Shkruan: Melsen Kafilaj/
Njëherë, një mëndje brilante evropiane, historiani holandez Johan Huizinga u shpreh kështu: “Nëse duam që ta ruajmë kulturën, ne duhet të vazhdojmë që ta krijojmë atë.”Befas ky mendim iluminues më erdh ndër mënd kur konstatova se tre artistë-kolosë, artistë nga ata të cilët numërohen me gishtat e dorës dhe që i kanë dhënë kaq shumë këtij vendi fatkeqësisht janë lënë në harresë dhe nuk u është kushtuar respekti i duhur pas vdekjes për kontributin e tyre.Por a mund të lihen në harresë artistë të mëdhenj të një Kombi si ata?! Ata që veshi e syri estetik shpirtëror s’ka sesi të mos dridhet dhe emocionohet kur është në prani të veprave të tyre.
A mund të lihet në harresë kompozitori i madh Pjetër Gaci, ai i cili përmes këngës së pakohë “Për ty Atdhe” i gdhëndi kombit tonë një monument të përjetshëm dashurie?!Ai që ka kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptare?!Si është e mundur vallë që gjatë gjithë kësaj kohe që ka kaluar nuk është kujtuar kush nga ana institucionale që të propozoj a marr ndonjë nismë praktike për realizimin e një monumenti në bronz për kolosin Pjetër Gaci?! Kombi ynë ka një obligim moral ndaj tij, ndaj tij dhe ndaj të Ardhmes.Sepse Gaci nuk është vetëm një artist, por një simbol atdhedashurie i cili duhet të përforcohet në memorien tonë kombëtare dhe ti bëhet nderimi i duhur.
Që ne jemi një nga kombet i cili e përdor më shpesh kujtesën afatshkurtër, ky tashmë është një fakt.O ironi e Fatit! O marrëzi e kësaj kohe!Po si është e mundur vallë që babai i skulpturës shqiptare, ai i cili realizoi mbi 600 vepra arti, midis të cilave skulpturat e Kristoforidhit, Fan Nolit dhe ato të Heroit Tonë Kombëtar Skënderbeut, ky komb ta lër në harresë dhe të mos i skalit një skulpturë?!Si është e mundur vallë që të madhit Odhise Paskali, atij të cilit veprën e parë “I Urituri”(mjaft e fuqishme për nga shprehia emocionale) Italia (Atdheu i Artit Botëror) ia rrëmbeu si plaçkë lufte ndërsa vepra tjetër i qëndron madhështore në Mauthausen të Austrisë si shënjë triumfi e koalicionit të Humanizmit kundër Nazizmit, pikërisht këtij artisti veprat e të cilit janë vendosur në disa sheshe kryesore të qyteteve shqiptare të mos ketë një monument për nder të tij, i vendosur ky i fundit përpara Galerisë Kombëtare të Arteve ose Universitetit të Arteve si dy vëndndodhje sinjifikative?! Mendoj se Paskali ynë ka bërë mjaftueshëm për këtë vend aq sa në mënyrë honorifike ky i fundit ta nderoj dhe t’ju dëshmoj brezave pasardhës për trashëgiminë e tij.
Por ka edhe më akoma.Së fundmi,Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit sapo është rikonstruktuar.Një punë që duhet vlerësuar.Po pse të mos ketë përpara tij një bust të divës Marie Kraja, këngëtares së mrekullueshme lirike të mbi 300 këngëve tona popullore, përfaqësuese dinjitoze e Shqipërisë në “Mbrëmjen e Kombeve” në Vjenë, gur-themel i këtij institucioni (TKOB) dhe pjesmarrëse në operën e parë shqiptare “Mrika”?! A nuk e meriton vallë një nderim të tillë një artiste-kolose e cila ia kushtoi gjithë jetën emancipimit të kësaj shoqërie përmes muzikës dhe veprimtarisë së saj pedagogjike?! A nuk është një shënjë e lartë kulture dhe emancipimi për një komb i cili figurat e veta më prominente femërore ti ngrej në piedestal dhe ju mësoj ndër breza fëmijëve të vet se progresi i një shoqërie varet nga edukimi, respektimi dhe energjia jetësore që rrezaton një grua?! Fatkeqësisht bustet e personaliteteve femërore kulturoro-shkencore në vendin tonë janë të rralla ose thuajse mungojnë fare por është koha për të vetreflektuar dhe bërë një hop cilësor edhe në këtë drejtim.
Për tu kthyer edhe njëherë tek Huizinga.Personalitetet kulturoro-shkencore të një kombi duhen respektuar, trajtuar me dinjitet dhe mbrojtur me fanatizëm.Modelimi dhe realizimi i busteve për to është një akt fisnik në shërbim dhe mbrojtje të kulturës tonë kombëtare i cili duhet realizuar sa më parë.Në të tillë mënyrë krijojmë kulturë për brezat, jo vetëm për njohjen e këtyre personaliteteve dhe lidhjen e tyre me kujtesën tonë kolektive por i shtojmë hapësirave publike edhe tre vepra të tjera arti, tre vepra të cilat nëse i kundron përditë e nga pak mund ta bëjnë Homo Albanicus tonë paksa më të mirë dhe më reflektonjës ndaj Atdheut sesa është në apatinë e tij të zakonshme.