Prof. Asoc. Dr. Monika Hasani/
Libri “Themeluesi, Lidershipi i Ismail Qemalit” vjen në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në një këndvështrim krejt të veçantë të autorit Evarist Beqiri, për figurën e Ismail Qemalit jo vetëm si themelues i shtetit shqiptar, por duke e trajtuar këtë figurë nën prizmin e lidershipit.
Hipoteza kryesore mbi të cilin ndërtohet libri është se shqiptarët e njohim pak ose aspak lidershipin e Ismail Qemalit, teksa pyetja kryesore kërkimore është: Çfarë nuk dimë ne shqiptarët për figurën e lidershipit Ismail Qemali?
Për të vërtetuar hipotezën autori është mbështetur në një literaturë të gjerë e të pasur me studiues shqiptarë këtej e andej kufirit, studiues të huaj, burime arkivore duke shfrytëzuar variante shkrimore origjinale, si dhe në multimedian.
Gjuha e përdorur është e kuptueshme për të gjitha shtresat, si rrjedhim ka qasje që lexuesi të jetë i gjerë.
Si talent i fushës, veçanërisht i lidershipit, Evaristi sjell të vërteta historike të zhveshura nga paragjykimet duke ndihmuar të ardhmen.
Për studiuesin Ismail Qemali nuk është thjesht plaku i moçëm që ngriti flamurin në Vlorë, por është produkt i një jete të tërë me kontribute të çmuara në shërbim të çështjes kombëtare.
Në kujtesën e tij gjenetike janë sakrificat e familjes Vlora ndër shekuj. “Fryma shqiptare me të cilën ai ishte mbrujtur qysh në vegjëli do ta shoqëronte atë kudo në botë ku ai shërbeu” (E. Beqiri, fq 220).
Cilat janë disa prej elementeve që shenjojnë lidershipin e tij, të zbërthyera në libër.
Ndërtimi i marrëdhënieve njerëzore të mbushura me energji pozitive është faktor vendimtar në suksesin e liderit. Element të cilin Ismail Qemali e zotëronte më së miri. Kishte në zemër dashurinë për vendin.
Heroi, modeli nga i cili ai frymëzohet është Gjergj Kastriot Skënderbeu, Kalorësi i Krishtërimit, duke qartësuar kështu vizionin e tij të ëndrrës europiane. Nuk është rastësi, por mjeshtëri e tij politike dhe diplomatike përkimi i datave. 28 Nëntor 1912, si nëntor i dytë, krijoi shtetin e pavarur shqiptar.
Autori heq paralele mes Skënderbeut që ndali hovin e ushtrive osmane dhe Ismail Qemali që tregoi se trojet shqiptare nuk janë një “Turqi e dytë” në Ballkan, por janë pjesë e pandashme e kontinentit europian.
Komunikimi me anë të simboleve kombëtare.
“Flamuri, himni kombëtar dhe gjuha shqipe”:
Formimi i alfabetit dhe çështja e gjuhës shqipe ishte një nga çështjet të cilës i kushtonte vëmendje të posaçme.
Së bashku me Hoxha Tasimin, Pashko Vasën, Kostandin Kristoforidhin, Jani Vreton në vitin 1864 ndërtuan themelet e punës për hartimin e alfabetin me shkronja latine, sepse për ta humbaja e gjuhës isht humbje e kombit. Si rrjedhojë në vitin 1913 në dokumentet e Qeverisë së Vlorës, shqipja ishte e vetmja gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar. “Duke treguar kujdes e dashuri për gjuhën e kombit tregon qartë shiprtin e tij të lideshipit madhështor”.
Sot modeli i tij i të adhuruarit dhe lëvrimit të shqipes duhet të shërbejë si një pikë e fortë mbështetëse për të përballuar problemet që shqipja ka sot në kontekstin e globalizimit.
Strategjia e komunikimit.
Ismail Qemali zotëronte artin e komunikimit dhe aftësinë për të bërë për vete njerëz të shtresave të ndryshme. Ndiqte politikën e dyerve të hapura, d.m.th lehtësisht i kontaktueshëm nga njerëzit e thjeshtë. Nuk pati kurrë shenja arrogance, vlerë kjo e ardhur edhe nga dera e madhe e Vloravje.
Fleksibël dhe elastik në të njëjtën kohë.
Nuk dorëzohej pa realizuar deri në fund objektivat e tij. “Ismail Qemali përpara çdo gjëje mendonte Shqipërinë”.
Jemi të etur për modelin e lidershipit të Ismail Qemalit për të forcuar demokracinë, për politikanë që udhëheqin nga ideale të larta me karakter të fortë dhe zemër të madhe.
Përfundime
Duke iu kthyer edhe njëherë hipotezës se shqiptarët e njohin pak ose aspak figurën e Ismail Qemalit, duke lexuar librin kuptohet se kjo hipotezë vërtetohet plotësisht. I ftoj të gjithë të lexojnë dhe do të mësojnë më shumë për veprën dhe për këtë figurë, për këtë figurë shumëdimensionale …….
Me aftësinë për të lënë mënjanë për hir të së mirë së përgjithshme Ismail Qemali i parapriu kohës dhe jep dorëheqjen, tipar i lidershipit.
Interesante ishte letra që i dërgon Aqif Pashës ku shkruhet se: “Shqipërinë e shpëtuam, i bindëm mbretëritë se Shqipëria siguron ekuilibrin ballkanik, por nuk ka mbetur një çështje që na shqetëson: ne nuk e durojmë njëri-tjetrin dhe çdo gjë që bëjmë mirë apo keq has në vështirësi dhe sjell pasoja”.
Konstatime të tilla për fat të keq verifikohen lehtësisht në jetën tonë shoqërore, politike.
Gjeniu i Ismail Qemali ia doli që në kontekstin e politikës së jashtme të hidhte poshtë propagandën e ligë të fqinjëve se shqiptarët nuk bëjnë dot shtet, pasi janë racë inferiore.