Erefili Çala Shyti, këngëtare e muzikës popullore në Athinë prej 9 vitesh, aktiviste në komunitetin shqiptar në Athinë, rrëfen për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në New York, veprimtarinë artistike në Athinë, ndihmën për shkollën shqipe të Athinës, artin si promotor i trashëgimisë së një kombi, artin si vazhdimësi e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore kombëtare shqiptare, krijimtarinë artistike dhe veprimtaritë kulturore në Athinë si promotor i trashëgimisë së një traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Me artisten Erefili Çala Shyti bisedoi Editori i Diellit Sokol PAJA.
ARTI SI TRASHËGIMI KULTURORE DHE SHPIRTËRORE KOMBËTARE
Së pari ju falenderoj nga thellësia e zemrës për respektin dhe vlerësimin duke më bërë pjesë të kësaj interviste dhe së dyti falenderimi im shkon për nivelin e këtij pyetësori nga ju dhe gazeta Dielli që ju përfaqësoni. Më lejoni me këtë rast të përshëndes edhe të gjithë bashkëkombësit e mi lexues të kësaj gazete. Vetkuptohet që nuk prisni nga mua ndonjë formulim apo analizë akademike lidhur me artin si promotor i trashëgimisë së një kombi, por gjithësesi gjithkush që merret me art ka diçka për të thënë rreth gjurmëve, që padyshim ky proces i trasmetimit të vlerave do lërë në ndërgjegjen dhe përvojën e tij jetësore si artist, ose si zëdhënës i kësaj trashëgimie kulturore dhe shpirtërore kombëtare. Ndihem vërtet shumë e emocionur të flas për për këtë pikë nevralgjike të qënies time, të misionit tim shpirtëror, të ngre në art përmes këngës atë detyrim që ndjej ndaj prindërve të mi që sot nuk jetojnë, ndaj babait tim, idhullit tim si muzikant e interpret popullor, ndaj bashkëatdhetarëve të mi, ndaj vendit tim, ndaj Myzeqesë time, ndaj qytetit tim të Fierit, ndaj rrugëcave ku u rrita. Dhe konturet e kësaj nostalgjie marrin një tjeter dimension, bëhen shumë herë e më të forta për ne që jetojmë larg atdheut. Më shumë se gjysmën e jetës e kam kaluar në dhe të huaj, por asnjëherë edhe pse u largova nga vendi im, me gjithë përpjekjet për tu integruar në një tjetër shoqëri dhe me një tjetër kulturë, as koha, as rrethanat e vështirësitë e mbijetesës nuk ma fashitën aspak dashurinë për tokën mëmë, për atë çfarë isha dhe nga vija. Përkundrazi ma shtuan përherë e më tepër etjen për të demonstruar atë pasuri shpirtërore që e morëm me vete, ngjizur brenda vetes tonë, thellë në ndërgjegje e në shpirt. Unë mendoj se largësia i bënë më të ndjeshme ato fijet e shumta që na lidhin me atdheun dhe brenda këtij konteksti bëhemi edhe më të vetëdijshëm për prejardhjen dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së kësaj pasurie kulturore e shpirtërore të akumuluar. Të them të drejtën, unë e ndjej veten shumë të privilegjuar që trashëgova këngën nga im atë dhe mundësinë e këtij udhëtimi kaq të bukur në udhën e artit, të muzikës e të interpretimit. Kjo gjë më ka bërë të mundur të transmetojë e të përçoj përmes skenës dhe rrjeteve të shumta sociale të kohës atë kolorit ngjyrash, shijesh, emocionesh që të japin zhanret e këngës tradicionale popullore folklorike apo bashkohore, bashkë me vallet dhe veshjet si prurje të mirëfillta të traditës dhe zakoneve tona të trasmetuara brez pas brezi. Devotshmëria në ruajtjen dhe zbulimin e vlerave të trashëguara nga prindërit tanë, që kur kam nisur debutimin tim të parë me këngën popullore, më është kthyer në moto dhe në një impenjim pa kushte. Përtej emocionit që të jep skena dhe duartrokitja e spektatorit, e cila ka vendin e vet të patjetërsushëm, një vend të rendësishëm dhe mjaft pasionant në përditshmërinë time zënë hulumtimet dhe qëmtimet e vjetra mbi traditën, folkun, vallen, veshjet dhe muzën popullore të trashëgimisë sonë kulturore, gjë të cilat më janë kthyer në një ushqim të domosdoshëm dhe në një kënaqësi të tillë shpirtërore sa më mbushin e ngazëllejnë. Kjo gjë më bënë të ndjej se kam një copë atdheu brenda vetes dhe, udhëtoj bashkë me të, duke folur me gjuhën e zemrës e të shpirtit. Dhe këto udhëtime janë nga më të bukurat dhe mbreslënëse për mua, aq më tepër kur nuk i bëj vetëm, por me bashkëshortin tim në krah që më inkurajon dhe mbështet totalisht. Ju më pyetët për artin si trashëgimi, kurse unë po ju përshkruaj nga eksperienca ime se si kjo trashëgimi e kthyer në nevojë mund të pasqyrohet në art, për të përmbushur si të thuash plotësimin e atij boshllëku të krijuar kryesisht nga vitet e mërgimit e të largësisë nga atdheu. Teksa këndoj këngën myzeqare deri tek ato më të vjetrat të kënduara edhe nga im atë, nuk kishte sesi të mos mrekullohesha nga vargjet aq të bukura e karakteristike të shpirtit të butë dhe romantik myzeqar. Dhe fatkeqësisht shumica e këtyre këngëve, janë lënë në harresë si nëpër evenimentet familjare po ashtu edhe në ato shoqërore, mbytur nga tallavat dhe komercializmi në muzikë dhe art. Im atë nuk e shiti kurrë këngën dhe as e këndoj atë për tu bërë i njohur, por e përdori si një mjet të trasmetimit e të lidhjes shpirtërore me njerëzit e thjeshtë që do e rrethonin. Asnjëherë nuk jam përpjekur ta filozofoj apo të zbuloj shkaqet e vërteta të krijimit të kësaj bindjeje, ngaqë ajo mendoj unë, është diçka e dhënë, e futur thellë në gen dhe, unë ndjej se ashtu natyrshëm ajo është e ngjizur edhe tek mua. Me këngën time unë mund të zgjoj nostalgjinë e shumëkujt, të zbukuroj ditën e mijëra bashkatdhetarëve të mi në mbarë botën, të ngroh zemrat e zhuritura nga malli dhe dashuria për pragjet dhe rrugicat e braktisura, falë teknologjisë që na e ka dhënë këtë mundësi. Asnjëherë nuk e kam ndjerë të nevojshme të pres ahengun e radhës, apo pistën e 1 vallëzimit të xhërres që fatkeqësisht predominon në ahenget e komunitetit shqiptar të Greqisë dhe, as përfitimin material që mund të siguroja prej tyre. Përkundrazi kam investuar me shuma të mëdha parash dhe me kohë pafund për të bërë diçka denjësisht më të bukur për mua, duke i dhënë mundësinë vetes për të krijuar dhe kënduar çdo ditë e çdo çast. Nga eksperienca e këtij udhëtimi krijues dhe interpretues njëkohësisht, ruaj aq shumë mbresa dhe realizime sa s’mund ti krahasoja as me qindra koncerte as dhe me paratë e gjithë botës.
AROMËN E SHQIPËRISË NË EVENIMENTET E DITËVE TË SHËNUARA TË FESTAVE KOMBËTARE
Gjithmonë kam dashur që me paraqitjen time nëpër evenimentet e ditëve të shënuara të festave kombëtare të sjellë aromën e Shqipërisë me këngët më të zgjedhura por edhe me veshjet tona tradicionale. Dhe në pamundësi për ti pasur këto veshje, kam bërë të mundur që të mos i mungojnë gardërobës time as kostumi i Malësisë, as ai i Shqipërisë së Mesme por as edhe kostumi Myzeqar. Dhe këto janë prerë, qepur e qëndisur me shumë merak dhe dashuri nga duart e mia. Në ditën e kulturës shqiptare të Festivalit Ndërkombëtar të këngëve dhe valleve në emigracion, organizuar nga Bashkia e Vironës në Athinë unë doja të përfaqësohesha me një këngë patriotike “Xhamadani i trimërisë” dhe, përpara këtij evenimenti do niste një udhëtim tjetër i bukur, për të qepur e qëndisur kostumin e Shote Galicës që do i këndonte trimërisë së Mic Sokolit, me një shqiponjë të madhe si emblemë e simbolikës shqiptare në shpinën e xhamadanit të kuq dhe me krahët e shqiponjës gati për fluturim në mëngët e gjëra të këmishës së bardhë. Koha dhe mundi i këtij angazhimi, mu kthye në zero përball shpërblimit shpirtëror që më dha ky udhëtim i bukur si për gjetjen e elementëve identifikues ashtu edhe për materializimin me sukses të këtij kostumi popullor, që për mua dhe familjen time merr aq vlera, ngaqë do i lihet si trashëgim djalit tonë. Po kështu kujtoj orët e pafund dhe kërkimet për prejardhjen orientale dhe mënyrën se si mund të realizoja ato çitjanet e bardha si të një fustani nusërie, apo atë këmishë të qëndisur me fije ari si edhe kapelen plotë qëndimë, zbukuruar me vargjet e monedhave të florinjta të rrëzuara mbi ballë. Kur vesha këtë kostum të bukur që më shkonte aq shumë, sa s’hidhesha përpjetë nga gëzimi dhe, u nisa për të përshëndetur bashkatdhetarët e mi me rastin e festës së Ditës Pagane të Verës të organizuar nga Shoqata Kulturore Artistike e Elbasanit në Athinë me dy këngë të bukura të Shqipërisë së Mesme. Por kostumi im i parë sigurisht që do ishte kostumi Myzeqar, me të cilin do paraqitesha në Festivalin e Parë të Këngës Popullore Folklorike Shqiptare në Athinë të organizuar nga maestro Niko Nushi. Më pas këtij kostumi do ti shtohej edhe “Guna me Rrëke” që do e promovoja në skenën e Festivalit të Dytë Folklorik. Do ishte Guna me Rrëke, simbolika dhe historia e prejardhjes së saj, ajo që do më frymëzonte për të krijuar një këngë që kisha shumë dëshirë ta paraqesja në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, por pandemia ma preu ëndrrën në mes. Dymbëdhjetë rrëketë sa vetë perënditë/ Bekimin e more e bëre traditë. /E kuqja si gjaku, o që rrjedh në deje/ E bardha si shpirti, o prej Myzeqeje. Së afërmi kjo këngë si edhe shumë këngë të tjera myzeqare do marrin udhën e publikimit. Kjo këngë ju shtua albumit tim “Myzeqeja ime” që është tërësisht me krijimet e mia të reja të këngës myzeqare që do ja bëj dhuratë qytetit tim dhe gjithë myzeqarëve.
ARTI SI IDENTITET KOMBËTAR
Kjo është një pyetje e bukur jo vetëm për mua që i jam përkushtuar artit të interpretimit, por edhe për çdo shqiptarë të Shqipërisë e kudo që mund të ndodhet në botë. Krenaria jonë kombëtare, tiparet karakteristike dhe cilësitë morale, tradita e familjes dhe e mikpritjes, shpirti i punës e i sakrificës, urtësia dhe zotësia, etj, etj i kanë bërë shqiptarët të shquhen dhe vlerësohen në të gjitha fushat e angazhimit dhe veprimit. Mjaft ti japësh mundësinë vetes të ballafaqohesh dhe të shprehësh botëkuptimin dhe aftësitë e tua pa u lëkundur nga mëdyshja se jemi shumë të vegjël para botës së madhe. Përkundrazi, sa herë më është dhënë kjo mundësi që të flas për prejardhjen time, për atë çfarë unë përfaqësoj si njeri apo si subjekt shoqëror e kulturor, gjithmonë kam gjetur admirimin dhe respektin e gjithkujt pavarësisht kulturës apo kombësisë që ndokush përfaqëson. Me ardhjen në Greqi që nga viti 1991, na u dha mundësia të njihemi me kulturën e një vendi që kishte shumë për të na mësuar, si në art, në filozofi dhe në marrdhëniet shoqërore, kulturore dhe demokratike. Kjo i shërbeu ngritjes sonë të mëtejshme kulturore si shqiptarë për tu integruar në një vend të huaj. Por ky fenomen asnjëherë nuk arriti ta errësojë apo zëvendësojë atë ç’ka ishim dhe jemi, ngaqë rrënjët e ekzistencës qënkan 2 më të thella nga ajo që ndoshta mund të besojmë se jemi. Ndoshta gjaku i të gjithëve është i kuq, por gjaku shqiptar ka diçka prej nënave të atyre bjeshkëve, e të asaj tokë ku është e veçantë në mes gjithë të veçantëve të kësaj bote. Dhe kjo e veçantë shquhet dukshëm në doket dhe zakonet tona, në këngët, vallet, gjuhën, dhe dëshirën për ti ruajtur ato si sytë e ballit. Asnjëherë nuk jam ndjerë më mirë duke kënduar greqisht në një auditor grek sesa duke interpretuar këngët e vendit tim me pasionin dhe dashurinë që ato më mbushin dhe frymëzojnë. Kënga nuk është vetëm ëmbëlsia e zërit dhe diapazoni i shtrirjes së frekuencave të tij, por diçka më tepër se kaq. Një zë i punuar mirë mund të të bëj të suksesshëm si këngëtar, kurse këngët që e kanë zanafillën prej ninullës dhe gjuhës së nënës do të të bëjnë artist. Para disa vitesh bashkë me tim shoq punuam një këngë të re tonën, një kasapiko greke, me tekstin dhe muzikën tonë. Në rrethin e grekëve ku arritëm ta paraqesim ajo u dëgjua bukur dhe u pëlqye, qoftë si tekst por edhe si interpretim, por ne vet jemi të ndërgjegjshëm se e bukura e kësaj kënge më tepër qëndronte në faktin se është krijuar dhe këndohet nga një shqiptare në gjuhën greke dhe, deri aty. Do ishte një përpjekje pa frut po të pretendonim të krijonim e të trokisnim në ndonjë diskografi greke, me mendimin se arti nuk ka kufij. Por arti është produkti i botës kulturore dhe shpirtërore që mban vulën e identitetit që ti përfaqëson. Dhe identiteti nuk është thjesht një formular i shkruar apo një nënshtetësi e aprovuar nga ndonjë instance shtetërore, por tërësia e asaj që ti përfaqëson si krijesë shoqërore e kulturore. E bukura dhe e madhërishmja qëndron tek e veçanta, dhe ajo që përfaqësojmë ne si shqiptarë, është e veçanta e një vendi të vogël që merr vlera në sytë e botës së madhe pikërisht, se për ta ne përbëjmë një surprizë të ekzistencës. Dhe kjo nuk është aspak e rastësishme, ngaqë ne si popull e si komb kemi çfarë të themi. Kjo më bënë të besoj edhe më tepër se arti është i lidhur pazgjidhshmërisht me identitetin tënd këmbëtar dhe, nëse mendojmë të bëjmë art, kam parasysh se ai duhet ti shërbej kombit tim, gjuhës time, interesave, shijeve dhe dëshirave të të gjithë shqiptarëve kudo që ata janë.
PANDEMIA ISHTE NJË PLAGË GJITHPËRFSHIRËSE PËR ARTIN DHE ARTISTËT
Pandemia ishte një nga plagët gjithpërfshirëse nga më të rëndat të epokës paqësore të mbas luftës. Si për të gjitha fushat, edhe për artin dhe artistët, ajo do ishte periudha më e errët edhe nga periudhat më të rrepta të çensurës ndaj artit. Artistëve ju pre ai komunikimi fizik dhe shpirtëror i djeshëm me auditorin dhe befasisht u ndje i paralizuar në mes katër mureve. Shumëkush që artin e kishte si mjet të plotësimit të nevojave ekonomike dhe jetësore, u ndodh i rrezikuar nga depresioni dhe rrëzimi psikologjik. Por kjo nuk ndodhi me të gjithë. Sepse misioni i artistit është që të vet ngrihet, e të tjerrë rreze dielli, në kohrat me re të zymta, për ti përdorur ato si drita të shpresës, për të dalë nga errësira e tunelit të fatkeqësive e të katastrofave ku mund të zhytet bota e bashkëkohësve të tij. Ndoshta mund të duket paksa paradoksale, por qysh në momentin e parë unë me tim shoq e pamë pandeminë nga një tjetër këndvështrim duke kërkuar rolin tonë në të dhe, do rendnim të projektonim atë çfarë duhet të bënim për të mos u gjunjëzuar, por edhe për të mbajtur lart besimin dhe shpresën në atë prag pranvere, se “Pranvera prapë do vij” titull i një këngë hymn ky i krijuar nga përjetimet e atyre çasteve dramatike që po kalonte Italia dhe më pas edhe shtetet e tjera bashkë me to dhe Shqipëria. Gjithashtu, vetëm me një ritëm në tastjerë ju drejtova të gjithë miqvë të mi dhe gjithë atyre që mund të më ndiqnin nga rrjeti social i facebook-ut, përmes një kënge të krijuar aty për aty, vargjet e së cilës ftonin të gjithë bashkëatdhetarët e mi të shihnin mbylljen në karantinë si një mundësi për të bërë ato gjëra, për të cilat deri dje, për shkak të mungesës së kohës nuk kishin mundësi ti realizonin. Ti që rri brenda në shtëpi/ ke një rast që ta shfrytëzosh/ Nuk ta dikton asnjëri/ Se si kohën ta kalosh./ Bëj atë që s’bëre dje /Që të ndihesh dhe më mirë/ Se i bënë punët me nge/ Dhe nuk çohesh që pa gdhirë. Ndërkohë xhiruam edhe një videoklip në kushte shtëpie me një këngë italiane botërisht të njohur “Bella Ciao” për të kaluar atë mesazh optimizmi se e nesërmja i takon paqes dhe normalitetit. Nga fundi i Marsit dhe fillimi i Prillit 2020, në shtëpi krijuam një kënd, për të nisur një rubrikë të quajtur “Nostalgjia” nga ku do këndoja pothuajse çdo ditë akapela këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. As mund ta mendoja që këto prurje do sillnin kaq shumë kënaqësi tek të gjithë, aq sa këto këngë nostalgjike do i këndonin 3 bashkë me mua. Për të ardhur në Janarin e vitit 2021 ku nisa një bashkëpunim nga largësia me bilbilin myzeqar Arqile Hëna. Ai nga Italia me fizarmonikë dhe zërin e tij dhe unë nga Greqia krijuam “Treshen Myzeqare” një formacion i vogël ky që pati aq shumë sukses dhe jehonë në rrjetet sociale. Së bashku arritëm të regjistrojmë afro 40 këngë të ndara në 3 albume, njëri me këngë të vjetra qytetare me “Aromë Myzeqeje” dhe dy të tjerët me “Aromë Jugu”. Ishe rasti më i mirë që mund të plotësoja edhe një peng të vjetër për të regjistruar, bashkë edhe me videoklipin një këngë të viteve 30-të, të kënduar nga Kiu Pore “Goca e berberit” që kishte qenë nga më të preferuarat e tim eti. Më pas me rastin e 7 Marsit, për ditën e mësuesit do kishim një bashkëpunim me mësuesen e palodhur të mësimit të gjuhës shqipe në Redi dhe Aspropirgo të Athinës Lefteri Metkaj, për të organizuar nga distanca me korin e fëmijëve të këtyre dy klasave një videoklip me këngën aq të njohur për të gjithë “Mësueses time”. Dhe së fundi, më 10 Tetor 2021, me rastin e çeljes të së parës klasë të mësimit të gjuhës shqipe në Athinë nga mësuesja Lefteri Metkaj në bashkëpunim me pushtetin lokal të Athinës dhe Ambasadës Shqiptare në Athinë, do përshëndesja këtë eveniment me një këngë të re ende të papërfundur kushtuar gjuhës shqipe, me tekst nga Agapi Gjika dhe muzikën prej meje. Me tim shoq si manaxher, regjistrues zëri, miksim dhe mastering, por edhe me ndonjë zë ndihmës, apo në rolin e figurantit, si kameraman dhe regjizor, etj mundëm të bëjmë aq shumë në 19 muajt e karantinës, aq sa do na duheshin vite për ti realizuar në kushtet e jetës normale. Kështu që jo vetëm përmbysëm një realitet famëkeq por e shndërruam atë në një shans për ta kthyer në një periudhë frutdhënëse të një pune këmbëngulëse dhe me disiplinë.
SHKOLLA SHQIPE DHE AKTIVITETET E PËRBASHKËTA KULTURORE
Preferencat e mia përsa i përket këngës nuk kanë qënë asnjëherë pistat argëtuese, mbrëmjet dhe koncertet që do organizoheshin nga organizatorë që nuk kishin asnjë lidhje me artin. Kam qënë e distancuar prej tyre, por kam mbështetur pa asnjë përfitim organizimet nga shoqata të ndryshme shqiptare. Para pak vitesh pasi njohëm kontributin e shquar patriotik të mësimit të gjuhës shqipe nga mësuesja vlonjate Lefteri Metkaj e përgëzuam atë dhe vendosëm ti qëndrojmë pranë si familje për ta mbështetur në misionin e saj patriotik me të gjitha mundësitë që do na jepeshin. Unë personalisht kam marrë pjesë në më të shumtën e aktiviteteve të kësaj shkolle duke afruar zërin tim për të krijuar një atmosferë sa më festive dhe për të tërhequr rreth meje të gjithë fëmijët që të këndojnë dhe vallëzojnë bashkë me mua. Por jo vetëm me fëmijët, në këto evenimente gjithmonë kam menduar që në fund të afroj diçka të bukur edhe për prindërit e fëmijëve. Dhe në ambientet e shkollës greke do buçiste kënga dhe vallja nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Për këtë qëllim me tim shoq kishim blerë edhe një altoparlant të përshtatshëm me dy mikrafona. Pak më sipër përmenda disa nga aktivitetet e përbashkëta me shkollën shqipe këtu në Athinë. Një tjetër aktivitet i përbashkët me këtë shkollë që do linte aq shumë mbresa tek të pranishmit por dhe më gjerë, ishte ai i 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me një program recital historiko-kulturor e me një frymë tejet patriotike të shqiptarizmës. Siç do thoshtë edhe vet mësuese Lefteria, prania dhe kontributi jonë modest ka bërë që të rritet interesi për këto shkolla po kështu edhe numri i fëmijëve që do ndjekin mësimin e gjuhës shqipe në këtë vit shkollor që sapo ka nisur. Për mua dhe familjen time ky është një lajm i mirë dhe shumë i gëzuar, për të mos rreshtur përpjekjet tona në përkrahjen dhe mbështetjen e këtij misioni fisnik të mësimit të gjuhës shqipe nga brezi i tretë e fëmijëve shqiptarë me banim në Greqi. Kemi në diskutim edhe disa projekte të tjera me mësuese Lefterinë, sikundër mundësia e pjesëmarrjes së përbashkët me fëmijët në një festival të fëmijëve në Tiranë, apo edhe ngritja e një grupi valleje për fëmijët nën drejtimin e ndonjë specialisti të koreografisë shqiptare. Sa herë dhe në çdo aktivitet që organizojmë me këta fëmijë, mendimi ynë është tek ato gjurmë që mund të lënë në memorjen dhe ndërgjegjen e tyre kënga, muzika, veshjet popullore dhe vallet tona si plasdarm e lindjes së ndërgjegjes së identitetit kombëtar dhe e mbajtjes gjallë të tij tek një brez që lidhjet me Shqipërinë i ka shumë më të pakta, i pothuajse të papërfillshme. Përmes artit tim unë përpiqem të krijoj me këta fëmijë atë urë shpirtërore me atdheun e tyre të munguar, Shqipërinë.
FILLIMET ARTISTIKE NË GREQI
Me largimin nga Shqipëria pak kohë mbas rënies së sistemit dhe rrënimit ekonomik të familjes, pa asnjë perspektivë, lamë pas prindërit, tokën, pragjet, çdo gjë të shenjtë e të dashur, edhe vet ëndrrat, për të marrë udhën e mërgimit ekonomik. Kënga me të cilën isha rritur mbeti si një megafon pa disqe. Na merrte malli të dëgjonim shqip, për të kënduar as që mendohej. Nuk e kuptova se si mund ta braktis njeriu një ëndërr për të cilën aq shumë ishte përpjekur. Ndoshta vendi i huaj ku u vendosëm nuk mund ti ushqente dot këto dëshira ndaj dhe ju përkushtuam totalisht familjes, prindërve dhe njerëzve tanë të afërt sikundër edhe edukimit e shkollimit të fëmijës. Do kalonin mjaft vite pa e vënë këngën në gojë dhe, ikja e parakohshme e tim eti, përtej tronditjes së thellë, do më shkundte në këtë drejtim. Duke menduar për jetën dhe trashëgiminë e tij artistike që ai nuk e ndau deri në fund të jetës së tij, kjo gjë më futi në një dilemë. Po unë ç’kam bërë dhe çfarë duhet të bëja për të mbajtur gjallë kujtimin e tij e për të vazhduar në atë traditë të lënë si amanet? Ishte dhjetor i vitit 2012, plotë 20 vjet në dhe të huaj, kur një ditë shtune duke bërë punët e shtëpisë, im shoq më dëgjon që po këndoja një këngë të Shqipërisë së Mesme “Ç’u dëshërush”. Kujtoj që më thotë se kishte ngelur i mahnitur dhe më kërkoi ta këndoja edhe njëherë për të. Unë nuk mund ta mendoja se kjo ditë do përbënte edhe kthesën e madhe në realizimin e ëndrrës time. Një ditë prej ditësh më pyet nëse a kam pasur ndonjë vegël muzikore si më të preferuarën dhe unë pa u menduar shumë i përgjigjem se ajo ka qënë kitara. Për ditëlindjen time së bashku me tim bir më bëjnë surprizë kitarën e ëndërruar. Nuk zgjati dhe në shtëpinë time do vinte të më jepte mësimet e para për kitarë, maestro Nikollaq Nushi. Një moment mësoj se ai donte të organizonte një festival të këngës popullore folklorike aty në Athinë. Kjo më gëzoi pa masë dhe fillova menjëherë përgatitjet për të marrë pjesë në këtë festival të shumëpritur, për të kënduar në skenën e madhe, përball publikut. Më dukej vetja si në ëndërr. Por ishte e vërtetë. Për 3 netë rresht (11-13 Maj 2013) Festivali i Parë i Këngës Popullore Folklorike në Athinë u zhvillua me sukses të plotë. Në debutimin tim unë u paraqita me këngën “Vajzë myzeqare”. Emocionet e skenës ishin të papërshkrueshme, frymëmarrja mu vështirësua dhe zemra gati të më çahej. Aty kam marrë edhe duartrokitjet e para që më kanë ngelur të pashlyera në memorje edhe sot e kësaj dite. Në festival u njoha dhe u lidha me grupin e malësisë Zëri i Vendlindjes. Djemtë e grupit kishin shumë nevoj për një zë femre dhe më mirëpritën me shumë kënaqësi edhe për faktin se unë i këndoja shumë bukur këngët e tyre. Që në moshë fare të re unë i dëgjoja dhe i këndoja këngët malësore duke e hapur zërin e radios me fund. Gjyshi im nga ana e mamasë, paskësh zbritur nga Dibra e Madhe në Myzeqe. Thua të kisha trashëguar ndonjë gen prej andej? Me këtë grup dhamë disa koncerte si atë në Akropol të Athinës (Maj 2014), në Festivalin Antiracist po të atij viti, në Festivalin Ndërkombëtar të këngëve dhe valleve në emigracion (shtator 2016), etj. Më 9-11 Qershor 2014 mora pjesë në Festivalin e Dytë të Këngës Popullore Folklorike në Athinë, organizuar nga maestro Nikollaq Nushi të sponsorizuar nga UNESCO. Në Maj 2015 do marr pjesë në Festivalin e Tretë të Këngës Popullore Folklorike në Athinë të organizuar nga maestro Nikollaq Nushi dhe sponsorizuar nga Unioni i Shoqatave Shqiptare në Greqi. Një bashkëpunim tjetër do ishte ai me maestro Thoma Papa, i cili do organizonte Festivalin e Pranverës 1-2-4 Qershor 2015 nga ku do merrja çmimin e dytë me këngën Valsi i lumturisë. Do pasonte një festival tjetër i Thoma Papës Kënga Jonë në Emigracion 20-22 Nëntor 2015 ku do merrja pjesë si e ftuar jashtë konkurimit me dy këngë beratase. Me gjithë dëshirën e madhe dhe përpjekjet e palodhura të këtyre dy maestrove si të Nikollaq Nushit dhe të Thoma Papës për arësye të mungesës së shumave të nevojshme financiare, tradita e bukur e këtyre festivaleve nuk mundi të vazhdoj dot më tej. Këto kanë qënë me pak fjalë fillimet e mia artistike në Greqi, për të cilat u jam shumë mirënjohëse këtyre dy muzikantëve të talentuar dhe patriotë, por edhe të gjithë atyre muzikantëve që na mbështetën në këto skena festivalesh. Aktiviteti im i mëtejshëm do shtrihej kryesisht në pjesëmarrjen nga njëra anë nëpër koncertet që do zhvilloneshin nga organizatat dhe shoqatat kulturore shqiptare me rastet e festave tona kombëtare apo evenimente të tjera të tyre dhe, nga ana tjetër do ishin bashkëpunimet e mia me muzikantë si Keli Xhelili dhe 5 Armando Dhimitri për të punuar repertorin tim dhe për të përgatitur disa kolazheve të përshtatshme për vokalin tim. Këtu mund të përmend organizime nga Organizata Jeta, Shoqata Vëllazërimi, Shoqata Kulturore e Elbasanit, Shoqata Kulturore Artistike e Lushnjes, Shoqata Vaçe Zela, etj. Fatkeqësisht muzikantët dhe këngëtarët shqiptarë këtu në Greqi nuk janë të organizuar në formacione orkestrash të mirëfillta dhe ky është shkaku i cilësisë së dobët të koncerteve që organizohen më së shumti nga sipërmarrës ordinerë. Një realitet ky i papërshtatshëm për të ushtruar këngën. Dhe duke mos u pajtuar me këtë realitet, përpjekjet dhe angazhimi im u kanalizuan në krijimin dhe regjistrimin e këngëve të reja pranë studios së Armando Dhimitrit dhe të një numri kolazhesh popullorë. Janë në përfundim e sipër disa albume me këngë të lehta dhe disa të tjera me këngë popullore. Për të ardhur në periudhën e pandemisë për të cilën ju fola pak më sipër. Aktiviteti im në këtë periudhë megjithëse i paparashikuar do ishte i jashtëzakonshëm. Koha, përtej përpjekjeve dhe planeve që ne bëjmë ruan edhe surpriza. Unë jam e gatshme të pres me kënaqësi surprizën e radhes dhe gjer atëherë shumë projekte të miat shpresoj ti kem realizuar me sukses. Ndihem e kënaqur për sa kam realizuar dhe optimiste për të vazhduar më tej.
TË PUNOSH ME BASHKËSHORTIN ARTIST, SI PIKË MBËSHTETJE, PIKË REFERIMI, MOTIVIMI…
Ndoshta në këtë pikë jam tepër e privilegjuar që kam në krahë një njëri poliedrik ku me përkujdesjen dhe motivimin e tij më ka inspiruar e më ka zgjuar dëshira në hapësira ku s’mund ti realizoja veçse në një ëndërr të bukur. Artisti dhe më tepër poetët janë ëndrrimtarë të lindur, për ta gjithçka është e mundur. Prej tij kam kitarën e parë dhe nisa të mësoj akordet e para, për tu rikthyer në rrugën e braktisur të këngës, por tashmë jo e vetme, por me një mbështetje të sigurtë. I frymëzuar prej tij shkrova këngën dhe muzikën time të parë, “Djaloshit fierak” që ja kushtova po atij. Kjo besoj se i thotë të gjitha, por asgjë nuk mbaron këtu. Ky është vetëm fillimi. Ai s’kishte as më të voglën njohuri për muzikën dhe këngën përtej asaj që do dinte shumica e njerëzve që nuk ndoqën ndonjë shkollë apo të mësonin ndonjë vegël muzikore. Por kjo gjë dhe shumë të tjera si kjo nuk do të ishin aspak pengesë për të. Me shumë punë dhe këmbëngulje do arrinte të krijonte studion e tij me aparaturat e nevojshme dhe njohuritë e domosdoshme që do ti duheshin një inxhinieri të zërit, të miksimit dhe masteringut. Por edhe një studio për mua me një organo profesionale, konsolën, mikrafona dhe aparatura të tjera që do më ndihmonin të punoja për të bërë prova si edhe në punën time krijuese të shumë këngëve të reja. Unë jam një tip i çastit që natyra më ka dhënë dhuntinë e zërit me dëshirën dhe pasionin për këngën. Por falë tim shoqi arrita të mendoj dhe punoj për këngën me profesionalizëm. Që të kisha mundësi zgjedhjeje ai do shkruante për mua me dhjetra e dhjetra këngë të muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Idetë e tij për të ecur me guxim dhe besim në shtigje të pashkelura janë sinjifikative për ecurinë time në fushën e krijimtarisë dhe të pjekjes sime si artiste dhe këngëtare dhe jo thjesh si një imituese pa identitet. Është i vetmi që mi thotë gjerat në sy hapur dhe që më kupton e nuk rresht për të gjetur mënyra dhe mjete efikase që do më ndihmojnë në kapërcimin e çdo pengese. Mua më vjen turp të them që kam kompozuar të gjitha këngët e mia që janë me dhjetra dhe kjo falë tij. Ai di të kurdisë e të më ushqejë fantazinë, atë që tek shumëkush nga kompozitorët e diplomuar do mungojë. Të besosh në aftësitë e tua nuk është turp, ndërsa ti varësh shpresat tek të tjerët, është krimi më i madh ndaj vetes. Kjo është motoja e tij për kushtet e jetës artistike në emigracion, ku shumica e muzikantëve kanë harruar të merren me muzikë. Ata thjeshtë improvizojnë me një ritëm duke e vënë miletin të kërcejë dhe këngëtarët të këndojnë mbas zhurmës së tyre. Jetojmë anakronizmin e një realiteti të shformuar dhe të shveshur nga arti, dhe turmat e njerëzve që kërkojnë të argëtohen me çfarë tu serviris, ngaqë tregu është boshatisur nga muzika e mirëfilltë që të kënaq veshin dhe të dridhëron zemrën kur e dëgjonë. Dhe në këtë realitet të pashpresë prania e një artisti që shikon përtej përfitimit të kësaj bote të zhytur në paranojë shërben si pikë referimi dhe motivimi për të vazhduar pa u ndikuar në fushën e bukur dhe të vështirë të artit.
PIKAT PËRCAKTUESE TË SUKSESIT: BESIMI, MOTIVIMI, MBËSHTETJA DHE MENAXHIMI
Kam lindur dhe jam rritur në qytetin e Fierit, nga një familje qytetare me tradita patriotike dhe kulturë artistike. Im atë Anesti Çala një fizarmoniçist virtuoz dhe interpret i shquar arriti të kultivojë tek të 6 ne si fëmijë artin e tij të këngës e të muzikës. Mbas përfundimit të shkollës 8-vjeçare “Mark Dashi” në Fier unë do qëndroja pranë gjyshes time të sëmurë që lëngonte në shtrat për ti dhënë mundësinë prindërve, vëllait dhe motrave më të mëdha të vazhdonin të punonin. Mbas vdekjes së gjyshes time ndoqa një kurs për daktilografiste pranë ndërmarjes Sizmike të Fierit dhe paralelisht ndoqa “Shkollën e Mesme Ekonomike” dega Kontabilitet pa shkëputje nga puna në Fier, shkollë e cila do të më jepte mundësinë që të punoja si ekonomiste. Më pas provova të punoj si shitëse solidare bashkë me motrën time për afro 6 muajsh. Kërkesat dhe njohuritë e mia ishin të mëdha për të punuar diku por ishte e pamundur, burokracia e asaj kohe nuk linte asnjë shteg. E vetmja mundësi që mu dha, ishte të filloja punë në ndërmarjen N.SH.N të Fierit nga ku punova dhe u praktikova si ekonomiste me perspektivë të një vendi të ri pune si arkëtare, gjë e cila nuk u realizua. E zhgënjyer, prej andej fillova punë në ndërmarjen N.P.N të Fierit. Në vitin 1989 do vinte martesa me shokun tim te jetës Alfred Shyti ku sollëm në jetë edhe djalin tonë të vetëm Alderisin më 30 Tetor 1990. Kjo është periudha kur filluan edhe trazirat në Shqipëri ku pothuajse të gjitha ndërmarjet do mbylleshin një nga një nga ku do mbetesha pa punë. Im shoq u detyrua të ndërpresi studimet e larta në vitin e fundit të Univeristetit Shtetëror të Tiranës në degën Kimi Industriale, për të emigruar në Greqinë fqinje. Më 11 janar të vitit 1992 jemi larguar familjarisht nga Shqipëria për në kryeqytetin grek të Athinës, ku vazhdojmë të jetojmë edhe sot. Aty u përballëm me vështirësi të shumta dhe përjetuam periudhën më të zymtë të racizmit dhe propagandës së shfrenuar antishqiptare, të një ekstremizmi që i kishte shtrirë rrënjët edhe në pushtetin helen. Përjetuam një situatë aq të ndërlikuar saqë nuk duhej të na dëgjonte kush se flisnim shqip. Për mbarëvajtjen e familjes duhej të provoja dhe të bëja shumë punë, gjersa erdhëm në kontakt me një firëm të huaj nga ku do shtrinim veprimtarinë tonë në fushën e marketingut të një biznesi familjar. Më pas bashkë me tim shoq do ndiqnim Institutin Grek për Studimet e Sigurimeve (Ε.Ι.Α.Σ) ku u diplomova për të ushtruar profesionin e Konsulentes për Sigurime dhe Investime Financiare. Disa kohë u mundësova të punoj së bashku me tim shoq në një ndërmarrje serioze të prodhimit të paisjeve elektrike Viokar, në repartin e montimit të paisjeve të ndriçimit. Gjersa do nisja të merresha me këngën, nga ku do ndërprisja çdo aktivitet tjetër. Atë që nuk kisha arritur ta realizoja gjatë gjithë këtyre viteve të jetës time, ndoshta kishte ardhur ora ku im shoq do më mundësonte ti përkushtohesha totalisht këngës. Për sa i përket pikave të suksesit tim në jetë unë do ti veçoja ato në kontekstin e qenies si grua, si nënë, si artiste dhe si njeri. Si grua, do thosha se përgjigja do lidhej katërcipërisht me masën e suksesit të martesës e të krijimit të një familje të lumtur e të suksesshme, gjë të cilën mund ta them me bindje se e kam realizuar. Si nënë, jam e lumtur që kam një djalë të shëndetshëm, të shkolluar e të edukuar me normat morale dhe parime të shëndosha botëkuptimore. Si artiste, pika përcaktuese e suksesit besoj se lidhet me shkallën e besimit, motivimit, mbështetjes dhe menaxhimit në rrugën e zgjedhur të artit. Dhe në këtë pikë ndihem e privilegjuar ngaqë njeriu im më i besuar i përmbush të gjitha cilësitë e sipërpërmendura dhe ky është, kush tjetër veç tim shoqi. Ndërsa si njeri, me botën emocionale, plotë dëshira dhe ëndrra, si një pikë suksesi do konsideroja realizimin e ëndrrës time më të vjetër, këngën. Dhe kjo sot për mua është një realitet që më mbush shpirtërisht dhe më bënë të ndihem e lumtur.