Nga Dr. Genti Kruja
Universiteti Bedër, Tiranë/
Kur flasim për komunizmin dhe persekutimin e tij, nuk ka si mos të na vijë ndër mend persekutimi ndaj komuniteteve fetare, që në ditët e para të instalimit të atij sistemi të mbrapshtë në vitin 1944.
17 nëntori i djeshëm me të vërtetë përkujtohet si dita e çlirimit të Tiranës, por ajo duhet të përkujtohet edhe si dita e një pushtimi të ri mizor, ai komunist, i cili në fakt kishte filluar likujdimin e intelektualëve tiranas, që gjatë kohës së luftës, ku i pari që u pushkatua pa gjyq ishte Hoxhë Selim Braja, imami i xhamisë së Saukut, i cili u ekzekutua para derës së xhamisë më 31 gusht 1943.
Për masakrat pohon vetë sekretari i qarkorit të PK të Tiranës, Gogo Nushi në relacionet e tij drejtuar E. Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100” (AQSH, F.14, d. 2/a v.1944)
Nuk ishte rastësi që komunizmi filloi një luftë të hapur ndaj klerit dhe komuniteteve fetare, sepse ata jo vetëm përbënin inteligjencën e kombit shqiptar dhe ishin ndër njerëzit më të shkolluar dhe të ngritur, por kishin vënë alarmin e rrezikut të bolshevizmit vite më parë me shkrimet dhe botimet e tyre.
Në vitin 1925, shumë kohë para se komunizmi të hidhte farë e rrënjë në Shqipëri, paralajmërimin më të parë e ka dhënë dijetari dhe patrioti antikomunist, Hafiz Ali Korça, me librin e tij “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit“. Nër të tjera Hafiz Aliu në këtë libër konstaton:
Bolshevizma s’pajton kurrë
Me dinin e Muhamedit
Çelët do ta kenë luftën
Gjer në ditën e Kijametit.
Zhdukja e fesë ishte thelbësore për injektimin e dogmës komuniste dhe rrjedhimisht, për krijimin e «njeriut të ri». Megjithatë, komunistët e dinin se në pjesën dërrmuese të popullsisë, feja zinte një vend mjaft të rëndësishëm.
Sistemi totalitar filloi një luftë të paparë ndaj fesë, duke bërë një propagandë antifetare dhe duke filluar një persekutim të egër ndaj klerit fetar në përgjithësi. Kështu u arrestuan, burgosën e u pushkatuan me apo pa gjyq personalitete myslimane dhe të krishtera. Në Tiranë fillimisht u goditën drejtuesit dhe pedagogët e medresesë siç ishin H. Ismet Dibra, H. Ali Korca, Jonuz Bulej, Vexhi Buharaja, H. Ibrahim Dalliu, Hasan Tahsini, si dhe klerikë të tjerë si, Kryepeshkop Visarion Xhuvani, Imzot Vincenc Prenushi, Dom Lazer Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Hafiz Sabri Koçi, Dede Reshat Bardhi, Haki Sharofi, Ismail Muçej, Hafiz Mustafa Varoshi, Hafiz Sherif Langu, firmëtar i pavarësisë, Hafiz Esat Myftia, Hafiz Musa Dërguti, Hafiz Ali Kraja, Sheh Ibrahim Karabunara, Baba Myrteza Kruja, H. Xhemal Naipi, kryetari i parë i Parlamentit në 1920, Kristofor Kisi, Atë Ilia Zoto, etj, etj.
Pas ndërhyrjeve të dhunshme të shtetit në organizimin e jetës së komuniteteve fetare, sekuestrimit të pronave, kontrollit mbi buxhetin, ndalimi i literaturës, si dhe mbyllja e shkollave, politika komuniste forcoi një propagandë të ashpër nëpërmjet shtypit, radios, formave të edukimit, kinemasë, pjesëve të leximimeve shkollore dhe edukimit me përbuzjen ndaj fesë, duke hapur dhe muzeun atesit, i vetmi në botë. Shumë prej udhëheqësve dhe dijetarëve më me ndikim, Sigurimi i Shtetit i ndoqi, u nxori dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe të sajuara, i pushkatoi, dënoi e internoi, duke mbjellë një atmosferë të përgjithshme terrori.
Sipas të dhënave zyrtare nga institucionet e Shqipërisë, gjatë regjimit komunist 59.009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, 7.022 humbën jetën gjatë internimit, 34.135 shqiptarë u burgosën si të dënuar për arsye politike, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 shqiptarë janë vrarë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ndërsa rreth 6.000 rezultojnë si të zhdukur.
Më pas në 1967 Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë, duke shkatërruar shumicën e kishave, xhamive dhe teqeve. Edhe pse ishin pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, sipas të dhënave zyrtare nga Muzeu Historik Kombëtar, u mbyllën 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike dhe 530 teqe e tyrbe bektashiane, duke u shkatërruar shumica prej tyre, ndërsa pak nga ato mbeten, por u shndërruan dhe përcudnuan në depo dhe magazina.
Ndërsa klerikët u flijuan për besimin e tyre, besnikë deri në fund të jetës ndaj fesë dhe atdheut.
Sot, pas gjenocidit gjysmëshekullor mbi fenë, në kushtet e sotme të lirisë së besimit, ata dëshmorë duhet të kujtohen jo vetëm me lutjet tona, por edhe me studime të ndryshme.
Shoqëria jonë nuk ka mundur ende t’u shlyejë borxhin e dinjitetit dhe mirënjohjes këtyre etërve shpirtërorë të kombit. Një detyrë të madhe ndaj tyre i ka shteti shqiptar, sepse klerikët nuk janë monopol i komuniteteve fetare, por i përkasin të gjithë shqiptarëve, brezat e rinj të të cilëve duhet të njihen nëpërmjet librave të historisë dhe letërsisë në shkollat e vendit, sepse ata shërbyen me filozofinë “Për fe e atdhe”.