Nga Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu*/
Tragjedia çame e ka zanafillën e vet në çastet vendimtare të formimit të shtetit të parë shqiptar të pavarur. Shkëputja e Çamërisë nga trungu kombëtar i shqiptarëve për të plotësuar oreksin e shtetit fqinj dhe në përputhje me interesat e Fuqive të Mëdha është njëherazi dhe fillimi i kalvarit të shqiptarëve të Çamërisë në mbrojtje të identitetit kombëtar.
Shteti grek ushtroi mbi popullsinë çame të gjithë arsenalin barbar për zhdukjen ose asimilimin e kësaj popullsie. Forma të tolla lufte e veprimi ishin organizimi i çetave terroriste në Çamëri, sanksionet ekonomike, lufta raciale, braktisja e popullsisë shqiptare, lënia e saj në padituri e varfëri të thellë si dhe nxitja e kryqëzatave fetare kundër popullsisë myslimane çame. Kundërvënia fetare midis të krishterëve dhe mysliamnëve në Çamëri u shfrytëzua si një ndër mjetet më efikase për të realizuar politikën e mirënjohur “përçaj e sundo”. Frymëzues të kësaj politike ishin drejtues të fesë si dhespoti i Janinës, Spiridoni, e zbatues i saj ishte shteti grek.
Çamët u paragjykuan si bashkëpunëtorë të italianëve gjatë Luftës II Botërore. Pa filluar lufta italo-greke e vitit 1940, ndaj çamëve u kryen masakra e tortura çnjerëzore, duke i trajtuar jo si bashkëluftëtarë, por si robër lufte.
Shovinistët grekë gjetën dhe një “arsye” të jashtme për të zhdukur shqiptarët e Çamërisë. Ishte kjo gjendje diskriminuese e shqiptarëve të Çamërisë, që u shfrytëzua nga Italia për interesat e saj, për ta përdorur popullsinë shqiptare si faktor mbështetjeje për veprimet luftarake kundër Greqisë.
Qëndrimi asnjanës që mbajtën shqiptarët, përgjithësisht, në konfliktin Itali-Greqi ua hoqi nga dora grekëve “armën” për të terrorizuar shqiptarët e Çamërisë. Si në periudhën e luftës italo-greke dhe në luftën kundër gjermanëve, shqiptarët e Çamërisë u ngritën mbi pasionet shoviniste, pa shfrytëzuar mbështetjen tek pushtuesit për t`u hakmarrur kundrejt grekëve, lidhur me ato veprime gjenocidiste të tyre ndaj shqiptarëve. Këta të fundit, adaptuan një qëndrim real mirëkuptimi e bashkëpunimi me bashkësinë greke. Për qarqet shoviniste greke ky realitet mirëkuptimi e bashkëpunimi ishte i papranueshëm. Ndaj ata nxitën përçarjen, por nuk ia arritën qëllimit. Popullsia shqiptare u qëndroi hapur përpjekjeve të gjermanëve për t`i hedhur ata kundër elementit grek. Pozita e shqiptarëve çamë, midis dy zjarresh armiqësore, si të pushtuesve të rinj italo-gjermanë dhe grekëve, u imponoi atyre një politikë mosangazhimi të hapur. Ky qëndrim real dhe gjakftohtë i shqiptarëve, u shfrytëzua si nga grekët ashtu dhe nga pushtuesit për t`u vënë nën shënjestrën e tyre.
Në kushtet e mungesës së të drejtave kombëtare, shqiptarët e Çamërisë lypsej të orientoheshin e të mbështeteshin në ato forca që mbështesnin interesat e tyre kombëtare. Por, për fat të keq, rrethanat historike të luftës dhe ndeshjet midis palëve ndërluftuese ishin të pafavorshme për shqiptarët dhe këta të fundit nuk llogariteshin në interesat strategjike, që kishin palët ndërluftuese.
Këtej del mesazhi historik, që tragjedia e çamëve gjatë Luftës II Botërore mbeti në vorbullën e politikës së mirëfilltë greke ndaj tyre, pa dalë si një çështje me interesa në vëmendjen e ndonjë faktori të fuqishëm.
Pjesëmarrja e çamëve në EAM (Frontin Nacionalçlirimtar Grek) nuk e zgjidhi problemin kombëtar të tyre. Pjesëmarrja e tyre në EAM, i cili ishte nën ndikimin e komunistëve, nuk mund të justifikonte shpresën e shqiptarëve çamë për të zgjidhur çështjen kombëtare pas luftës. Për më tepër, dhe vetë Fronti Nacionalçlirimtar në Shqipëri, edhe pse bashkëpunoi me EAM-in (aq sa bashkëpunoi), nuk e kishte shtruar problemin çam si një pjesë e zgjidhjes së çështjes kombëtare. Në bisedimet, që u bënë midis dy organizatave, nuk u shtrua ky problem, për t`u zgjidhur qoftë dhe në perspektivë. Edhe në linjë të partive komuniste u bënë përpjekje për bashkëpunim të kuadrove dhe formacioneve të të dy vendeve, për të krijuar organizma të përbashkëta që të vepronin në zonën e Çamërisë. Marrëveshjet e arritura nuk u bënë mbi baza reciprociteti. Ky parim u përjashtua nga grekët në këto marrëdhënie. Për më tepër, komandat greke iu drejtoheshin shqiptarëve, që merrnin pjesë në formacionet e përbashkëta, me shprehjen “që nuk u takon aspak politika, mjafton të dini vetëm të hapni dhe të mbyllni dyfekun dhe asgjë tjetër” (AQSH/AP. Fondi 17, viti 1944, dosja 35/1, fl.1-2. Raporti i Tahir Demit për punën në Çamëri, 20 korrik 1944).
Bashkëpunimi i shqiptarëve me EAM-in ishte inekzistent, sepse Zerva i bënte presion për bashkim me të, për një Greqi të madhe. Zervistët kishin kërcënuar EAM-in që në qoftë se nuk do të na ndihmoni për një gjë të tillë, “ju do të konsideroheni tradhtarë”. (AQSH/AP. Fondi 41, viti 1944, dosja 97, fl.2. Informacion i Shtabit të Brigadës 19S për Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH, 4.10.1944). Në këto rrethana, në një përplasje me Zervën, shpresat e shqiptarëve për një bashkëpunim me EAM-in, ishin “pak për të mos thënë hiç”.
Pra, siç shihet qartë, shqiptarët u lanë në verbëri të plotë larg politikës që, në thelb, ishte shqetësimi i tyre për të siguruar të drejtat kombëtare për të ardhmen. Nga ana tjetër elementët grekë, që erdhën në minoritetin grek në Shqipëri, e shfrytëzuan marrëveshjen e bashkëpunimit, duke bërë propagandë në minoritetin grek, për të ngjallë ndjenja separatiste “për t`i bërë masat e minoritetit t`i drejtojnë sytë nga Greqia”. Si rezultat i efikasitetit të kësaj propagande u bënë deklarime të hapura se “ne pranojmë të jemi në një Greqi, qoftë komuniste, qoftë djalliste, por vetëm në Greqi të jemi” (Po aty. Fondi 17, v.1944, dos.115, fl.10. Raport i KQ të PK të Gjirokastrës, 14 maj 1944).
Sa përmendëm, forcat politike në Greqi, të çfarëdo grupimi qofshin, kishin në esencë të njejtin qëndrim ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Tek ata ndryshonin maskat dhe demagogjitë e, në vartësi të tyre, edhe format e veprimit për të realizuar, në fund të fundit, shkombëtarizimin e Çamërisë.
Që këtej del mesazhi që, për çështjen kombëtare, forcat politike shqiptare duhet të kenë një mendim e një qëndrim të qartë. Larmia e ngjyrimeve politike përbën rrugët e mundshme për të realizuar zgjidhjen e çështjes kombëtare. Asnjë nga forcat politike greke nuk i kundërshtoi raprezaljet dhe gjenocidin e qeverisë greke ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Për rrjedhojë, kundrejt armikut të përbashkët duhej dhe një front i përbashkët nga ana e shqiptarëve, i cili, për fat të keq, nuk u realizua në Shqipëri. Kjo dobësi e organizimit të shqiptarëve, lidhur me zgjidhjen e çështjes kombëtare, u shfrytëzua me mjeshtëri nga armiqtë tanë. Nuk ishte e rastit dhe pa lidhje ndërvartësie fakti që, kur në Shqipëri lufta civile kishte marrë përpjestime të gjera (qershor – nëntor 1944), ndaj shqiptarëve të Çamërisë u bënë masakrat më të përgjakura. Pastrimi etnik i Çamërisë arriti në këtë periudhë apogjeun e vet. Dhe për më tepër, “shteti shqiptar” ishte i pafuqishëm dhe i paaftë për të ndikuar në këtë tragjedi të çamëve.
Pra, në një farë kuptimi, përgjegjësia mbi tragjedinë çame duhet kërkuar në dobësinë e theksuar të klasës politike shqiptare, që e përqendroi vëmendjen tek pushteti politik, duke iu larguar çështjes së pazgjidhur kombëtare. Hekuri rrihet sa është i nxehur përndryshe mbetet i papërkulur siç mbeti dhe çështja çame e margjinalizuar nga politika shqiptare.
Në konfliktin midis forcave politike në Greqi, popullsia shqiptare e Çamërisë është parë me synimin për ta tërhequr në njerën ose në tjetrën anë, për ta futur atë në kurthin e luftës politike në Greqi. Synimi ishte i qartë: cilitdo të ishte rezultati i konfrontimit politik në Greqi, të krijohej preteksti dhe koniunktura e përshtatshme politike për shfarosjen dhe dëbimin e popullsisë shqiptare çame. Populli, në pozita mjaft të vështira, nuk pranoi të binte në pozitat mish për top në luftën midis forcave rivale në Greqi. Pikërisht, në këtë kohë, Zerva kreu masakrën më makabre të 8 korrikut 1944 kundër çamëve që, siç pohohet në dokumente “këto poshtërsi të kryera shkojnë më larg se terrori dhe barbaria më kafshore që njihen si krime kundër njerëzimit… ( Kërkesë drejtuar Komisionit Hetimor të OKB-së, në shkurt të vitit 1945, prej një grupi grashë dëshmitare të ngjarjeve).
Tragjedia çame u justifikua nga Zerva edhe me spekulimin se shqiptarët bashkëpunuan me gjermanët! Ndërsa, vetë Zerva, kishte lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me gjermanët ( P.K.Enepekidi, Eliniqi Antistari 1941-1944, Athinë, 1964, f.154). Zerva pranoi të futej në luftë kundër gjermanëve, vetëm pasi mori miratimin e Misionit Ushtarak Britanik për të ndëshkuar popullsinë çame. Në këtë mes del edhe një problem tjetër. Aleatët e mëdhenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të arritur synimin strategjik të politikës së tyre, sakrifikonin pa asnjë dhimbje popujt e vegjël dhe interesat e tyre. Ata u përdorën si mjete për zgjidhjen e përkohshme të problemeve ndërkombëtare.
Nga misioni anglez në Shqipëri është hedhur dritë për motivet e masakrës së Zervës në Çamëri. “Rrethi ku banonte ky minoritet (Çamëria – M.D.) ishte i pasur. Konseguenca ka qenë gjithnjë një ndjenjë zilie dhe urrejtje nga ana e grekëve ndaj çamëve.” (Ë.Bland J.Prise, A tangled histori of anglo-american relations ëith Albania 1912-1955, f.228). Veç kësaj pretendimi absurd për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia, që ka predikuar shteti grek, kultivoi për disa dekada një urrejtje shumë të fortë, e cila drejtohej jo vetëm kundër çamëve por kundër gjithë shqiptarëve në përgjithësi (Po aty). Pra, spastrimi etnik i Çamërisë ishte pjesë e strategjisë shoviniste të Greqisë kundër shqiptarëve. Dhuna dhe krimi grek ndaj shqiptarëve çamë dallohet cilësisht, mbasi ajo ishte e organizuar, drejtuar ose nxitur nga shteti grek. Prandaj bashkëpunimin e elementëve të veçantë shqiptarë me italianët e gjermanët, i cili kishte bazën burimore në shtypjen e rëndë kombëtare të shtetit grek, qeveritë dhe propaganda greke e pasluftës u përpoqën që ta fryjnë dhe ta paraqisin si një bashkëpunim të të gjithë popullsisë çame me gjermanët. Qëllimi i kësaj propagande ka qenë vetëm përligjja e spastrimit etnik të Çamërisë.
Edhe nëse një grusht shqiptarësh të Çamërisë, që kishin vuajtur nga shtypja e mizoritë greke për disa dekada, u përpoqën të siguronin ndihmën italiane e gjermane për të shpëtuar nga kjo shtypje, nuk mund të inkriminonte gjithë popullsinë shqiptare të Çamërisë, e cila në përgjithësi i shihte me indiferentizëm marrëdhëniet midis pushtuesve të rinj (italo-gjerman) dhe pushtuesve të vjetër (grekë). Ky qëndrim i shqiptarëve të Çamërisë u konsiderua më i pranueshmi nga kjo popullsi, sepse nuk krijoi asnjë bindje për mbështetje, as tek njera as tek tjetra palë, për të fituar të drejtën e lirinë kombëtare.
Mesazhi i historisë, që na vjen ne shqiptarëve, është i qartë se, për të zgjidhur çështjen tonë kombëtare ne duhet të mbështetemi në ato forca të jashtme, që respektojnë identitetin tonë kombëtar dhe ekzistencën e një shteti kombëtar shqiptar.
Tragjedia çame, e pohuar nga N. Zerva si atribut i tij, është “justifikuar e arsyetuar” si një veprim ndaj “një popullsie gjaknxehtë dhe violente ashtu si shumë komunitete të tjera malore ballkanike”. Pra, siç shihet, kur armiqtë tanë nuk kanë “argumente” politike, për të kamufluar veprimet e gjenocidit etnik iu referohen tipareve gjenetike të shqiptarëve, duke harruar se dhe ata janë produkt i të njëjtit mjedis natyror.
Në mbrojtje të çështjes çame dhe të Çamërisë, si pjesë e çështjes kombëtare shqiptare, në bazë të Kartës së Atlantikut, shoqata “Çamëria” në Amerikë, kërkoi që, populli shqiptar i mbetur në shtetet fqinje të përcaktonte formën e qeverisjes, nëpërmjet së cilës, do të ushtronte të drejtat sovrane dhe të kthehej vetqeverisja e cila u ishte rrëmbyer me forcë. Në këtë kuadër, ajo kërkonte kthimin e popullsisë çame në trojet e veta, dhe Çamëria së bashku me Kosovën të shpreheshin lirisht për të ardhmen e tyre (AMPJ, viti 1944, dosja 35. Letër e shoqatës “Çamëria” në SHBA dërguar Cordell Hull-it, sekretar shteti në SHBA, 18 tetor 1946). Shoqata dhe organizma të tjera çame, edhe më pas, kërkuan pranë shtetit grek dhe pranë organizmave ndërkombëtare për t`u kthyer në trojet eveta etnike, ku t`u sigurohej barazia e dinjiteti kombëtar, por më kot. Shteti grek e trajtoi tragjedinë çame si një realitet të pakthyeshëm, duke sanksionuar de jure atë që bëri Zerva de facto.
Protestat e ashpra dhe kërkesat e vendosura të organizmave çame për të drejtat e veta kombëtare, nuk u morën në konsideratë nga qeveria greke. Ndoshta forca e kërkesave të tyre do të ishte më e ndjeshme, nëse politika dhe diplomacia e shtetit shqiptar do t`u jepte një mbështetje të vetën zyrtare, gjë që nuk ndodhi.
Spastrimi etnik i Çamërisë ose tragjedia çame në përfundim të Luftës II Botërore ishte rrjedhim logjik i politikës sistematike të shtetit grek dhe i presionit të vazhdueshëm që i ishte bërë etnisë shqiptare në Greqi që nga vendimi arbitrar i Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913.
Veç sa thamë më sipër tragjedia çame u favorizua edhe nga faktorë të tjerë. Për të ruajtur pozitat e veta në Greqi, politika britanike u mbështet në forcat ultranacionaliste, duke iu bërë si shpërblim këtyre të fundit lëshime për realizimin e objektivave të vjetra politike të spastrimit etnik të Çamërisë. Çarmatimi i popullsisë shqiptare të Çamërisë nga forcat gjermane, për interesat e tyre, në çastet e fundit të qëndrimit të tyre në Çamëri, u krijoi mundësi forcave zerviste (ish aleatëve të tyre) të kryenin pa pengesë spastrimin etnik të Çamërisë. Dobësitë e forcave politike shqiptare, që nuk arritën të bashkoheshin midis tyre dhe të përpunonin në një platformë të përbashkët për mbrojtjen e interesave kombëtare, iu dha rast grekëve të realizonin synimet e tyre të pastrimit etnik të Çamërisë.
Spastrimi etnik i Çamërisë, i shoqëruar me masakra të përgjakshme gjenocidi ishte goditja më e rëndë, që iu dha kombit shqiptar, pas copëtimit të 1913. Tragjedia çame që u realizua aso kohe aq lehtësisht është tepër e vështirë sot që të riparohet.. Shqiptarët nga kjo tragjedi mund dhe duhet të nxjerrim një mësim të madh historik. Kombi shqiptar do të jetë në rrezik, për sa kohë do të ketë trazirë e riorganizim në Ballkan dhe për sa kohë forcat politike shqiptare nuk do të kuptojnë që mosmarrëveshjet e thella dhe ndarjet midis tyre përbëjnë rrezik serioz për integritetin kombëtar të shqiptarëve.
Dielli, arkiv