
Sokol Paja/
Skandali “Tims” është padyshim ndër skandalet më të rënda në shtetin shqiptar të tranzicionit postkomunist. I harruar dhe i kaluar në heshtje prej muajsh prej organeve ligjzbatuese, kopjimi, ruajtja dhe transferimi i të dhënave personale të shqiptarëve e shtetasve të huaj nën posedim të personave të paautorizuar përbën një akt të pastër kriminal, një precedent të tmerrshëm të rënies së shtetit ligjor, gjunjëzimit të institucioneve, cënimit të sigurisë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s dhe shkelje të një sërë ligjesh, marrëveshjesh e konventash ndërkombëtare. Një ditë e zezë për shtetin ligjor dhe shtetin e së drejtës. Shteti shkërmoqet prej punonjësve shtetërore. Shteti ka dështuar totalisht të mbrojë të dhënat e qytetarëve të Republikës. Asnjë përgjegjësi nga zinxhiri komandues e drejtues i cili duhej të jepte llogari që ditën e parë të skandalit të rrezikshëm e të paprecedentë.
Të gjitha skandalet kombëtare në shtetin shqiptar mbajnë një përgjegjës: Edi Rama. Kryeministri më i dobët dhe më i dëmshëm i Shqipërisë e shqiptarëve vazhdon “mbretërimin” e tij të mandatit të tretë duke sjellë pasoja të tmerrshme në ekonominë, sigurinë shtetërore e keqmenaxhimin e aseteve kombëtare e shtetërore. Dëbimi nga Shqipëria i 1 milion shqiptarëve në 11 vite keqqeverisje, shpartallimi i shtetit ligjor, kontrolli i medias, presioni i vazhdueshëm mbi drejtësinë dhe skandalet e njëpasnjëshme si rasti “Xhaçka” ku partia – shtet shpërfill Gjykatën Kushtetuese duke mbrojtur mandatin e deputetes në papajtueshmëri me Kushtetutën, tregojnë gjendjen e vendit dhe katandisjen e vazhdueshme prej më shumë se një dekadë. Partia- shtet ka kryefjalë të vetme vjedhjen e çdo qindarke publike. Korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, vjedhjet masive në çdo ministri e drejtori, ku “rrugët” dhe “tatimet” janë gropa e zezë e parasë publike. Zhvatja është kthyer në sistem.
Në skandalin “Tims” është e pashpjegueshme sesi Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk ka thënë asnjë fjalë dhe nuk është marrë asnjë masë. As Komisioni Hetimor Parlamentar as arrestimi i ish drejtorit hajdut Muça, nuk i lajnë mëkatet e këtij skandali me përmasa të frikshme. Shteti është thyer e kthyer nën komandën e patronazhistëve dhe aktivistëve, specialistët dhe punonjësit me integritet janë zëvendësuar apo transferuar në periferi. Partia është kthyer në shtet dhe shteti në parti. Shteti ka rënë nën thundrën e partisë-pushtet. Vjedhja e të dhënave personale të shqiptarëve si hyrje-daljet e personave në pikat kufitare, dokumentet biometrike të shtetasve, gjeneralitetet e tyre, ngjarjet kriminale, ngjarjet nën hetim të raportuara në sistemin e brëndshëm të policisë, aksionet e policisë së shtetit, dosjet hetimore më të bujshme, lista terroristëve apo personave me rrezikshmëri të lartë dhe në kërkim kombëtar apo ndërkombëtar, gjobat e makinave të qytetarëve të Republikës, strategji, plane veprimesh apo informacione të ndryshme sekrete të rëna në duart e personave jo përgjegjës përbëjnë një akt të tmerrshëm kundrejt interesit të shtetasve të Republikës dhe interesave të vetë shtetit shqiptar. Një tradhti e tmerrshme, shteti “shet” të dhënat sensitive të shtetasve. Vetëm largimi i kryeministrit Rama dhe të gjithë atyre që fusin duart në xhepat e shtetit, në kurrizin e qytetarëve dhe institucioneve e shpëtojnë Shqipërinë nga plagët shumëplanëshe dhe të shumanëshme.
Në një shoqëri demokratike perëndimore, qeveria do kishte rënë 100 herë, ndërsa në Shqipëri Rama me shpurën e tij vazhdon vjedhjet e abuzimet, shoqëria e qytetarët heshtin dhimbshëm. Është jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët që jo vetëm të ketë ndëshkim shembullor mbi skandalin “Tims” por institucionet shtetërore përgjegjëse të kërkojnë ndihmë nga BE, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rritjen e kapaciteteve të sigurisë e mbrojtëse kibernetike, ndryshim të legjislacionit dhe rritje të kapaciteteve të specialistëve të fushës me qëllim që skandale të tilla të mos rrezikojnë qytetarët, institucionet dhe vetë shtetin. Shteti ka rënë, Republika në rrezik jetik.