Dr. Bexhet Asani
Tomaso Kampera (Tommaso Campera) u lind në vitin 1949 në fshatin arbëresh Mashqit (Maschito – PZ) në Vico Albanese 2. Rrjedh nga një familje e dëgjuar e me tradita, Mashqitas denbabaden, gjyshërit dhe prindërit e tij kryesisht janë marrë me vreshtari. Shkollën tetëvjeçare dhe shkollimin e mesëm i kreu në fshatin e lindjes. Tomaso ka dhunti e prirje artistike për pikturën gjer në një nivel amatoresk. Pasioni i tij ka qenë gjithmonë gjuha arbëreshe e Mashqitit – gjuha e Skënderbeut. Ai i ka qëndruar besnik të folmes arkakike të Mashqitit. Në këtë të folme, në këtë arbërishte të vjetër të katundit Mashqit Tommaso shkroi poezi, poezi këto që në fillimet e para kanë lindur vetëm e vetëm për të shkruar gjuhën e katundit të tij, në një formë më të mirë dhe për të thelluar njohuritë mbi gjuhën e origjinës sepse siç shprehet Tommaso pa të kaluarën nuk ka të ardhme, e ardhmja qëndron dhe ndërtohet mbi të kaluarën në zhvillim! Që nga viti 2000, Tomaso ka bashkëpunuar me revistat arbëreshe “Katundi ynë”, “Kamastra”, “Apollinea”, “Jeta arbëreshe” etj. Ka krijuar grafikën dhe ka shkruar pothuaj tërësisht numrin e parë të revistës “Fjala jonë”. Tommaso Campera është themelues i Shoqatës “Vatra arbëreshe”. Në këtë Shoqatë Tommaso për dhjetë vjet rresht ka qenë Referent kulturor. Ai ka botuar veprat: “Poezi të pazakonshme” 2004 (“Poesie insolite” 2004), Ze një pastan e re” 2008, “Gluha e mëmës” 2013, A kuq ngrihat xënxa” 2021. Për përmbledhjen poetike “Poezi të pazakonshme” ka shkruar gjerësisht profesoresha Caterina Zuccaro. Vlerësimin për librin “Ze një pastan e re” e ka bërë prof. Italo Costante Fortino. Ndërsa me librin “Gluha e mëmës” është marrë antropologia Maria Teresa Mara Frencese. Parathënien e librit “A kuq ngrihat xënxa” e ka shkruar dr. Eltona Lakuriqi kurse pasthënien e librit e ka shkruar studiuesi Françesko Markjano (Francesco Marchiano) nga Spixana (Spezzano Albanese). Le të shohim për një çast sesa e do ai gjuhën e mëmës arbërishten e Skënderbeut, e lash pa e prekur tekstin e më poshtëm me qëllim që të mos e lëndoj këtë të folme të shkëlqyer e kaq të lashtë: “Ndërsa, si t’gjithë të tjera vete/persona, punoja dhe isha i marrë me ndryshe gjëra të tjera e së gjellës/jetë, pasiona ima e madhe, kle përherë për të folja gluha jonë. Sigurisht këtë nxitje e kam pasur çë nga i vogël ture gjegjur të gjithë gjërit çë më foljan shqipe të vjetër ndë fëmilë/familja. Këtë nxitje ka ndjekur t’a kisha edhe nga tata/babai im, të këlin, çë nga viti 1985, po kërkoj fjalorë ndë gluha jonë çë, ndë të sprasmin/fund, gjeta ndë Torino: fjalorë çë, tata im – për dëshirën e madhe të ndëlgoj/kuptoj si shkruhëshin shprehjet e shqiptimet e së gluhës, çë më parë dukëshin të pamundura -, fjalë për fjalë më tërhiqte nga duart. Nunga/pra, isht nga rreth 30 vjet çë, pak më seriozisht, kam zënë/fillova të dokumentoja atë çë isht gluha jonë. Zora/fillova t’a dokumentoja ndë së pari ndë mënyrë të rastësishme, dhe pas, dalë nga dalë, ndë një mënyrë më të çmuar – me qëllimi i vetëm për t’i dhënë gluhës një pamje më të këndshme, ashtu siç duhet të jetë dhe i përket -, zora/fillova t’e shprehje në poezi.Kle/ka qënë ashtu çë zora/fillova të shkruaja vjersha/vargje mbë arbërisht (shqipe të vjetër), jo sepse disha të bëja poeti, ose të më jipja atë dimension, por vetëm me qëllimin të dokumentoja gluha jonë, apara çë të zhdukej plotësisht”.E dhimbshme. Tepër e dhimbshme. Gjithë këtë mund, gjithë këtë sakrificë Tommasoja e ka bërë vetëm e vetëm që të mos biret (humbet) gjuha arbërore, gjuha e Gjegj Kastriotit – Skënderbeut. Më tej ai rrëfen: “Përdora nunga vjershat si një bazë, mbi të këlat/cilet duajta t’e shkruaja e t’a dokumentoja këtë gluhë: ndërkaq, kërkova atë rritje gramatikor, të stilit metrik, të rimës, të mbaresen e të lidhjes e së fjalëvet çë, ndë të folmen e përbashkët, nani/tani u dëbuar/u humb.Kam të thom se, ture ndjekur udhën e së gluhës, kam pasur edhe ndonjë gëzim, e u kënaqa për ndonjë përnjohje çë pata ndë kunkursa të ndryshme poetik, ndë të këlat, ma harè bë’t’a njoha (t’e njohjan të tjerët) gluha jonë: dhe për këtë arsyeja pata marrëdhënie me: Occitans, Franco-Provençal, Piemonteza etj. nga të cilet marrëdhënie pata ndryshme përnjohje dhe disa certifikata merite”. Për punën e tij titanike ai është vlerësuar me mirënjohje e certifikata. Tanimë Tommaso falë rrjeteve sociale, ai është i njohur për lexuesin shqiptar këndej Adriatikut që të jetë më bindës për këtë, ai shkruan: “I nderuar prof. Bexhet Asani, të ftoj të shihosh faqe ime Facebook ndë ku janë të mbledhur certificata e mirënjohje”. Tommaso e ndien veten të lumtur kur lexues, studiues, linguistë e zyrtarë në Kosovë, Shqipëri e Itali vlerësojnë punën e tij të çmuar në shkencën e gjuhësisë. Tomaso me këtë rast jep një kontribut të madh për Shkencat albanologjike: “Ndë një mënyrë të madhe, u gëzova për disa Diploma nderi çë më kanë dhënë për ndihmen ima a dhënë për mirëmbajtjen a së gluhës. Pra, u kënaqa kur më dhanë një Diplomë nderi nga Bashkia arbëreshe të San Giuseppe di San Marzano (TA) “per la preziosa valorizzazione della nostra comune lingua arbëreshe “;një Diplomë nderi patur ndë një konkurs të rëndësishme poetike ndë Bashkia e Istogut (Kosovë) “per il contributo alla poesia internazionale nella forma dell’albanese arcaico”, etj.;emërimi i Ambasadorit për Paqen për arsye kulturore, i cili m’u dha në shkurt 2021 nga “Universal Peace Federation” etj.”Nga të gjitha mirënjohjet që i janë dhënë Tommasos, më së shumti çmon atë që i kanë dhënë në fshatin e tij të lindjes, kjo është e arsyeshme të gjithë personalitetet në të gjitha fushat e artit dhe të shkencës, preken pa masë kur nuk i vlerësojnë në vendlindje: “Por, megjithatë, mirënjohja më e madhe, duhat t’a thom, kle atë çë më dhanë ndë horën ima/fshatin t’im ndë ku u leva/linda, Maschito (PZ), ndë ku, falë të Sportello Linguistico regionale della Regione Basilicata, u arrora/arrita të paraqitja Antologjin s’ime të parë ma vjersha të shkruara mbë mashqitan (albanese arcaico), të këlat i paraqita ndë Mashqit (PZ); ndë San Costantino Albanese (PZ); ndë San Paolo Albanese(PZ); ndë Romë ndë selinë a së Ambasadës Shqiptare bashka me poeteshja Valbona Jakova dhe me presantimin të prof. Edmond Çali; ndë Torino; Carignano (TO); Frassinetto (TO) etj.Falë Shoqatës Amici della Lucania, kjo Antologji të parë, pas kle paraqitur edhe ndë Chieri (TO) ku rronj-jetoj.Atë çë po më ngrohi veçanërisht zëmren, kle parathënien mbi Antologjisë s’ime të parë, a bërë nga prof. Italo Costante Fortino, Ordinario Docente di Lingua albanese dell’Università L’Orientale di Napoli; dhe atë çë më bënë ish krietari a së Bashkisë të Maschito, Antonio Mastrodonato e nga Këshilltari për Kullturën Vincenzo Pianoforte: “L’antica Giorgiano (Maschito) … rende omaggio a Tommaso Campera uno dei suoi figli, discendente da una delle nobile famiglie di Maschito… “Nasce una nuova vigna” prima testimonianza scritta in maschitano…” etj.Edhe atë çë më shkruajti mbi “A kuq ngrihat hënxa” Krietari e së Bashkise Maschito Rossana Musacchio Adoriso, më losi shpirtin: “… Tommaso Campera è una delle persone che vorrei tanto tornassero qui…” Veprimtaria e tij krijuese nuk përfundon me kaq. Ai vazhdon të punojë pa reshtur për ruajtjen e gjuhës arbëreshe. Ruajtja e gjuhës arbëreshe për Tommason është parësore sepse ai e sheh rrezikun e “zhdukjes së saj” pasi të rejat dhe të rinjtë nuk e flasin më arbërishten fatkeqësisht! Tommaso jo vetëm që ka bërë vjeljen e leksikut të arbërishtes por kohët e fundit ai ka marrë një iniciativë shumë të suksesshme, nëpërmej videove të shumta në rrjetet sociale ai na i paraqet të gjalla të folmet në veçanti dhe dialektin arbëresh në përgjithësi. Ne tani kemi mundësi që ta shikojmë, ta dëgjojmë e ta përjetojmë shpirtërisht gjuhën e Mashqitit nëpërmjet të zërit të Tommaso Camperas. Ju përgëzoj për punën tuaj fisnike i nderuar Tommaso për ruajtjen e gjuhës së Skënderbeut!