Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, deklaroi gjatë Asamblesë Kombëtare të partisë së tij se bashkimi me Aleancën për Shqipërinë Europiane u bë për administrimin e fitores në pushtetin vendor, por FRD-ja do të mbetet gjithmonë parti e qendrës së djathtë.
“Jemi në këtë koalicion për administrimin e fitores në pushtetin vendor. Çdo gjë ka kohën e vet. Nëse nuk je në arenën politike, nuk mund të mblidhet asambleja e një partie”, tha Topi.
Në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të 21 Qershorit, kreu i FRD-së u shpreh i kënaqur:“Ruajtëm stabilitetin e vitit 2013 dhe patëm rritje”.
Më pas Topi sulmoi ish-kryetarin e PD, Sali Berisha dhe kreun aktual, Lulzim Basha.
“Keqardhje për gjendjen ku gjendet e djathta shqiptare. Kanë dashur të mbajnë peng edhe FRD-në, duke e detyruar të qëndrojë jashtë. Ne nuk ramë në këtë grackë, ne u futëm në një proces elektoral”.
“Pasi e ka mbajtur 25 vjet, do e mbajë edhe dekada të tjera përmes përfaqësuesve të emëruar dhe që do emërojë. Nuk mbetet pluralizimi i një vendi peng i një njeriu,” tha Topi.
Edhe pse ishte në transmetim live në disa televizione, Topi ishte shumë i ashpër ndaj mediave dhe analistëve, duke theksuar se ata nuk e kanë shmangur FRD-në nga transmetimi.