punimit me tê rá mbí mue, përveç përkthimit të raportevet, qi ai gadi çdo ditë i parashtronte ministrís; më duhej prá me punue edhe natën.”
Biblioteka Kombëtare says
Deklaratë drejtuar Redaksisë së DIELLI nga Biblioteka Kombëtare
Ju bëjmë me dije se dje, në ceremonin e 95-vjetorit të BKSH-së, krahas bashkëthemeluesve e drejtuesve të nderuar të këtij Institucioni, është përmendur me nderim edhe z. Karl Gurakuqi. Veç kësaj, në ekspozitën bashkëshoqëruese të ceremonisë, e titulluar “Biblioteka e bibliotekave”, Karl Gurakuqit i është rezervuar një ekspozitor me libra që mbajnë autografin e tij të mirënjohur. Ekspozita u konceptua si një nderim për ato biblioteka private ose kolektive, përmes të cilave është ngjizur pjesa më e vlefshme e fondit të albanologjisë, duke i lejuar në disa raste këtij institucioni të flasë sot për eksluzivitete dhe raritete. Ajo është e hapur ende në mjediset e BKSH. Në vijim po paraqesim të zbardhur citimin përkatës nga Fjala e Drejtores P. Asllani gjatë ceremonisë:
“ BKSH ka mbërritur deri këtu falë punës e përkushtimit të shumë brezash bibliotekarësh që kanë punuar e përpunuar në heshtjen e tyre dinjitoze sistemin më të plotë të informimit mbi librin e periodikun shqip, që kanë konservuar e restauruar me fanatizëm antikuaret, dorëshkrimet, hartat dhe fonde të tjera të çmueshme e të pazëvendësueshme jo vetëm për kulturës shqipe por edhe ato evropiane e botërore. Ajo ka mbërritur deri këtu gjithashtu falë dijes e vizionit që karakterizoi drejtuesit e saj që nga Visk Babatasi e Karl Gurakuqi, Sotir Kolea e Akile Tasi, Aleks Buda, Zef Mala e Haki Stërmilli, si edhe më tej në linjë kronologjike Marika Vogli e Valdete Sala, Shpëtim Çuçka e Vjollca Gjoka, Nermin Basha dhe Aurel Plasari.”
Fritz Radovani says
Prof. Gasper Ugashi e percaktonte keshtu Prof Karl Gurakuqin: “Asht nder intelektualet ma te pergatitun qe ka pase Shqipnia. Ate cka shkruente apo fliste Prof. Karl Gurakuqi, pa frike asht pranue si dokument historik i pakundershtueshem. Ne shkrimet e Tij ke gjete te sakten dhe te verteten. Ishte fat qe 1944 nuk e gjeti ketu!”
Respekt per veprat e Tij Atdhetare!
ILIR HASHORVA says
Në qoftë se pranoni se prof. Karl Gurakuqi është themeluesi i Bibliotekës Kombëtare Shqiptare, nuk duhej të thoshit “Ju bëjmë me dije se dje, në ceremonin (duhet të shkruanit ceremoninë) e 95-vjetorit të BKSH-së, krahas bashkëthemeluesve e drejtuesve të nderuar të këtij Institucioni, është përmendur me nderim edhe z. Karl Gurakuqi”, por duhet thoshit “Ju bëjmë me dije se dje, në ceremoninë e 95-vjetorit të BKSH-së, krahas themeluesit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, z. Karl Gurakuqi, janë përmendur me nderim edhe bashkëthemelues dhe drejtues të tjerë të këtij Institucioni”.
E kuptoni ndryshimin? Gjithnjë, i pari veçohet.