Pellumb Kulla/
Ti nuk ke asnjë meritë, nuk je përpjekur ta arrish atë, bile as nuk je lutur që të të krijohet ajo mundësi… Është thjesht një rastësi dhe je i përkëdhelur i fatit…
Pikërisht kjo ka ndodhur me mua në marrëdhënie me Shënjtoren Nënë Terezë.
U vendosa në Nju Jork me shërbim diplomatik dhe u lumturova kur mësova se Nëna e shenjtë aty kish disa rezidenca për Motrat e Urdhërit të saj dhe ajo vetë banonte aty gjatë një pjese të konsiderueshme të vitit.
Takimin e parë me të, e pata në një nga vendqendrimet e saj në Manhattan. Shoqërohesha nga ime shoqe Xhuljeta dhe kaluam orë të këndshme me Zonjën e rrallë, që teksa kalojnë vitet, bëjnë atë takim të na duket nga ata që t’i sjell vetëm ëndrra. Ajo na priti së bashku me njërën nga motrat e Urdhrit, Jeanette Petry, që edhe më pas nuk e ndau kurrë nga vetja, në të gjitha rastet që u takuam. Nëna e madhe sillej me ne me mjaft dhembshuri, dhe na ngjante sikur dukej e lumtur që takohej mbas shumë vitesh ndarjeje me fëmijët e saj.
Më pas, me kërkesën e të ndjerit Pjetër Arbnori, patëm rast të ishim përsëri në shoqërinë e saj të magjishme. Sodisja me ëndje takimin e dy katolikve të shquar, por me keqardhje, teksa po i postoj këto kujtime nga Tirana, unë nuk i kam me vete ato fotografi.
E mira Jeanette bashkonte kënaqësitë e bashkatdhetarëve me ato të vetë Zonjës së shenjtë. Ajo i organizoi asaj edhe dy takime të tjera, njërin me stafin e gazetës shqiptaro amerikane Illyria dhe një tjetër me fëmijët e diplomatëve të misionit që përfaqësonte vendin tonë në OKB. Të dy takimet jam i sigurt se kanë mbetur të paharruar, për gazetarët dhe për fëmijët fatlumë, siç kanë mbetur edhe për mua që i sodisja nga afër.
Teksa shërbimi im në Nju Jork po përfundonte dhe Nënë Tereza po përgatitej për fluturimin e saj në Qiell, pata me të edhe një takim tjetër. Këtë radhë ai ishte vetëm telefonik.
Nëna ndodhej në Kalkuta, dhe lëngonte në shtratin e saj. Ishin muajt kur Shqipëria përjetonte vitin e zi 1997.
Motra Petry, erdhi një ditë më parë në zyrën time dhe më njoftoi se Nënë Tereza ndiqte me shqetësim ngjarjet tronditëse në Shqipëri. Shenjtorja e ardhshme, ndihej e sëmurë rëndë në atë qytet të Indisë, por kishte shfaqur dëshirën që të bënte një bisedë telefonike dhe të lëshonte një mesazh për popullin shqiptar. Ishte një mesazh që dallohej për preokupacionin e thellë dhe nënvizonte lutjet e përditëshme të saj dhe të Motrave të Urdhrit për popullin tonë. Ia përcolla atypëraty Tiranës dhe e pashë atë të pasqyruar menjëherë nga Agjensia Telegrafike Shqiptare dhe gazetat kryesore.
Biseda u bë më 16 mars 1997.
Të nesërmen unë i dërgova Nënës së mirë një letër, në të cilën e njoftoja për përcjelljen, falenderimet e shumta dhe urimet që i shkonin për shëndetin e saj. Dhe e mbyllja letrën duke thënë:
“Faleminderit që luteni për ne, Nënë! Zoti do t’Ju dëgjojë, sepse Lutja Juaj di rrugën më të shkurtër për tek Ai.”
Në shtator të po atij viti Nëna Terezë shkoi pranë Zotit.
Teksa unë, deri sa të mbyll sytë, takimet me të më bëjnë të ndihem se jam nga shqiptarët më të lumtur dhe më të pasur.
Gjithsesi nga ata më me fat, po se po!…