Nga cikli i intervistave të Nju Yorkut/
Jam rritur në det edhe pse kam lindur në Pejë. Oqeani më tremb. Udhëtimet jo aq, po ai ferri i oqeanit, po, më tremb marrëzisht. Njerëzit i frikësohen më shumë gjërave që nuk i njohin mirë. Unë detin e njoh dhe ai më njeh mirë. Ia di sekretet. Oqeani është i frikshëm, as e njoh e as më njeh. Kështu shprehet aktori i mirënjohur, Timo Flloko në një intervistë të kahershme qe ia patëm marre nw mjediset e hotelit NewYorker nw Manhatan, pranw njwrit prej rrokaqejve simbol për Nju Jorkun, Empire State Building.
Si u takua Timo me Hollywood-in? Si fitoi njërin pas tjetrin gjashtë role në Amerikë dhe po përgatitej të merrte të shtatin? Cili është roli i parë i tij në kinematografi? Cilin rol dashuron më shumë, cili rol e ka lodhur më shumë?
Timo tregon dhe për një ngjarje të çuditshme: Si foli shqip në gjumë i biri 14-vjeçar i James Belushit, Roberti, kur vizituan vendlindjen!. (Edhe pse nuk dinte asnjë fjalë shqip)…Të gjitha këto dhe të tjera marrin përgjigje në intervistën e Timo Flloko./
Nga Dalip GRECA/
-Kur keni udhëtuar për herë të fundit drejt Shqipërisë?
-Sapo jam kthyer prej andej!
Kur do t’ju bjerë rasti që të shkoni sërish?
-Javën që vjen, do të shkoj në Shqipëri e më pas do të udhëtoj për në Kosovë. Të dielën kemi koncertin e madh që bashkon Prishtinën me Tiranën, është koncerti që i kushtohet simbolit të mirësisë dhe paqes, shënjtëreshës sonë, Nënë Terezës (intervista u zhvillua para koncertit)
-Amerikë-Shqipëri-Amerikë-Kosovë, ecejake të shpeshta, si e ndieni veten këtu dhe si atje? Mos vallë shkelja në vendlindje ju përtërinë?
– Ku më mirë se në vendin tënd mund të gjeshë prehje e qetësi e të marrësh fuqi? Pa dyshim Shqipëria është atdheu ynë, është vendi ku lindëm, jetuam e zhvilluam karrierë. Sigurisht unë i bashkoj këto dy pole, Shqipëri-Amerikë. Ka një dashuri të natyrshme të shqiptarëve për Amerikën dhe kjo tashmë është tradicionale. Kush nuk e ëndërroi Amerikën? Amerika i ka mirëpritur shqiptarët, nuk ua ka vrarë atyre ëndërrat, por kjo nuk na jep të drejtë të harrojmë atdheun. E kam thënë edhe në një intervistë në Shqipëri: Nuk erdha në Amerikë që të ikë nga Shqipëria, as nuk u ktheva në Shqipëri që ta lë Amerikën. Jam shumë i dimensionuar duke kaluar nga një vend në tjetrin. Është një bashkim i natyrshëm i një vendi më të madh me një vend më të vogël.
-Cili është angazhimi më i fundit i Timos? Jeni duke përjetuar ndonjë rol, jeni duke luajtur ndonjë rol apo po ëndërroni ndonjë rol të ri?
-Projektet dhe shpresat nuk shterren. Në Amerikë, në nëntorin e shkuar, përfundova filmin: “Stay Wake” (Rri zgjuar) me regjinë e Blerina Topallit, një shqiptaro – amerikane.
-Ajo është nga të ardhurit e dekadës së fundit?
– I ati i saj ka emigruar në vitet 50-të, ndërsa ajo jeton në Los Angeles. Ka mbaruar shkollën në San Francisco dhe ka qenë regjizore e efekteve speciale në filmin “Titanic”. Është vajzë me kapacitet profesional të ndjeshëm dhe me një karrierë, që ka filluar tashmë të ndjehet. Unë luaj një rol kryesor në këtë film. Është historia mes një shqiptari dhe një serbi. Unë luaj rolin e një shqiptari. Filmi është një vështrim dramatiko – grotesk i marrëdhënieve të ndërsjellta të emigracionit në një vend të madh si Amerika.
-Ndonjë projekt në Shqipëri?
-Në Shqipëri këtë vit kam qenë në një projekt promete. Vepra quhet “Stinë e mërzitshme në Olimp” e shkruar nga Ismail Kadare. E kemi luajtur dhe e kemi përfunduar si kontratë. Kemi realizuar dhe regjistrimin në televizion. Është “TV Klan”, që do ta shfaqë në vjeshtë, ai ka ekskluzivitetin. Kam dhe dy projekte të tjera: një film që do ta filloj së afërmi me Kujtim Çashkun në Shqipëri dhe një rol teatri me Trupën e Teatrit Kombëtar. Ndërkohë, kam negociata për një film me një producent nga New Jersey. Ai ka gjetur burimin financiar dhe kam shpresën e madhe se do të bëjmë diçka.
-Diçka konkrete për aktivizimin tuaj në kinematografinë amerikane?
-Kam luajtur gjashtë role. Diku kam qenë artist mysafir special. Filmi i parë ka qenë “Wish master” (“Zoti i dëshirës”), ku luaja rolin e një terroristi i quajtur Mustafa. Një tjetër film është “Silk Stockings“ (“Çorapet e Mëndafshta”), tjetri ka qenë “Angel’s Dance” (Vallëzimi i Engjëjve), me James Belushin. Tjetri film ka qenë “Seven Days” (Shtatë ditë), ku pata rolin e një paramilitari. Një film tjetër, ku luaj përsëri me Belushin quhet “Bad Guy”. Kam një skenë me Belushin, është skenë e lezetshme. Ai vjen rrotull, unë e ndjek e ai më ndjek, futemi në një garazh makinash. Më qëllon i pari në këmbë. Unë kisha për të thënë një sharje në anglisht. Regjisori më thotë: Timo, pse nuk e thua sharjen në shqip.
-Pse ta them në shqip? Pse të mos e them, ta zëmë në italisht apo në ndonjë gjuhë tjetër? –e pyeta.
-Më pyeti ai mua: Sa shqiptarë ka në New York?
-Pse më pyet?, ia ktheva dyshues.
-Sepse kam dëgjuar sikur ka shumë.
Iu përgjigja se në New York, New Jersey e Connecticut ka rreth 700 mijë shqiptarë, së paku kështu thonë.
-Ja kjo është “very fani”, thirri ai i entuziazmuar. Dhe fillova të shaj në shqip. Jimi i habitur, më thotë: Timo, ç’po flet ashtu?
Skena vajti shumë bukur, po sharja shqip nuk mbeti në variantin përfundimtar të filmit. U hoq. Sidoqoftë, Jimi mbeti shumë i kënaqur nga pjesëmarrja ime në film.
-Timo dhe Hollyvoodi, marrëdhënie aq shumë e tjerrur nga shtypi shqiptar. Cila është e vërteta e këtyre marrëdhënieve, ç’ndjetë kur e prekët Holliwood-in, jeni ende i dashuruar me të ?
-Ishte një përvojë shumë e rëndësishme për mua. Mund të kem shkuar në 250 – 300 audicione. Kur kam kujtuar se kam fituar apo isha pranë roleve, kur kam menduar se i kam marrë ato, ka ndodhur e kundërta, i kam humbur. Hollywood-i është magji, ka gëzimet e dëshpërimet e veta, por kurrë nuk i dihet. Ai është si një mirazh; i zgjat dorën, të duket fare pranë, ja sikur do ta prekësh, por kur ti e ndjen se e ke prekur, menjëherë të largohet. Por duhet të jeshë ngulmues. Është e mundshme që të bëhesh pjesë e tij. Unë nuk mund të bëhem Deniro apo Al-Pacino, por ka role që i kam thithur menjëherë…Kur kam shkuar nëpër audicione, ata e kanë ndjerë se kam qenë aktor profesionist me një karrierë të pasur. Në moshën time, aktorët nëse s’e kanë bërë karrierën deri tani, kur duhet ta bëjnë?
-Patët vështirësi dhe të ç’karakteri ishin?
-Punova shumë për të kapur gjuhën. Edhe pse e dija anglishten, shkova në shkollë dhe punova intensivisht për të qenë transparent me theksin. Më thotë një aktor i vjetër në Los Angels: Ke arritur mjaft në karrierën tënde. Edhe këtu, ka amerikanë që ta kanë zili, jo kushdo mund të ecë kaq shpejt në një vend si Amerika. Pastaj më pyeti: Si e mendon ti Hollywood-in? Çfarë do të thotë për ty Hollwood-i?
-Tokë e shenjtë, iu përgjigja menjëherë.
-Jo, tha ai, – nuk është ashtu. Hollywood-i është pylli i murrizave.
Shih, thashë se si varen njerëzit e idetë mbi simbolin. Hollywood-i është simbol. Ka ndodhur shpesh që të takoj shqiptarë në Los Angeles, që më kanë pyetur: Ku është Hollyvood-i, ai atje? Unë u them se ai është simboli, siç ka simbolet e veta New York-u, Parisi etj. Po mirë, ku është Hollywood-i, pra?-kanë këmbëngulur ata. I sqaroja se është një zonë dhe kaq. I çoja nëpër studiot për t’iu shuar kureshtjen. Po pse, ky qenka Hollywood-i?, pyesnin ata. Po këto qenkan studio si çdo studio.
– Diçka për karrierën tuaj. Para se të shkonte Timo në Institutin e Arteve, ishte ngjitur ndonjëherë në skenë?
-Po, ishin aktivitetet që bëheshin kryesisht nëpërmjet lëndës së letërsisë. Kam qenë shumë i pasionuar pas letërsisë, ndaj edhe shkruaj vjersha. Tani po e përgatis librin me vjersha e poema. Shpresoj që të botohet në fillim të vjeshtës. Po punoj me redaktoren Flutura Açka. Kam shkruar një poezi për Nënë Terezën me titull Prekja e shenjtë. Ja po ju recitoj një strofë:
Kur shpirtin ma mbyt një re e zezë,
Heshtur lutem me sytë lart te Zoti.
Në lutjet e mia është Nëna Terezë,
E shenjtë qe prekja e saj atij moti…
-Poezinë ua dha Amerika, vetmia e emigrantit, apo ishte brenda qenies tuaj e strukur?
– Jo. Amerika më dha ndjesinë për t’i thyer më mirë tabutë. Në kuptimin e asaj që poezia përherë ka qenë për mua element privat. Më thoshte me një farë humori një gazetare në një shkrim: Poeti i ri, aktori Timo Floko e shkroi tekstin! Poradeci mbeti poet i dashurisë…
-Do të kemi një përgjigje për pyetjen nëse poezia ka qenë e strukur në qenien tuaj apo?
-Jo, përherë kam shkruar poezi. Gjatë periudhës së dikaturës i grisa poezitë, ishin jashtë formulave të kohës. Për t’u mbrojtur i grisa. Kujtim Çashku, miku im dogji pikturat. Kështu ndodhte, krijuesi bënte atentat ndaj vetes që të mos e pësonte. Kjo ka qenë më 1971. Poezitë e rrezikshme për shtetin, aluzione etj. Një poezi e tillë do të jetë në vëllim. Titullohet “Rekuiem”. Ajo trajton dramën e individit gjuetar shtrigash.
– Kam lexuar se keni pasion detin dhe ajrin. Është e vërtetë që keni dashur të bëheni pilot?
-Po kam dashur të bëhem pilot, por dëshirat realizohen në ëndrra. Shiko se si lidhen gjërat? Shih se si lidhet poezia me fluturimin, detin, oqeanin. Edhe poezia ime trajton problemin e shtegtimit, ekzistencën e individit dhe botës. Ajo në fakt i kushtohet përkohshmërisë së jetës së tij dhe absolutes.
Detin e dua marrëzisht, ndërsa oqeanin e kam frikë. Jam rritur në det edhe pse kam lindur në Pejë. Oqeani më tremb. Udhëtimet jo aq, po ai ferri i oqeanit, po. Njerëzit i frikësohen më shumë gjërave që nuk i njohin mirë. Unë detin e njoh dhe ai më njeh mirë. Ia di sekretet. Oqeani është i frikshëm, as e njoh e as më njeh.
-E keni trashëguar talentin apo gjithçka është vetëm vullnet, punë?
-Them se diçka duhet të kem trashëguar nga im atë, edhe pse ai ka qenë mjek. Ka mbaruar në Sorbonë. Unë, siç ju thashë, kam lindur në Pejë. Bile kam shkruar një poezi për vendlindjen. Babai është gjirokastrit. Gjatë luftës shkoi në Kosovë. Ishte mjek, e morën brigadat partizane dhe e çuan atje. Nëna është nga Podgorica. Babai ka patur humor. Kur i thashë se do të bëhesha aktor, ai tundi kokën dhe më këshilloi: po u bëre i madh, po, ndryshe, mos i hyn asaj rruge!
–Në ç’moshë ishit kur luajtët rolin e parë në film?
-Roli im i parë serioz është në filmin “Kur zbardhi një ditë…” Mosha? Kam qenë 20 vjeç. Në fakt, unë kisha debutuar në dy filma të tjerë, role të zbehta, nuk më jepnin ndonjë hapësirë që të krijoja apo të përjetoja ndonjë moment emocional. Viktor Gjika thotë në një rast: ka portret shumë interesant, po ç’e do, s’ka talent. Dhe u grinda me të. Nejse, kjo i takon së shkuarës, e kam mik Viktorin. Meço, ishte një sukses i rëndësishëm për mua.
Një rënditje për rolet, a mund ta bëni?
-Kjo është renditja: Meço, mësuesi, teknik…dhe Agroni tek “Vdekja e kalit”.
– Po Çerçiz Topulli?
– Çerçizi? Paradoks, rolin që e kam dashur më shume dhe e dua, kritika nuk e vlerësoi sa duhet. Ishte rilindas i madh Çerçizi dhe unë u dashurova me të. Nuk ishte kaçak i zakonshëm, por përfaqësues i një familje të fisme.
Kam dashur edhe Kananin. Si tek ai, si tek Çerçizi afrohet përfytyrimi i njerëzve me imagjinatën që kanë për heroin. Personazhi real zëvendësohet me imazhin e aktorit që e ka krijuar. Arti e ka atë fuqi magjike, të hipën në piedestalin e heroit.
– Ka patur raste kur censura të ka hequr pjesë, ku keni derdhur shpirtin tuaj?
– Po. Ja një rast. E kam dashur shumë një rol, atë që kam luajtur tek filmi ” Ballë për ballë”, me skenar të Kadaresë. Është një pijanec, Aleksi, që luaj unë, i degraduar shpirtërisht. Megjithatë u dashurova pas tij, sepse ai më çonte në atmosferën e letërsisë ruse të personazheve të stepës. Atë desha të krijoja me shpirt, siç ma kishte ndezur përfytërimin. Mirëpo, ma kanë këputur pjesën, e kanë ”qethur” me gërshërët e censurës. S’duhet të flas aq shumë, më thanë. Ende jam i inatosur nga ajo prerje. Më ka mbetur kulmi i monologut jashtë. Ma kanë prishur rolin.( U botua per here te pare me 2003 ne Gazeten Illyria .Intervista do te botohet e plote ne librin qe eshte ne process-Histori Shqiptare nga Amerika)