(Hasan Prishtina e Isa Boletini i “bashkojnë” trojet amtare)/
Nga MURAT GECAJ/
Me gjithë dëshirën e mirë, është e pamundur që t’ua paraqes lexuesve pasqyrën e saktë të kryeqytetit tonë, vetëm katër ditë para jubileut të lavdishëm të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në dorë mbaj një aparat të vogël fotografik, duke patur në mendje “peshën” e rëndë të asaj ngjarjeje të madhe, pra të 28 Nëntorit 1912. Ishte dita, kur në emër të delegatëve të Kuvendit Mbarëkombëtar të Vlorës, Ismail Qemali shpalli para botës “Mëvehtësinë”, ngriti lart Flamurin tonë kuqezi dhe njoftoi formimin e Qeverisë Shqiptare, të parën në historinë shumëshekullore të popullit tonë.
1.Në krah të Muzeut Historik Kombëtar, tani ngrihet madheshtore shtatorja e atdhetarit, luftëtarit e dijetarit të shquar, Hasan Prishtina, e cila u përurua këto ditë. Sivjet, shtatore të tilla janë ngritur edhe në Prishtinë e në Shkup. Me këtë rast, sjell ndërmend disa vite të shkuara, kur eshtrat e tij u rivarrosën në qytetin e Kukësit. Që andej, dërgova dhe u publikua në gazetën “Bashkimi”, reportazhi me titull “Prapë, na ardh’ Hasan Prishtina!”, të cilin dëshiroj që ta përsëris edhe tani.
“Kur na thërret historia!…”
Ndërsa pikërisht sot, në Mitrovicën e Kosovës, u rikthye “gjenerali i kryengritjeve popullore”, Isa Boletini. Në manifestimin, me rastin e vendosjes së shtatores së tij, morën pjesë qindra veta dhe tubimin e përshëndetën të ftuar nga Tirana e Shkupi, si dhe pasardhës të tij. Siç dihet, ka vite që një shtatore e Isa Boletinit është ngritur në qytetin e Shkodrës.
Nuk më harrohet as pamja, që transmetuan TV-të, nga Mitrovica. Atje shiheshin që ecnin në kolonë kalorës, hipur mbi kuaj dhe me rrobat kombëtare veshur. Ashtu udhëtoi drejt Vlorës edhe Isa Boletini, në ballë të 300-400 luftëtarëve, në atë fund-nëntori 1912
Në hyrjen kryesore të Muzeut Kombëtar vërej radhë të gjata të njerëzve, të cilët presin të hyjnë brenda dhe aty të shohin nga afër rikthimin, nga Vjena e Austrisë, pas 500 vjetëve, të armëve të kryetrimit Skënderbe. Ndërsa ai, në qendër të kryeqytetit, hipur mbi kalë, sikur u bën “roje” manifestimeve të këtyre ditëve. Po, na sjell në kujtesë luftërat e pandërprera dhe heroike të shqiptarëve, me shpata e jataganë në dorë, për të fituar lirinë e pavarësinë e grabitur.
Në hyrjen anësore të Muzeut në fjalë është hapur dhe shihet me inters të veçantë, ekspozita fotografike e artistëve më të njohur shqiptarë, që nga Marubi dhe deri te Angjelin Nenshati. Aty, sikur “parakalojnë” para syve të vizitorëve, sa e sa burra të mëdhenj të Kombit tonë, kapedanë e tima, të pushkës e të penës. Ata u shkrinë “si qiriri” dhe nuk i kursyen dijet, djersën as gjakun e tyre, që Shqipëria të bëhej shtet i lirë dhe i pavarur.
Diku, në mesin e Sheshit “Skënderbej”, është vendosur një shqiponjë e madhe, në sfond të së cilës ngrihet Flamuri Kombëtar. Edhe aty gjallëria është e madhe. Kush e kush më parë, shpejton që të zerë vend dhe të bëjë një fofografi, që ta ketë për kujtim. Ndër ata, shoh të vegjël e të moshuar, burra e gra. Por, më të gëzuarit prej tyre, janë vogëlushët, shumica e të cilave ka veshur bluza, ku është stamposur flamuri kuqezi. Aty shkrepa një foto, për dy vogëlushë të panjohur për mua…
Në qendër të kryeqytetit…
2.
Por edhe Biblioteka Kombëtare pret shumë vizitorë, që vijnë nga rrethe të ndryshme dhe nga trojet shqiptare, jashtë kufinjëve tanë shtetërorë. Aty është vendosur dokumenti i parë i shqipes së shkruar, pra “Meshari” i Gjon Buzukut. Për atë janë bërë mjaft studime, ndër të cilët dallon ai i prof. Eqrem Çabejt-Akademik. Ky dokument ka ardhur për herë të parë, nga Vatikani, në Shqipëri, për ta shikuar nga afër sa më shumë njerëz të interesuar. Se dihet që, për atë, vetëm kemi lexuar në libra ose kemi parë dokumentarë të ndryshëm.
Detaje të bukra e domethënëse, gjatë kalimit tim sot nëper kryeqytet, kishte disa. Por mua më emocionoi edhe ky fakt: Aty në afërsi të “Mesharit” të Gjon Buzukut ishte vendosur edhe një “Libër përshtypjesh”. Nuk pata mundësi ta shfletoja atë, për të lexuar mendimet e vizitorëve. Por vërejta me kanaqësi, se aty shkruanin jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët. Ndërsa, në heshtje, e pyeta veten: ‘Vallë, çfarë thonë ata, me ato shkronjat e gjuhës sonë të bukur e të përbashkët letrare kombëtare?” Me siguri, tregojnë sot, por dhe do ta kujtojnë mot, kur të rriten, se ata kanë parë dokumentin më të vjetër të shqipes së shkruar.
Aparatin tim fotografik e shkrepi edhe në pjesët e parparme të Pallatit të Kulturës dhe Hotelit 15-katësh “Tirana”, të cilët, gjithashtu, janë mbuluar me Flamuj Kombëtarë të mëdhenj. Por edhe më tej, plot flamuj është mbushur “Albanian Univertsity”. Këto pamje festive më shoqërojnë gjatë tërë udhës, deri në stacionin e trenit.
Ndërkaq, sjell ndërmend se, pak ditë më parë, këtë panoramë të bukur festive e përjetuam, bashkë me prof. Alfred Uçin-Akademik, edhe në vizitat tona në Shkup e Prishtinë. Atje, ne dërguam librin kushtuar “Mësuesit të Popullit” Petro Nini Luarasi e gjysh i tij, dhuratë për shkollat shqipe. Sigurisht, atë do ta dërgojmë edhe në Kosovën Lindore (Preshevë) e në Ulqin dhe në shkollat shqipe të diasporës.
… U kërkoj ndjesë lexuesve, që nuk pata mundësi të hyja në salla tjera dhe institucione të Tiranës e t’i shkruaja mbresat e mia. Por kam dijeni, se atje vazhdojnë të zhvillohen konferenca e të përurohen libra të rinj, të organizohen veprimtari kulturore e artistike etj. Ato e kanë temën qendrore nga historia qindravjeçare dhe e lavdishme luftarake e popullit tonë, e cila u kurorëzua më 28 nëntor 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Tiranë, 24 nëntor 2012