Opinion nga Rafael Floqi/
Duke parë trashëgiminë e Joe Biden, ajo mund të përfundojë duke u parë si “një urë drejt askundit.” Në historinë amerikane, presidentët me një mandat shpesh herë kujtohen më shumë për qëndrimet e tyre parimore sesa për dështimet e tyre të dukshme. Gerald Ford fitoi respekt me kalimin e kohës, për faljen e Ricard Nikson-it, një veprim që shumë tani e konsiderojnë akt sakrifice. Xhimi Karter është vlerësuar nga historianët e fundit për përpjekjet e tij për të sfiduar amerikanët të përmirësohen. Dhe Xhorxh H. Bush mbahet mend me simpati, të paktën nga demokratët, për guximin e tij për të rritur taksat pavarësisht pasojave politike.
“Unë e shoh veten si një urë, jo si ndonjë gjë tjetër”, tha Biden gjatë fushatës së tij 2020. “Ka një brez të tërë liderësh siç e patë që qëndronin pas meje. Ata janë e ardhmja e këtij vendi.”
Por, pasi ai ishte në detyrë, thanë ndihmësit, ai kurrë nuk mendoi seriozisht të kalonte një mandat të dytë. Por edhe tani ai vazhdon ta shohë veten si kandidati i vetëm që kishte dëshmuar se mund ta mposhtte Trumpin dhe po deklaron këtë edhe në ditët e fundit. Dhe atëherë kur demokratët dolën relativisht mirë në zgjedhjet e kongresit të vitit 2022, ai e pa rezultatin si një konfirmim se qasja e tij po funksiononte.
80-vjetori i tij erdhi 12 ditë më vonë – dhe, pavarësisht mohimeve të tij, kishte filluar të shfaqej. Nga mesi i vitit 2023, 77% e votuesve thanë se mendonin se Biden ishte shumë i vjetër për të shërbyer një mandat tjetër, duke përfshirë një numër 69% mahnitës e për demokratët. Të cilët deri para debatit me Trump vazhdonin ta mbronin atë pavarësisht shfaqjeve senile dhe demencës të dukshme. Demokratët u treguan falso, duke akuzuar për “fake news” atë që gjithë bota e shihte.
Vendimi i tij për të kandiduar ishte një akt me pasoja masive. Një kandidat më i ri mund të ketë qenë në gjendje të ndryshojë rrjedhën e zgjedhjeve. Dhe “grushti i pallatit” dhe zëvendësimi me Kamalan prodhoi një shpenzim prej 1.5 miliard dollarësh, dhe shfaqje me artistë Hollivudi dhe dështime totale dhe një efekt fitoreje trifekta, Presidencën, Senatin dhe Kongresin një fitore për republikanët e MAGA-s.
Por ironia tani është se trashëgimia e Bidenit tani qëndron në duart e Trumpit.
Njësoj ndoshta si paraardhësit e tij , Biden mund të përfundojë duke u rivlerësuar më vonë për “idealizmin dhe përpjekjet e tij”, edhe pse dështimet e tij mund të dominojnë perceptimin publik në të tashmen. Satira, në këtë rast, do të shtonte se përpjekjet e tij për të ndërtuar një të ardhme më të mirë kanë krijuar më shumë pyetje sesa përgjigje.
Dhe veprimet e tij të fundit, falja e Hunter Biden, dekorimet e Sorosit, Klintonit dhe pengesat e tij të fundit për industrinë e naftës e tregojnë ata me shumë se një plak inatçor që mbetet duke u grindur. “Drill, Baby, Drill” qe parulla gjatë fushatës së tij, që Donald Trump premtoi të kryente më shumë shpime për naftë dhe gaz. Tani Joe Biden i kundërpërgjigjet – duke ndaluar këto projekte në zona të mëdha. Çfarë do të thotë kjo për presidentin e zgjedhur? Më pak se dy javë para se Joe Biden të largohet nga Zyra Ovale dhe Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, presidenti në largim duket se po i shfrytëzon ditët e fundit për t’i vendosur pengesa pasardhësit të tij – dhe për ta zemëruar seriozisht.
Epo, duke ndjekur të gjitha standardet që vetë Joe Biden vendosi, presidenca e tij duket si një shaka e hidhur historike. Ai hyri me një premtim madhështor për shpëtimin e “shpirtit të kombit.” Por tani, shpëtimtari është kthyer në spektator, dhe tragjikisht, Donald Trump duket sikur po përgatitet ta vendosë vulën e tij përfundimtare – tamam atë, që Biden premtoi se do ta ndalonte dhe që ende mendon se mund ta kishte ndaluar me gjithë 2 atentate dhe gjashtë gjyqe kundër Trump. Tani demokratët po mburren se po i dorëzojnë paqësisht pushtetin atij që e quajtën “fashist”.
Joe Biden, misionari i madh i moralit dhe shpëtimit, qëndron tani përballë një ironie monumentale: misioni i tij historik ka përfunduar si një trampolinë për kundërshtarin që ai deshi ta ç’ rrënjoste. Imagjinoni një president që për dy vite miratoi “ligje kolosale për të ardhmen” – sipas demokratëve, por që amerikanët, në vend që t’i duartrokasin, e pyetën: “A mund të na ndihmosh të paguajmë qiranë këtë muaj?”
Ndërsa ai vetë e shihte veten si “urë,” shumë mendojnë se kjo urë i dërgoi demokratët drejt një humbjeje të pashmangshme.
Administrata e Joe Biden ka pasur arritje të rëndësishme, si zgjerimi i NATO-s, miratimi i projektligjit dypartiak për infrastrukturën, mbrojtja e Ukrainës dhe Izraelit, si dhe forcimi i aleancave në rajonin e Paqësorit. Megjithatë, presidenca e tij është shoqëruar edhe me katër iluzione të mëdha dhe po aq mashtrime, të cilat rrezikojnë trashëgiminë e tij. Këto iluzione përfshijnë: rritjen e emigracionit në vitin 2021, që ai e quajti “sezonal”; supozimin se talebanët nuk do të pushtonin shpejt Afganistanin, pavarësisht paralajmërimeve të Pentagonit; këmbënguljen se inflacioni ishte kalimtar, edhe kur ekonomistët si Larry Summers paralajmëronin për të kundërtën; dhe idenë se ai ishte kandidati më i mirë demokrat për të mposhtur Donald Trump.
Gabimet në gjykim, shpesh të bazuara në vetëbesim të tepërt, dëmtuan besueshmërinë e Biden. Për shembull, administrata e tij refuzoi të përshkruante krizën e emigracionit si “krizë”, duke e quajtur atë një “sfidë”. Tërheqja kaotike nga Afganistani, që rezultoi në rënien e qeverisë afgane, ishte një tjetër pikë kthese që uli vlerësimet e tij. Këto vendime e dëmtuan presidencën e Biden, e cila nuk arriti të rimarrë mbështetje pozitive pas vitit 2021. Ndoshta demokratët, përfshirë figura të shquara si Nancy Pelosi, mund të kishin ndikuar më herët në vendimin e tij për të mos kandiduar sërish, duke shmangur kështu një situatë që u përball më vonë nga të tjerë si Dean Phillips, i cili guxoi të vinte në pikëpyetje lidershipin e Biden.
Pas këtyre gjykimeve të gabuara qëndrojnë mashtrimet kryesore të presidencës. Së pari, Biden kandidoi në vitin 2020 duke dhënë të kuptohet se do të shërbente vetëm një mandat, gjë që më pas ndryshoi. Së dyti, ai premtoi një qeverisje bipartizane dhe të moderuar, por më pas ndërmori politika që përqafonin shpenzime të mëdha dhe polarizime politike. Së treti, administrata e tij këmbënguli se presidenti ishte i aftë mendërisht dhe fizikisht për të shërbyer një mandat të dytë, megjithëse raporte si ato të “The Wall Street Journal” kanë ngritur dyshime serioze mbi shëndetin e tij. Së fundi, Biden premtoi se nuk do ta falte djalin e tij, Hunter Biden, nëse ai dënohej për krime.
Ndërsa vendimi i tij për të mos u tërhequr nga gara presidenciale erdhi tepër vonë për të demonstruar një akt të mirëfilltë burrështetasi, mashtrimet e tjera mbeten më pak të falshme. Votuesit që e përkrahën për një qeverisje të qetë dhe të sigurt u zhgënjyen kur Biden zgjodhi të ndiqte një qasje më radikale, duke promovuar shpenzime të mëdha dhe duke demonizuar opozitën si kërcënim për demokracinë. Si rezultat, reagimi i republikanëve ndaj kësaj qasjeje kontribuoi në rigjallërimin e bazës së Donald Trump, duke e bërë të mundur rikandidimin e tij.
Raportet mbi gjendjen shëndetësore të Biden, të cilat tregojnë për ditë të mira dhe të këqija në funksionimin e tij, e shtojnë shqetësimin për aftësinë e tij për të udhëhequr. Nëse presidenti vetë nuk ka qenë i vetëdijshëm për rënien e tij, atëherë përgjegjësia bie mbi stafin e tij, që me sa duket e shfrytëzoi këtë situatë për përfitime personale. Ky është një skandal që meriton një hetim të gjerë nga Kongresi.
Trashëgimia e Joe Biden, me gjithë disa suksese të pamohueshme, mbetet e njollosur nga vendime të gabuara dhe mashtrime që e dëmtojnë rëndë pozitën e tij në kujtesën kombëtare. Dështimi për të ndjekur një qasje më realiste dhe të ndershme në presidencën e tij do të mbetet një pengesë e madhe për vlerësimin e tij historik Dhe jo vetëm mosha? Oh, Biden ka qenë simboli i urtësisë, por në vitin 2023, kur 77% e amerikanëve menduan se ai ishte shumë i vjetër për të shërbyer, u duk sikur vetë historia i thoshte: “Koha për ta lënë karrocën, Joe!”
Ironia e madhe qëndron te trashëgimia e tij.
Nëse Trump arrin të çmontojë gjithçka që Biden ndërtoi, atëherë presidenca e tij do të mbetet si një fusnotë e harruar në histori – një Karter pa Habitat for Humanity.
Në këtë pikë, Biden nuk ka më në dorë asgjë përveç qëndrimit dhe shikimit, duke ndjekur zhvillimet nga një kolltuk në Delaware siç bëri 40 për qind të kohës.
Një president që hyri si kalorësi i shpëtimit, tani mbetet si filozofi i ndonjë tragjedie greke: një simbol i madhësisë që mund të kishte qenë… por nuk qe!