Mehdi Frashëri
Konspektoi Bardhyl Selimi 6 dhjetor 2021
Para një viti, po ndiqja një emision televiziv, ku shoku im, zoti Bedri Alimehmeti, shpjegonte si u bë Tirana kryeqytet. Aty mora vesh për ndikimin e madh që pat ish mbreti Zog i Parë që arriti t’ua mbushte mendjen krerëve të parisë së qytetit duke u premtuar shumë të mira, gjë që u bënë vërtet.
Tani sapo lexova ca shënime të njërit nga politikanët e shquar të viteve 20, Mehdi Frashërit, pikërisht për këtë temë. Më intereson edhe mua pasi i kam kaluar 75 vjet jetë në këtë qytet bujar dhe mikpritës. Familja e nënës sime ka gjetur strehë aty që nga viti 1924.
Në këtë libërth Mehdi Frashëri zbërthen arsyet përse u zgjodh Tirana kryeqytet, menjëherë pas Kongresit të Lushnjës. Ndër të tjera ai vë në dukje jo vetëm pozitën e këtij qyteti, atëhere më i vogël se Elbasani, në mes të Shqipërisë Londineze, me qasje komunikimi tokësor me të gjitha krahinat e tjera, më pak i arritshëm nga sulmet e mundëshme nga jashtë, banuar nga një popull patriot që e kish treguar me vepra dashurinë e madhe për atdheun, si në rrethimin e Shkodrës, në shuarjen e “kryengritjes së Mirditës” dhe përballjen me sulmet serbe në lindje, një popull më pak i ndikuar nga propaganda e fqinjëve armiqësore të veriut dhe jugut të Shqipërisë dhe me pasuri natyrore.
Atëhere mëtonin për kryeqytet edhe qytete të tjera më të mëdha e më të lashta, si Shkodra, Vlora, Durrësi, Berati, Elbasani. Në shënimet e tij, Mehdi Frashëri argumenton përse këta qytete nuk janë të përshtatshëm për kryeqytet, për pozitën e tyre gjeografike, duke sjellë krahasime me vende si Italia, Gjermania apo Franca.
Duke u përqendruar te Tirana, autori sqaron mundësitë e shumta që paraqet Tirana në të ardhmen, propozon disa projekte të mëdha zhvillimore për të, që tani, pas gati 100 vitesh, duken tepër largpamëse. Për shembull, rruga hekurudhore elektrike Tiranë- Durrës që do ta bashkonte kryeqytetin me portin më të madh të vendit brenda gjysëm ore dhe në të ardhmen Tirana me Durrësin do ngjanin me Athinën e Pireun; teleferikun në Malin e Dajtit, plantacionet që do mbilleshin në kurorën kodrinore dhe në fusha me ullinj, portokalle dhe bimë të tjera; fuqine elektrike nga ujërat që do ndriçonte qytetin dhe do vinte në punë shumë industri në të; punimet kanalizuese dhe kulluese që do zhduknin pellgjet moçalorë që shkaktonin malarjen dhe sëmundje të tjera, ngritjen e një infrastructure krejt të re për ndërtesat qeveritare dhe komunikacionin brenda qytetit. Të gjitha këto nisën të vihen në jetë shumë shpejt pas viteve 20 duke vërtetuar parashikimet vizionare të këtij politikani të shquar.
Besoj se edhe shumëkujt do t’i interesonte pse Tirana u caktua kryeqytet, duke lexuar shënimet e Mehdi Frashërit nga të cilat shkëputa vetëm pak fragmente.
E ardhmja e Shkodrës është e lidhur jo me të qënurit kryeqytet, por si vend tregtie dhe industrie. Veprat hidraulike, ndërtimi i udhës së hekurt Shëngjin- Prizren- Danub, krijimi i limanit të Shëngjinit, marrëveshje ekonomike me kushte reciproke me Jugosllavinë, organizimi i punimit të duhanit, të peshkut e sidomos të konservës dhe haviarit, shfrytëzimi i bakrit në rreth të Pukës, përdorimi i fuqisë elektrikë në Bunë e Drin, shfrytëzim i pyjeve dhe punimi i djathnave në malet e saj- gjenisë tregtare të Shkodrës ka me i dhënë një zhvillim të mrekullueshëm dhe ka me pru begati dhe fatbardhësi me rrënjë e ka me qenë Hamburgu ose Milanoja e Shqipërisë së re. Po Vlora? Një qytet në breg të detit është i destinum për me qenë qendër tregtie dhe zhvillimi detar, por jo kryeqytet. Kryeqyteti i Italisë nuk mund të jetë Gjenova apo Venecia, por Roma në mes të vendit. Ashtu edhe në Francë Parisi dhe jo Marseja, Bordoja apo Dunkerku. Në Gjermani Berlini e jo Hamburgu. Veç të tjerash, kryeqyteti në Vlorë mund të nxise përçarje veri-jug, Toskë- Gegë. (këtë zoti Mehdi e thotë lidhur me kryengritjen famëkeqe të Haxhi Qamilit)
Pse Tirana?
Tirana ka të gjitha mjetet e natyrta të begatisë, të zhvillimit bujqësor, industrial e tregtar, kodrat e bukur pa gur, me një naltësi të vogël, transformohen në vreshta rrushi, fiku e gropat e tyre, që i kanë kthyer krahët muranit, në kopshte portokallesh. Ujrat që e rrethojnë për së afërmi, si Lana e Lumi, Limuthi, Tërkuzi, pak më së largmi Erzeni formojnë landë fuqi elektriku, landa pjellore për me njomë tokat. Pyjet i ka afër, gjithë gropë e Tiranës është karbonifer, thëngjill-mbajtëse.
Një pjesë e malit të Dajtit në verilindje ka një livadh të madh në forme trapezi, me ujra të bulbërta sa me ushqye një qytet të madh, me dru prej ahu, me pamjen e detit, e të gjitha fushave, me erën e kulluar, me klimënë e fortë, po të lidhet me qytetin me një teleferik, prej 8 ose 10 kilometrash. Mbasi të bahet tramvaji i Durrësit do të bahet qyteti verës të Tiranës dhe vend i një senatoriumi.
…Tirana mund të zbukurohet shumë shpejt në se 10 % e buxhetit shpenzohet për këtë qëllim. ( e përmblodha unë- B.S.)
…Ka edhe shumë faktorë të tjerë strategjikë e moralë. Është më e mbrojtur gjeografisht nga sulmet e armiqve dhe populli i pandikuar nga progaganda sllavo-greke. (e përmblodha unë- B.S.)
Konspektoi Bardhyl Selimi 6 dhjetor 2021