Ramë Manaj
AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).
Abstrakt
Luftërat shkaktojnë pasoja të rënda dhe gati gjithherë të pariparueshme: humbje të jetëve njerëzore, vrasje të civilëve të të gjitha moshave, djegie kufomash, masakrime në grupe të mëdha e të vogla, përdhunime, si dhe dëme kolosale materiale, si shkatërrime pronash, djegie shtëpish e shkatërrime të institucioneve me vlera kulturore, historike etj.
Por, pasojat më të rënda janë masakrimet e trupave të njerëzve, djegiet e tyre, dhunimet seksuale para vrasjes, si dhe përpjekjet për fshehje të krimeve duke hedhur trupa në varreza masive, në hapësira sekrete, nëpër miniera etj.
Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999 kur u humbën më shumë se 13 mijë jetë njerëzore, u shkatërruan më shumë se 120 mijë shtëpi, u dhunuan më shumë se 20 mijë femra shqiptare, u shkatërruan qindra e qindra objekte të kulturës materiale e shpirtërore, kulturore, historike, kombëtare e fetare dhe më shumë se 6000 trupa të vrarësh u fshehën nëpër varreza të ndryshme masive nëpër Serbi (ende sot kërkohen mbi 1600 trupa të të vrarëve të zhdukur ose ende të pagjetur).
Kumulativisht, gjatë viteve 1998-1999, në Kosovë, nga forcat ushtarake e policore dhe paramilitare serbe, që vepronin në akordancë të efektshme, janë bërë rreth 400 masakra të mëdha e të vogla- vrasje masive në grupe të mëdha (146 veta në Izbicë më 28 mars 1999, 377 veta janë vrarë në Mejë të Gjakovës më 27 prill 1999, Reçaku, Krusha e Madhe dhe e Vogël, Likoshani, Prekazi, Pastaseli, Kralani e shumë e shumë të tjera) dhe në grupe më të vogla. Janë vrarë e masakruar fëmijë (më shumë se 1300 janë të evidentuar) pleq e të rinj dhe gra e vajza, pa dallim.
Tipologjia e masakrave serbe në Kosovë mund të specifikohet sipas disa kritereve:
– Sipas numrit të të ekzekutuarve (pra në grupe të mëdha e të vogla dhe individuale);
– Me armë zjarri dhe me armë të ftohta;
– Sipas mënyrës së ekzekutimeve (me rafale dhe të shtëna individuale);
– Sipas vendit (në fusha, në rrënoja ndërtesash, në brigje lumenjsh etj.);
– Sipas kohës (në çdo orë brenda 24 orëve).
Elementet gjenocidale të masakrimeve e vrasjeve ishin evidente jo vetëm në tendencën e zhdukjes apo shfarosjes së një populli përmes ekzekutimeve, por edhe përmes përndjekjes së rreth një milion njerëzve jashtë Kosovës duke ua konfiskuar dokumentet e identitetit dhe ato të udhëtimit, me qëllim që të mos u lejohej kurrë më (sipas planeve të tyre) kthimi në shtëpitë e tyre.
Vrasjet e fëmijëve (personave nën moshën madhore, paraqet monstruozitetin e barbarisë dhe llahtarisë që forcat serbe e manifestuan kundër shqiptarëve të pambrojtur.
Pas përfundimit të luftës, familjarët kanë lajmëruar tek organizatat e ndryshme humanitare ndërkombëtare se mungonin më tepër se 6.000 persona, për fatin e të cilëve nuk dihej.
Më shumë se 4500 prej tyre deri tani janë gjetur nëpër varreza masive, prej tyre më shumë se 945 janë sjellë nga varrezat masive nëpër Serbi, nëpër lumenj e puse të ndryshme ku herë-herë janë hedhur bashkë me trupa kafshësh të ngordhura.
Fjalët çelës: Masakra, vrasje civilësh, grash, fëmijësh, civilë të paarmatosur e të pambrojtur, djegie trupash, dhunime seksuale, shkatërrime shtëpish, rrënime të objekteve të kulturës.
Pikëpamja sipas së cilës nëse dihet botërisht se në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999 ka ndodhur një luftë dhe se janë të njohura pasojat e saj, nuk do të jetë e nevojshme që të evidentohen, eksplorohen dhe memorizohen nga aspekti shkencor juridik e historik krimet e rënda që u bënë ndaj një populli të pambrojtur, duket të jetë e paqëndrueshme. Prandaj është e domosdoshme të trajtohet në përkufizimin dhe memorizimin shkencor e institucional të dimensioneve të krimit dhe pasojave që shkaktoi agresioni serb, si dhe monumentalizimin e homazhit ndaj viktimave të luftës.
Është në ndërgjegjen njerëzore që ballafaqimi e dëshmimi i krimeve, i secilit krim, të jetë pjesë e obligimit dhe vetëdijes për historitë njerëzore. Rrëfimi për krimin, tipologjizimi i tij, sikur edhe përpjekja për lidhjen e të gjitha krimeve bashkë në kërthizën e origjinës, ndikon në ndërgjegjen e njerëzimit.
Prandaj, është dobishme që të bëhet tipologjizimi, struktura e krimeve serbe ndaj shqiptarëve. Kjo nuk është e lehtë nga aspekti shkencor, por është edhe më e dhimbshme nga aspekti njerëzor.
Fundi i shekullit XX, provoi edhe një herë, si shumë herë të tjera në histori, se koncentrimi i forcës dhe armatimit shkatërrues në duart e të papërgjegjshmëve dhe në duart e atyre që lakmia për dominim e për pushtim jo vetëm që mund të arrijë në shkallë të absurdit, por mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme, duke e pasqyruar anën e errët të koshiencës njerëzore.
Shkaktari i luftërave gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, agresioni serb, pas Kroacisë e Bosnjës dhe Hercegovinës, gjatë vitit 1998-1999, me gjithë arsenalin e tij ushtarako-policor e paramilitar, nën komandën e Slobodan Milosheviçit, iu sul Kosovës.
Preteksti për vrasjet, plagosjet, masakrimet, djegiet e shkatërrimet ishte UÇK-ja, por qëllimi i vërtetë ishte krijimi i “tokës së djegur” e pastaj deportimi i popullsisë jashtë Kosovës.
Projekti strategjik luftarak serb “Patkoi“ e dëshmoi këtë: përveç vrasjeve grupore dhe atyre individuale, masakrimit të kufomave, djegies e zhdukjes së tyre, dhunimeve seksuale, përveç djegies e shkatërrimit të më shumë se 120 mijë shtëpive e shumë objekteve të tjera të institucioneve publike e fetare, ushtria, policia dhe paramilitarët serbë i deportuan jashtë kufijve të Kosovës – në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi rreth një milion shqiptarë, gra, fëmijë e të moshuar, me synimin e qartë që t’ua pamundësojë atyre kthimin në trojet e veta.
Në fjalorët juridikë e gjuhësorë, termi masakër ka domethënie të gjakderdhjes masive, vrasje në masë, prerje, copëtim, demolim e djegie kufomash… (në gjuhën shqipe përdoret edhe termi kasaphanë). Por masakër ose masakrim është edhe kur vetëm një personi të vrarë i shkrep armën, e copëton, e djeg, ia demolon fizikisht trupin.
Ndërkaq, termi gjenocid, siç dihet, vjen prej fjalës greke genos që do të thotë: gjini, etni, komb dhe cidere, që do të thotë: vrasje. Pra vrasje masive, përpjeke për zhdukje të një etnie ose pjesëtarëve të një përkatësie etnike-kombëtare. E tillë ishte përpjekja e regjimit të Milosheviçit.
Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), nga data 1 janar 1998 deri më 12 qershor 1999, kur në territorin e Kosovës janë futur Trupat e NATO-s, nën akronimin KFOR, forcat ushtarake, paraushtarake dhe policore të Serbisë dhe të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) kanë vrarë 7900 civilë shqiptarë të paarmatosur (6579 meshkuj, 1321 femra).
Por të dhënat e publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare e tashmë të njohura botërisht, citoj:...si pasojë e konfliktit 1998-1999 dhe pas përfundimit të luftës deri në fund të vitit 2000, 13535 persona janë vrarë apo janë zhdukur me dhunë. Nga numri i përgjithshëm i viktimave 10317 ishin civilë (prej tyre 8676 shqiptarë, 1196 serbë dhe 445 nga grupet e tjera etnike) dhe 3218 nga forcat e ndryshme të armatosura (prej tyre 2131 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, 1084 nga forcat e armatosura serbe dhe jugosllave dhe 3 nga forcat e NATO-s. Nga ana tjetër, më shumë se 1600 persona ende rezultojnë të zhdukur.
Fëmijët ishin në shënjestër të forcave serbe me motivacion se ata ishin,, armiq të ardhshëm të Serbisë.,,
Gjatë konfliktit në Kosovë, sipas evidencës së Këshillit të Mbrojtjes së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, 953 fëmijë shqiptarë janë vrarë e masakruar nga forcat serbe 4, (ndonëse disa autorë-burime të tjera konfirmojnë se shifra e fëmijëve të vrarë është më tepër se 1300).
Rreth 400 masakra kolektive i ka kryer makineria vrastare serbe gjatë luftës në Kosovë, në të cilat civilët shqiptarë u vranë në grupe: 377 në masakrën e Mejës, 146 në më masakrën e Izbicës, 115 në masakrën e Pastaselit, 86 në masakrën e Kralanit, pastaj në masakrën e Reçakut, Krushës së Madhe e të Vogël, Prekazit, Likoshanit, Çirezit, Poklekut, Çikatovës, Rezallës, Abrisë, Lubeniqit e Korenicës e shumës e shumë masakra të tjerat që regjimi serb kreu në Kosovë
Këto masakra janë kryer ndaj civilëve të pambrojtur shqiptarë, gjë që dihet por e kanë dëshmuar edhe të mbijetuarit e paktë të këtyre masakrave.
Përveç, vrasjeve, masakrimeve, djegieve e dhunimeve edhe rreth një milion shqiptarë u deportuan jashtë Kosovës, me synimin etnocidal për ta bërë spastrimin etnik të saj nga shqiptarët, të cilët përbënin më shumë se 95 për qind të popullsisë autoktone dhe rezidente të Kosovës. Por cila është tipologjia e masakrave në Kosovë?
Arsim Bajrami, në librin e tij,, Gjenocidi i Serbisë në Kosovë- aspekte juridike,, thekson se gjenocidi i Serbisë në Kosovë është shumëdimensional: gjenocidi në sferën e arsimit, gjenocidi ekonomik, gjenocidi në sferën kulturore, media dhe fushat e tjera, gjenocidi demografik, duke eksploruar detajisht dhe në mënyrë të argumentuar gjithë kompleksitetin e gjenocidit shtetëror të Serbisë në Kosovë.
Megjithatë këtu do të paraqitet një tipologjizim i shkurtër, i të reduktuar në shtruarje, për vrasjet masive dhe masakrat, të cilat forcat serbe i bënë kundër shqiptarëve të pambrojtur civilë, gjatë viteve 1998-1999.
Gjenocidi është përkufizuar me Konventën e OKB-së për Gjenocidin e vitit 1948, e cila ka hipur në fuqi më 12 janar 1951.
Sipas kësaj Konvente, Gjenocid nënkupton secilin nga aktet e kryera me qëllim të shkatërrimit të tërësishëm apo të pjesshëm të një grupi kombëtar, etnik, racor apo fetar, siç është:
- Vrasja e anëtarëve të grupit; (b) shkaktimi i lëndimeve serioze trupore apo mendore, anëtarëve të grupit; (c) të imponuarit e qëllimshëm të kushteve të atilla të grupit, të parashikuara që ta shkaktojnë shkatërrimin fizik apo mendor, të plotë ose të pjesshëm të atij grupi; (d) imponimi i masave që kanë për qëllim parandalimin e lindjeve brenda grupit; (e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve prej një grupi në tjetrin.
Kështu, masakrat serbe ndaj popullatës shqiptare dalin të jenë thjesht ilustrim i faktit se ato u bënë me qëllim dhe në funksion të gjenocidit të organizuar shtetëror, në përputhje të plotë me përkufizimin dhe kriteret e gjenocidit.
Gjatë mbajtjes së Konferencës së Rambujesë, Serbia kishte dislokuar në Kosovë rreth 150 mijë forca ushtarake, policore dhe grupe paramilitarësh, si ato të kriminelëve Sheshel e Arkan, me gjithë arsenalin e tyre vrasës: artileri të rëndë e të lehtë ushtarake e policore, të cilat kishin mbuluar tërë territorin e Kosovës. Kjo forcë, sidomos pas datës 24 mars 1999, kur filluan sulmet e NATO-s ndaj caqeve të caktuara në Serbi e Kosovë, fillojnë sulmet e tmerrshme të përndjekjes masive, vrasjeve, dhunimeve, djegieve e shkatërrimeve kundër popullatës civile shqiptare.
Veçori e këtyre vrasjeve është se ato u kryen ndaj individëve, por po kështu duke i grupuar njerëzit, të cilët më pas vriteshin ose masakroheshin nga ato forca.
Këto grupime qenë të ndryshme, grupime më të vogla ose më të mëdha (nga 10, 20, 30… e deri në 377 persona, sikur tregon rasti i Mejes së Gjakovës).
Pra, tipologjinë e vrasjeve dhe masakrimeve e ilustron vrasja në numra të mëdhenj, duke filluar prej numrave të vegjël, siç u citua më lart.
Por tipologjia e vrasjeve masive dhe masakrimit individual e masiv të trupave të të vrarëve ilustrohet edhe me mënyrën e vrasjeve:
1. vrasje me armë të nxehta dhe me armë të ftohta;
– vrasje me armë zjarri, individualisht dhe në grupe,
– vrasjet në fusha, hapësira të ndryshme e rrënoja shtëpish, siç janë ekzekutimet kolektive në Mejë, Izbicë, Pastasel, Krushë të Madhe, Kralan e shumë të tjera;
– vrasjet nëpër hapësira të mbyllura, duke granatuar e bombarduar dhe duke hedhur bomba ose shkrepur rafale automatikësh mbi gra, fëmijë e të moshuar, siç janë rastet e Prekazit, ai i familjes Jashari, rasti i Suharekës, ai i familjes Berisha, rasti me të burgosurit e Dubravës e shumë raste të tjera.
2. vrasje me armë të ftohta: thika e mjete tjera të forta goditëse.
3. me mënyrën e masakrimit të trupave:
– pas ekzekutimeve masive nëpër dhoma e hapësira të ngushta, duke u hedhur bomba dore dhe rafale automatikësh, paramilitarët, policët e ushtarët serbë i copëtojnë e djegin trupat me katalizatorë të ndryshëm të lëngët e të gaztë, përfshirë edhe djegiet në furrnalta. Ata i kanë hedhur trupat e gjymtuar e të sakatuar nëpër puse e shpella, lumenj e liqene, i kanë hedhur dhe i kanë mbuluar më pas me shtresa të trasha të dheut nëpër miniera) etj.;
Shumë trupa janë gjetur me duar të lidhura e me shenja maltretimesh para ekzekutimit;
– pati masakër kundër civilëve edhe në treg të artikujve ushqimorë, të konsumit ditor, siç kishte ndodhur vite më parë në tregun e Sarajevës. Kjo ka ndodhur më 13 mars 1999 kur forcat serbe hedhin granatë në tregun e artikujve ushqimorë në Mitrovicë, ku vriten, më saktë masakrohen 5 shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe gra e fëmijë dhe plagosen 23 të tjerë.
– Është e konfirmuar se nëpër shumë fshatra, në Drenicë, Dukagjin- në komunën e Istogut, në Llapushë e gjithandej Kosovës, menjëherë pas hyrjes së forcave të NATO-s, nga puset janë nxjerrë me qindra trupa të dekompozuar të shqiptarëve të vrarë;
Ndërkaq, nga Serbia, nga varrezat kolektive: Batajnicë -747, në Bajna Bashta -84, Petrovo Sello -61, nga nëntoka e minierave në Rudnicë 54 e Kizhevak janë nxjerrë e janë sjellë në tokën e tyre në Kosovë (deri në vitin 2020) gjithsej 946 trupa të shqiptarëve të vrarë, më saktësisht, mbetje të trupave të tyre.
Ka raporte të organizatave humanitare ndërkombëtare me të dhëna të pakonfirmuara, në të cilat thuhet se rreth 300 trupa të shqiptarëve të vrarë janë hedhur në furrnalta të shkritoreve të metaleve si në Maçkaticë e Bor të Serbisë dhe në Ferronikël e Trepçë në Kosovë. Rrjedhimisht, do të jetë e pamundur që ndonjëherë të gjendet ndonjë pjesë – mbetje prej trupave të tyre
Pas vrasjeve e djegieve, dërgimi i trupave në Serbi është një krim tjetër. Ende sot, 23 vjet më pas, më shumë se 1.600 familje të Kosovës me ankth e pa shpresë presin që trupat e më të dashurve të tyre të gjenden, t’u dorëzohen atyre, për të mos lënë varret e hapura kaq vite e pafundësisht.
5. Dhunimet seksuale të rreth 20.000 femrave, vajzave e grave shqiptare, por edhe të një numri meshkujsh, janë dhe mbesin forma më monstruoze e krimeve të luftës në Kosovë. Shumë prej të dhunuarave, pas dhunimit janë vrarë.
Shumë organizata ndërkombëtare joqeveritare dhe ekspertë të ndryshëm manipulojnë me shifrën se afër 20. 000 femra shqiptare janë dhunuar nga pjesëtarët e forcave serbe në ditët e luftës. Mirëpo, sipas një burimi tjetër, kjo shifër sillet rreth 2018 femra të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
Por, ka pasur raste kur nëse nuk arrinin ta ndanin një femër nga familjarët dhe nga kolonat e përndjekjes, e vrisnin atë, siç kishte ndodhur me Shpresa Musli Krasniqin nga Klina. Ishte shtatzënë kur e vrasin në një fshat të Gjakovës, në fshatin Lug Bunar, pasi nuk arrijnë ta zbresin nga rimorkioja e traktorit. Sot aty ndodhet një memorial që i është ngritur trimërisë, nderit, moralit dhe dinjitetit të saj.
Vrasjet pas dhunimeve paraqesin masakër të llojit të veçantë që barbaria serbe e kishte zbatuar gjatë luftës në Kosovë;
6. Spastrimi etnik:
Brenda periudhës dyvjeçare të luftës në Kosovë e sidomos ndërmjet 24 marsit 1999 kur sulmet e NATO-s fillojnë mbi caqet serbe dhe 12 qershorit kur përfundojnë ato, nga Kosova janë deportuar në Shqipëri, Maqedoni (tani të Veriut) e Mal të Zi rreth 1 (një) milion qytetarë shqiptarë të Kosovës.
Atyre në kufi u merreshin lejet e njoftimit dhe pasaportat, për t’i hedhur ato në plehra e për të pamundësuar kthimin në vendlindjen e tyre.
Ky është rasti tipik i spastrimit etnik masiv të Kosovës.
Padyshim, po të mos kapitullonte para NATO-s ekspansioni serb, numri i shqiptarëve që ishin dëbuar nga Kosova, edhe sot do të silleshin si refugjatë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe botës.
Kolonat e përndjekjes e zbrazjes, kishin mbuluar rrugët e Kosovës. Prej Mitrovicës nëpër Dukagjin kolonat e njerëzve, të etur e të uritur, të rrahur e maltretuar, udhëtonin me ditë e javë për në Shqipëri e Mal të Zi, prej Kamenice e Gjilani përndiqeshin për në Maqedoni e Shqipëri po ashtu, sikundër edhe prej të gjitha komunave të tjera të Kosovës.
Treni zbrazjes nga Prishtina për në Shkup, për çdo ditë, ishte i stërmbushur.
7. Vazhdën e krimeve të mëdha të luftës, e që është i pranishëm gjithë këtë kohë, e dëshmon pandëshkueshmëria e kriminelëve dhe e vrasësve mizorë serbë.
Faktet tregojnë se fare pak procese janë hapur nga organet serbe të drejtësisë e akoma më pak kanë përfunduar me të dënuar – edhe në të përfunduarat, janë shqiptuar dënime qesharake. Rast ilustrativ është ai i vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, qytetarë shqiptaro-amerikanë, vrasësit e të cilëve janë të njohur, por ata shëtisin sot e kësaj dite të lirë nëpër Serbi, me gjithë kërkesat e përsëritura të qeverisë amerikane për ndëshkimin e tyre.
Botërisht dihet tashmë se asgjë nuk ka ndodhur rastësisht dhe e paplanifikuar nga pushteti okupues dhe ai i luftës së ushtrisë e policisë serbe.
Po kështu, është e sigurt se për çdo masakër, vrasje ose dhunë të natyrës tjetër gjatë luftës dhe në rrethana të luftës janë mbajtur evidenca e janë bërë raportime sekrete. Ato edhe sot ruhen në arkiva shtetërore e ushtarako – policore si sekrete shtetërore në Serbi.
Prandaj, me të drejtë, Kosova kërkon me insistim që Serbia të japë informata për vendndodhjen e më shumë se 1.600 trupave të zhdukur gjatë luftës, për fatin e të cilëve nuk dihet gjë as 23 vjet pas përfundimit të saj e që, për më shumë se 1600 familje, të mos mbeten varret e hapura pafundësisht.
Pa hyrë në detaje të shumta, të cilat e pasqyrojnë barbarinë, monstruozitetin dhe çmendurinë e urrejtjen patologjike jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj forcave të NATO-s, kundër të cilave nuk u bënte punë mbrojtja, prandaj,, hakmirreshin,, ndaj popullatës civile, mund të nxirren disa përfundime, si emërues i përbashkët i maliciozitetit, i pashpirtësisë, i barbarisë e harbutërisë, i kundërnjerëzores dhe çmendurisë e absurdit, të cilat nuk mund të mendohen të vijnë nga specia njeri.
Të gjitha vrasjet e masakrat kolektive janë bërë nën komandën e ushtrisë dhe policisë serbe.
Me gjithë faktin se në Kosovë ka pasur përpjekje për grumbullim dhe evidencë të saktë e të plotë pasojave të luftës, shifra për të vrarë e masakruar, për dhunime e vrasje fëmijësh, për djegie kufomash e të zhdukur, fatkeqësisht ende nuk kemi një pasqyrim zyrtar, të plotë e të unifikuar të këtyre të dhënave.
Po kështu, besoj se është meritore që kategoria e të mbijetuarve nga makineria vrastare serbe gjatë luftës, pra kategoria e atyre që ngelën në jetë me plagë e pa të nga kordonët serbë të vdekjes, të ketë hise strukturimi në strukturat e kategorive të dala nga lufta.
Duke përfunduar, një fakt mbetet përfundimisht dhe pakontestueshëm i qartë: planet serbe ishin bërë që të vrisnin sa më shumë shqiptarë, madje me metodat më barbare, më çnjerëzore e më mizore, t’i masakronin ata dhe të fshihnin gjurmët me çdo kusht, gjë që paraqet krim të dyfishtë, si dhe paralelisht të deportonin sa më shumë prej tyre jashtë kufijve të Kosovës, në mënyrë që Kosova të pushtohej e të serbizohej përfundimisht, si edhe herë të tjera gjatë historisë.