Prof.Muhamed Mufaku/
Me rastin e 100-vjetorit të Traktatit të Lozanës (24 korrik 1923) u shënuan në vende të ndryshe disa aktivitete shkencore dhe dolën dy libra me peshë në gjuhën angleze. I pari, libri i Michelle Tusaniit “Traktati i fundit: Lozana dhe përfundimi i Luftës së Parë Botërore në Lindjen e Mesme” (New York, 2023) dhe i dyti libri me studime të 17 historianëve evropianë, turq e amerikanë “Të gjithë e donin paqen: Ç’është paqja?: Traktati i Lozanës dhe rendi i ri imperial” (Londër, 2023) që e redaktuan J. Colin dhe Ozan Ozvaçi. Ndërkohë u përgatit në Lindjen e Mesme një libër tjetër i grupit të autorëve që del së shpejti, me një qasje më ndryshe, pasi me Traktatin e Lozanës, Lindja e Mesme mori formën e tashme me ca ndryshime në kufijtë e shteteve të reja që u formuan atje. Me këtë qasje të re përfshihen Çamëria dhe Shqipëria, pasi Traktati i Lozanës përfshinte shkëmbimin e detyrueshëm të popullsisë midis Turqisë dhe Greqisë që kishte pasoja të rënda, pasi me “turqit” u përfshinë të gjithë myslimanët në Greqi, kurse me “grekët” e larguar nga Turqia u përfshinë të gjithë të krishterët ortodoksë grekë e jogrekë.
Çamët – viktimë e dyfishtë
Kuptohet, çamët myslimanë ishin viktimë dy herë si pasojë e këtij traktati, pasi u trajtuan në fillim si “turq” nga qeveritë greke për t’i dërguar në Anadoll, ku tani ende kemi një komunitet çam atje, si dhe çamët ortodoksë u ndanë me dhunë nga vëllezërit që të asimilohen më lehtë në Greqi. Mirëpo, falë Qeverisë shqiptare që protestoi dhe e ngriti këtë çështje në Lidhjen e Kombeve deri në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, pjesa e mbetur e çamëve myslimanë shpëtoi përkohësisht deri më 1940, kur përjetoi më vonë një tragjedi më të madhe.
Siç dihet, Italia fashiste kishte pretendime territoriale në Ballkanin Perëndimor duke përshirë Shqipërinë dhe Greqinë. Kështu, pasi e pushtoi Shqipërinë më 7 prill 1939 duke i mashtruar shqiptarët me idetë për Shqipërinë e Madhe, ajo përgatiti terrenin për pushtimin e Greqisë më 28 tetor 1940 duke rekrutuar dy batalione prej vullnetarëve çamë për “çlirimin e Çamërisë”. Mirëpo, pas betejave të para, ushtria italiane u detyrua të tërhiqet pasi ushtria greke depërtoi nga lindja dhe iu afrua Korçës.
Me depërtimin e ushtrive gjermane-bullgare-italiane në Ballkan më 6 prill 1941, Italia shtroi kontrollin ushtarak në pjesë të madhe të Greqisë, shumicën e Kosovës dhe Maqedoninë perëndimore. Ndonëse e shpalli bashkimin e Kosovës dhe Maqedonisë perëndimore me Shqipërinë, Çamëria mbeti në kuadër të Greqisë, por tani me një administratë të posaçme për çamët. Mirëpo, me dorëzimin e Italisë në shtator 1943, rezistenca greke me orientim të majtë (ELAS) përparoi në lindje edhe në pjesën qendrore të Greqisë, kurse në veriperëndim u përqendrua krahu nacionalist (EDES) në krye me gjeneralin Napoleon Zerva, i cili filloi një fushatë të pamëshirshme kundër çamëve myslimanë si “kolaboracionistë me pushtuesit”. Kështu, forcat e tij kryenin krime masive kundër çamëve gjatë vitit 1944 dhe deri në qershor1945, që u cilësuan më vonë si “gjenocid”.
Gjendja mizore në Shqipëri
Si pasojë, çamët pasi vuajtën nga konfiskimi i pronave të tyre, tani mezi arritën të kalojnë kufirin dhe të strehohen në Shqipëri nëpër çadra në disa kampe. Siç dihet, gjendja në Shqipëri ishte mizore në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kështu që Tirana kërkoi ndihmë nga UNRRA (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë e Rehabilitim) që ndau pak mjete për çamët. Ndonëse regjimi i komunist në atë kohë (1945-1947) ngriti fatin e çamëve në konferencat dhe organizatat botërore, më 1948 hoqi dorë nga përkrahja e rezistencës greke (ELAS) dhe u zu në luftë kundër revizionizmit pasi Stalini u pajtua me fatin e Greqisë si vend në bllokun perëndimor, me çka u krye lufta civile në Greqi, 1946-1949.
Qytetarë të rendit të dytë
Në këto rrethana të reja, regjimi komunist ndryshoi qëndrimin ndaj refugjatëve çamë në Shqipëri (mbi 20 mijë) dhe më 1953 nxori një vendim jokushtetues për dhënien e nënshtetësisë shqiptare të gjithë çamëve, pra pa ndonjë kërkesë prej tyre dhe pa botuar vendimin në Gazetën zyrtare ashtu siç kërkohej. Ndonëse me nënshtetësinë shqiptare, tani çamët duhet të trajtoheshin njësoj me të tjerët, çamët ndiheshin si qytetarë të rendit të dytë.
Siç dihet, regjimi komunist përjetoi një krizë më 1977 me ndryshimet politike në Kinë dhe ndërprerjen e ndihmave kineze për shkak të kritikave të Tiranës kundër kursit të ri kinez. Mirëpo, më 1981, Partia Socialiste në Greqi (PASOK) fitoi në zgjedhje dhe mbeti në pushtet deri më 1989, gjë që hapi një shteg të ri për Tiranën dhe e nxiti Enver Hoxhën ta botojë më 1985 librin e tij “Dy popuj miq”. Në shenjë përmirësimi të marrëdhënieve, Qeveria greke e anuloi “Ligjin e luftës” më 1987, por u pa më vonë se për këtë duhej edhe aprovimi i parlamentit grek që e nxori këtë ligj më 1940, gjë që nuk u bë kurrë.
Pranvera shqiptare më 1990
Kthesa e vërtetë ndodhi me Pranverën shqiptare më 1990, kur elita çame u mblodh duke shpallur themelimin e shoqërisë “Çamëria” më 10 janar 1991 dhe me regjistrimin e parë të çamëve në Shqipëri që zbuloi numrin e tyre: 204,255 veta. Prania e çamëve në parlamentin e parë me shumicë demokratike bëri që ky parlament ta shpallë 24 qershorin si ditë përkujtimi të “gjenocidit kundër çamëve në Çamëri prej shovinizmit grek”. Ndërkohë u themeluan dy parti çame që u bashkuan më 2011 në Partinë e Drejtësisë, Integrimit dhe Unitetit në krye me Shpëtim Idrizin. Në ato vite, çështja çame filloi të ndërkombëtarizohet në forma të ndryshme, varësisht prej qeverive në pushtet.
Kështu, me Qeverinë e parë demokratike më 1992 u bënë për herë të parë përpjekje serioze për ta prekur esencën e problemit: kthimi i çamëve ose kthimi/kompensimi i pronave të tyre. Kështu, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Papulias, në mars 1995 të dyja palët u pajtuan ta formojnë një komision për ta shqyrtuar mundësinë e kompensimit të pronave. Ky orientim i ri u shpreh në Traktatin e Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë më 21 mars 1996, në të cilin Tirana insistoi të futet aty neni (15) i cili thotë se “secila nga palët do të përballojë mundësinë e heqjes, brenda kuadrit të saj ligjor, të pengesave që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë shtetasit e njërës palë në territorin e palës tjetër”. Mirëpo, pas ndryshimit të kursit politik, ky traktat “vdiq” më 31 janar 2023 pas që asnjë palë nuk e shprehu dëshirën për vazhdimin e tij.
Viti i parë i 100-vjetorit të ri
“Vdekja” e Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë ndodhi mu një ditë pas 100-vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të parë të Lozanës më 30 janar 1923 për shkëmbimin e popullsisë, i cili u fut në traktatin final të nënshkruar më 24 korrik 1923.
Megjithatë, si çdo vit, më 27 qershor 2024, Kuvendi i Shqipërisë filloi seancën me një minutë heshtje për viktimat e “gjenocidit të Çamërisë”, i cili sivjet përkoi më 80-vjetorin e kësaj tragjedie. Me këtë rast, kryetari i partisë PDIU Shpëtim Idrizi tha: “Gjenocidi nuk ka moshë. Memoria e një kombi është më e madhe sesa e një njeriu. Jam këtu për ta sqaruar dhe për ta thënë më me forcë, masakrat ndaj të parëve tanë nuk i falim dhe nuk i harrojmë”
Megjithatë, z. Idrizi tani në fillim të shekullit të ri të golgotës së çamëve, duket më realist pas shumë përpjekjeve që bëri në Shqipëri për hir të kësaj kauze. Kështu, në një takim me të në Tiranë më 5 shtator 2024, ai tani pret më shumë nga e drejta ndërkombëtare në Hagë dhe normat evropiane të të drejtave të njeriut në Strasburg. Ai ka të drejtë pasi Shqipëria është kandidate për Bashkimin Evropian, dhe kryeministri Edi Rama shpreson se deri më 2030 do të bëhet anëtare e plotë, ku mund të shtrohet kjo çështje edhe në Parlamentin Evropian si një paradoks në Evropë. Aq më tepër, është tani në pyetje se si u pranua Greqia në Bashkimin Evropian kur është në një gjendje lufte me një vend fqinj?
Në të vërtetë, siç sqaron këtu avokati dhe ish-zëvendësministri i Jashtëm i Shqipërisë Halil Hyseni në një shkrim analitik (“Panorama”, Tiranë 7 tetor 2024), nuk është këtu fjala për anulimin e Ligjit të luftës të vitit 1940, por për shumë efekte juridike të këtij ligji në dëm të çamëve, përkatësisht për Ligjin e Forcës nr.2636 të vitit 1940 “Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike” që ende janë në fuqi.
Megjithatë, tani në Shqipëri ka që mendojnë se nuk kemi më fare as ligj të luftës. Kështu avokati dhe shkrimtari Spartak Ngjela deklaroi në një debat para disa ditëve (“Panorama” 4 nëntor 2024) se “Ligji i luftës është hequr. E kanë deklaruar, ka marrë fund. Janë kot broçkulla që nxjerrin antishqiptarët. Shqipëria dhe Greqia janë në NATO, si ka mundësi të jenë në gjendje lufte dy anëtarë të NATO-s, kush e kërcënon njëri-tjetrin?”. Vërtet Ligji i luftës është hequr nga Qeveria më 1987 e jo nga Parlamenti grek që e nxori më 1940, ndaj efektet e tij juridike janë në fuqi sot e kësaj dite.
Këtë kontrast e shpjegon mirë deputeti i PS-së, Petro Koçi në një debat tjetër të njëjtën ditë (“Panorama”, Tiranë, 4 nëntor 2024). Kështu, deputeti pranon në fillim se “është e vërtetë se në Greqi ka antishqiptarizëm të organizuar”, por në fund pranon se “ne e konsiderojmë Greqinë një partner strategjik”. Ndoshta kjo shpjegon më se miri se pse “vdiq” Traktati i Miqësisë midis Shqipërisë e Greqisë më 30 janar 2024 ,i cili me nënin (15) mbante njëfarë shpresë për çamët në Shqipëri.